
KRISTAQ BALLI
In Memory
Me rastin e 90 Vjetorit të Lindjes dhe 10 Vjetorit të ndarjes nga jeta

Më 29 Shtator, Teodor Laço, një prej figurave të shquara intelektuale e krijuese shqiptarë do të mbushte 90 vjeç. Ai u nda nga jeta më 15 Tetor 2016, pra 10 vjet më parë Dy përvjetorë që ne e përjetojmë nëpërmjet angazhimit të tij të gjerë e të ngjeshur poliedrik në disa skena të rëndësishme të jetës kulturore, artistike, shoqërore, politike në kontekst me shoqërinë dhe kohën ku dhe kur ai jetoi, por edhe me një rreze largpamësie, vizioni e reflektimi që e bën atë një vegimtar e protagonist të pararojës së shndrrimeve e progresit të jetës e shoqërisë shqiptare.
Ai mbetet, së pari, një lëvrues i suksesshëm, ndofta nga më elokuentët e letërsisë shqiptare në disa gjini, që për më se 50 vjet i dhuroi asaj, më shumë se 50 vepra, njëra më e bukur se tjetra dhe shumica e të cilave mbeten në fondin e letrave dhe historisë së artit shqiptar si shembuj pozitivë të një talenti gjenuin dhe të një nivelit të veçantë artistik e mjeshtëror. Prodhimtaria e lartë, mjeshtëria dhe niveli vetiak origjinal artistik mbeten tiparet kryesore të krijimtarisë së tij artistike. Ai mbetet një talent autentik qysh me tregimet e tij të hershme të sprovës që do ta impenjonin më tej në një prej gjinive më “konkuruese” të asaj periudhe, por edhe gjatë gjithë jetës së tij.
Tregimi e novela e shkurtër, kryesisht klasike, apo neorealiste shpërfaqin intuitën dhe finesën e rikrijimit të situatës apo ngjarjes spontane e të zakonshme në një zgjidhje letrare befasuse, të gdhendjes së personazheve e sidomos të momentit të tyre psikologjik, të lakonizmit, lirizmit e stilit të admirueshëm narrativ. Midis tyre vëllimet me prozë të shkurtër si “Rruga e Bardhë”, “Një natë shiu”, “Ajri i Ftohtë i Mesnatës”, “Portat e Dashurisë”, “Pylli në Vjeshtë”, “Vdekja e Nëpunësit X”, etj., mbeten modele krahasuese e referuse në prozën e shkurtër shqiptare.

Romanet, si një prej impenjimeve dhe prurjeve të shumta në krijimtarinë e tij letrare mbeten pjesa më përfaqësuese e prozatorit të kultivuar tashmë me kulturë e veti të thella artistike e estetike. Jnë tablo të mëdha e të rëndësishme të jetës shqiptare në periudha e sfonde specifike historike, ekonomike e sociale me një konotacion të spikatur rikrijues, të një mesazheri artistik me vetëdijë, qartësi, thellësi analize, fantazie e meditimi profesional, si dhe i stilit elokuent narrativ e gjuhës së bukur letrare. “Tokë e Ashpër”(1971), “Pëballimi”(1975), “Lëndina e Lotëve”, “Të gjithë lumenjtë rrjedhin” (1985), “Pushimet e Kolonelit” (1990), “Një vit i hidhur” (1995), “Gropas 67”, “Mjegull” (2009), etj. pasqyrojnë jo vetëm “rendimentin” dhe rrëshqitjen e shfrenuar të penës së tij në prozë, por po ashtu edhe popullaritetin e tyre artistik tek audienca intelektuale dhe lexuesit. Pjesë integrale e krijimtarisë letrare të tij kanë qenë dramat dhe komeditë e shumta dhe po aq të suksesshme. Krahas të tjerash, veçori e tyre mbetet krijimi artistik i intrigës dramatike, progresive e kulmore, i situatave së zhdërvjellëta të mizansenës, i zgidhjeve artistike jo artificiale dhe larmisë së pafundme të karaktereve e personazheve të këndshëm, disa prej të cilëve kanë ngelur emblematikë. Të tilla drama e komedi si “Shtëpia në rrugicë”, “Një nuse për Stasin”, “Gjëmimi i atij dimri”, “Qyteti i akuzuar”, “Shi në plazh”, “etj. kanë lënë gjurmët e tyre në repertorin klasik të spektakleve dramaturgjke shqiptare.

Në lëmin e kinematografisë, Teodor Laço cilësohet si një prurës autoritar i disa prej skenarëve artistikë, mbi të cilët u realizuan një sërë filma me prirje të reja regjisoriale e artistike. Ato i dallon imagjinata, aksioni i rrjedhshëm dhe intensiteti dramaturgjik, aftësia e përzgjedhjes dhe origjinalitetit e shumëllojshmërisë së personazheve, psikoanaliza e tyre, gjuha e shkathët dhe e larme e, si rrjedhim, uniteti i tyre artistik me preferencat e suksesshme regjisoriale. Duke veçuar filmat “Përballimi”, “Dhe vjen një ditë”, “Flutura në kabinën time”, “Vitet e pritjes” mund të konstatosh se suksesi i tyre në publik u garantua së pari nga skenarët e tyre me vlera potenciale.
Nuk mund ta konsiderosh të ezauruar veprimtarinë krijuese të T.Laços pa përmendur edhe publicistikën e tij kulturore, politike e sociale. Përveç dhjetra e dhjetra artikujve të këtyre gjinive, disa libra voluminozë me publicistikë reflektive social-politike e diplomatike cilësojnë atë si një vëzhgues, përjetues dhe analizues të kthjellët të realiteteve historike kombëtare e ndërkombëtare. Mids tyre libri “Një dritare në Kremlin” është pa dyshim pasqyrë e angazhimit të tij serioz në realitete të reja të zhvillimeve politike të Shqipërisë postkomuniste.
Shumë prej veprave të tij kanë fituar çmime e vlerësime të rëndësishme kombëtare letrare, ndërkohë që një pjesë e tyre janë përkthyer e botuar në antologji në Francë, Britani, Itali, Rusi, SHBA, Turqi, Greqi, Bullgari, Rumani, Kosovë, etj

Një kapitull të rëndësishëm të veprimtarisë intelektuale të T.Laços përbën angazhimimi i tij në politikë e shtetari në kuadrin e shpërbërjes të sistemit politik të Shqipërisë gjatë dhe pas viteve ’90 të shekullit të kaluar. Si një prej intelektualëve antikonformistë, që paraprinë me krijimtarinë e tyre vizionin për nevojën e ndryshimeve politike e shoqërore kah demokratizimit të vendit, ai u përfshi në proceset e krijimit të pluripartitizmit në krahun liberal demokrat, fillimisht si një prej themeluesve e drejtuesve të partisë Social-Demokrate dhe më pas si krijues e drejtues për 10 vjet i partisë Bashkimi Liberal Demokrat. Gjatë kësaj kohe (1997-2005) ai zgjidhet deputet i parlamentit shqiptar. Midis viteve 1994-1997 emërohet minister i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe më pas, 2006-2008 e gjejmë si ambasador të Shqipërisë në Federatën Ruse. Si politikan, ministër dhe diplomat T.Laço dallohet për pjekurinë, kapacitetin, përvojën e pasur jetësore, përkushtimin, konsekuencën, përfaqësimin, pasionin dhe punën e përpjekjet e palodhura për kontribut ndaj shoqërisë shqiptare, urtësinë dhe përqasjen progresive ndaj fenomeve shqiptare. Ai u largua nga politika me vullnet dhe i sukseshëm, kontribues dhe sidomos i vetëdijshëm se qarkullimi i brezave dhe elitave intelektuale e politike është e vetmja mendësi e mundësi për të shpejtuar ritmin e zhvillimit dhe progresit të vendit drejt integrimit evropian.

Teodor Laço ka lindur 90 vjet më parë në fshatin e bukur Dardhë të Korçës, të cilën ai e ka cilësuar si margaritar të natyrës dhe humanizmit. Ajo mbetej për të ende vendbanimi i tij i preferuar, jo vetëm sepse e lidhte me origjinën dhe përkatësinë e tij familjare, por edhe sepse ai ka qenë vendi i inspirimit shpirtëror, punës dhe realizimit të një numuri të madh të veprave të tij, ku vetë ajo, pra Dardha ndjehet shumë herë si skenografi apo arenë e zhvillimit të tyre.
Për kontributin e tij intelektual, krijues e veprimtar Teodor Laço mban “Urdhërin Naim Frashëri të Klasit të Parë”, “Çmimin e Republikës” si dhe emblemën “Qytetar Nderi” i Qarkut të Korçës.
Së fundmi, në rafshin human, natyra dhe jeta ishte treguar tepër dorëlëshuar. Ai mbetet njeriu me veti të rralla shpirtërore; mençuria, dashuria, zemërmirësia, thjeshtësia, humori, dëlirësia, çiltërsia, mbështetja, solidariteti, toleranca, bujaria e mbi të gjitha fisnikëria e tij pasqyrojnë atribute të një vetëdijeje e kapaciteti të rrallë njerëzor e intelektual të rrahur me përvojat më ekstreme të jetës personale, familjare e shoqërore.
Eshtë rasti që në këtë përvjetor ta kujtojmë dhe nderojmë atë për kontributet e tij prej një personaliteti të shquar shqiptar!