
At Bernandin Palaj është françeskan shqiptar, martir i fesë katolike, poet, folklorist, studiues i letërsisë e i historisë së kishës, një nga figurat më të ndritura të asaj që njihet si “shkolla letrare e fretërve”.
Ai lindi më 2 tetor 1894 në gjirin e një familjeje të shpërngulur nga Shllaku në Shkodër, i biri i Gjonit e Marte Dedajt, i pagëzuar me emrin Zef. Mësimet fillore e të mesme i kreu në shkollën e etërve françesanë, ndërsa Liceun në Salzburg e ato teologjikë e filozofike në Innsbruck.
Pas mbarimit të shkollës së mesme, u nis për studime në Graz të Austrisë, ku kreu filozofinë e teologjinë dhe u shugurua meshtar. U kthye menjëherë në Atdhe, ku filloi veprimtarinë meshtarake e kulturore, duke shërbyer si famullitar ndër fshatrat e vendlindjes. Ai nisi të mblidhte thesaret e krijimtarisë gojore të popullit, gojëdhëna, këngë, doke, zakone. At Bernardinit i takon merita e pamohueshme e mbledhësit të parë të Eposit legjendar shqiptar. Është ai që, së bashku me sivëllaun françeskan, At Justin Rrotën, i dhuroi kulturës shqiptare një veprat më të ndritshme: përmbledhjen e parë të Këngëve të Mujit e të Halilit.
Ishte viti 1939 kur përmbledhja “Kangë kreshnikësh e legjenda” pa për herë të parë dritën e shtypit. Ai tregoi interes të veçantë për albanologjinë, gjatë periudhës studentore, kultivuar deri atëherë nga autorë të huaj. Për disa vjet mësoi në liceun “Illyricum” shqip dhe latinisht, pastaj shërbeu në famullitë e Toplanës, Palçit, Shalës, Bushkashit dhe të Rubikut. Iu kushtua poezisë, prozës, muzikës, duke punuar për të mirën e atdheut.
Më 15 prill të vitit 1923, bashkë më vllezërit Mjeda, Fishtën, Anton Harapin, Prennushin e disa të tjerë, botuan në Shkodër gazetën “Ora Maleve”. Ka botuar në organet “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Tomori” etj. Gjithashtu Palaj ishte anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare qysh prej 1940.
At Bernandin Palaj u shqua së bashku me P. Donat Kurtin për mbledhjen e folklorit. Ai është cilësuar nga albanologët e huaj si “njohësi më i mirë i Alpeve”. U pranua si shenjtor më 5 nëntor 2016, në sheshin para katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër.
Dy vjet pas përfundimit të luftës puna e tij shkencore si dhe aktiviteteti i tij fetar u ndërpre. Ai u arrestua në Kuvendin e Rubikut më 22 tetor 1946.
Në Rubik i shkruan At Jak Marlekajt një letër ku i kërkon që ta paraqesë para botës së lirë vuajtjen dhe vrasjet makabre të sa e sa intelektualëve shqiptarë në mënyrë të padrejtë, vetëm për faktin se ishin pionierë të mendimit të lirë dhe demokratik. Në këtë letër, origjinali i së cilës ruhet pranë arkivit françeskan në Shkodër, Palaj shkruan: “I dashtuni P. Jakob, jena në gazep të Zotit. Thueju miqve t’ ikun andej qi t’orvaten me sa të munden për me na pshtue prej këtij kobit. Ka nji, ka nji, po na qesin faret të gjithve. Bâne të njoftun mjerimin t’onë ku të dijësh. Të fala B.dini, 20. IV. 1946″.
Ata Bernandin Palaj u akuzua si “agjent dhe bashkëpunëtor i fashizmit”. Vdiq në burg, para se të “gjykohej”, më 2 dhjetor 1946, sepse u mbajt lidhur me tela, ndësa vuante nga tetanozi dhe sëmundje zemre. U varros në oborrin e ish-sanatoriumit në Shkodër.