
Nikollë Loka/
Në gjysmën e dytë të shekullit XIX, Perandoria Osmane hyri në një fazë të thellë reformash administrative, politike dhe arsimore të njohura si periudha e Tanzimatit. Këto reforma synonin modernizimin e shtetit dhe krijimin e një strukture më të centralizuar e më të barabartë për të gjitha komunitetet e perandorisë. Megjithatë, në praktikë, sistemi osman vazhdoi të funksiononte mbi bazën e ndarjes fetare të popullsisë përmes sistemit të milletit, i cili nuk e njihte zhvillimin e identiteteve kombëtare moderne.
Në këtë kontekst, shqiptarët nuk u trajtuan si një komb i veçantë politik apo kulturor, por u kategorizuan sipas përkatësisë fetare. Kjo situatë krijoi një pabarazi të theksuar në fushën e arsimit dhe zhvillimit kulturor, duke ndikuar drejtpërdrejt në formimin e vetëdijes kombëtare shqiptare dhe në hapjen e hapësirës për ndikimin e shteteve fqinje, veçanërisht Serbisë, në territorin e Kosovës.
Në Perandorinë Osmane, me Reformën e Tanzimatit dhe veçanërisht me Reformën e vitit 1856 (Islahat Fermanı), pakicat u lejuan si komunitete të hapnin dhe të zhvillonin shkolla. Rregullorja e Arsimit Publik e vitit 1869 (Maarif-i Umumiye Nizamnamesi) parashikonte që pakicat mund të hapnin shkolla private ose që në këto shkolla mund të mësonin së bashku me fëmijët myslimanë. Kushtetuta e vitit 1876 (Kanun-ı Esasi) u dha jomuslimanëve mundësinë për arsim privat nën kontrollin e shtetit (Ünlü, 2014: 202). Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, pakicat në Perandorinë Osmane (jomuslimanët), duke mos treguar interes për politikën e shtetit për “osmanizimin përmes arsimit”, i rritën dhe i zhvilluan shkollat e tyre, duke vazhduar kështu politikat që forconin synimet e tyre separatiste.
Megjithatë, e njëjta e drejtë nuk iu dha elementëve myslimanë, pra shqiptarëve, të cilët nën udhëheqjen e intelektualëve të tyre, në Lidhjen e Prizrenit dhe gjatë periudhës së veprimtarisë së saj (1878–1881) për herë të parë paraqitën në mënyrë të organizuar kërkesat e tyre, që nëpunësit të dinin shqip dhe që gjuha shqipe të përdorej në shkolla, kërkesa që nuk u pranuan deri në gusht të vitit 1912, pas bisedimeve për ndalimin e kryengritjes antiosmane të vitit 1912.
Arsimi laik në gjuhën serbe filloi shpejt.Shkollat moderne laike në territorin e Kosovës filluan të shfaqen pas Luftës së Krimesë, në kuadër të proceseve më të gjera të modernizimit arsimor në Perandorinë Osmane dhe të ndikimeve të faktorëve të jashtëm kulturorë e politikë. Në këtë kontekst, shkolla e parë serbe u hap në Prizren në vitin 1856 nga mësuesi Nikola Musulin, ndërsa në Prishtinë në vitin 1858 nga Milan Kovačeviq, dhe në Pejë në vitin 1864 nga prifti Sava Deçanac (Premoviç, f. 152). Deri në vitin 1875, në territorin e sotëm të Kosovës funksiononin rreth 27 institucione arsimore, në të cilat ndiqnin mësimet afërsisht 1.200 nxënës, të udhëhequr nga 35 mësues (Çanoviç,1967:45).
Sava Deçanac, i cili kishte shërbyer si rektor i Seminarit të Prizrenit midis viteve 1871–1873 dhe njëkohësisht si klerik në Manastirin e Deçanit, në kujtimet e tij të botuara në vitin 1888 ofron të dhëna mbi strukturën arsimore të Prizrenit. Sipas tij,,” në qytet funksiononte një shkollë serbe për djem me katër klasa dhe katër mësues, si dhe një shkollë për vajza me një mësuese. Paralelisht, ekzistonte edhe një shkollë teologjike me tre klasa dhe një klasë përgatitore, e cila shërbente për formimin e kuadrove klerikale dhe arsimore (Deçanaç,1988:115–116). Në rrethin e Prizrenit, shkolla serbe ekzistonin edhe në Hoçë të Madhe, Sredskë, Lubizhdë dhe Zoçishtë (Kostiç,1933: 33–34). (2 vajza dhe 10 djem të klasës së katërt). Në Lipljan, pakica serbe kishte një shkollë me gjithsej 29 nxënës (klasa e parë 14, e dyta 6 dhe e treta 9) (Deçanac, 1988: 154 dhe 159).
Në qytetin e Prishtinës në Kosovë, në vitin 1889, me hapjen e Konsullatës së shtetit serb, për një periudhë, shkollat arsimore serbe në Kosovë filluan të administroheshin nga Konsullata në vend të Mitropolisë serbe. Në fund të shekullit XIX, më saktësisht në vitin shkollor 1895-1896, sipas raporteve të Konsullatës së Serbisë në Prishtinë, në territorin e sotëm të Kosovës funksiononin 33 shkolla fillore (prej të cilave 4 ishin shkolla për vajza: në Prizren, Prishtinë, Pejë dhe Gjilan). Në këto shkolla mësonin 1800 nxënës me 57 mësues. Sipas të dhënave të marra nga vepra e Ivan Ivaniçit (Makedonija i Makedonci,f.301–302), në Vilajetin e Kosovës shkollat serbe ishin: 87 në vitin 1878, 188 në vitin 1900 dhe 209 institucione arsimore në vitin 19011902.
Më 1 tetor 1871 në Prizren u hap shkolla e seminarit për priftërinj dhe mësues. Me hapjen e kësaj shkolle, në vilajetin e Kosovës filluan të formoheshin kuadro të kualifikuara për aktivitetet fetare dhe arsimore të pakicës serbe (Çanoviç, 1967: 45; Kostiç, 1933). Në vitin 1874, nga kjo shkollë u diplomua gjenerata e parë e edukatorëve. Në periudhën 1871-1912, nga seminari i Prizrenit u diplomuan 480 studentë. Prej tyre, 196 ishin nga Kosova. Është e qartë se shkolla e seminarit të Prizrenit kontribuoi jo vetëm për serbët e Kosovës, por edhe për serbët e rajoneve të tjera në përgatitjen e mësuesve.
Në të njëjtën periudhë, në kuadër të rritjes së aktivitetit arsimor dhe politik të elitave serbe në rajon, në Beograd u themelua një komitet i posaçëm për “serbizimin e ortodoksëve”, i cili synonte zgjerimin e ndikimit kulturor dhe arsimor në territoret e Kosovës dhe Maqedonisë Jugore. Ky Komitet kontribuoi në hapjen e 61 shkollave në këto rajone, me qëllim konsolidimin e identitetit serb në mesin e popullsisë ortodokse dhe vllahe.
Në këtë kuadër, në vitin 1873, Millosh Milojeviqi, si anëtar i këtij Komiteti, hapi një shkollë në Beograd për edukimin e fëmijëve nga rajonet jugore të Perandorisë Osmane. Megjithëse, burimet historike theksojnë se popullsia e këtyre zonave nuk ishte homogjene etnikisht serbe, por përbëhej në masë të konsiderueshme nga shqiptarë ortodoksë dhe vllehë, çka tregon karakterin kompleks etno-fetar të politikave arsimore të periudhës.
Në Prizren, edhe gogët ortodoksë, që kishin ardhur nga Shqipëria ishin lejuar të hapnin një shkollë për djem dhe një për vajza në gjuhën greke (Kostiç, 1933: 13).
Paralelisht me intensifikimin e lëvizjeve nacionaliste në hapësirën ballkanike gjatë shekullit XIX, çështja e arsimit në gjuhën amtare u shndërrua në një nga kërkesat qendrore të elitave shqiptare. Në këtë kontekst, arsimi nuk përfaqësonte vetëm një instrument edukimi, por edhe një mjet thelbësor të formimit të identitetit kombëtar shqiorar dhe të artikulimit të kërkesave politike e kulturore të shqiptarëve brenda Perandorisë Osmane. Për rrjedhojë, përpjekjet për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe u zhvilluan në një mjedis kompleks politik, fetar dhe administrativ, ku ndikimet e institucioneve fetare dhe faktorëve të jashtëm luanin rol të rëndësishëm.
Në mesin e shekullit XIX, në hapësirën e Kosovës, veçanërisht në qytetet Prizren dhe Gjakovë, filluan të funksiononin shkolla katolike pranë institucioneve kishtare. Këto shkolla përfaqësonin një formë të hershme të organizimit arsimor të komunitetit katolik shqiptar dhe ishin të lidhura ngushtë me misionet fetare dhe veprimtarinë e klerit katolik. Në fazën e parë të zhvillimit të tyre, deri në vitet 1880 të shekullit XIX, procesi mësimor në këto institucione zhvillohej kryesisht në gjuhën italiane, çka reflektonte ndikimin e drejtpërdrejtë kulturor dhe arsimor të rrjeteve kishtare perëndimore në rajon. Megjithatë, në vijim të proceseve të zgjimit kombëtar shqiptar dhe rritjes së vetëdijes gjuhësore, këto shkolla gradualisht filluan të përfshijnë dhe të kalojnë në përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë mësimore. Ky transformim shënon një moment të rëndësishëm në historinë e arsimit shqiptar, pasi tregon kalimin nga një model arsimor me karakter kryesisht fetar dhe të huaj gjuhësisht, drejt një modeli më të orientuar nga nevojat e formimit të identitetit kombëtar shqiptar. Sipas studiuesve, ky proces duhet parë si pjesë e zhvillimeve më të gjera të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe përpjekjeve për institucionalizimin e gjuhës shqipe në hapësirën publike dhe arsimore (Recepagiç, 1972: 183; Recepagiç, 1970).
Në vitin 1889 u hap në Prizren shkolla e parë laike në gjuhën shqipe. Mësuesi i parë i kësaj shkolle ishte Mati Logoreci. Në këtë shkollë punonte edhe Prizrenasi Lazër Lumezi (Shatri, 2008: 32). Në vitin shkollor 1902-1903, në këtë shkollë, mësonin 34 nxënës në klasën e parë, në të dytën 16, në të tretën 12 dhe në të katërtën 13, gjithsej 75 nxënës djem (Mehmeti, 2014: 186). Më 14 shtator 1892, në Prizren u hap shkolla katolike për vajza. Në këtë shkollë, në vitin 1903, i ndoqën mësimet 52 nxënëse nën drejtimin e mësueses Çeçilia Brisku (Mehmeti, 2014: 192).
Shkollat e katolikëve shqiptarë filluan të funksionojnë edhe në fshatin Zym më 1880, në Jakovë më 1851, në fshatin Stubëll në fund të shekullit XIX( aty ku kishte pas një shkollë katolike shqipe në vitin 1584), në Pejë. Pas vitit 1900, shkolla katolike shqiptare u hap edhe në Ferizaj dhe Zllokuçan. Gjatë kësaj periudhe, në Janievë dhe Letnicë(në të dy fshatrat ku kishte një pakicë kroate) funksionuan shkolla katolike në gjuhën kroate (Recepagiç, 1970: 187).
Në përfundim, zhvillimi i arsimit në vilajetin e Kosovës gjatë periudhës osmane tregon një pabarazi të theksuar ndërmjet komuniteteve në fushën arsimore. Edhe pse reformat e Tanzimatit synonin barazi administrative dhe arsimore, në praktikë ato favorizuan më shumë organizimin e komuniteteve jomuslimane. Në këtë kuadër, komuniteti serb përfitoi një rrjet të gjerë shkollash të mbështetura nga Kisha ortodokse dhe nga institucionet shtetërore serbe, të cilat vepronin të toleruara dhe shpesh me mbështetje indirekte osmane. Hapja e seminarit të Prizrenit dhe rritja e numrit të shkollave serbe tregojnë një organizim të strukturuar arsimor që u zhvillua me lehtësi në territorin e Kosovës. Ndërkohë, shqiptarët myslimanë nuk gëzonin të njëjtën mundësi për zhvillimin e arsimit në gjuhën e tyre amtare, pasi sistemi i milletit i kategorizonte ata vetëm në bazë fetare e jo kombëtare dhe ato pak shkolla shqipe, deri në revolucionin xhonturk u lejuan vetëm për shqiptarët katolikë, duke i vënë në tërësi shqiptarët si komb në kushte shumë të disfavorshme krahasuar me serbët.