
Luljeta Progni/
Ka një pritshmëri që në Shqipëri duket se ka mbetur e pandryshuar prej më shumë se tri dekadash: kur gjërat bëhen të vështira, sytë e shqiptarëve kthehen nga Ambasada Amerikane. Prej saj pritet një fjalë, një qëndrim, një mbështetje, shpesh edhe zgjidhje. Në një vend që prej dekadash njihet për lidhjen e fortë me Shtetet e Bashkuara dhe për ndjenjën e theksuar proamerikane, ajo ndërtesë në Tiranë nuk është parë vetëm si një ambasadë. Për shumë shqiptarë, ajo është një prej së cilës pritet zgjidhje për krizat e shpeshta që ndodhin në Shqipëri.
Kjo ndjenjë nuk nisi sot. Rreth 35 vjet më parë, kur Shqipëria sapo kishte dalë nga izolimi komunist dhe po përpiqej të gjente vendin e saj në botën perëndimore, rikthimi i Shteteve të Bashkuara në Tiranë kishte një peshë të jashtëzakonshme. Pas dekadash propagande kundër Amerikës, ambasadori amerikan nuk ishte thjesht një diplomat i huaj. Çdo takim i tij, çdo vizitë dhe çdo deklaratë merrte një vëmendje të veçantë. Në vitin 1991, një prej këtyre vizitave, ajo e ambasadorit Ëilliam Ryerson në Korçë, u kthye në debat në Parlament. Por përplasja nuk ishte thjesht për një vizitë. Në të vërtetë, ajo tregonte se si po e shihnin shqiptarët Amerikën në ditët e para të demokracisë. Deputeti socialist Bardhyl Fasko e akuzoi ambasadorin amerikan për ndërhyrje në politikën dhe fushatën elektorale shqiptare. Ai kërkoi shpjegime nga drejtuesit më të lartë të shtetit dhe e konsideroi të papranueshme që një përfaqësues diplomatik të merrte një rol në zhvillimet e brendshme politike.
Përballë tij, deputeti demokrat Petrika Minga e pa vizitën në një tjetër dritë. Për të, ardhja e përfaqësuesit amerikan në Korçë ishte një ngjarje e rëndësishme për një shoqëri që sapo kishte dalë nga 50 vjet diktaturë. Amerika ishte, në fjalët e tij, pjesë e botës demokratike ku Shqipëria tashmë kërkonte të hynte.
Dy qëndrime të kundërta për rolin e një ambasadori. Por edhe një dëshmi e hershme për peshën që Amerika kishte marrë në imagjinatën politike shqiptare.
Kanë kaluar 35 vjet. Shqipëria e vitit 2026 nuk ngjan me atë të vitit 1991. Institucionet janë të tjera, marrëdhëniet ndërkombëtare janë të tjera dhe Shqipëria është pjesë e një realiteti krejt tjetër euroatlantik. Por një prirje nuk duket se ka ndryshuar: lidhja e fortë e shqiptarëve me Amerikën dhe pritshmëria ndaj saj. Edhe pritja e parë e ambasadorit të ri amerikan Eric Ëendt në Tiranë, në tetor 2026, u lexua përmes kësaj peshe. Në fotografi nuk ishin vetëm njerëzit që morën pjesë. Vëmendje morën edhe mungesat, veçanërisht ato të Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të PD-së Sali Berisha. Në sallë, ndërkohë, ishin drejtues institucionesh dhe përfaqësues të opozitës parlamentare.
Një fotografi tjetër politike, 35 vjet pas asaj që ishte krijuar në ditët e para të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Kohët nuk ngjajnë. Shqipëria e vitit 1991 po kërkonte të dilte nga izolimi. Shqipëria e vitit 2026 është një vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në Shqipëri, Ambasada Amerikane është për shumicën e shqiupotarëve shumë më tepër se përfaqësia diplomatike e një shteti mik. Është një adresë ku drejtohen sytë në momente të rëndësishme të vendit. Një adresë prej nga pritet të vijë një qëndrim kur politika shqiptare përplaset, një mbështetje kur institucionet janë në krizë, një fjalë kur shoqëria kërkon orientim.
Ndoshta pikërisht këtu qëndron një prej veçorive më të forta të marrëdhënies së shqiptarëve me Amerikën. Ndryshojnë qeveritë, partitë, ambasadorët dhe temat e debateve. Ndryshojnë edhe kohët. Por prirja proamerikane e shqiptarëve, dhe mbi të gjitha shpresa e madhe që një pjesë e tyre vazhdojnë të vendosin pas asaj dere, duket se ka mbetur e pandryshuar.
Është interesante të shohësh kontekstin e dy kohëve, duke kapërcyer zhvillimet e 35 viteve ndërmjet. Ndaj sjellim një debat në parlamentin shqiptar të vitit 1991, I pari pluralist pas rënies së diktaturës komuniste, ku po diskutohej një temë mjaft interesante, prania amerikanë në Shqipëri përmes ambasadorit Ëilliam Rajerson.
Tetor 1991, seancë parklamentare
Bardhyl Fasko – Për mua ky problem nuk kishte fare rëndësi. Ashtu siç është parashikuar, le të miratohet dhe unë do të thoja të shpejtoj punimet e këtij Kuvendi. Ndërkohë meqë e mora fjalën, unë, kisha një mendim që në mbyllje të këtyre punimeve të na nderonte me pjesëmarrjen e tij, ndoshta dhe ndonjë deputet do të ketë këtë mendim, edhe Presidenti dhe Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm për disa probleme e shqetësime që kam unë si deputet dhe si përfaqësues i popullit. Ndaj unë me keqardhje në vazhdim, mbas asaj kritike që bëra në seancën e kaluar shoh që bëhet një fushatë e egër elektorale kundër PS, por do të thosha edhe kundër Shqipërisë nga Trupi Diplomatik Amerikan. Unë për këtë do të kërkoja deri në një, si shqiptar, si atdhetar, shpjegime nga Presidenti i Republikës, nga Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm. Edhe në seancën e mëparshme e deklarova.
Nuk është në nderin e tij që përfaqësuesi i Trupit Diplomatik Amerikan të ndërmarrë fushatë elektorale. Nuk e mendoj dhe nuk jam në gjëndje të kuptoj si ia ka vënë në mend vetë vetes për detyrë zoti Rajerson dhe zoti Hill me takimet dhe me përgjigjet që u jep pyetjeve antishqiptare në zonën e Korçës dhe të Kuçovës. Për mua ishte turp që të rri në këtë Parlament si përfaqësues i popullit me këtë diskriminim që i bëhet popullit shqiptar. Është turp për Kryeministrin Vilson Ahmeti, është turp mbi të gjithë, për Presidentin Alia që nuk dihet se ku është futur dhe me se merret; të na thotë: kujt ia ka shitur kombin? Në qoftë se ia ka shitur të na japë haraçin, të na japë paret, të na japë atë që na takon dhe mos të na hedhë sa në një kanal në kanalin tjetër.
Unë jam shumë i indinjuar si shqiptar i ndershëm. Po e përsëris, jam tepër i indinjuar, ndaj edhe një herë kam kërkuar, mbas vizitës së ambasadorit amerikan, si duket i ka vënë vetes për detyrë të bëhet edhe President i Shqipërisë, që nesër le të bëhet dhe le ta nxjerri Shqipërinë nga situata, po ia dha Shqipëria, po ia dhanë shqiptarët e jo individët. Ç’janë këto politika të poshtra që bëhen në kurriz të Shqipërisë? Ne dje folëm dhe përshëndetëm qëndrimin e zotit Baleta për qëllimet shoviniste greke. Ç’janë këto? Ç’bëhet kështu, nën rrogoz? Ku shkon ky ujë? Qeshni zotërinj deputetë, se tani mori në telefon zoti Minga për të ardhur 1000 gazeta të Korçës dhe të shiteshin në Tiranë se qenkan shumë të mirëpritura nga Tirana intervistat e tij në Korçë. Unë jam tepër i indinjuar si shqiptar. Po e përsëris për së pesti herë, ndoshta dhe shpejtohem, ndoshta bëj dhe ndonjë gabim në shprehje, por në fund të fundit jam i pastër. Qëndrimet e tij janë antishqiptare, janë antikombëtare, janë të poshtra. Do të kërkojmë insistim që Presidenti Alia nesër, para se të shpërndahet Parlamenti, të vijë dhe të japi shpjegime, po kështu dhe Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm.
Aleksandër Meksi – Petrika Minga.
Petrika Minga – Ju lutem, kam të drejtën e replikës, meqënëse zoti Fasko më zuri emrin në gojë. Dua të jem i sinqertë dhe i drejtë, siç kam qenë gjithmonë për hir të një të vërtete. Para disa ditësh në Korçë bëri një vizitë zoti Rajerson i ftuar nga deputetët e Partisë Demokratike, një vizitë vërtet e suksesshme; ai bëri një takim me inteligjencën e gjithë qytetit të Korçës. Nuk po them për anët teknike si u zhvillua atje, sa nuk kishe ku të hyjë brenda në sallën e kinema “Çajupit”, por do të flas kryesisht për cilësinë e asaj mbledhjeje. Ishte një ngjarje e rëndësishme për atë qytet, që pas 50 vjetësh diktature, vinte një përfaqësues i shtetit amerikan dhe aq më tepër ne që kemi gati çerekun e shqiptarëve, kemi në SHBA që jeton një komunitet shqiptar amerikan, që ka pasur gjithmonë përkrahjen ndihmën dhe jetojmë me djersën dhe ballin e tyre. Jetojmë në epokën e demokracisë dhe për ne demokracia amerikane është tempulli i demokracisë, të cilën duhet ta kopjojmë.
Pavarësisht nga prapaganda e egër që është bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si xhandari ndërkombëtar, që shumë mirë i dinë zotërinjtë e Partisë Socialiste, sot ata kthehen dhe iritohen me mënyrat e zotit Fasko. Po për hir të një së vërtete duhet të sqaroj opinionin e gjerë. Atë e ka sqaruar vetë zoti Rajerson nëpërmjet intervistave që bëri në Radio-Korça; intervistë i dha edhe gazetës tonë, “Korçës Demokratike”. Po me ç’shoh unë shqetësimi i madh i zotit Fasko konsiston në lidhje me takimin që ka bërë zoti Rajerson me zotin Nano. Për hir të së vërtetës aty sqarohet shumë mirë në intervistë dhe vetë zoti Rajerson u shpreh në këtë mënyrë: Kam qenë shumë i shqetësuar gjithë atë natë se si ma hodhi zoti Nano në takimin që kam bërë me të. Televizori thotë që takimi ishte i organizuar. (B.Fasko ndërhyn). Ju lutem, zoti Fasko, unë të dëgjova me gjithë revoltimin tuaj. Në fakt -tha ai – unë isha i ftuar nga zoti Nano, në emër të Komisionit Drejtues dhe unë detyrimisht prisja që aty të më ftonte Komisioni Drejtues dhe ta shihja të gjithë Komisionin Drejtues të Partisë Socialiste. Për çudi, aty pashë vetëm dy veta dhe, për çudi akoma më tej vetëm njeri foli, zoti Nano. Unë kam pasur shumë takime tha me të paktën, fjalët e tij që ia drejtoi popullit të Korçës në pyetjet që u bënë, “si ishte takimi me zotin Nano?”
Unë kam bërë shumë takime me liderë partie, por asnjë herë nuk jam rrethuar nga kamera televizive të tipit të atij takimi. Mendova një herë ta bëja siç ja bëri Berisha, Presidentit, të largohesha dhe unë nga ai truk që po krijohej, megjithatë si diplomat që jam unë qëndrova, bisedova si diplomat. Po më vjen shumë keq që në kronikën televizive që unë e pashë vetë dhe e dëgjova me veshet e mi shpreh se një deklaratë që unë e kam bërë në pranverën e vitit të kaluar, në lidhje me pozicionin e SHBA në lidhje me partitë e tjera që janë në Shqipëri dhe kryesisht me Partinë Socialiste. Kjo deklaratë, për çudi, jepet në kronikën televizive para 3 ditësh. Unë këtë deklaratë e kam bërë para një viti. Prandaj me shtrembërime dhe manipulime të kësaj natyre, nuk mund të ecet me sinqeritet në një fushatë të re elektorale. Ky është konsistimi. Ky është mesazhi i demokracisë së re shqiptare.
Ndërsa për problemin tjetër që më bëhet akuzë, që zoti P.Minga dërgoi në Korçë të vijnë dhe 1000 gazeta të tjera, kjo është e drejta jonë që ne si gazetë të shkojmë atje ku kërkohet. Dhe me të drejtë unë e pashë interesimin e madh që ngjalli ajo gazetë, veçanërisht artikulli me intervistën e zotin Nano. Si duket u ka djegur fort ky mashtrim që është përdorur nëpërmjet mjeteve të televizionit që njëkohësisht duhet ta përmend që mjetet e televizionit përsëri nuk janë rinovuar dhe nuk i shërbejnë më popullit me sinqeritet që ai e kërkon. Ne kemi bërë seanca të tëra për të rinovuar Televizionin Shqiptar, por shohim përsëri një televizion që manipulon.
Me këtë rast do të përmend gjithashtu, krahas kësaj, një shqetësim i madh që u krijua përsëri në lidhje me një artikull që është bërë në “Zërin e Popullit” pa autor, që quhesh vetëm vëzhguesi, në lidhje me pozicionin që ka mbajtur kryetari i komitetit pluralist, Ilir Manushi, në lidhje me deklaratat e zotit Miçotaqis në lidhje me Vorioepirin, sikur Ilir Manushi është takuar, ai nuk e njeh as për fytyrë, bile, dhe kur ka thënë për pozicionin në lidhje me Vorioepirin Ilir Manushi ka duartrokitur në Kostur, gjë që është komplet e fabrikuar, e falsifikuar dhe me indinjatë komiteti pluralist dhe Ilir Manushi ka hedhur në gjyq gazetën “Zëri i Popullit”. Por për çudi Radiotelevizioni nuk bën asnjë deklaratë të kësaj natyre, megjithëse, insistimin e madh të Komitetit Pluralist për ta sqaruar situatën, asnjë gazetë nuk e botoi, as Televizioni nuk dha asnjë deklaratë dhe të detyruar ata kaluan në gjyq. Gjyqi ishte caktuar javën e kaluar, të martën, dhe për çudi, kryeredaktori i saj, Përparim Xhixha; nuk erdhi shpresoj që do të vijë nesër në seancën tjetër; prandaj me sinqeritete fallco, në lidhje me rinovimin, me demokracinë shqiptare nuk mund të ecet. Atëhere unë po i bëj një apel ndërgjegjes së gjithësecilëve këtu që në qoftë se do të jemi të ndershëm në zgjedhjet e reja, duhet me të vërtetë të jemi të sinqertë, të hapur, të bëjmë një fushatë elektorale të sinqertë, që populli të fitojë e jo të humbasi, sepse me mashtrime nuk bëhen fushata elektorale. Ju falemnderit!
Bardhyl Fasko – Ftoj zotin Minga dhe gjithë deputetët e tjerë, unë s’do të isha dakord që vetëm me atë përfundim e konkluzion të zotit Minga që ne do të kopjojmë demokracinë amerikane. Nuk jemi në një tavolinë me Amerikën; nuk do të afrohemi dot me të, ma do mendja, dhe 20 vjet që t’i ndjekim ata hap pas hapi. Së dyti, demokracia në Shqipëri, zotërinj, unë ju kujtoj juve, i kujtoj dhe ambasadorit amerikan dhe komplet Trupit Diplomatik Amerikan dhe Presidentit Bush, zoti Imami mos u mërzit, edhe gjithë presidentëve të tjerë të shteteve demokratike të Evropës që, në një vend si Shqipëria, si në të gjitha shtetet e tjera nuk mund të vijë demokracia pa Partinë Socialiste, pa partitë e tjera politike. Me një parti nuk mund të vendoset demokracia, se do të kalojmë në monizmin tjetër, në rimonizëm, zotërinj, Ndaj unë protestova, duke u nisur edhe nga shënimi i gazetës së Korçës se atje ishte intervista e tij, duke u shprehur zoti ambasador se “në Shqipëri nuk do të vijë ndihma nga Amerika, po qe se janë në pushtet socialistët”, atëhere, kur të fitojë opozita, kur socialistët të ngelen pa punë, atëhere dashkan të vijnë ndihmat nga Amerika.
Kjo është shprehje konkrete, është në gazetë. Tani unë do të thosha, mos vallë do t’i nxjerri jashtë kufijve të Shqipërisë zoti ambasador socialistët dhe simpatizantët e kësaj partie? Duket se është antidemokratik qëndrimi i tij, antikombëtar, antishqiptar, ndaj unë në shenjë proteste, zoti Meksi, i propozoj grupit tim, po të duan le të presin, si të duan, zotërinjtë që të protestojmë dhe në shenjë proteste t’i kërkojmë Qeverisë Amerikane dhe Qeverisë që brenda një jave ky Trup Diplomatik Amerikan të largohet nga Shqipëria.
Aleksandër Meksi – Zoti Abdi Baleta.
Abdi Baleta – Zoti Meksi, unë e kisha kërkuar fjalën lidhur me nenin 85; kam një sugjerim të vogël, por më vjen keq që diskutimi u shmang nga ky nen në mënyrë tepër të papritur, tepër brutale, tepër të panevojshme, sa që besoj të gjithë deputetët e këtij Parlamenti i vë në një pozitë të vështirë, në mos për arsye të padrejtësisë së sulmeve, të paktën për mënyrën e pasjellshme që u përdor ndaj diplomatëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët populli ynë prej kohësh ka dashë t’i shohë këtu dhe regjimi diktatorial komunist, qëllimisht për të izoluar Shqipërinë i ka mbajtur larg. Unë jam ish-diplomat i Shqipërisë dhe e quaj për detyrë të ndërgjegjes së qytetarit dhe të profesionistit që t’i them dy fjalë lidhur me natyrën e hapave diplomatike, të drejtat që mund të ketë një Parlament, një Qeveri të reagojë ndaj diplomatëve të huaj.
Së pari, i takon ekzekutivit të shprehet, në qoftë se ka ose jo veprime nga diplomatët e huaj që nuk përputhen me statusin e tyre diplomatik. Në qoftë se ne deputetët fillojmë marrim kompetencat e ekzekutivit dhe bëjmë sipas qejfit tonë, ne vëmë në pozitë shumë të vështirë Qeverinë, ajo Qeveri që duhet më përpara dhe duhet të flasim, t’i lëmë kohën ekzekutivit të peshonte hapat e diplomatëve. S’kam asgjë kundër, që çdo deputet t’i kërkojë ekzekutivit interpelancë. Por të kërkosh interpelancë nuk do të thotë të paragjykosh mendimin që do të japë ekzekutivi, ta vësh ekzekutivin para fakteve të kryera, të kthehesh në gjykatësh i ekzekutivit tënd, pa e dëgjuar ekzekutivin tënd dhe aq më tepër kjo të kalojë në fyerje ndaj përfaqësuesve diplomatikë të shtetit të huaj, qofshin këto miq ose jo, aq më tepër kur ne themi tani se i konsiderojmë dhe i kemi përfaqësues të vendeve miq; veç kësaj duhet të kujtoj se hyn në detyrat e diplomatit të ndjekë gjendjen në vend, të informohet për çfarë ndodh, të bëjë vlerësimet e gjendjes në vend, vlerësimet e forcave politike, të japë dhe mendimet e tij personale.
Unë mund t’ju them me plot bindjen që diplomatët tanë amerikanë që janë këtu nuk kanë bërë as 1/1000 e asaj që kam bërë unë në SHBA, po qe fjala për ndërhyrje.
Kam ndërhyrë në mënyrën më të tmerrshme, me porosi të Qeverisë time dhe të Komitetit Qendror të PPSH; kam mbajt takime në grupe m-1 për t’i bindur të bëjnë revolucionin socialist në Amerikë. (Të qeshura në sallë). Kam takuar qytetarë amerikanë me origjinë shqiptare dhe kam dashë t’i bind sa i poshtër është imperializmi amerikan për ata, për ne dhe për gjithë botën e plot e plot të tjera. Kam dhënë dhe informacione që, siç më ka shkruajt njëherë një gazetar, shqiptar, “ke spiunuar imperializmin amerikan te diktatura shqiptare» në “Zërin e Popullit” është kjo. Prandaj nuk është e hijshme që të bëhen sulme të kësaj natyre kundër diplomatëve të huaj vetëm pse ata bëjnë vizita,…,unë e kuptoj, secili ka kënaqësitë dhe pakënaqësitë e tij. Tani ne s’kemi ç’bëjmë. Nuk sjellim dot më as diplomatë, të kohës së Stalin e të stilit stalinian, as të kohës së Brezhnjevit as të Titos, as të Milosheviçit, nuk di si do ta bëjë Serbia, kur të mos jetë Jugosllavia; as Mao Ce Dunët nuk i sjellim: Të mos harrojmë dhe një gjë tjetër, sa herë diplomatët e këtyre vendeve i kemi kthyer nëpër fshatrat tona, nëpër qendrat tona të punës që të flasin për revolucionin botëror, të flasin për luftën kundër imperializmit amerikan, kundër socialimperializmit; kështu që kthehuni zotërinj pak, mendoni se ç’është bërë, në mënyrë që të mos sulmoni veprimet më normale, vetëm e vetëm se nuk ju pëlqejnë për shijen tuaj politike.
Në qoftë se do të veprohet në këtë mënyrë, ekzekutivi dhe Presidenti ynë, për herë të parë po e marr në mbrojtje në këtë sallë, vihen në pozitë të pabarabartë, sepse qortohen për gjëra që nuk kanë faj.
Për ta përfunduar këtë pikë, më duket se e gjithë kjo bëhet në shpirtin e vjetër për të izoluar Shqipërinë nga bota e tjetër demokratike, është ringjallje e psikozës komuniste të viteve të shkuara kur duheshin patjetër të gjendeshin pretekset që të na largonin patjetër nga demokracitë perëndimore, është rikthim i komunizmit. Është pasojë e rikrijimit të Partisë Komuniste? Për fat të keq vjen nga një kolegu ynë që thotë është i grupit socialist. Atëherë kaq qenka rinovimi i komunistëve në socialist. Unë do t’u lutesha diplomatëve amerikanë ta kuptonim zotin Fasko ashtu siç mund të kuptohet zoti Fasko, në mënyrë që të mos ngatërronin, as Parlamentin Shqiptar, as ekzekutivin shqiptar me shpërthimet e zotit Fasko në këtë mënyrë në këtë Parlament.
Dhe tani dëshiroj të kthehem te neni 85. Neni 85, zoti kryetar, parashikon rastet kur merr fund para afatit. Unë jam plotësisht dakord me propozimin e një deputeti parafolës që thotë duhet të parashikohet kur shpërndahet Kuvendi Popullor para afatit, duhet parashikuar si rast kur merr fund mandati. E përkrah këtë kërkesë. Ju falënderoj!
Leontiev Çuçi – Nuk e di, më vjen keq pse u irrituan kolegët. Nuk dua as të shaj, dhe as të fyej. S’dua të jem as pasionant; po e përsëris për herë të tretë, dua vetëm të shpreh disa mendime vetëm për hir të së vërtetës:
Në radhë të parë, unë nuk pajtohem me disa pasione të zotit Fasko, duke pasur parasysh pozicionin e Partisë Socialiste. Partia Socialiste nuk ka qënë dhe nuk do të jetë xheloze për marrëdhëniet e mira që krijojnë partitë e tjera me eksponentë të përfaqësive të huaja diplomatike, të institucioneve ndërkombëtare. Unë po flas në emër të Partisë Socialiste. Zoti Fasko le të shprehë mendimin e tij si të dojë. Partia Socialiste e ka thënë publikisht. Nuk është xheloze për të gjitha marrëdhëniet që krijojnë këto parti, përkundrazi e gjykon këtë problem me realizëm dhe për hir të interesave të Shqipërisë.
Për sa i përket marrëdhënieve që ka Partia Demokratike, qoftë në Ambasadën Amerikane, me përfaqësues të tjerë, po e them shqip që ne na bëhet qejfi. Ne nuk jemi dakord në një pikë dhe nuk kemi për ta pranuar këtë që të shfrytëzohen për qëllime elektorale. Unë nuk e di se si është tamam, nuk e kam lexuar intervistën, por e dëgjova çfarë u tha; pata parasysh edhe çfarë tha zoti Minga, dhe dua vetëm të saktësoj se as zoti Baleta nuk ka të drejtë e të krijojë pozicione që shtrembërojnë realitetin dhe të vërtetën për vetë qëndrimin politik të Partisë Socialiste. Këto nuk janë qëndrime që aludojnë për të kaluarën dhe nuk janë qëndrime që lidhin Partinë Socialiste me të kaluarën, atë të kaluar që dikur e ka mbrojtur vetë zoti Baleta. Atë e kanë mbajtur të gjithë politikanët shqiptarë që sot janë shpërndarë në shumë parti.
Nga kjo pikëpamje s’më vjen mirë që, për hir të, elektoratit, zoti Baleta hedh tollumbace ndaj Partisë Socialiste.
Për të mos u zgjatur, e vërteta zotërinj të nderuar deputetë është e tillë: Ambasadori amerikan ka pasur takim me dy kryetarë partish me kryetarin e Partisë Socialiste dhe me kryetarin e Partisë të Unitetit Kombëtar. Ishte vizita e parë që bënte në godinën e Partisë Socialiste. Është e vërtetë që kur pa kamerat e Televizionit, pati një farë reagimi dhe e them me kompetencë; është e incizuar. Zotit ambasador – i është thënë shprehimisht nga zëvendësi i Partisë që ka marrë pjesë në atë takim – në qoftë se keni kundërshtim, ne nuk e japim për informacion televiziv këtë takim. Dhe ka thënë: “Jo, nuk e kam për këtë, por mendova që do të ishte takim pune”. Po jua përsëris, në qoftë se s’doni, ne nuk e japim”.
Problem i dytë, unë nuk dua të replikoj, se nuk e di çfarë ka thënë ai tamam, di vetëm këtë, që edhe kur ka ikur i është thënë: në qoftë se ju mendoni, ne e bëmë vetëm për memorial të takimit të parë, dhe në qoftë se keni mendim të ndryshëm, ne nuk e japim për informacion. Tha: “Për mua s’ka problem, bëni si të doni”. Në qoftë se këto nuk janë të vërteta, këto janë të incizuara. Se çfarë ka thënë aty, nuk mund të vazhdoj më tej. Për sa i përket këtyre marrëdhënieve, unë nuk jam dakord as me trajtimet që u bënë këtu dhe dua që ashtu si partitë demokratike, edhe partitë e tjera, përfshi dhe atë Socialiste të krijojë marrëdhënie të tilla me të gjitha përfaqësitë dhe institucionet.
Zoti Meksi nuk duhet të harrojmë ne këtë ligj që po aprovojmë më duket se në fushatë elektorale trajtimet e kësaj fushate nga të huajt me pozicionet përkatëse politike dhe elektorale për të mbrojtur këtë ose atë parti janë të ndaluara. Prandaj nuk më vjen mirë që përfaqësi të tilla, qoftë kjo ose të tjera nesër të futen dhe të implikohen në punët e brendshme të politikës shqiptare. Nga kjo pikëpamje, Partia Socialiste do të mbajë pozicion, ashtu sikundër janë ligjet e kësaj demokracie që po ndërtojmë. Falemnderit!
Aleksandër Meksi – Unë mendoj se duhet të kalojmë në rendin e ditës.
Abdi Baleta – Unë dua ta bëj replikën, se më duket padrejtësi zoti Çuçi, më akuzoi se kam bërë insinuata. Mua më duket se fola në mënyrën më të hapur dhe kur flet hapur fare, s’janë insinuata. Insinuata janë kur i bie tërthorazi asaj që ke ndërmend të thuash. Unë pranova vetë sinqerisht se ç’kam bërë në emër të Partisë së Punës dhe me porosi të saj dhe s’është nevoja të ma përsëris zoti Çuçi. Ndryshimi është ky: Unë i kam bërë ato dhe nuk po i bëj më; zoti Çuçi i ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë në emër të Partisë së Punës, tjetër punë se quhen socialist bashkë me partinë e tij. Këtë desha që sqaroj.