• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lec Kurti, ambasadori i Shqipërisë në Londër më 1939

September 2, 2026 by s p

Prof. Dr. Romeo Gurakuqi/

Lec Kurti, më 7 prill 1939, ai ishte Ambasadori i Shqipërisë në Londër. Kur pothuajse të gjithë zyrtarët e shtetit ishin dorëzuar para agresionit fashist, ai që rezistoi dhe i qendroi deri ne fund besnik shtetit dhe Mbretnisë Shqiptare (së bashku me Faik Konicën në Washington), ishte Ai, kompozitori diplomat. Mbreti Zog e kishte caktuar atë ambasador në Londër edhe pse e dinte se ishte kundërshtar në bindjet politike. Dhe nuk gaboi. Ai, opozitari i tij, nuk u dorëzua deri në fund dhe kreu përfaqësimin me besnikëri edhe kur shteti indipendent në Shqipëri ishte shuar: dergoi me besnikëri çdo mesazh dhe Notë Mbretnore në FO, nuk pranoi t’i shërbente Musolinit duke i qendruar besnik shtetit të tij; nuk pranoi të korruptohej; nuk u dorëzua as kur mbeti pa imunitet diplomatik, pa shtetësi dhe pa asnjë të ardhur.

Kërkoi, pas dyvitesh, vetem të vinte në Shkodër, si qytetar privat, për të qendruar pranë nënës së tij të moshuar, në ditët e fundit të jetës.

Ndërhyrjet e tij të njëpasnjëshme prane FO, PM’s Office dhe ne British Parliament krijuan një reaksion zinxhir diskutimesh që përshine, British Foreign Secretary, Lord Halifax, Prime Minister Neville Chamberlain, John Simon, Chancellor of the Exchequer, John Anderson, Lord Privy Seal; Edward Stanhope, First Lord of the Admiralty; Kingsley Wood, Secretary of State for Air; Samuel Hoare, Secretary of State for Home Affairs; Alfred Chatfield, Minister for Coordination of Defence; Leslie Hore-Belisha, Secretary of State for War; Ernest Brown, Minister of Labour, British Ambassador in Rome Lord Perth dhe shefin e opozitës laburiste Clement Attlee.

Mbi të gjitha ndërhyrja e Lec Kurtit pat efekt në qendrimin e Winston Churchill, i cili mbajti në Parlamentin Britanik një fjalim, analizë kritike te pangjashme, mbi pushtimin fashist të Shqipërisë, politikën e lëshimeve që Britania po mbante ndaj fuqive te Boshtit dhe mungesën e vigjilencës për të shmangur një pushtim të tillë nga ana e Flotës Britanike në Mesdhe. Një dosje e tërë e Kabinetit Britanik, perveç dosjeve të FO, gjendet ne TNA në lidhje me sa më sipër, e cila ka pasuruar me të verteta të reja Historinë e Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore, Botimin e Tretë, që do ta nxjerr nga shtypshkrimi në muajt e ardhshëm nën siglën e IH pranë ASHSH.

Lec Kurti ishte dhe mbetet shembulli i diplomatit më të rëndësishëm që ka pasur Shqipëria, jo thjesht për qendrimin e tij besnik ndaj shtetit, por për profesionalizmin dhe kulturen e larte që ai mishëronte. Një emer rruge për Ambasador Lec Kurtin pranë shtëpive të tij në Tiranë dhe në Shkodër; një foto në Ambasadën e Shqipërisë në Londër; një sallë të veçantë me emrin e tij Ministrinë e Puneve të Jashtme, përsëri do të ishin shumë pak për të nderuar një figurë si Ai.

36 vite nga rënia e Murit të Dullës, ende Shqipëria nuk ia del të kryej korigjime, të vendosë radhë meritash dhe të gjej fillimet e krenarisë së vet në fushën e diplomacisë.

Në Prishtinë, në Republikën e Kosovës, e kanë bërë tashmë, edhe për Ambasador Lec Kurtin.

Filed Under: Ekonomi

NUMRI QË ASKUSH NUK E KA NUMËRUAR…

August 31, 2026 by s p

Ervin Toro

Themelues dhe President, Regjistri Kombëtar Shqiptar/

Pyet qeverinë amerikane se sa shqiptarë jetojnë në Amerikë dhe merr një shifër rreth 230 mijë. Pyet dikë që ka qenë në Paradën Shqiptare në Nju Jork, në një festival shqiptar në Boston, apo në një dasmë shqiptare në Bronx, dhe me shumë mundësi do të marrësh një përgjigje krejt tjetër. Organizatat shqiptare prej vitesh e vlerësojnë komunitetin tonë shumë herë më të madh — afër një milion. Ky ndryshim nuk është thjesht çështje shifrash. Problemi është mënyra se si jemi numëruar prej dekadash.

Një fakt që shumë njerëz nuk e dinë është se në Censusin Amerikan nuk ka një kuti të veçantë ku shkruan “Albanian”. Për t’u identifikuar si shqiptar, duhet ta shkruash vetë. Dhe shumë njerëz nuk e bëjnë.

Shqiptarët nga Kosova, Maqedonia e Veriut apo Mali i Zi shpesh regjistrohen sipas shtetit nga vijnë. Breza të mëparshëm shqiptarësh ortodoksë janë regjistruar shpesh si grekë, një histori që lidhet edhe me mënyrën se si bëheshin regjistrimet dikur në Perandorinë Osmane. Ndërsa fëmijët dhe nipërit e emigrantëve shqiptarë, edhe pse e ruajnë identitetin e tyre shqiptar, shpesh nuk e deklarojnë fare prejardhjen.

Dhe kjo duket edhe te shifrat. Në pesë publikime radhazi të Censusit, nga viti 2010 deri në 2018, numri i shqiptarëve të regjistruar ishte pothuajse i njëjtë: 191,021. 190,992. 191,463. 191,263. 191,264.

Pesë matje dhe më pak se 500 persona diferencë, në një periudhë kur të gjithë ne mund ta shihnim se komuniteti shqiptaro-amerikan po rritej. Problemi nuk ishte se komuniteti nuk po rritej. Problemi ishte se mënyra e numërimit nuk po kapte realitetin. Por tani diçka ka ndryshuar.

Në mars 2024, rregullat federale për mënyrën se si regjistrohen këto të dhëna u përditësuan për herë të parë që nga viti 1997. Përgjigjet e detajuara që njerëzit shkruajnë vetë tani kanë më shumë rëndësi dhe duhet të përfshihen në tabelimin dhe publikimin e të dhënave.

Pra, ajo që shkruajmë ka rëndësi. Komunitete të tjera e kanë kuptuar këtë prej kohësh. Armenët organizuan një fushatë të madhe për Censusin e vitit 2020, me përfshirjen e kishave, organizatave dhe mediave të tyre. Edhe komuniteti arabo-amerikan bëri të njëjtën gjë. Ne kërkuam një fushatë të ngjashme të organizuar nga komuniteti shqiptar për Censusin 2020 dhe nuk gjetëm një përpjekje të koordinuar në nivel kombëtar. Megjithatë, mbi 236 mijë njerëz shkruan “Albanian”. Pa një fushatë kombëtare. Pa një strategji të përbashkët. Pa dikë që t’ua kujtonte. Kjo duhet parë si një lajm shumë i mirë. Edhe të paorganizuar, arritëm të regjistronim pothuajse një çerek milioni shqiptarë. Imagjinoni çfarë mund të bëjmë nëse këtë herë organizohemi.

Censusi i vitit 2030 po përgatitet që tani. Ndërkohë, Regjistri Kombëtar Shqiptar po ndërton një numërim tonin — një regjistër të komunitetit shqiptaro-amerikan që nuk varet vetëm nga një formular që plotësohet një herë në dhjetë vjet. Synimi ynë është i qartë: deri në Censusin e vitit 2030, komuniteti shqiptar duhet të jetë më i organizuar, më i informuar dhe shumë më i saktë në mënyrën se si numërohet.

Regjistrimi është falas dhe zgjat vetëm dy minuta. Po ju kërkojmë diçka shumë më të thjeshtë: bëhuni pjesë e numrit tonë. Dhe kur të vijë Censusi i ardhshëm, në çfarëdo forme që të vijë, mos e lini bosh. Shkruajeni qartë, në anglisht: ALBANIAN

albanianregistry.org

Filed Under: Ekonomi

Deti po ngrihet, Shqipëria ende po betonon bregun!

August 26, 2026 by s p

Prof.dr. Pal NIKOLLI/

Kur flitet për rritjen e nivelit të detit, shpesh krijohet një tablo apokaliptike: sikur deri në vitin 2100 deti do të mbulojë qytetet bregdetare dhe qindra miliona ndërtesa do të përfundojnë nën ujë. Shkenca nuk e mbështet një interpretim kaq të drejtpërdrejtë. Por kjo nuk do të thotë se rreziku është i vogël. Për Shqipërinë, ai është real dhe kërkon një ndryshim të thellë në mënyrën se si planifikojmë territorin.

Studimet e fundit tregojnë se rritja e nivelit të detit është një proces afatgjatë. Për Mesdheun, deri në fund të këtij shekulli priten rritje që, në varësi të skenarit të emetimeve, mund të jenë nga disa dhjetëra centimetra deri në rreth një metër ose më shumë. Për Shqipërinë, vlerësimet kombëtare kanë identifikuar veçanërisht deltën Drin – Mat, ultësirën e Vjosës dhe zona të tjera të ulëta bregdetare si territore të ndjeshme ndaj këtij ndryshimi.

Por problemi nuk qëndron vetëm te numri i centimetrave.

Një rritje prej 40, 60 apo 80 centimetrash e nivelit mesatar të detit nuk do të thotë se toka do të zhduket menjëherë nën ujë. Ajo do të thotë se pika nga e cila fillojnë përmbytjet do të zhvendoset. Një stuhi që dikur nuk sillte pasoja të mëdha mund të shkaktojë përmbytje shumë më të rënda. Një territor që sot përmbytet rrallë mund të përmbytet shumë më shpesh. Erozioni bregdetar mund të përshpejtohet, ndërsa ujërat nëntokësore dhe tokat bujqësore pranë bregut mund të preken nga kripëzimi.

Për Shqipërinë kjo është veçanërisht shqetësuese sepse pjesa më e madhe e zhvillimit urban, bujqësor, industrial dhe turistik është përqendruar pikërisht në ultësirën perëndimore.

Nga Shëngjini e Lezha, në zonën e Kune – Vainit dhe deltën Drin – Mat, deri në Durrës, Kavajë, Karavasta, Divjakë, Seman, Fier dhe Vjosë, kemi territore ku lartësia mbi nivelin e detit është e vogël dhe ku ndërthuren disa rreziqe: përmbytjet detare, përmbytjet lumore, erozioni, stuhitë dhe, në disa zona, ulja relative e tokës.

Kjo e fundit është shumë e rëndësishme.

Nëse toka ulet ndërkohë që deti ngrihet, rreziku relativ rritet më shpejt se sa do të tregonte vetëm niveli global i detit. Prandaj një hartë e thjeshtë e vijës së bregut nuk mjafton. Shqipëria ka nevojë për analiza të integruara gjeohapësinore, ku të kombinohen modelet digjitale të terrenit, të dhënat satelitore, lëvizjet vertikale të tokës, dinamika e lumenjve, përdorimi i tokës, urbanizimi dhe skenarët klimatikë.

Këtu problemi klimatik shndërrohet në problem të planifikimit territorial.

Nuk mund të ndërtojmë sot një qytet, resort, rrugë, aeroport, zonë industriale apo infrastrukturë tjetër duke menduar vetëm për kushtet e vitit 2026. Një infrastrukturë e madhe ka jetëgjatësi prej disa dekadash. Nëse ndërtohet sot, ajo mund të jetë ende funksionale në vitin 2070, 2080 apo 2100. Prandaj pyetja nuk duhet të jetë vetëm: “A është kjo zonë e sigurt sot?”, por: “A do të jetë kjo zonë e sigurt gjatë gjithë ciklit jetësor të investimit?”

Ky është një ndryshim themelor në filozofinë e planifikimit.

Shqipëria nuk ka nevojë të presë që deti të afrohet për të filluar të veprojë. Pikërisht e kundërta: duhet të planifikojë sot për rrezikun e së nesërmes.

Në zonat më të ekspozuara duhen kufizuar ndërtimet e reja, të mbrohen zonat natyrore që funksionojnë si barriera ndaj përmbytjeve, të rikthehen ekosistemet lagunore dhe ligatinore, të menaxhohen më mirë deltat e lumenjve dhe të projektohen rrugët, urat, kanalizimet dhe objektet kritike sipas skenarëve klimatikë të ardhshëm.

Edhe turizmi duhet të rishikohet në këtë perspektivë. Modeli i betonizimit intensiv të vijës bregdetare mund të krijojë fitime të shpejta, por transferon një kosto shumë më të madhe te brezat që do të vijnë. Një hotel i ndërtuar sot në një zonë shumë të ulët nuk është vetëm një investim privat; në të ardhmen mund të bëhet pjesë e një problemi publik të infrastrukturës, mbrojtjes civile dhe financave shtetërore.

Prandaj çështja e nivelit të detit nuk duhet të trajtohet si një alarm ekologjik që shfaqet vetëm në titujt e gazetave. Ajo duhet të bëhet pjesë e hartës strategjike të Shqipërisë.

Një Shqipëri që planifikon territorin vetëm mbi bazën e realitetit të sotëm është një Shqipëri që ndërton për të kaluarën. Shqipëria që merr në konsideratë ndryshimet klimatike, dinamikën e bregdetit dhe skenarët e vitit 2100 është një Shqipëri që planifikon për brezat e ardhshëm.

Deti nuk ka nevojë të “përpijë” qytetet shqiptare që ndryshimet klimatike të bëhen një problem kombëtar. Mjafton që përmbytjet të bëhen më të shpeshta, tokat bujqësore më të kripura, plazhet më të ngushta, infrastruktura më e ekspozuar dhe kostot e mbrojtjes gjithnjë e më të larta.

Prandaj sfida e vërtetë nuk është nëse Shqipëria do të humbasë nën ujë një pjesë të territorit të saj deri në vitin 2100. Sfida është nëse do të kemi mençurinë ta planifikojmë territorin sot, në mënyrë që ndryshimet e pritshme të mos shndërrohen nesër në katastrofë ekonomike, sociale dhe mjedisore.

Deti po ngrihet ngadalë. Por vendimet tona territoriale po merren sot. Dhe pikërisht këtu qëndron zgjedhja.

Filed Under: Ekonomi

Shqipëria do të rihapë bastet por ‘fati’ po u buzëqesh operatorëve të huaj

August 25, 2026 by s p

Rafaela Prifti/

Rregullat e reja të lojërave të fatit në Shqipëri duket se kanë përcaktuar fituesit pa filluar ende gara. Pas një ndalimi shtatë-vjeçar, projektligji, që po hartohet prej dy vitesh, përcakton lëshimin e 10 licencave për operatorë online me kritere që anojnë dukshëm nga konglomeratet ndërkombëtare. Qeveria parashikon që rikthimi i kontrolluar të sjellë rreth 250 milionë euro të ardhura publike në vit, nga të cilat 15 për qind e fitimit bruto nga lojërat (GGR) do të shkoj direkt në një “fond të posaçëm” për kulturën, sportin dhe teknologjinë.

Ende nuk janë konfirmuar detajet se kur do të fillojë aktiviteti, sa nga 10 licencat do jepen në fillim, masat për pezullimin e tyre në rast shkelje si dhe shkalla e interesit nga ana e publikut. Shqipëria kishte një rrjet masiv prej 4,000 kioskave të lojërave të fatit dhe sindroma shqetësuese të varësisë të konsumatorëve si edhe lidhjeve të aktivitetit me krimin e organizuar. Masa ndaluese e vitit 2019 nuk i eliminoi lojërat e fatit, të cilat qysh atëherë kaluan në ekonominë e tregut të zi.

Euractiv ka raportuar se federatat e sportit dhe aksionarët kanë qenë ata që kanë lobuar fort për këtë hapje duke argumentuar se aktiviteti i mbikëqyrur i lojërave në vendet perëndimore është praktikë standarde e financimit të programeve të rinisë, infrastrukturës së sportit dhe sponsporimit të sportistëve. Që kur bastet arritën kulmin në vitin 2018, popullsia e Shqipërisë ka rënë nga 2.8 në 2.75 milionë banorë dhe vendi vazhdon të ketë të ardhura relativisht të ulëta. Megjithatë, në këtë sektor, Shqipëria ka sfiduar rrethanat ekonomike duke vjelë shuma të mëdha në raport me popullsinë dhe nivelin e të ardhurave.

Tregu i ri i basteve sportive në Shqipëri do përfshijë ekskluzivisht platformat online, ndërsa kioskat fizike do jenë të ndaluara dhe do jepen vetëm dhjetë licenca për të siguruar kontroll të rreptë rregullator, sipas Gaming Compliance International

Reagimet për hapjen e basteve sportive në Shqipëri, pas ndalesës shtatëvjeçare, tregojnë një përzierje të pragmatizmit ekonomik, kontrollit të fortë operativ të kritereve për pajisjen me licenca dhe paralajmërimeve për rreziqet e varësisë dhe mungesës së konsulencave dhe qendrave rehabilituese në vend.

Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit i Shqipërisë ka njoftuar se janë finalizuar të tetë rregullat e implementimit të kuadrit të ri ligjor, që e kufizon tregun në 10 operatorë online. Analistët vërejnë se kriteret e rrepta, të cilat kërkojnë që kompanitë të jenë shoqëri aksionare, të operojnë në të paktën tri tregje të BE-së/OECD-së dhe të dëshmojnë një qarkullim minimal prej 250 milionë dollarësh, nxjerrin jashtë loje qëllimisht bizneset e vogla vendase në favor të konglomerateve të mëdha ndërkombëtare. Monitoruesit lokalë dhe ekspertët e shëndetit mendor kanë dhënë paralajmërime të forta, në raportimet nga Balkan Insight Ata vënë në dukje se në Shqipëri aktualisht nuk ka qendra të dedikuara të rehabilitimit ose këshillimit për të trajtuar rritjen e pashmangshme të varësisë nga bixhozi dhe kanë shfaqur shqetësime për sa i takon mbrojtjes së konsumatorit.

Foto: https://albaniannight.com

Filed Under: Ekonomi

SHTETI MBI PARTITË ME IDELOGJI DOGMATIKE-: RRUGA E KOSOVËS DREJT KONSOLIDIMIT INSTITUCIONAL

August 24, 2026 by s p

(Nga përplasja politike te shteti i së drejtës – administrata profesionale, meritokracia dhe institucionet e qëndrueshme si themeli i shtetndërtimit të Republikës së Kosovës)

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA

Republika e Kosovës, si shtet relativisht i ri në sistemin bashkëkohor ndërkombëtar, ndodhet përballë një sfide të rëndësishme të konsolidimit institucional. Përtej debateve të zakonshme politike, ekonomike dhe sociale, një nga problemet më të ndjeshme të demokracisë kosovare është raporti ndërmjet politikës dhe shtetit, ndërmjet interesit partiak dhe interesit publik, si dhe ndërmjet pushtetit politik dhe administratës profesionale.

Në këtë kontekst, shprehja “partit me ideologji dogmatike” përdoret këtu në kuptim metaforik dhe analitik, jo klinik, për të përshkruar një fenomen të sjelljes politike të karakterizuar nga kontradikta të theksuara ndërmjet deklarimeve dhe veprimeve, ndërmjet parimeve të shpallura dhe praktikave të zbatuara, si dhe ndërmjet qëndrimeve që subjektet politike mbajnë në opozitë dhe atyre që mbajnë kur marrin pushtetin.

Një subjekt politik mund të kërkojë transparencë kur është në opozitë, por të bëhet më pak transparent kur është në pushtet. Mund të kërkojë depolitizimin e institucioneve kur nuk kontrollon administratën dhe, më pas, të tentojë ta zgjerojë ndikimin politik mbi të kur merr përgjegjësinë qeverisëse. Mund të mbrojë me forcë parimin e pavarësisë institucionale dhe njëkohësisht të kërkojë që institucionet të funksionojnë sipas interesit të shumicës politike.

Kjo kontradiktë nuk është thjesht problem moral i politikës. Ajo mund të shndërrohet në problem shtetëror, sepse kur standardet politike ndryshojnë sipas pozitës së subjektit, dobësohet besueshmëria e institucioneve dhe qytetari fillon të humbasë besimin se ligji është mbi politikën.

Prandaj, pyetja themelore për Kosovën nuk është vetëm se kush duhet ta drejtojë shtetin, por edhe si duhet të funksionojë shteti pavarësisht se kush e drejton atë.

Pikërisht këtu fillon rëndësia e administratës së profesionalizuar.

I. Shizofrenia politike si fenomen i kontradiktave institucionale

Demokracia presupozon pluralizëm, konkurrencë politike dhe përplasje idesh. Konflikti politik, në vetvete, nuk është problem. Përkundrazi, ai është pjesë normale e demokracisë.

Problemi shfaqet atëherë kur konkurrenca politike shndërrohet në konflikt permanent institucional, ku çdo vendim shtetëror interpretohet vetëm përmes interesit partiak.

Në një kulturë të tillë politike, kundërshtari nuk shihet më si pjesë legjitime e sistemit demokratik, por si pengesë për realizimin e interesit të vet. Kjo prodhon polarizim, mosbesim dhe delegjitimim të vazhdueshëm të institucioneve.

Kjo situatë është veçanërisht e rrezikshme për një shtet që ende është në proces konsolidimi.

Kosova ka nevojë për një kulturë politike në të cilën humbja e zgjedhjeve nuk interpretohet si humbje e shtetit dhe fitorja zgjedhore nuk interpretohet si marrje në pronësi e shtetit.

Partia fiton zgjedhjet; shteti nuk fitohet nga partia.

Ky është një dallim themelor që duhet të bëhet pjesë e kulturës politike dhe institucionale.

Një qeveri ka mandat politik për të zbatuar programin e saj. Por administrata publike nuk mund të shndërrohet në zgjatim partiak të qeverisë. Ajo duhet të jetë në shërbim të ligjit, Kushtetutës, institucioneve dhe qytetarit.

Nëse ky kufi humbet, krijohet ajo që mund të quhet partizim i shtetit.

II. Nga shteti partiak te shteti institucional

Një shtet modern nuk matet vetëm me ekzistencën e Kushtetutës, parlamentit, qeverisë dhe gjykatave. Shtetësia funksionale kërkon që këto institucione të jenë në gjendje të veprojnë sipas kompetencave të tyre, në mënyrë të qëndrueshme dhe të parashikueshme.

Kushtetuta duhet të jetë më e fuqishme se vullneti momental politik.

Ligji duhet të jetë më i fuqishëm se individi.

Institucioni duhet të jetë më i qëndrueshëm se mandati politik.

Dhe interesi shtetëror duhet të jetë më i madh se interesi partiak.

Ky është kuptimi substancial i shtetit të së drejtës.

Nëse ndryshimi i qeverisë sjell ndryshime masive në strukturën profesionale të administratës, atëherë shteti humbet vazhdimësinë e tij administrative. Nëse një zyrtar profesional ndjehet i detyruar t’i bindet interesit politik për të ruajtur pozitën e tij, atëherë parimi i neutralitetit administrativ është cenuar.

Në një Republikë demokratike, administrata nuk duhet të pyesë:

“Cila parti është në pushtet?”

Ajo duhet të pyesë:

“Çfarë kërkon ligji dhe çfarë i shërben interesit publik?”

Kjo është pika ku shteti fillon të funksionojë si institucion dhe jo si strukturë partiake.

III. Administrata e profesionalizuar – shtylla e heshtur e shtetit

Në debatin politik shpesh flitet për parlamentin, qeverinë, presidentin dhe gjyqësorin. Megjithatë, ekziston një strukturë tjetër pa të cilën shteti nuk mund të funksionojë: administrata publike.

Administrata është mekanizmi përmes të cilit shteti i zbaton ligjet, realizon politikat publike, administron shërbimet, menaxhon resurset dhe komunikon çdo ditë me qytetarin.

Në këtë kuptim, administrata është shtylla e heshtur e shtetit.

Ajo nuk duhet të jetë protagoniste politike. Forca e saj qëndron pikërisht në profesionalizmin dhe neutralitetin e saj.

Një administratë e profesionalizuar duhet të ndërtohet mbi:meritokracinë;profesionalizmin; integritetin;përgjegjësinë;transparencën;paanshmërinë politike;vazhdimësinë institucionale;llogaridhënien;kompetencën profesionale;respektimin e ligjit.

Punësimi në administratë nuk duhet të jetë shpërblim politik, ndërsa pozita publike nuk duhet të trajtohet si pronë e subjektit që ka fituar zgjedhjet.

Nëpunësi publik nuk duhet të jetë militant i pushtetit; ai duhet të jetë profesionist i Republikës.

Kjo nuk nënkupton se administrata është mbi qeverinë. Përkundrazi, qeveria përcakton politikat publike dhe administrata i zbaton ato në përputhje me ligjin. Por zbatimi duhet të jetë profesional, jo partiak.

IV. Meritokracia si parim i shtetndërtimit

Shtetndërtimi nuk bëhet vetëm me institucione formale. Ai bëhet me kapacitete njerëzore.

Një ministri pa ekspertë mund të ketë strukturë organizative, por nuk ka kapacitet shtetëror. Një institucion me shumë punonjës, por pa profesionalizëm, mund të duket i madh në numër, por të jetë i dobët në funksion.

Prandaj, meritokracia nuk është vetëm parim i administrimit të burimeve njerëzore. Ajo është parim i shtetndërtimit.

Nëse një specialist zëvendësohet për arsye politike nga një person pa përvojën e nevojshme, dëmi nuk i bëhet vetëm individit. Dëmi i bëhet institucionit dhe, në fund, shtetit.

Nëse kjo praktikë përsëritet në shumë institucione, krijohet një administratë që humbet memorien institucionale.

Shteti duhet të ruajë dijen e akumuluar.

Një zyrtar profesional mund të ketë punuar nën qeveri të ndryshme dhe të ketë shërbyer në periudha të ndryshme politike. Pikërisht kjo është vlera e administratës profesionale: vazhdimësia e shtetit përtej ndryshimit të pushtetit.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme në fusha strategjike si diplomacia, financat publike, drejtësia, siguria, integrimi evropian, ekonomia, arsimi, shëndetësia dhe administrimi lokal.

V. Kriza politike nuk duhet të shndërrohet në krizë shtetërore

Çdo demokraci mund të përballet me krizë politike.

Por shteti i konsoliduar duhet të ketë mekanizma që e kufizojnë krizën politike dhe nuk lejojnë që ajo të shndërrohet në paralizë institucionale.

Kjo është një prej provave më të rëndësishme të pjekurisë së shtetit.

Nëse një konflikt ndërmjet partive pengon funksionimin e administratës, shërbimeve publike, institucioneve të drejtësisë apo mekanizmave të tjerë shtetërorë, atëherë problemi nuk është më vetëm politik.

Ai bëhet institucional dhe kushtetues.

Prandaj, Kosova duhet të ndërtojë institucione që mund të vazhdojnë punën edhe gjatë periudhave të tensioneve politike.

Administrata profesionale është një prej mekanizmave më të rëndësishëm për këtë qëllim.

Ajo duhet të sigurojë që qytetari të marrë shërbimin e tij edhe kur partitë debatojnë.

Tatimi duhet të administrohet edhe kur parlamenti është në konflikt.

Shërbimi shëndetësor duhet të funksionojë edhe kur politika është e polarizuar.

Institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë sipas ligjit edhe kur vendi përjeton tensione politike.

Kjo është rezilienca institucionale.

VI.Shteti i së drejtës dhe administrata: një marrëdhënie e pandashme

Nuk mund të ketë shtet të së drejtës pa administratë që respekton ligjin.

Shteti i së drejtës nuk fillon dhe nuk përfundon në sallën e gjyqit. Ai fillon edhe në sportelin e administratës, në vendimin e një zyrtari, në procedurën e një konkursi, në dhënien e një lejeje, në administrimin e një dokumenti dhe në çdo marrëdhënie ndërmjet qytetarit dhe shtetit.

Qytetari e përjeton shtetin përmes institucioneve.

Nëse qytetari përballet me nepotizëm, arbitraritet, diskriminim ose favorizim partiak, atëherë besimi i tij në shtetin e së drejtës dobësohet.

Nëse, përkundrazi, ai përballet me një administratë profesionale, të drejtë dhe të përgjegjshme, atëherë forcohet besimi në Republikë.

Prandaj:Administrata profesionale është fytyra e përditshme e shtetit të së drejtës.

Kjo e bën reformën administrative jo thjesht çështje teknike, por çështje të demokracisë dhe shtetndërtimit.

VII. Një kontratë e re institucionale

Kosovës i duhet një marrëveshje e re politike dhe institucionale mbi disa parime bazë.

Së pari, të gjithë subjektet politike duhet të pranojnë se institucionet shtetërore nuk janë pronë e asnjë partie.

Së dyti, duhet të pranohet se administrata publike duhet të jetë profesionale dhe e qëndrueshme.

Së treti, rekrutimi dhe avancimi duhet të bëhen mbi bazën e meritës.

Së katërti, duhet të forcohen mekanizmat e kontrollit administrativ dhe gjyqësor.

Së pesti, duhet të luftohet nepotizmi, klientelizmi dhe konfliktet e interesit.

Së gjashti, duhet të rritet përgjegjësia individuale e zyrtarëve.

Së shtati, duhet të krijohet një kulturë politike ku ndryshimi i pushtetit nuk nënkupton ndryshimin e shtetit.

Kjo do të ishte një kontratë e re institucionale, e cila do ta vendoste Republikën mbi ciklin politik.

VIII. Çfarë administrate i duhet kosovës?

Kosovës nuk i duhet një administratë e improvizuar politike.

I duhet një administratë eksperte, profesionale, institucionale dhe meritokratike.

Ajo duhet të ketë:

1. Ekspertë të fushave strategjike – njerëz me arsimim dhe përvojë.

2. Procedura transparente – konkurse dhe avancime të mbështetura në kritere të qarta.

3. Stabilitet institucional – mbrojtje nga ndryshimet arbitrare politike.

4. Llogaridhënie – profesionalizmi nuk duhet të nënkuptojë mungesë përgjegjësie.

5. Etikë publike – çdo zyrtar duhet ta kuptojë se detyra publike është përgjegjësi, jo privilegj.

6. Digjitalizim – zvogëlim i hapësirës për burokraci dhe ndërhyrje arbitrare.

7. Kontroll juridik – vendimet administrative duhet të jenë të arsyetuara dhe të kontrollueshme.

8. Kulturë shtetërore – nëpunësi duhet ta kuptojë veten si pjesë të shtetit dhe jo si pjesë të një grupimi politik.

IX. Politika duhet të rikthehet tek funksioni i saj

Nuk është e nevojshme që politika të largohet nga shteti. Përkundrazi, demokracia kërkon politikë të fortë.

Por politika duhet të kuptojë kufijtë e saj.

Partitë duhet të konkurrojnë për programet.

Qeveritë duhet të japin llogari për rezultatet.

Parlamenti duhet të kontrollojë ekzekutivin.

Opozita duhet të kritikojë qeverinë.

Presidenti duhet të ushtrojë kompetencat e tij kushtetuese.

Gjyqësori duhet të jetë i pavarur.

Administrata duhet të jetë profesionale.

Ky është ekuilibri institucional.

Kur secili institucion e respekton kompetencën e vet, shteti forcohet. Kur një institucion tenton të zëvendësojë tjetrin ose kur politika tenton të kontrollojë çdo hallkë të administratës, sistemi fillon të deformohet.

X. Nga kriza e besimit tek rikthimi i besimit

Një prej pasojave më të rënda të polarizimit politik është humbja e besimit qytetar.

Qytetari mund të tolerojë një qeveri joefektive për një periudhë të caktuar. Por ai e ka shumë më të vështirë të tolerojë një shtet që e trajton në mënyrë të pabarabartë.

Prandaj, rikthimi i besimit duhet të fillojë nga administrata.

Kur qytetari e di se: konkursi është i drejtë;ligji zbatohet njësoj; institucioni është i pavarur;vendimi është i arsyetuar;ankesa shqyrtohet;zyrtari mban përgjegjësi;

atëherë shteti fillon të fitojë legjitimitet real.

Kjo është shumë më e rëndësishme sesa propaganda politike.

Shteti nuk fitohet vetëm me fjalime; shteti fitohet çdo ditë përmes funksionimit të institucioneve.

Kosova nuk mund ta ndërtojë të ardhmen e saj institucionale mbi kontradiktat e vazhdueshme politike, mbi polarizimin e pafund dhe mbi përpjekjet për ta lidhur administratën me pushtetin e radhës.

Shprehja “shizofreni politike”, e përdorur në këtë analizë si metaforë për kontradiktat dhe standardet e dyfishta në sjelljen politike, duhet të shërbejë si paralajmërim për një fenomen që duhet kapërcyer: ndarjen ndërmjet asaj që politika deklaron dhe asaj që institucionet realisht zbatojnë.

Kosova ka nevojë për një kulturë të re politike.

Një kulturë ku Kushtetuta është mbi partinë, ligji është mbi individin, institucioni është mbi interesin partiak dhe shteti është mbi pushtetin e ditës.

Në këtë proces, administrata e profesionalizuar nuk është një çështje dytësore. Ajo është një nga themelet e shtetit modern.

Pa meritokraci nuk ka profesionalizëm.

Pa profesionalizëm nuk ka administratë të fortë.

Pa administratë të fortë nuk ka institucione të qëndrueshme.

Pa institucione të qëndrueshme nuk ka shtet të së drejtës të konsoliduar.

Dhe pa shtet të së drejtës nuk mund të ketë shtetndërtim të qëndrueshëm.

Prandaj, Kosova duhet të kalojë nga politika e kontrollit të institucioneve te kultura e respektimit të institucioneve; nga administrata partiake te administrata profesionale; nga improvizimi te planifikimi; nga klientelizmi te meritokracia; nga polarizimi te përgjegjësia institucionale.

Ky transformim nuk është vetëm reformë administrative.

Është projekt shtetëror.

Është rruga për ta shndërruar Republikën e Kosovës nga një shtet që ende përballet me sfida të konsolidimit institucional në një shtet funksional, profesional, demokratik dhe të së drejtës, ku qytetari nuk pyet më se cilës parti i përket zyrtari, por vetëm nëse ligji po zbatohet drejt dhe shteti po i shërben qytetarit.

Në fund, fuqia e një Republike nuk matet me zhurmën e konfliktit politik, por me qetësinë dhe profesionalizmin me të cilin institucionet e saj funksionojnë.

Kosovës i duhet më pak konflikt për kontrollin e shtetit dhe më shumë përgjegjësi për ndërtimin e shtetit.

I duhet më pak administratë e pushtetit dhe më shumë administratë e Republikës.

Sepse shteti i qëndrueshëm nuk ndërtohet nga partitë që zotërojnë institucionet, por nga institucionet që i mbijetojnë partive.

Foto: https://amp.dw.com

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 248
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Grupi Shqiptar i Vallëzimit në Edmonton
  • Një frymë e re kombëtare…
  • Shqipëria nga krizë emigracioni në krizë perspektive
  • Prof. Dr. Nexhat Abazi, jeta, vepra dhe kontributi në arsimin dhe pedagogjinë shqiptare
  • Pasivizimi i adresave në Krahinën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit
  • AMERIKA, ATDHEU GLOBAL I LIRIDASHËSVE
  • Prishtinë, “Liria Ka Emër” falënderon rreth 100 mijë qytetarë për Marshin për Liri: Më 16 shtator presim lirinë për çlirimtarët
  • LIRI – DREJTËSI – DINJITET
  • FOTOT E RRALLA TË TINA TURNER NGA GJON MILI
  • KUR VARGJET DHE MUZIKA BËHEN KRAHË PËR NJË LULE NË ZEMËR TË BJESHKËVE
  • KRIMINELET, NDERIM SHTETËROR PËR KRIMINELIN
  • STAND WITH OUR KLA LEADERS WHO RISKED EVERYTHING FOR KOSOVA
  • SHKOLLA SHQIPE “JONUS” NË GENOVA, GJUHË DHE IDENTITET KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË ITALI
  • QUEEN TEUTA QUARTET BRINGS THE SOUNDS OF ALBANIA TO TRIBECA PERFORMING ARTS CENTER THIS FALL
  • “NË KOHËN E BRITMËS” – ROMAN I VISAR ZHITIT

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT