
Në valixhen time
Në valixhen time
ka petka të vjetra lini,
në bojë gjaku të përvëluar,
perëndimi të afshtë dielli,
të gjelbër të çelët të harbuar,
që më kujtojnë se jam sërish fëmijë.
Ka fletë ditari holluar nga koha,
ngurtësuar nga aromë dalldie, harrimi,
ku dashuria nuk bën kompromis
dhe liria është e vetmja monedhë këmbimi.
Në valixhen time,
rrinë stivë nota pentagrami,
ku secila këngë di një histori, një emër,
që herë ngazëllon, herë klith nga marazi,
e herë hesht nga malli tretur.
Ka kitara të pamësuara
me tela harkuar prej trillit, dehjes,
pointe borë të papërlyer
që vallëzojnë rreth një zjarri që kurrë s’u ter.
Në valixhen time,
ka telajo me nuancat e prillit,
që u ngjyrosën me penelët e mendjes,
me mall të pashuar në formën e qiellit.
Në të vetmen valixhe timen,
ka histori të pafilluara,
të mbaruara dhe të pafilluara,
të filluara dhe të pambaruara,
skalitur me vraga mungese dhe nginjeje.
S. Shala
Dua, dua, dua
Dua mëngjeseve të rizgjohem si dikur,
pa zile, dhimbje, kacafytje me veten,
të vesh krahët e të bëhem gati për udhë,
atje ku më shumë se kudo e dua jetën.
Dua mes ngjyrash nanuritëse të rizhytem,
fustanesh, buzëqeshjesh, siluetash si sirenë,
atje ku për t’u ndjerë a dukur bukur,
ndoshta nuk më duhet të jem një Helenë.
Dua diellin, erën, shiun ta ndjej nëpër flokë,
s’ka rëndësi nëse jashtë ka të nxehtë afrikanë apo acare,
dua të eci këmbëzbathur e të mos ndjej vetmi,
të erety ku jeta shijon si puthja mëkatare.
Dua të vallëzoj në agim derisa çdo muskul të më djegë,
dhe dhimbjen ta shtrij në tokë, sfidoj, sundoj,
meloditë e mia të harruara mërgimtare,
vetes nga e para sërish t’ia këndoj.
Nuk e di se ku dua të shkoj më parë,
në mal, det, tokë a përrua,
di që dua të qesh përsëri si e marrë,
dua, dua, dua…oh sa shumë që dua.
S. Shala
Romës
Ka një vend në gjithësi
ku ëndrrat qëndrojnë të paprekura,
meloditë të ngrira në galopin e jetës,
heshtjet të pazbërthyera
e ngjarjet të murosura nën dritën e hënës.
Ka një vend që quhet Romë,
për mua Qyteti i Përjetësisë,
ku koha rri këmbëkryq në një muze,
dhe ku perëndia, jo rastësisht,
fali një Vilë Borghese e një Kolose.
Ka një vend që qëndisur e kam në zemër,
ku rrinë kyçur ëndrra e zgjëndra pa fund,
që rigjallërohen çdo ditë sikur të jetë e para herë,
dhe ngjiten aq lart drejt kaltërsisë,
sa nuk realizohen kurrë.
Ky vend si fluturim i ngrirë në hapësirë mbeti,
përkundur nga dallgë dalldie, lirie,
që as koha a moti i eger s’ia treti
stolinë me stërkala hareje e dashurie,
që herë duken larg e herë fare afër.
S. Shala
Lumturi me pikatore
Kam filluar ta racionoj lumturinë,
ta shtiej në filxhanë me bojë të praruar,
stolisur me ojnat e shpirtit tim,
ngrohur me zjarrin që rri i pashuar.
E çdo agim nga një gllënjkë të vogël kthej,
sikur të jetë e para herë në këtë jetë,
ndryshe ç’mundim do të qe tjetër të gjej
në botën mbushur plot ëndrra dhe dert.
Dhe kështu dhimbjen filloj zbus nga pak,
si një plloçë guri që vetë e latoj me duar,
dhe netët më duken të bardha zambak
dhe ditët sado te errëta i marr shtruar.
S. Shala