
Dr. Dorian Koçi/
Lidhjet midis historisë, letërsisë së kultivuar, artit figurativ dhe formësimit të identiteteve kombëtare zënë një vend qendror në shumicën e studimeve mbi kombet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Çështja e identitetit, dhe për rrjedhojë edhe ngritja e një ndërgjegjeje kombëtare, lidhet ngushtë me historinë, letërsinë e kultivuar dhe kulturën. Kultura mund të kuptohet si një “model historikisht i transmetuar nga kuptimet e mishëruara në simbole, një sistem i koncepteve të trashëguara të shprehura në forma simbolike, me të cilat njerëzit komunikojnë, përjetësojnë dhe zhvillojnë njohuritë e tyre lidhur me qëndrimet ndaj jetës”.
Vepra e Sali Shijakut shfaqet në horizontin kulturor të Shqipërisë rreth 40 vjet pas themelimit të shtetit shqiptar. Ajo trajton historinë e largët dhe të afërt të shqiptarëve, dhe përmes mesazheve të saj ndërton identitetin modern kombëtar të popullit shqiptar. Ndryshe nga tablo të elitës evropiane të një shekulli më parë, si ato të Eugène Delacroix, Edward Lear apo Jean-Léon Gérôme, të cilat rrëfenin ngjizjen e identitetit shqiptar për sy të huaj, vepra e Shijakut është shumëngjyrëshe dhe funksionon në dy tonalitete kryesore: njëra për shqiptarët, për të njohur veten, dhe tjetra për të huajt, për të shkatërruar paragjykimet dhe për të kuptuar më mirë shqiptarët.
Pasqyrimi i jetës folklorike shqiptare, i bazuar në mozaik ngjyrash të papërsëritshëm dhe në elemente moderniste, rrëfen kështjellën e mbijetesës së shqiptarëve përmes shekujve, si popull dhe si etni e dallueshme qartë nga fqinjët në Ballkan. Sali Shijaku, duke eksportuar përjetimin e tij mbi të shkuarën historike të Shqipërisë në tablo historike, krijoi një epope historike që lidh të kaluarën me të tashmen e vendit të vet.
Tabloja Mic Sokoli (1978) është një pasqyrim i shpirtit të kombit, siç do të thoshte Herderi: një model unik i Njeriut Shqiptar, që ngrihet si vigan mbi peizazhin e mbuluar me re, i veshur me rroba tradicionale shqiptare, për të shprehur revoltën ndaj neglizhencës së shqiptarëve në fatin e tyre dhe për të shkatërruar jo vetëm një top dhe dy topçinj të mjeruar osmanë, por të gjithë Perandorinë Osmane. Në këtë mënyrë, tablotë historike të Shijakut shërbejnë si model narrativ për përpunimet e para shkencore mbi historitë kombëtare dhe si një vektor i shkëlqyer për përhapjen e një vizioni të ri të së kaluarës.