

Sokol Paja/
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë Prof. As. Dr. Genti Kruja i shoqëruar nga patrioti Atdhe Mehmeti nga Prishtina dhe Amar Kruja student te Universiteti “Epoka” në Tiranë vizituan Federatën Vatra. Ata u pritën nga editori i Diellit i cili u shpjegoi në detaje historikun e Federatës Vatra, të gazetës Dielli dhe kontributin patriotik që këto dy institucione kombëtare, kulturore dhe atdhetare kanë dhënë përgjatë historisë për kombin shqiptar e komunitetin shqiptaro-amerikan.
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë Prof. As. Dr. Genti Kruja vlerësoi rolin e Vatrës dhe të gazetës Dielli si institucione themeltare të shqiptarizmës në mërgatën e Amerikës. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë Prof. As. Dr. Genti Kruja i dhuroi Vatrës portretin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skenderbeut, ndërsa editori i dhuroi disa kopje të gazetës Dielli.
I ndodhur në New York në kuadër të javës së Asamblesë së OKB-së si President i Këshillave Ndërfetare të Europës (Religions for Peace Europe), Prof. Kruja do të jetë pjesë e një konference ndërkombëtare dhe disa takimeve zyrtare në kuadër të promovimit të dialogut ndërfetar dhe paqes. Në këtë kuadër Shqipëria njihet dhe vlerësohet ndërkombëtarisht si një vend, ku harmonia dhe bashkëjetesa është një realitet që vjen prej shekujsh.