
Kur diaspora bëhet truall i mbijetesës kulturore.
Nga Alketa Burimi Kapaj
Në një qoshe të vogël të 5th Avenue South,
nën diellin që ngroh të gjitha gjuhët,
kafja shpërndante aromën e një bisede të ngrohtë —
si një përkëdhelje e butë
që të fton të qëndrosh gjatë.
Tri gjuhë u ulën rreth së njëjtës tavolinë.
Shqipja, e lashtë ndër motra,
sillte me vete “mirëmëngjes” dhe “si je?”,
zërin e ëmbël të nënave
dhe jehonën e shekujve
nga brigjet e trojet shqiptare.
Spanjishtja erdhi
me një buenos días të ngrohtë,
ndërsa anglishtja
me një good morning të qetë.
Mirë se erdhe — welcome — bienvenido.
Faleminderit — thank you — gracias.
Më vjen keq — I’m sorry — lo siento.
Herë kuptimi rrëshqiste,
herë ngatërrohej mes fjalëve,
e pastaj qeshnim —
sepse përkthimi
nuk është gjithmonë përputhje;
ndonjëherë është vetëm përpjekja e zemrës
për të mbërritur te një zemër tjetër.
Një yes, një sí, një po…
Një maybe, një quizás, një ndoshta…
Jo thjesht fjalë,
por rrahje zemrash
nën diellin që përvëlonte palmët
dhe i ngrohte shpirtrat njësoj.
Një ditë, anglishtja tha:
— Sorry.
Shqipja iu përgjigj:
— Nuk ka gjë.
Pastaj erdhi një lo siento,
dhe spanjishtja përqafoi motrën e saj
në një abrazo
që Shqipja e njohu menjëherë,
pa pasur nevojë ta përkthente.
Sepse gjuha nuk është mur.
Është një derë e hapur
për ata që dinë të afrohen,
të dëgjojnë
dhe të duan.
Në mes të këtij kaosi të bukur shumëgjuhësh,
në një botë ku fjalët udhëtojnë
bashkë me njerëzit,
diaspora bëhet truall.
Jo trualli ku shqipja humbet,
por ai ku mëson të jetojë larg rrënjëve,
të ruajë kujtesën
dhe të flasë me të gjitha gjuhët —
si me motra —
nën të njëjtin qiell
që na mban larg në hapësirë,
por pranë
në atë që nuk duhet ta harrojmë.
Në pritje
Për të gjithë prindërit që presin… ata që lënë dritën ndezur, një vend bosh në tryezë
dhe derën paksa të hapur.
Vitet janë gdhendur thellë
në rrudhat e ballit të tij,
si brazda në një tokë të vjetër
që ka mbjellë shumë të korra,
por sot —
nuk dëgjohen më zëra.
Papritur,
lotët rrëshqasin,
dhe mjegulla e tymit të cigares
përpiqet t’i fshehë,
si një perde e hollë
mbi dhimbjen që s’di të flasë,
por as të përkulet.
Vetmia
i ulet pranë,
si një mik i vjetër
që nuk di të ikë.
Ai buzëqesh lehtë,
sikur t’i thotë:
Prapë ti…
Dhe gjen forcë të qëndrojë.
Pret…
Te ajo portë e vjetër
që s’lodhet kurrë së hapuri.
Dhe pëshpërit,
si të fliste me muret:
“Na hanë muret kur hyjmë brenda…”
— kur s’ka kush të na presë.
Netëve,
hëna i ndez qirinj shpirtit.
Mëngjeseve,
dielli e zgjon
si një mik besnik.
Një zë i vjen nga brenda:
“Hej, baba… erdhëm ne…”
— por ajri s’di të përgjigjet.
Eh…
Uroj të jenë mirë,
pëshpërit ai,
dhe heshtja
bëhet strehë
për zemrën e tij.
Ditë, muaj, vite —
një tryezë që ruan
zërat e së shkuarës.
Dhe çdo ditë,
zemra e tij pret te pragu,
roje e një dere të vjetër
që nuk mësoi kurrë
të mbyllet.
Ai pret.
Ndoshta nesër.
Një trokitje.
Një zë.
Një përqafim.
PËR TY, ARBËRESH I VJETËR
Përmes shekujve,
si një yll që harroi të shuhej,
qëndrove —
bir i Arbërisë
dhe i përjetësisë.
Asnjë dallgë
s’ta lau emrin nga kujtesa,
s’ta ftohu mallin,
s’ta heshti gjuhën,
s’ta treti këngën.
Në natën e dheut të huaj,
e mbajte Arbërinë ndezur —
një dritë të vogël
që mjaftoi për shekuj.
Në djepin e Arbërisë
u mbrujte me fjalën e saj;
e mbajte pranë zemrës,
si lutjen e fundit të nënës.
Një peng i thellë,
një mall i pashuar,
një gjuhë e ruajtur me lot,
brez pas brezi
e trashëguar.
“Moj e bukura More” —
kur dridhet në zërin tënd,
deti bëhet mall,
malli bëhet prush,
e prushi —
këngë.
Flet arbërisht…
qan arbërisht…
Kur lulet çelin
e fushat harlisen,
në sytë e fëmijëve
fjala e lashtë
rilind.
Rrënjët e tua
nuk duken —
mbi to,
si lulekuqe,
kujtesa flakëron.
Dhe shqipja e vjetër
rreh ende —
si një zemër
që kurrë
nuk të harroi.
“Moj e bukura More”
do të këndohet
sa herë që një fëmijë
ta marrë fjalën
nga buzët e të parëve
e ta çojë më tej.
Për ty,
Arbëresh i Vjetër —
që Arbërinë e humbe nga sytë,
por nuk e le
të humbte brenda teje.
Në nderim të arbëreshëve —
rojtarëve të gjuhës, të këngës
dhe të dritës sonë të lashtë.