
Arben Iliazi/
“Kritiku” i mirë është si argjendari i “mirë” që përcakton karatin e një sendi të florinjtë. Kështu dhe kritiku përcakton vlerën reale të një vepre. Mendimet që përftohen duhet të burojnë nga vetë vepra, dhe jo e kundërta, që t’i atribuohen veprës mendime nga jashtë; se ndryshe “gjykimet” nuk do të kenë të bëjnë me veprën që shqyrtohet. Kritiku i vërtetë është plotësimi i krijuesit të veprës, por, ndërkohë, në një farë mënyre, në një drejtim tjetër,-dhe krijuesi i dytë i kësaj vepre. Një vepër e “pagjykuar”, është si një mineral i pazbuluar.
“Kritika letrare funksionale tani mungon, sepse ajo tashmë nuk ka funksion, nuk i shërben një qëllimi, nuk i shërben askujt, as lexuesit, as veprës letrare, as autorit të shkrimit letrar themelor, vetëm atyre që e shkruajnë atë. Nëse kritika nuk ka një funksion utilitar dhe është pjesë e krijimtarisë imagjinatave, ose e konsideron veten si të tillë, ajo duhet të heqë dorë nga imponimi. Ajo nuk mund t’i imponojë askujt asgjë, as vlerësim, as sugjerim, as vullnet, as dije, as rregulla, as kode, pra asgjë”, thotë miku im, shkrimtari dhe dramaturgu Mehmet Kraja.
Kritika mungon, por kemi disa studiues të letërsisë, që sjellin një kontribut origjinal dhe të ri për studimet tona letrare, në evidentimin e vlerave artistike, me vlerësime dhe analiza për dukuri të ndryshme letrare në letërsinë shqipe dhe në përqasjen e veprave letrare shqipe me ato të letërsisë botërore, duke përmbushur kriteret akademike e shkencore të studimit letrar. Ata shquhen shpesh për sinteza origjinale dhe interpretime të pavarura. Artikujt e tyre sjellin këndvështrime dhe interpretime origjinale të letërsisë shqipe, mbështetur në studimet e deritanishme shqiptare, si dhe në përqasjet e letërsisë shqipe me letërsinë botërore, veçanërisht me atë evropiane.
Në ligjërimin e këtyre artikujve ndërthuren tiparet e tekstit letrar dhe tekstit studimor, çka bën të mundur që këto tekste të paraqesin në një dritë të re vepra dhe autorë të njohur apo më pak të njohur. Ata pasurojnë interpretimin e veprave të njohura dhe sjellin informacione dhe të dhëna pak të njohura ose krejt të reja për këto vepra dhe autorë.
Duke u mbështetur te përvoja ime e gjatë si krijues dhe publicist, për të promovuar letërsinë e mirë, edhe unë jam përpjekur të përdor platforma të ndryshme sociale dhe kulturore, për të dhënë mendimet dhe refleksionet e mia mbi autorë dhe dukuri letrare, në një këndvështrim eseistik dhe gazeteresk, pa pretenduar të realizoj analiza të thelluara, të strukturuara dhe stilistike për çdo vepër të letërsisë shqipe ose botërore. Letërsia e mirë ka fuqinë të na zgjerojë botën, të na shtrojë pyetje universale dhe të na edukojë estetikisht.