• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“KUR LIBRIN E SHKRUAN ZEMRA” NJË THESAR NË BIBLIOTEKËN TIME

December 16, 2021 by s p

Bashkim SALIASI

Dhjetor 2021. Ditë me shi. Mali Dajtit ka hedhur vellon e bardhë të dëborës, teksa fryn një erë e lagësht dhe  e ftohtë. Drurët po i dorëzohen dimrit, duke lëshuar andej – këndej gjethet e vyshkura, të cilat bien lehtë mbi pellgje uji, apo rrëmbehen nga rrjedhat, që kullojnë anash rrugëve dhe bulevardeve të kryeqytetit. 

Unë dhe miku im, shkrimtari Viron Kona, presim me padurim që të dalë nga shtëpia botuese dhe shtypronja “West Print” libri “Kur librin e shkruan zemra”. Është një libër për të cilin kam punuar muaj të tërë, duke përmbledhur me kujdes e  durim artikuj të shkruar rreth librave të Viron Konës, të këtij shkrimtari, tashmë me emër, i cili, ndonëse ka shkruar 50 libra artistikë, përsëri, edhe sonte, është i përfshirë në  ankthin e pritjes së librit, që i kushtohet krijimtarisë së tij. Gjithsesi ai gjen momentin dhe kujton një episod nga viti 1982, kur kishte shkuar në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” dhe kishte marrë 5 kopjet  e para të librit të tij të parë “Etje që shuhej”. Dikush, që e kishte parë të gëzuar, e kishte ndalur dhe i kishte thënë: ”-E di ti se, tani që ne po flasim, në botë po botohen miliona libra?” Kjo shprehje  e kishte zbehur dhe e kishte pezmatuar disi shkrimtarin, pra, siç thotë vet ai, “e kishte ulur me këmbë në tokë”; gjithsesi, – shton Vironi, – ajo gjuhë ironike e tjetrit “më bëri mirë, sepse më shtoi më shumë pasionin dhe vendosmërinë, që unë të shkruaj edhe më shumë, por, në radhë të parë, duke i kushtuar rëndësinë e duhur cilësisë dhe vlerave artistike. “Kur librin e shkruan zemra”, siç përmenda edhe më sipër, është një përmbledhje artikujsh e shkruar nga unë (Bashkim Saliasi) për librat e Vironit, të cilat nëpër vite janë vlerësuar nga kritika, studiuesit dhe lexuesit. Ato janë vlerësuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare, por edhe janë përkthyer, sikurse ka ndodhur me librin e tij shumë të suksesshëm “Eh, more Bubulino!” që është përkthyer në gjuhën suedeze dhe tashmë lexohet edhe nga fëmijët suedezë. Por, edhe shumë tregime të Vironit janë përkthyer në anglisht, frëngjisht, hungrarisht, sikurse janë botuar edhe në disa antologji letrare  e poetike, apo janë pjesë letrare të disa teksteve shkollore … Të ulur në kafene, me nga një filxhan kafe dhe me nga një gotë raki përpara, vijojmë të bisedojmë rreth krijimeve tona artistike, rreth motiveve nxitëse dhe shohim herë-herë nga dera e shtëpisë botuese, që të dalë botuesi i West Print, Eduard Vathi, i cili, siç na premtoi, shpejt do të na sillte ai vetë përmbledhjen e shumëpritur. Më në fund Eduardi ia mbërriti. Miku ynë i ri, i ditur, komunikues dhe gjithnjë i qeshur, duke na  njohur emocionet, na ofroi librin qetësisht:

-Ja ku e keni, si ju duket, ju pëlqen? 

E falënderuam Eduardin dhe nisëm të shohim me interes, por edhe duke e shfletuar e ledhatuar atë librër, goxha voluminoz, me shumë faqe, me shumë fotografi, me shumë kujtime, opinione dhe vlerësime, një libër i tërë, një jetë e tërë për shkrimtarin Viron Kona, një tjetër përmbledhje e merituar kushtuar krijimtarisë së tij të gjerë e shumëplanëshe. 

B.Saliasi, E.Vathi, V. Kona. Tiranë, më 11.12. 2021

Libri me 932 faqe, ka redaktor shkrimtarin dhe publicistin Kadri Tarelli, recensent Dr. Bajram Mejdiaj, konsulent Prof. Dr. Hektor Veshi. ISBN 978-9928-250-03-2, i shtypur në shtypshkronjën West Print, 2021, botues Eduard  Vathi. 

Në hyrje është fjala ime si autor i kësaj përmbledhjeje dhe më pas radhiten emrat e profesorve, akademikëve, shkrimtarëve, publicistëve, lexuesve të vëmendshëm, që kanë lexuar dhe vlerësuar krijimtarinë e shkrimtarit.

Po radhis disa nga emrat e artikujshkruesve. Profesorët: Gjovalin Shkurtaj, Pajtim Bejtja, Koço Bihiku, Hektor Veshi, Arian Kadiu, Ilinden Spasse, Murat Gecaj, Qazim Dushku, Isak Ahmeti. 

Doktorët e shkencave: Bajram Mejdiaj, Fatmir Tereziu, Nuri Dragoj, Nazmi Xhomara, Petrit Teferiçi. Albaologu suedez Ullmar Qvick (Kvik). Gazetarët: Erik Jullander, Sokol Demaku, Bahtir Latifi, Hysen Ibrahimi, Qibrije Hoxha, Ismet Hasani, Sadulla  Zendeli-Daja, Hamit Gurguri, Imri Trena, Izet Abdyli, Vjollca Spaho, Bashkim Kozeli, Xheladin Mjeku, Kadri Tarelli, Alisa Veliaj, Delo Isufi, Luan Çipi, Sejdo Harka, Fran Gjoka, Bashkim Saliasi, Isa Ferizaj, Veledin Durmishi, Harallamb Fandi, Faruk Myrtaj, Gentiana Zagoridha, Gladiola Jorbus, Zabit Rexhepi, Dhimitër Xhoga, Alqiviadh Dede, Zhani Canco, Petrit Xhaja, Mehmet Deliu, Bujar Poçari, Mirela Kondi, Ndue Dragusha, Namik Selmani, Petrit Malushi, Faik Xhani, Mësuese Aurela, Çelik Petriti, Çaush Kullafi, Nikolin Papa, Maliq Qoku, Bujar Agalliu, Mal Buçpapaj, Ibrahim Hadarmataj, i cili mbyll librin me një artikull “profil” kushtuar protagonistit Kona. 

Botimi librit “Kur librin e shkruan zemra” vjen pas një pune përmbledhëse e studiuese. Ai vjen pas librave: 

1.“Blerimi i një fushe me krijime të bukura”, të përgatitur me kujdes nga publicisti Ibrahim Hadarmataj dhe i botuar në vitin 2010 nga shtëpia botuese West Print. Ai përmban 85 artikuj, të shkruar nga 67 autorë. 

2. “Parnasi sheh me bisht të syrit”, i cili rrëfen jetën dhe veprimtarinë krijuese të autorit nëpërmjet përshkrimeve, intervistave, esseve, etj. i shkruar nga unë, Bashkim Saliasi dhe është botuar në vitin 2019 nga shtëpia botuese “West Print”. Ky libër përmban 90 artikuj të shkruar nga 72 autorë, si dhe një varg opinionesh e shënimesh rreth personalitetit krijues të Viron Konës dhe krijimtarisë së tij letrare.

3. Ndërsa “Kur librin e shkruan zemra”, është libri i tretë kushtuar krijimtarisë së shkrimtarit Viron Kona, i cili përmban 167 artikuj, të shkruara nga rreth 70 autorë.

Në vazhdim, nga sot e tutje, çdo lexues do ta ketë mundësinë  e leximit dhe të shfaqjes së mendimeve rreth këtij libri, që, për mendimin tim, përcellë vlera për lexuesin.

I uroj shkrimtarit dhe mikut tim Viron Kona jetë të gjatë dhe krijimtari të frytshme, kurdoherë plot tharm e frymëzim. Urime dhe për botuesin Eduard Vathi, që jep kontributin e tij të ndjeshëm e të çmuar në botimet  tona.  

Kopertina e librit:  “Kur librin e shkruan zemra”

Faleminderit miq, një libër është një thesar!

     Libra kushtuar krijimtarisë letrare të shkrimtarit Viron Kona

Filed Under: Sofra Poetike

KAFE MES MIQSH ME PAMJEN E NJË “SOFRE POETIKE”

November 22, 2021 by s p

Nga Bashkim Saliasi/

 

Ditë e shtunë, 20 nëntor 2021. Dielli ngroh me rrezet e tij të arta parkun e gjelbër në qendër të kryeqytetit tonë të bukur, Tiranë. Edhe pse jemi në vjeshtën e tretë, kur gjethet e bimëve gjetherënëse akoma nuk e kanë larguar masën e gjelbërt të tyre, kolori i ngjyrave të gjetheve që ende nuk janë rrëzuar, të krijon një ndiesi qetësuese. Duke iu afruar mjediseve të parkut kryesor të Tiranës, ndiej freskinë e ajrit të pastër dhe më duket vetja se jam në ditët e para të pranverës. I afrohem lokal “Taivanit”, ku më presin miqtë e mi krijues: Viron Kona, Delo Isufi, Kadri Tarelli, Muhamet Cenko dhe kryemiku, që ka ardhur nga Suedia, poeti, përkthyesi dhe drejtuesi i Qendrës Kulturore Shqiptare në Borås të Suedisë, Sokol Demaku. 

Takimi, sa miqësor, aq dhe vëllazëror, zgjati rreth dy orë e gjysëm dhe të gjithë neve nuk na u duk shumë i shkurtër, pasi bisedat rodhën bukur e natyrshëm, e ku në fillim zuri vend fjala e bukur shqipe. Secili prej nesh kishte shumë për të treguar. E nisëm me Kristoforidhin, që e pasuroi në mënyrë të veçantë dhe origjinale gjuhën shqipe edhe me fjalë të rralla, vijuam me kumbimin e bukur të krijimtarisë poetike të Naimit, Çajupit, Mjedës, Migjenit, Nolit, Poradecit, Fishtës, Kadaresë, Podrimes, Agollit..,(madje, poeti Delo Isufi edhe recitoi strofa të veçanta). Dukej sikur aty në mjediset e “Taivanit” po zhvillonim një “sofër poetike”, ashtu sikurse Sokol Demaku me bashkëkombës të tjerë zhvillon çdo vit  Festivalin e Poezisë në qytetin Borås të Suedisë. Cilido që dëgjonte Sokolin,  i cili shfaqej shumë aktivë në bisedë, do të ndjente në fjalët dhe bisedat e tij mallin  e mërgimtarit, por edhe të veprimtarit të shquar kulturor.

Takim mes miqsh krijues,Tiranë më 20 nëntor 2021

Poeti Demaku foli edhe për veprimtarinë e Shoqatës Kulturore Shqiptare “Migjeni”, në Borås të Suedisë, si dhe për disa nga veprimtaritë e saj në Suedi, por edhe në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut etje. Ai gjeti momentin dhe na dhuroi librin e tij të titulluar “Skënderaj i Skënderbeut” ( rrëfime, ese, skica), shtypur në shtypshkronjën “Lena Graphik”, Prishtinë, 2021, duke na premtuar se së shpejti do të kishim në duar prej tij një libër kushtuar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, që ai e kishte hasur në gjuhën suedeze dhe e kishte përkthyer në gjuhën shqipe.. 

E uruam Sokolin për përkthimet dhe botimin e librave me plot vlera për kombin shqiptar.

Poeti Delo Isufi recitoi bukur vargje nga Migjeni, shkrimtari Viron Kona tregoi disa episode nga kanë marrë fill disa nga tregimet e tij, shkrimtari dhe poeti durrsak Kadri Tarelli, midis të tjerash solli në kujtesën tonë ide dhe mesazhe tregimesh, ku, mes të tjerash, ndihej humori i thekur, unë (Bashkimi) solla në kujtesë “detyrën” që na ngarkonin ne mësuesve për të “vjelë” nga populli fjalë të rralla (në vitet ’80 deri nga vitet 1989), gjuhëtari Muhamet Cenko shpjegoi për shkrimin me gabime të disa fjalëve e shprehjeve shqipe, si dhe tregoi punën e kujdesshme që duhet bërë për hartimin e fjalorëve të gjuhës së bukur shqipe…Sokoli tregoi me humor për një mbledhësh fjalësh të rralla, i cili fuste “në sherr” bashkëshortët dhe, kur ata “nxeheshin” nxirrnin fjalë krejt të rralla e të padëgjuara, kështu ai pasuronte fjalorin…(episod ky që na kujtonte metodën që përdorte Kristoforidhi)

Në këtë tavolinë simpatike nuk munguan humori dhe anekdodat sipas krahinave të vendit tonë. 

Fotografitë që u bënë fiksuan takimin tonë të bukur, që shumë sesa pirja  e kafes mes miqsh, kishte dhe pamjen e një “sofre poetike”.

 Tiranë, më 20.11.2021

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Bashkim Saliasi

POEZI NGA RAFAEL FLOQI

October 21, 2021 by s p

Covid Halloween-i

Në park duke ndjekur ëndrrat,

kam parë vjeshtën të qajë me lot gjethesh,

e t’ua fshehë vjedhurazi piktorëve ngjyrat.

Kam dëgjuar krisjen e degëve të thata,

të pemëve të rrëzuara në brigjet e lumit,

kam ndjerë sesi po më dhemb ikja e kohës,

si klithma çjerrëse e një qyqeje,

dhe domosdo tani që është vjeshtë 

qaravitëse si ky prag Halloween-i.

Kam parë diellin të përvidhet mes trungjeve të thata 

që përqafojnë pemët që rrëzuan gjethet, 

kam parë të lazdrohen në lëndinën e pellgut patat

tok me kungullin portokalli që lundron serbes,

në pellgun që e harruan shirat e fundit.

Kam qeshur me kollotumbat bythëpërpjetë të rosave,

që peshkonin nën ujë larvat e zeshkëta   

që lanë këto duhma vampire mushkonjash,

që pickojmë më shumë tani se në verë,

sikur ta dinë që e kanë kohën, 

pasi është prag Halloween-i.

Kam futur këmbët në përrua,  

kam ndjerë vorbullat e këmbëve të rikave,

që shtyheshin të notonin nga nëna, 

kundër rrjedhës së të fryrë me shtjella.

Kam parë dy vajza që kërkonin përdhe 

më kot ca brumbuj të zinj kokorith,

që ishin mbledhur si kokrra rrushi të zi të egër 

që ecnin papri… 

në gjurmët e hijeve dhe të gjetheve të rëna,

ku era me zhurmë si yshtje shtrigash 

rrëmujshëm me vrull i përdridhte , 

si medalje të rremta në mësallën e blertë të fushës,

të cilat nga lart një skifter i uritur i këqyrte,

dhe etur më shumë për gjak se nga hera

dhe i turrej një zogu të lebetitur

në këtë prag të zymtë Halloween-i,

dhe i ndukte puplat dhe s’çante kokë 

për kriptomonedhat e gjetheve 

që i vidhte me duhma era.

Kam parë pleq të menduar që ndiqnin me nge retë,

duke u tërhequr nga një kone qesharake që kuiste, 

duke pluguar kujtimet e kohëve të zverdhura.

Kam ndjekur me bisht syri në mes të pyllit ata, 

s’di pse ndjeja brenda vetes që diçka kërciste

dhe rrëzonte gjethet si vitet e mia nga supet 

që i shkundja më shpejt se t’i rrokulliste era,

tok me degët e thata.

Po filloja ta urreja vjeshtën,

më shumë se zukatjen e bezdisshme të një droni,

që më pickonte më fort se mushkonjat 

që duke filmuar nga lart trembte zogjtë

më shumë se dordoleci kashtor i Hallowee-nit 

që i përthithtë jetës vrushkullin e ngjyrës së fundit …

Qëndroja para tablosë së gjetheve të një peme

si një penel i menduar, kafe, e verdhë, e kuqe e blertë,  

i një piktori fantazmë, që se gjente dot ngjyrën e mangët …

dhe për inat kullonte nga një tubet veç zi, hi, kafe dhe gri, 

duke ngjyrosur ata trungjet që ende mbaheshin,  

aty në pyll në kërrabën e njeri-tjetrit, siç qenë 

përplasur dikur vrullshëm sot si skelete të vyshkur 

nga stuhitë e acarta të dimrit…

Ky trung gjysmë i kalbur mendoj 

duhet të jetë baulja e vjedhur nga ndonjë anije fantazmë,

apo kazani i fundit i pavarrosur e shtrigave,

është vendi kua ato fshehin fshesat e gjineshtrave

dhe mshelur në zgavra thesaret e kohës që shkoi

foto të rrufeve e shkulmeve të harruara…  

Në çast nga radioja e një makine disi larg  

shpështillet një lajm si piskatje kukuvajke

apo gërricje ultratingujsh lakuriqi që dalin për gjah

se “në bankat e gjakut në spitale, 

s’ka më gjak”.  

Ç ’ka ndodhur them me vete , ç’po ndodh 

Covid-i apo ai shtrigani, kukudhi  Halloween-i? 

Por përtej aty në horizont

ku edhe dielli rrëqethshëm rrëkëllehej në muzg 

një çift po ndante dashurinë e tij me vjeshtën,

në një selfi përqafimi harruar 

mbi urën ku lumi rrjedh, dhe rikat gajaseshin duke lodruar 

duke u puthur përtallnin porositë e mjekëve, 

paçka… pak sa 

A duhet për Halloween 

të vëmë apo mos vëmë maska?

Kur s’e ke gjetur veten

Sa keq,

Të takosh një mik të vjetër pas 25 vjetësh 

Që të kuptosh sa kohë ke humbur.

Kohë që ta vodhën duke shprishur gonxhen e fatit,

Që e shinë në mes pëllëmbëve 

Dhe i morën erë… 

Dhe ti mbete atje në kufijtë e kotësisë 

Pa arritur atë që mund të ishte fati yt,

Dhe të hodhën aty 

Ku dialogoje për Elyarin  

Vetëm me erërat dhe kallamishtet 

Dhe u shërbeje të gjithëve

Vetëm për të mbijetuar. 

Harrove kush ishe,

Dhe ç ’mund të bëheshe

Një yll që e përlante murrlani, 

Së bashku me kuisjen e qenve

Aty ky ku thirrja për të jetuar humbiste 

Dhe ishte shtrembëruar nga erërat si plepat e Zejmenit. 

Dhe zgjodhe të ishe plep i përulur 

Që të mos thyheshe.

Qe tjetër kohë thua, 

Dhe harron se ke vetëm 10 vjet që s’e ke parë atë njeri,

Që t’i dinte vlerat.

Por janë njëzet e pesë.

Ndoshta çdo kohë mërgimtari ndahet në dy pjesë:

Para dhe pas Krishtit.

Dhe ti s’e gjen dot se cila është më e shenjta.

Tolerimi 

Tolerimi, lejimi, durimi 

Na e vranë guximin pa lindur 

Guximi ka imazhin e një plake 

Që nduk flokët dhe këlthet: Pse, pse?.

Pa gjetur asnjë përgjigje

Si thua, 

Nëse Zoti e di nëse janë të mira paratë,

pse ia jep ato budallenjve?

Apo vetëm pse ishin aq të marrë 

sa mos e kishin frikë guximin?

Himalaja e jetës

Kur ngrica tutkune të përplaset në fytyrë si e vërteta

Duhet të jetosh 

Që të ngresh Himalajën që s’guxove ta ngjisësh

Vizitë mjeku

Shkojmë tek mjeku për të parë se sa na peshon jeta, 

glicemia, insulina, diabeti, 

zemra, tensioni, kolesteroli

i mirë i keq,

për dreq 

Ikja po më gërryen ngadalë.

duart këmbët shpojnë si gjembat 

në kurorën e Krishtit para amshimit. 

Të lesh mbi botë disa copëra ëndrrash 

do të thotë të lesh asgjë 

nga ideja nga u ngjizëm.

Mendo, 

Për ata që do të lesh 

dhe udhët që mbyllen

nëse ti s’do jesh.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Rafael Floqi

Poezi nga Julia Gjika

October 12, 2021 by s p

FJALE E PAPESHUAR

Një fjalë e pa peshuar,

ku ti vendos tërë helmin

që mban, si zjarr

djeg jo vetëm lëkurën,

por depërton thellë në asht.

Dhimbja lëpin kockat

si reumatizma,

e dobëson zemrën, gati e plas.

BUZE OQEANIT

Endërroja një ëndërr

buzë oqeanit madhështor,

një dallgë gjigande,

la shtratin e vet,

u ngrit lart,

gati afër reve. Stërkalat

filluan të luajnë me to.

Pastaj dëgjova zhurmën,

dhe pashë përplasjen

e ujrave të shkumëzuara

pas shkembit.

Betejën kish humbur dallga.

U var në qafë të tij e ra

e pafuqishme.

thërmuar e rënuar.

Nuk dukej cfare ishte.

Faqja e shkëmbit shkëlqeu,

si asnjëhere nga rezet e diellit.

Nuk ishte as e para , as e fundit betejë

e dallgës kokëfortë,

fituar në qetësi, nga shkëmbi

pa levizur në vendin e vet.

10/11/2021.

VJESHTA NE NEW ENGLAND

Kjo vjeshtë,

shirat ja fali verës

gjethet në pemë

me përtesë ndrojnë ngjyrat.

E blerta është fuqizuar

dhe nuk pyet për erërat,

as për furcën e piktorit.

që s’kursehet.

E ngopur në lagështi.

Kjo vjeshtë stoike,

më dhuron.

një zemër të re

dhe një shpirt të ri.

Retë e ngarkuara

më ulen në sy

je këtu,

luan me flokët e mi.

Shihemi,

me duar prekemi.

Gjethet e tua,

si zogj fluturojnë,

udhën i hapin dimrit.

Prapa derës pret ai,

ndjej trokitjen e tij

dhe ty vjeshtë,

që sakaq jep shpirt.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Julia Gjika

Nga “Paqja” te “Deti plak” dhe “Fati”

August 20, 2021 by s p

Poezi nga Sokol Demaku

En bild som visar person, inomhus, tak

Automatiskt genererad beskrivning

 PAQE 

Një ditë, 

Unë pashë shumë njerëz, 

Njerëz jo të zakont, 

Pashë njerëz me fytyrë të qartun, 

Unë pashë kur këta njerëz, 

Zemër nuk kishin, 

Unë pashë kur këta njerëz, 

Ishin të krisur. 

Unë pashë kur këta njerëz, 

Erdhën kalur, 

Unë pashë kur këta njerëz, 

Kundër njerzve u sulën, 

Kundër njerëzve të mbetun, 

Deri sa u sollën vdekjen . 

Unë pashë mizori, 

Në fytyra satrapi, 

Se ata kishin fytyrë xhelati.

Eh, 

Njerëz fytyrë qartun, 

E shpirt prishur, 

Zemër krisur, 

Sot ke sa te duash, 

Në botën e ndyrë, 

Më shpirt prishur. 

Te metunit kërkojnë mëshirë, 

Paqën e duan shumë, 

Të lodhun në shpirt, 

Mallkojnë pse egzistojnë. 

E duan lirinë, 

Paqën ta gëzojnë, 

Nuk duan zemër krisurit, 

Jetën tua shaktërrojnë. Paqë, paqë, 

Në jetë kërkojnë.

DETI PLAK

Kjo lundër imja,

Udhëton në detin e trazuar.

Nëpër valët e zemruara,

Të detit plak.

O ti det, o zemrak,

I trazuar nga pak,

Kujdesu të lutëm,

Për mua se jam plak.

O det i kaltër,

Me shumë avaze,

Shumë vëllezer të mi,

Kërkova të mi falje.

Të bëra lutje, 

Por jo me shkrim,

O det i hapur,

Kujdes shpirtin tim.

FATI

I adhurojë ëndrrat,

Në tokën e njomë,

Aty ku fshatari hedhë farën,

Aty ku njeriu gjënë të lashtën rrënjë.


I adhurojë ëndrrat,

Në këtë tokë të njomë,

Kur njeriu prehet,

Me zemër e shpirt.

Po pse kjo jetë,

Është vetëm një fytyrë,

Si mostër,
E zhveshur nga jeta.

I adhurojë ëndrrat,

Në tokën e thatë,

Por e kotë se koti,

Njeriu është i pa fat.

E KUJTOJ

E  kujtoj gushtin,

Shëtitjen buzë detit,

Zhegun e verës,

Freskinë e detit.

E ndjej ne shpirt,

Këtë freski,

E ndjej këtë aromë,

Që e mbaj në gji,

Është aromë jete,

Që shëron plagë.

E ndjenë këtë çdo mërgimtar,

I kujton mbrëmjet,

Buzë detit të qetë,

Kaltërsi çdo kund..

Jetë e gjallëri,

Që çdo kush ka lakmi,

Shetita buzë detit ,

Mblodha ca guaca,

Kujtova të kaluarën,

E pash të ardhmen,

Në kaltërinë e detit,

Shijova aromën,

Ndjeva gjallëri,

Në vargjet e mia,

Hetova në fytyrë,

Lotët e mi,

Që val më rodhën,

Si rreke shi.

Sokol Demaku është poet, prozator, pedagog, publicist, redaktor. U lind më 1954, në Arbri të Drenicës, ku kreu edhe shkollën fillore. Ne Prishtinë kreu shkollën Normale dhe studioj Gjuhën dhe letërsinë shqipe. Ka studiuar në Universitetin Göteborg të Suedisë ku ka diplomuar lëndën e matematikës ne 2007, në Shkollën e lartë në Borås studioi pedagogjinë. Ushtron profesionin e mësuesit të lëndës së matematikës dhe drejton revistën e përmuajshme “Dituria” që del në Borås të Suedisë si dhe një radio lokale në shqip “Radio Dituria”, si dhe nga qershori 2013 edhe nje kanal TV në shqip në Borås-Suedi. Është anëtar aktiv i Lidhjes së Shkrimatrëve të Suedisë, si dhe anëtar i Lidhjes së përkthyesve të Suedisë, është një ndër përkthyesit më eminent të letersisë suedeze në gjuhën shqipe dhe asaj shqipe në suedisht. Ka përfunduar studimet e magjitraturës pran Universitetit në Göteborg të Suedisë në degën e Pedagogjisë.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Letersi, poezi, Sokol Demaku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 115
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Eposi i Kreshnikëve” dhe një përkujtim për Prof. Arshi Pipën e Prof. Stavro Skendin
  • “Columbia University Albanian Society,” organizon ekspozitën muzeale “Fëmijët e së Nesërmes”
  • VATRA VIZITOI “ZËRIN E AMERIKËS”
  • Mary Camaj: Celebrating Albanian Heritage through Dance and Advocacy
  • KRESHNIKË, LEGJENDA DHE MUZIKË…
  • TRAZIRA GJEOPOLITIKE ME TRYSNI BËRTHAMORE
  • VATRA U TAKUA ME KRYETARIN E PARLAMENTIT TË KOSOVËS
  • Natyra dhe ne
  • TE VATRA SONTE NE ORA 6.30 PM, PROF.DR. ZYMER NEZIRI MBAN LIGJËRATË RRETH EPOSIT TE KRESHNIKEVE
  • “Diplomacia ndërkombëtare dhe çështja e Kosovës 1997-1999”
  • Bektashizmi në Shqipëri dhe roli i tij në përhapjen e shkollave shqipe
  • Kryetari Glauk Konjufca në Samitin për Demokraci: Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm
  • Artisti shqiptar, Alfred Mirashi – Miloti, vendos në Piazza Mercato, Napoli, skulpturën monumentale “Çelësi i së sotmes”
  • VATRA FTON TË GJITHË SHQIPTARËT E AMERIKËS NË PROMOVIMIN E LIBRIT: “FËMIJËT SHQIPTARË NË KOSOVË-VIKTIMA TË GJENOCIDIT SHTETËROR TË SERBISË”
  • Për herë të parë në Amerikë, ribotohet “Albumi” i Fan Nolit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT