
Saimir Kadiu/
Dante Alighieri (1265–14 shtator 1321). Çfarë është Dante? Është e vështirë t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje me një fjali. Dante nuk është vetëm një poet. Nuk është vetëm një filozof, teolog, mendimtar apo qytetar i Firences. Ai është një nga ato figura të rralla në historinë e njerëzimit tek të cilat bashkohen poezia, filozofia, feja, politika, dashuria, ekzili, gjuha dhe ideja e njeriut.
Dante është, mbi të gjitha, një udhëtim i njeriut në kërkim të vetvetes dhe të së vërtetës. Sot, kur kujtojmë vdekjen e tij në Ravenna, 705 vjet më parë, kujtojmë një njeri që vdiq larg Firences së tij, por që fitoi diçka më të madhe se një qytet: përjetësinë. Dante lindi në Firence më 1265, në një Itali që ende nuk ishte shtet, por një botë qytetesh, republikash, principatash, konfliktesh dhe pasionesh politike. Jeta e tij u përfshi nga luftërat e brendshme të Firences dhe nga përplasja midis guelfëve e gibelinëve, pastaj midis fraksioneve të vetë guelfëve. Politika nuk ishte për të një kapitull i veçuar nga jeta: ajo ishte pjesë e fatit të tij.
Në vitin 1302 erdhi katastrofa.
Dante u dëbua nga Firence. Mbi të rëndoi edhe një dënim që parashikonte, nëse kapej, djegien në turrën e druve. Ai nuk u kthye më në qytetin e lindjes. Jeta e tij u bë jeta e një mërgimtari. Dhe këtu ndodh një nga paradokset më të mëdha të historisë së letërsisë:
Firence e humbi Danten, por bota fitoi Danten.
Rreth vitit 1316 atij iu ofrua mundësia për t’u kthyer, por kushtet që i vendoseshin nuk i garantonin dinjitetin që ai kërkonte. Dante nuk pranoi një kthim që do të dukej si falje e një fajtori. Ai kërkoi të kthehej si qytetar me nder. Nuk u kthye kurrë. Ravenna u bë strehë e fundit e tij. Atje, nën mbrojtjen e Guido Novello da Polenta, kaloi vitet e fundit. Në vitin 1321, pas një misioni diplomatik në Venecia, u kthye i sëmurë në Ravenna dhe më 14 shtator vdiq, në moshën 56-vjeçare. Atje u varros dhe atje prehen ende eshtrat e tij.
Firence e kërkoi më vonë trupin e poetit të saj. Por Ravenna nuk ia dha. Është një tjetër paradoks i historisë: qyteti që e dëboi Danten dëshironte më vonë të kishte varrin e tij. Pse është kaq i madh Dante?
Sepse Dante nuk shkroi thjesht një poemë të madhe. Ai krijoi një botë. Në Komedinë, njeriu zbret në Ferr, ngjitet në Purgator dhe arrin në Parajsë. Por këto nuk janë vetëm tri hapësira të përtejme. Janë tri gjendje të shpirtit njerëzor.
Ferri është humbja e drejtimit. Purgatori është mundësia e pastrimit dhe e ndryshimit. Parajsa është drita, dashuria dhe bashkimi me të vërtetën. Prandaj Komedia nuk është vetëm poemë fetare. Është një nga veprat më të thella mbi natyrën njerëzore. Dante vendos në botën e përtejme njerëz realë: politikanë, papë, poetë, luftëtarë, filozofë, miq, armiq, njerëz që ka dashur dhe njerëz që ka urryer. Ai i vendos në përjetësi.
Dhe kështu, në duart e Dantes, poezia bëhet edhe gjykim moral i historisë. Por madhështia e tij nuk është vetëm te tema. Është te gjuha.
Dante zgjodhi të shkruante Commedia-n jo në latinishten e dijetarëve, por në gjuhën e gjallë të njerëzve, në volgaren fiorentine. Me këtë zgjedhje ai i dha një prestigj të jashtëzakonshëm gjuhës popullore dhe ndikoi në mënyrë vendimtare në formimin e italishtes letrare. Për këtë arsye ai quhet shpesh babai i gjuhës italiane. Komedia u bë një nga tekstet themeluese të traditës letrare italiane.
Ai bëri diçka që pak shkrimtarë në historinë e njerëzimit kanë mundur ta bëjnë: e ngriti gjuhën e përditshme në gjuhë të përjetësisë.
Dante është edhe poet i dashurisë.
Në jetën e tij reale, Beatrice Portinari mbeti një figurë e largët, pothuajse e paarritshme. Por në imagjinatën e tij poetike Beatrice u bë shumë më tepër se një grua.
Ajo u bë simbol i bukurisë, hirit, urtësisë dhe shpëtimit.
Dhe pikërisht këtu qëndron një nga revolucionet e Dantes: dashuria personale shndërrohet në filozofi të ekzistencës.
Në fund të Parajsës, Beatrice nuk është më vetëm Beatrice.
Ajo është drita që e udhëheq njeriun drejt së vërtetës.
Dhe Dante arrin atje ku poezia pothuajse nuk ka më fjalë.
Ai shkruan: “L’amor che move il sole e l’altre stelle.”
“Dashuria që lëviz diellin dhe yjet.”
Ndoshta këtu gjendet përgjigjja më e bukur për pyetjen: Cfare është Dante?
Dante është njeriu që e përfundon udhëtimin e tij duke zbuluar se në themel të universit nuk qëndron forca, as pushteti, as frika, por dashuria.
Dhe sa madhështore është skena e fundit!
Pas Ferrit, pas vuajtjeve, pas Purgatorit, pas mëkatit, politikës, ekzilit, kujtimeve dhe dhimbjeve njerëzore, Dante arrin te vizioni i fundit.
Në vargjet e famshme të këngës XXXIII të Parajsës, ai përpiqet të përshkruajë të papërshkrueshmen.
Pashko Gjeçi, përkthyesi shqiptar që e solli Danten në shqip me një mjeshtëri të jashtëzakonshme, e ka dhënë kështu:
“Nanë virgjineshë, ti bija e tand bir,
mbi çdo krijesë e prunjtë e madhështore…”
Dhe në fund të udhëtimit: “Dash’nia që lëviz diellin e yjet.”
Në këto vargje Dante nuk është më vetëm Dante.
Ai bëhet zëri i njeriut përballë misterit të ekzistencës.
Dante dhe Boccaccio
Është interesante edhe historia e emrit Komedi Hyjnore.
Dante vetë e quajti veprën “Commedia”. Ishte Giovanni Boccaccio ai që i dha asaj epitetin “divina”. Boccaccio ishte një nga interpretuesit e parë dhe më të mëdhenj të Dantes; në vitin 1373 ai mbajti ligjërata publike mbi veprën e tij në Firence dhe shkroi edhe Trattatello in laude di Dante, një nga burimet më të rëndësishme të biografisë së poetit.
Kështu, një brez pas vdekjes së Dantes, Firence po bënte atë që qytetet shpesh bëjnë me gjenitë e tyre: po e kthente në pasuri kombëtare njeriun që dikur e kishte dëbuar.
Dante dhe Shqipëria
Edhe Shqipëria ka historinë e saj të dashurisë me Danten.
Në traditën arbëreshe të Italisë, vepra e Dantes u bë pjesë e kulturës shqiptare shumë herët. Më pas, në shekullin XX, emri i Dantes lidhet pazgjidhshmërisht me Pashko Gjeçin.
Përkthimi i Gjeçit është një nga monumentet e mëdha të kulturës shqiptare. Ai nuk e përktheu vetëm kuptimin e Dantes; u përpoq të ruante edhe muzikën, rimën dhe frymën e vargut dantesk. Tre kantikat u botuan në periudhën 1960–1966.
Kjo është arsyeja pse për shumë shqiptarë Dante nuk është një poet i huaj.
Ai është Dante i Pashko Gjeçit.
Dhe nëpërmjet Gjeçit, ai ka hyrë në gjuhën shqipe.
Dante është i madh sepse mund të lexohet në shumë mënyra.
Mund ta lexojë teologu. Mund ta lexojë filozofi. Mund ta lexojë historiani. Mund ta lexojë politikani. Mund ta lexojë gjuhëtari. Mund ta lexojë poeti.
Por mund ta lexojë edhe një njeri i zakonshëm që pyet veten:
Ku jam? Pse jam këtu? Çfarë kam bërë me jetën time?
A mund të ndryshoj? A ka ende një rrugë nga errësira drejt dritës?
Dhe Dante i përgjigjet me një nga fillimet më të fuqishme të letërsisë botërore:
“Nel mezzo del cammin di nostra vita…”
“Në mes të udhës së jetës sonë…”
Jo “jetës sime”. Jetës sonë.
Sepse aty fillon madhështia e vërtetë e Dantes.
Ai nuk shkroi vetëm historinë e tij. Ai shkroi historinë tonë.
Njeriu humbet në pyllin e errët. Frikësohet. Kërkon një udhërrëfyes. Zbret në Ferr. Përballet me fajin. Ngjitet në Purgator. Pastrohet. Dhe më në fund sheh dritën.
Kjo është Komedia. Por kjo është edhe jeta njerëzore.
Prandaj Dante nuk plaket. Firence mund ta dëbonte.
Mund ta dënonte. Mund ta harronte për një kohë.
Por nuk mund ta mbyllte në një varr.
Sepse një qytet mund ta dëbojë një poet, por nuk mund ta dëbojë nga gjuha e njerëzimit.
Dante vdiq në Ravenna më 14 shtator 1321.
Por ai nuk mbaroi atë ditë. Atë ditë filloi jeta e tij e dytë:
jeta e përjetësisë.
Dhe, siç e përfundon ai vetë Komendinë, gjithçka përfundon aty ku fillon edhe misteri më i madh i botës:
DASHURIA QE LEVIZ DIELLIN DHE YJET.