
Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, atdhetarit dhe njërit prej themeluesve më të rëndësishëm të organizimit politik të shqiptarëve në mërgatë, z. Hafiz Gagica.
Hafiz Gagica ishte themelues dhe kryetar i Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjermani, si dhe kryetar i Kolegjiumit të Degëve të Lidhja Demokratike të Kosovës në diasporë. Ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në organizimin, mobilizimin dhe fuqizimin e mërgatës shqiptare në kohët më të vështira për Kosovën dhe popullin shqiptar.
Hafiz Gagica ishte bashkëpunëtor i ngushtë dhe besnik i Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, duke qëndruar përherë në shërbim të idealeve të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë.
Kam pasur nderin të punoj për së afërmi me Hafizin, një idealist, veprimtar i palodhshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Sot, shqiptarët humbën një veprimtar të urtë, një patriot të palodhur dhe një njeri me vlera të larta kombëtare e njerëzore. Kujtimi dhe vepra e tij do të mbeten përherë pjesë e historisë sonë kombëtare.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes Gagica, miqve, bashkëpunëtorëve të Hafizit.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Hafiz Gagicën.
Dr. Elmi Berisha,
Kryetar i Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”.