
Azgan Berbati/
Thuhet se çdo libër është festë. Dhe sonte, për mua, kjo është më shumë se një promovim libri; është një nga ato takime që mbeten të gdhendura në shpirt. Kam marrë pjesë në dhjetëra takime letrare, artistike, universitare, politike e shkencore, por ky mbetet ndër më të rëndësishmit dhe më emocionuesit e jetës sime. Ka diçka gati jo tokësore në këtë mbrëmje. Amerika është një vend me madhështi të jashtëzakonshme. Përballë kësaj hapësire të pafundme, njeriu nganjëherë ndihet si një pikë uji në oqean. Por shqiptarët këtu kanë bërë diçka të rrallë: kanë ndërtuar ishullin e tyre shpirtëror. Një mikrokozmos shqiptar në zemër të Amerikës.
Sonte e shoh qartë këtë atdhe në miniaturë.
Sepse secili prej jush ka marrë me vete, në torbën e shpirtit, nga një grimcë Shqipërie, dhe këtu e keni bashkuar atë me dashuri, përkushtim dhe fanatizëm të bukur. Ndoshta, ndonjëherë, edhe më fort se ne që jetojmë atje. Ka njerëz që shpirtin e kanë futur në një torbë dhe e kanë shitur. Ju nuk i përkisni atij rasti. Dhe për këtë unë ndiej krenari të thellë. Sfida më e madhe mbetet ta përcillni këtë tek pasardhësit tuaj, pa humbje. Dhe ju uroj ta arrini.
Forca morale i ka mbajtur gjithnjë shqiptarët. Jo vetëm armët, jo vetëm historia, por mbi të gjitha shpirti. Dhe letërsia është një nga mënyrat më fisnike për ta mbrojtur atë shpirt. Nuk ka rrugë më të shkurtër sesa nga koka në letër, por nuk ka as rrugë më të gjatë. Sepse fjala kalon përmes njeriut, përmes dhimbjes, përmes kujtesës, përmes jetës. Kam besuar gjithnjë se kur e mira ndodh pa interes, pa shkak e pa përfitim, ajo është e mirë absolute. Deri te Zoti. Dhe pikërisht kjo mirësi më ka shoqëruar në këtë rrugëtim.
Gjatë organizimit të këtij takimi, kuptova edhe diçka tjetër: se ekzistojnë njerëz që vlejnë sa një institucion i tërë. Njerëz-shoqatë. Njerëz që me shpirtin, dashurinë dhe përkushtimin e tyre tejkalojnë çdo strukturë formale. Prandaj, për mua, më shumë vlerë sesa të jem pjesë e shoqatave më prestigjioze të botës, ka fakti që jam pjesë e dashurisë suaj, e shpirtit tuaj. Jam anëtar i zemrave tuaja. Pikërisht aty ndodh shkëputja nga graviteti tokësor, dhe ky takim merr dimension tjetër.
Gurthemelet e kësaj mbrëmjeje janë Albulena Beqiri, Rafaela Prifti dhe Fredi Tolja. U jam mirënjohës përjetë. Jo vetëm sepse mbështetën Azgan Berbatin, por sepse, në një kohë krize njerëzore, më rikujtuan se njerëzillëku ende nuk ka përfunduar. Pa ta, sonte nuk do të ishim mbledhur këtu.
Edhe poezitë e këtij libri shpesh kanë lindur nga tronditje dehumanizuese, nga absurdi i realitetit, por ato janë përpjekur gjithmonë t’i japin jetës një kuptim më të bukur, më njerëzor. Janë munduar ta shërojnë realitetin që i ka ndikuar. Arti dhe letërsia janë mjetet që përmbushin njeriun. Ato rafinojnë shoqëritë. Sokrati, Platoni, Aristoteli, stoikët dhe epikurianët besonin se arsyeja, dija dhe kultura janë mënyrat më të larta për të luftuar vuajtjen njerëzore. Edhe Shqipëria jonë, si ide dhe si vizion, u themelua nga mendja dhe shpirti i rilindasve. Prandaj, ky vend ka prodhuar gjithnjë elitë, sepse vetë origjina e tij është elitare. Për librin tim u fol shumë sonte, dhe unë besoj se autorit i takon ta shkruajë veprën, jo ta shpjegojë pafundësisht atë. Prandaj nuk do të flas më për librin.
Ju që folët fjalë kaq të larta, mirënjohja e përulësia ime janë po aq të mëdha. Faleminderit për vlerësimet, të cilat më nderojnë, i nderuar Pal Ndreca. Aq më shumë, kur vijnë nga një poet si ju. Nosh Mernacaj e Mark Qehaja, promotorët e këtij takimi, humanistë e miq të shkëlqyer, ju falenderoj shumë që e siguruat mbarëvajtjen e këtij takimi. Megjithatë, të gjithë ju, miqtë e mi, ndërtuar një qiell të kaltër sonte, në të cilin Shaban Lajci, i shndërroi poezitë e mia në yje dhe i ngjiti aty, me interpretimin e tij brilant. Kjo do të mbetet një nga fotografitë më të bukura të jetës sime, në albumin e shpirtit.