• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“MOS E CËNONI PAQEN, GARANTONI BARAZINË”

August 17, 2026 by s p

“Është thirrja që doli nga ky simpozium drejtuar klasës politike shqiptare ndaj të cilës kërkohet unitet, Qeverisë për respektim të Marrëveshjes dhe faktorit ndërkombëtar për mbështetje e monitorim të zbatimit të saj”.

– Me rastin e 25-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Shoqëria “Lëvizja” organizoi Simpoziumin Shkencor kushtuar analizës së arritjeve, sfidave dhe perspektivave të Maqedonisë së Veriut. Në kuadër të tij u paraqitën 15 teza shkencore, të cilat trajtuan kontekstin historik të Marreveshjes së Ohrit, transformimin kushtetues, politik e shoqëror të shtetit, si dhe sfidat aktuale që lidhen me zbatimin e kēsaj Marrëveshjeje.

Pas diskutimeve, pjesëmarrësit miratuan këtë:

DEKLARATË:

1. Marrëveshja e Ohrit mbetet dokument i rëndësishëm politik dhe kushtetues i Maqedonisë së Veriut pas pavarësisë së saj. Ajo krijoi themelet e paqes, stabilitetit, bashkëjetesës dhe ndërtoi bazat për një barazi të plotë midis popullit shqiptar dhe atij maqedonas.

2. Njëzet e pesë vjet pas nënshkrimit të saj, vlerësojmë se Marrëveshja ka prodhuar rezultate të rëndësishme në avancimin e të drejtave për shqiptarët dhe komunitetet më të vogla në përfaqësimin institucional, decentralizimin e pushtetit, përdorimin e gjuhëve dhe orientimin euroatlantik të shtetit. Megjithatë, zbatimi i saj mbetet ende i papërfunduar dhe kërkon përkushtim të vazhdueshëm institucional.

3. Shprehim shqetësimin tonë për tendencat që cenojnë frymën dhe parimet themelore të Marrëveshjes së Ohrit, përfshirë mosrespektimin e legjitimitetit politik e kombëtar në përfaqësim, dobësimin e mekanizmave të konsensusit, anashkalimin e parimit të Badinterit dhe të përfaqësimit të drejtë e të barabartë, si dhe zhvillimet që lidhen me statusin kushtetues dhe praktik të përdorimit të gjuhës shqipe.

4. Vlerësojmë se çdo përpjekje për relativizimin apo dobësimin e këtyre parimeve nuk përbën vetëm regres demokratik, por rrezikon të dëmtojë besimin ndërmjet dy popujve më të mëdhenj (atij maqedonas dhe atij shqiptar), si dhe të cenojë stabilitetin dhe kohezionin afatgjatë të shtetit.

5. I bëjmë thirrje Qeverisë së Maqedonisë së Veriut që të respektojë në mënyrë konsekuente Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, të garantojë zbatimin e plotë të parimeve kushtetuese mbi të cilat është ndërtuar rendi demokratik dhe të mbështes barazinë e plotë midis dy popujve tanë.

6. U bëjmë thirrje të gjitha subjekteve politike shqiptare që, pavarësisht dallimeve partiake, ta bëjnë pjesë të programeve dhe platformave të tyre politike angazhimin për një zgjidhje të drejtë, të qëndrueshme dhe afatgjate të çështjes së barazisë ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve, si dy popuj shumicë në shtet. Populli shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut duhet të jetë popull shtetformues – plotësisht i barabartë me popullin maqedonas. Kjo kauzë duhet të shndërrohet në një platformë të përbashkët të të gjitha forcave politike shqiptare dhe të mbarë popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

7. Vlerësojmë se stagnimi i procesit të integrimit evropian, përkeqësimi i klimës politike dhe dobësimi i standardeve demokratike krijojnë hapësirë për ndikime gjeopolitike që bien ndesh me orientimin strategjik euroatlantik të Maqedonisë së Veriut. Integrimi në Bashkimin Evropian mbetet alternativë që garanton stabilitet, zhvillim dhe siguri afatgjate.

8. U bëjmë thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe gjithë partnerëve ndërkombëtarë që të vazhdojnë të mbështesin dhe monitorojnë zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe të mbështesin të drejtën elementare të popullit shqiptar për barazi të plotë me popullin maqedonas, si garanci për paqen, demokracinë dhe stabilitetin në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon.

9. Shoqëria “Lëvizja” konsideron se respektimi i Kushtetutës, sundimi i ligjit, barazia qytetare dhe kombëtare, si dhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit janë parakushtet themelore për ndërtimin e një shoqërie demokratike, funksionale dhe të integruar në familjen evropiane.

10. Në 25-vjetorin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ritheksojmë se paqja nuk është një e arritur e përhershme, por një përgjegjësi e përditshme. Prandaj, u bëjmë thirrje institucioneve shtetërore, klasës politike, shoqërisë civile, komunitetit akademik dhe partnerëve ndërkombëtarë që të veprojnë me përgjegjësi për të mbrojtur frymën e Marrëveshjes së Ohrit, për të parandaluar riciklimin e krizave politike dhe ndërnacionale dhe për të garantuar një të ardhme demokratike, të barabartë dhe evropiane për popullin shqiptar dhe për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

Kjo Deklaratë u hartua nga Komisioni Hartues mbi bazën e referimeve shkencore, diskutimeve dhe rekomandimeve të paraqitura gjatë Simpoziumit Shkencor me rastin e 25-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Pas shqyrtimit të saj, Deklarata u miratua me konsensus nga pjesëmarrësit e Simpoziumit, si qëndrim i përbashkët akademik, intelektual dhe qytetar.

Strugë – Gostivar 14 & 15 gusht 2026

Filed Under: ESSE

“Udhëtim pa mbarim”

August 15, 2026 by s p

Agim Baçi/

Cilët kufij kapërcejmë kur udhëtojmë apo lexojmë? Çfarë mbetet më e mistershme në udhëtimet dhe leximet tona- vetja apo tjetri? Shkrimtari dhe essesisti italian, Claudio Magris, në librin e tij “Udhëtim pa mbarim”, thotë se, të udhëtosh do të thotë se mund të kesh fatin të kuptosh se ke qenë edhe “nga ana tjetër”, në anën ku s’ke shkuar më parë e nuk e njeh ende “tjetrin”. Por kthimi – ama vetëm kthimi- është rivendosja e një kufiri më të qartë mes asaj që ke dashur të shohësh, asaj që ke dashur të njohësh në jetë, dhe asaj që ja vlen gjithnjë ta mbash si pjesë të vetes tënde duke mos e ndryshuar kurrë.

“Nuk ka udhëtim pa kapërcim kufijsh – politikë, gjuhësorë, social, kulturorë, psikologjikë, qoftë edhe kufij të padukshëm që ndajnë një lagje nga një tjetër në po të njëjtin qytet, apo ato mes njerëzve, deri tek ata më të mundimshmit që mbijnë nga skëterrat tona e na zënë rrugën. T’i kapërcesh kufijtë; edhe t’i duash – gjersa përcaktojnë një realitet, një individualitet, i japin trajtë duke e shpëtuar kësisoj nga e padallueshmja – por pa i himnizuar, pa i kthyer në idhuj që kërkojnë therori gjaku. T’i kuptosh si të ndryshëm, si të përkohshëm e kalimtarë, si trupi i njeriut, e si të tillë të denjë për t’i dashur; të vdekshëm, në kuptimin që t’i nënshtrohen vdekjes, ashtu si udhëtarët, e jo të bëhen rast e shkak për vdekje, siç kanë qenë e janë shpeshherë”. (“Udhëtim pa mbarim”, Claudio Magris).

Magris nis një udhëtim siç jemi të gjithë në udhëtimin ku parakalojmë me njerëz të ndryshëm, me tradita e histori ndryshe nga e jona. Ai niset për një dëshirë njohjeje mbi botën, madje pa fshehur bindjen si Don Kishot se do të arrijë atje ku duhet. Nuk e zbehin dyshimet e Sanço Panços, që vjen si rrëzim përditshëm i së menduarës mbi një vend, mbi një gjuhë, mbi një autor, mbi një histori. Jo, ai ka dëshirë të udhëtojë me njeriun, me atë që ka mbijetuar në shekuj, po ku moderniteti apo postmoderniteti prej kohësh tenton ta rrëzojë në tapetin e harresës.

“Besnik ndaj vlerave mbetet jo ai që ka mall për lashtësinë dhe ngatëron të përjetshmen me të shkuarën, as ai që struket në vetmi aristokratike e arkaike, shterpë e patetike, por ai që pranon me përulësi të zhytet në rrëmujën e përditshme gjithfarë, në ndryshimet e gjithçkaje relative, të zakoneve dhe hierarkive, sepse kështu mëson të njohë e të respektojë dinjitetin njerëzor edhe kur i paraqet në forma dhe mënyra me të cilat nuk është mësuar dhe që mund edhe ta përjashtojnë apo trubullojnë atë vetë”. (“Udhëtim pa mbarim”, Claudio Magris)

Më dëshirën për të njohur tjetrin, për të kaluar në lëkurën e tij, Magris ka udhëtuar përmes letërsisë, me historinë, dhe sjell pamje të gjithë llojeve të kufijve në Europën Qëndore, në Skandinavi, në Iran, në Kinë e Vietnam, e deri në pyjet në Kanada. Ka përshkruar ata që mbijetojnë si të jenë të vetmit- sorbët, istranët, çiçët e çiribirët.

Novalis, Josep Roth, Kundera, Jamek, Gunter Grass e poetët Shirazi e Sadiu janë pika ku shpesh ai kërkon të mbështesë “pamjen e dujur për njeriun”. Nuk mund të shmangë Niçen kur kërkon të kuptojë prej tij se “pas pisit është vetëm pis”, çka i vihet përballë asaj që vjen nga Ungjilli, ku citohet se “pas të pastrit vjen i pastri”.

Magris kalon kufij, ngre lart raportin e përkujdesjes ndaj atyre që kanë ditur të rrisin fëmijë e nipër dhe që vijojnë të mbajnë flamurin e njerëzores, e na fton si në përralla që pas një pylli pikëpyetjesh për mbijetesën, për tjetrin, të ktheheni te Njeriu. Magris sugjeron se është “qielli në lëvizje” ai që i jep udhëtarit një ndjesi sikur di t’i paraprijë vdekjes. Por cilës vdekje? Ajo fizike mundet të vijë herët ose vonë, nga një tjetër caktim. Ajo shpirtërore varer prej mesh. Dhe të shmangësh një vdekje të tillë është këmbëngulja se secili duhet të nisë që të udhëtojë, duke mos mbetur pjesë e një mosnjohjeje të kufijve me tjetrin dhe botën– e kufijve të dukshëm e të padukshëm.

Don Kishoti, Shvejku, Pinoku, Fausti nuk janë thjesht personazhe, por janë bashkëshoqërues të këtij rrugëtimi, për t’u ndalur më pas edhe me Hajdegerin, Kafkën, Niçen, Gëten, edhe me mjaft emra të tjerë, të cilët janë udhëtarë nëpër shumë kufinj.

Udhëtimi është pjesa ku bota rimerr përmasa të tjera. Mund të qëllojë të jesh Odise, Don Kishot apo Robinson Kruzo. Mund të duhet të sillesh si Xhepeto e të ndërtosh Pinokun tënd, ose të përgjigjesh, pasi ke vënë në dyshim gjithçka që ke menduar apo ëndërruar, si Don Kishoti Sanço Panços: “Edhe bën vaki”!

Udhëtimet shpesh kemi dëshirë t’i kujtojmë e t’i rikujtojmë. Na ndodh të hapim fotot. Kalojmë nëpër duar suveniret. Mendojmë edhe një herë rikthimin për ta shijuar edhe me dikë që kemi për zemër e që nuk e pa dot bashkë me ne atë pjesë të rrugës që deshëm ta bënim.

Magris, një nga shkrimtarët dhe esseistët ndër me të vlerësuarit për botën të cilën sugjeron, duket sikur përsërit përmes gjithë ndjesive të njëjtën moto: “udhëtimi nuk mbaron kurrë!”. I ardhur në shqip nga Mimoza Hysa, libri “Udhëtim pa mbarim” mbetet një kontakt i jashtëzakonshëm me të dëshirueshmen e përhershme – atë të botës që duam ta shohim, njohim e ta përshkruajmë vetë.

a.b

See less

May be an image of one or more people

See insights and ads

Boost post

All reactions:

11

Filed Under: ESSE

Kryevepra e Jeronim De Radës, “Këngët e Milosaos”

August 12, 2026 by s p

QSPA/

Në gusht të vitit 1836, në Napoli, doli nga shtypi, duke parë dritën e botimit për herë të parë, kryevepra e Jeronim De Radës, “Këngët e Milosaos”, vepër e cila konsiderohet si vepra e parë e mirëfilltë artistike shqiptare. Autori e kishte përfunduar në tetor të vitit 1834, kohë kur i ka shkruar edhe parathënien.

“Këngët e Milosaos” solli një frymë të re artistike e kombëtare. Përmes një rrëfimi lirik që ndërthur ndjenjën e pastër me detyrën kombëtare, shkrimtari arbëresh na njeh me historinë e dy të rinjve që sfidojnë ndasitë shoqërore për dashurinë e tyre.

Vepra ka për subjekt historinë e dashurisë së Milosaos, birit të sundimtarit të Shkodrës me Rinën, vajzë e varfër, bijë e Kollogresë, një dashuri e thjeshtë, me temë nga shekulli i XV. Subjekti kryesor i kësaj vepre është i ngjashëm me dashurinë e autorit, e cila ishte e gjykuar të shuhet.

Në këtë vepër, dy të rinj, Milosao dhe Rina, shkojnë në një dashuri të pastër ndonëse dallimet klasore e thonë fjalën e kobshme, pengojnë që të gëzohet fryti i zemrave: dashuria nuk u shua.

Edhe pse fati i tyre përfundon në tragjedi me vdekjen e vajzës dhe rënien e Milosaos në fushëbetejë, mesazhi i veprës mbetet i fuqishëm duke theksuar të drejtën për të qenë të barabartë në ndjenja dhe sakrificën e lartë për atdheun.

Vepra është ndërtuar si një roman lirik, ku lirizmi dhe epika bashkëjetojnë natyrshëm.

Në shekullin e XIX, kur arbëreshët ishin bartës të gjuhës dhe kulturës shqiptare, duke e ruajtur dhe zhvilluar atë në mërgim, kjo vepër u bë një thirrje për mesazhin kombëtar dhe përkushtimin ndaj atdheut.

Vepra, e mbështetur mbi pasurinë shpirtërore të folklorit arbëresh, u vlerësua lart edhe nga Viktor Hygo, i cili e cilësoi si një “vepër të përkryer romantike”.

Filed Under: ESSE

Selaniku, qyteti që lexohet si një libër

August 11, 2026 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Sa herë që shkoj me pushime, më kujtohet një vërejtje e ambasadorit gjerman në Tiranë, Helmut Hoffmann, i cili, ndoshta edhe me një dozë të lehtë ironie, më tha se kosovarët nuk duhet ta kalojnë kohën vetëm në plazhe dhe restorante, por të vizitojnë edhe muzetë, monumentet dhe vendet me vlera historike e kulturore.

Në të vërtetë, kjo nuk ishte një ide e panjohur për mua. Përvoja e studimeve në Vjenë dhe Berlin më ka mësuar se, në traditën evropiane të udhëtimit, pushimi nuk nënkupton vetëm çlodhje fizike, por edhe një proces njohjeje dhe formimi kulturor. Vizitat në muze, biblioteka, qendra historike apo shtëpi memoriale krijojnë një lidhje më të thellë me historinë dhe kujtesën e vendeve që vizitojmë.

Për këtë arsye, sa herë që udhëtoj, përveç një libri të përzgjedhur që e marr gjithmonë me vete, përpiqem ta shfrytëzoj udhëtimin edhe si një mundësi për të njohur trashëgiminë historike e kulturore të vendit ku ndodhem.

Kështu ndodhi edhe gjatë një ndalese në Selanik. Përveç vizitës në shtëpinë ku jetoi dhe veproi Hasan Prishtina, një prej figurave më të shquara të historisë sonë kombëtare, me vete mora edhe librin “Selaniku, qyteti i fantazmave” të historianit britanik Mark Mazower.

Ky është një nga studimet më të rëndësishme kushtuar historisë shumëkulturore të Selanikut. Mazower e përshkruan qytetin si një hapësirë ku për shekuj bashkëjetuan të krishterët, myslimanët dhe hebrenjtë, duke ndriçuar ndryshimet politike, shoqërore dhe kulturore që e formësuan atë.

Me interes të veçantë janë edhe faqet kushtuar shqiptarëve. Autori tregon se gjatë shekujve XVIII dhe XIX mijëra shqiptarë jetonin e punonin në Selanik si zejtarë, gurgdhendës, armëpunues, rojtarë, tregtarë e barinj sezonalë. Ai trajton gjithashtu mënyrën se si administrata osmane i perceptonte shqiptarët, por edhe rolin që shumë prej tyre luajtën në jetën politike, ushtarake dhe ekonomike të rajonit. Pikërisht këto pasazhe dëshmojnë se prania shqiptare në Selanik nuk ishte rastësore, por pjesë e rëndësishme e historisë së qytetit.

Selaniku zë një vend të veçantë edhe në historinë tonë kombëtare. Pikërisht këtu Hasan Prishtina u arsimua, u formësua intelektualisht dhe zhvilloi një pjesë të rëndësishme të veprimtarisë së tij politike e kombëtare. Po në këtë qytet, më 13 gusht 1933, ai u vra. Prandaj, Selaniku nuk është vetëm një destinacion turistik, por edhe një hapësirë kujtese për shqiptarët.

Në fund të fundit, udhëtimet marrin kuptim më të thellë kur, përveç peizazheve dhe pushimit, na japin mundësinë të zbulojmë historinë, të rilexojmë kujtesën e vendeve që vizitojmë dhe të kuptojmë më mirë edhe historinë tonë. Sepse vlera më e qëndrueshme e një udhëtimi nuk matet vetëm me kilometrat e përshkuar, por me dijen, përvojën dhe reflektimet që sjellim me vete.

Filed Under: ESSE

Fjalitë mesazh…

August 10, 2026 by s p

Prof. Afrim Krasniqi/

Çdo mbrëmje të dy muajve të fundit, ndërsa protestat vijon rutinën e vet me mesazhe politike, ecje, reagime, dëshmi apo thirrje, – aty anash, një grup krijuesisht dhe aktivistësh, të heshtur, pa bujë apo zhurmë, por me talent dhe vendosmëri ofrojnë një nga momentet më të veçanta e më domethënëse të protestës dhe reagimit qytetar: çdo ditë një fjalë ose fjali si mesazh ndaj publikut, institucioneve, shoqërisë. E mendojnë, e krijojnë, e filmojnë të vetdijshëm se 5 min pas protestës “autoritetet” me uniformë vijnë dhe e fshijnë.

Nuk janë fotot lajm, por mesazhi. Ky i fundit, në një shoqëri më të lirë, më reaguese, më qytetare, më të formuar me kulturë politike e demokratike, më pak militante, si dhe më të ndjeshme/vetëdijshme/përgjegjshme ndaj nevojave/prioriteteve afatgjata të vetes dhe vendit, natyrisht do të ishte edhe ftese e parezistueshme për reflektim.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 635
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟭𝟵𝟮𝟬-𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟮𝟬𝟮𝟲
  • Çamëria: Gjeografia historike, prania shqiptare, trashëgimia kulturore dhe rëndësia gjeopolitike
  • Shabani School of Music: nga Amerika e Kanadaja në Evropë – me prezantim në Konferencën YMTE 2026, Oslo, Norvegji
  • Prof.Muharrem Dezhgiu – një jetë në shërbim të historisë dhe kujtesës kombëtare
  • MIHAL CIKO, MJESHTRI QË BASHKOI ARTIN ME ATDHETARINË
  • “KONGRESI ELBASANIT”
  • ZENI BALLAZHI – ARTISTI KËRÇOVAR ME VEPRIMTARI KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE
  • SHKOLLA SHQIPE NË LUBJANË, GJUHË DHE IDENTITET KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË SLLOVENI
  • Kur diplomacia nuk mjaftoi – Lidhja e Prizrenit në luftë për trojet shqiptare
  • Lec Kurti, ambasadori i Shqipërisë në Londër më 1939
  • Liza Laska, gruaja që gdhendi dhimbjen në dritë, zëri lab që u bë poezi në artin skenik shqiptar
  • Leo Freundlich – Hebreu nga Vjena që ngriti zërin për shqiptarët!
  • “Historia e operas Rozafa”
  • MARGARET MACMILLAN, PARIS 1919 – Gjashtë muaj që ndryshuan botën
  • Çmitizimi i historisë dhe mungesa e një historiografie kritike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT