
Nga Rafael Floqi/
Në pamje të parë, Donald Trump po përpiqet të shesë një fitore diplomatike. Retorika e tij vazhdon të jetë tipike trumpiane: paralajmërime të forta, presion maksimal ndaj Teheranit, kërcënime për “goditje si kurrë më parë” dhe postime dramatike në Truth Social. Por ndryshe nga interpretimet që po promovojnë shumë media liberale dhe anti-Trump në SHBA, kjo nuk është shenjë dobësie amerikane. Përkundrazi, është tentativa e parë serioze pas shumë vitesh që një president amerikan të imponojë kushte reale ndaj Iranit dhe jo t’i japë kohë regjimit islamik të zgjerojë programin bërthamor.
Trump e bëri të qartë pozicionin e tij: uraniumi i pasuruar i Iranit ose do t’i dorëzohet SHBA-së ose do të shkatërrohet nën mbikëqyrje ndërkombëtare. Kjo është ndoshta deklarata më e fortë amerikane ndaj programit bërthamor iranian që nga tërheqja e Trumpit nga marrëveshja e Obamës në vitin 2018.
Që pluhuri të bëhet pluhur
“Uraniumi i pasuruar (“Pluhuri Bërthamor!”) ose do të dorëzohet menjëherë në Shtetet e Bashkuara për transferim dhe shkatërrim ose… do të shkatërrohet në vend ose në një vend tjetër të pranueshëm”, shkroi Trump në Truth Social. Kjo deklaratë nuk lë shumë hapësirë për interpretim: administrata Trump nuk dëshiron një Iran me kapacitete të fshehta bërthamore.
Por ajo që po ndodh sot në Amerikë nuk është vetëm një betejë diplomatike me Iranin. Është edhe një luftë e brendshme politike amerikane. Dhe pikërisht këtu fillon paradoksi i madh: një pjesë e medias liberale amerikane duket sikur ka më shumë frikë nga një sukses i Trumpit sesa nga vetë avancimi bërthamor i Iranit.
Kjo është arsyeja pse në CNN, MSNBC, New York Times apo Washington Post, shumë analiza fokusohen pothuajse ekskluzivisht te “rreziku i luftës”, ndërsa minimizohet fakti se Irani është shumë pranë kapaciteteve të rrezikshme bërthamore. Për establishmentin liberal amerikan, Trump nuk duhet të fitojë politikisht, edhe nëse kjo do të thotë që regjimi iranian të fitojë kohë, frymëmarrje ekonomike dhe avantazh strategjik.
Në mënyrë indirekte, një pjesë e këtij establishmenti duket sikur preferon që Trump të dështojë në negociata, sepse një sukses i tij do të shkatërronte narrativën e ndërtuar prej vitesh: se vetëm diplomacia e butë dhe marrëveshjet e stilit Obama mund të “zbusin” Iranin.
Në realitet, historia ka treguar të kundërtën.
Obama “i shiti kohё” regjimit islamik
Marrëveshja bërthamore e Obamës nuk e ndaloi Iranin. Ajo vetëm i bleu kohë regjimit islamik. Miliona dollarë hynë në ekonominë iraniane. Garda Revolucionare forcoi rrjetin e saj rajonal. Hezbollahu u zgjerua. Milicitë pro-iraniane në Irak dhe Siri u armatosën më shumë. Ndërkohë, programi bërthamor nuk u zhduk kurrë plotësisht. Ai thjesht u fsheh pas formulave diplomatike.
Trump ishte presidenti i parë që e sfidoi drejtpërdrejt këtë logjikë.
Ai nuk besonte se regjimi iranian mund të ndryshonte përmes “dialogut civilizues”. Për Trumpin, regjimet revolucionare kuptojnë vetëm forcën. Kjo është arsyeja pse ai riktheu sanksionet maksimale, izoloi ekonomikisht Iranin dhe goditi figura kyçe si Qasem Soleimani. Për shumë republikanë konservatorë, kjo ishte hera e parë pas dekadash që Amerika po sillej si superfuqi dhe jo si ndërmjetës nervoz.
Por paradoksi është se sot Trump ndodhet mes dy zjarreve.
Në njërën anë janë “skifterët” republikanë si Lindsey Graham, Ted Cruz apo Mike Pompeo, të cilët kërkojnë presion total dhe nuk pranojnë asnjë kompromis me Teheranin. Në anën tjetër është establishmenti liberal dhe mediat anti-Trump, që e paraqesin çdo lëvizje të Trumpit si destabilizuese apo “autoritariste”.
Trump po përpiqet të lundrojë mes dy presioneve
Ai dëshiron të shmangë një luftë të gjatë, sepse e di që amerikanët janë lodhur nga Lindja e Mesme. Por ai nuk dëshiron të duket i dobët. Prandaj retorika e tij tingëllon kontradiktore: një ditë kërcënon Iranin me “ferr”, ditën tjetër flet për “marrëveshje historike”.
Në të vërtetë, ai po përpiqet të ndërtojë një dalje strategjike ku Amerika fiton pa hyrë në një luftë të pafundme.
Dhe pikërisht kjo është ajo që shqetëson shumë kundërshtarë të tij politikë.
Sepse nëse Trump arrin ta detyrojë Iranin të heqë dorë nga uraniumi i pasuruar pa një pushtim amerikan, ai do ta paraqesë këtë si provë se strategjia e tij e “paqes përmes forcës” funksionon. Kjo do të ishte një goditje e rëndë ideologjike për të gjithë establishmentin liberal të epokës Obama-Biden.
Ndërkohë, realiteti strategjik është shumë më kompleks sesa paraqitet në ekranet televizive.
Në zemër të gjithë krizës ndodhet Ngushtica e Hormuzit ; gryka ujore nga ku kalon një pjesë enorme e naftës botërore. Irani e di shumë mirë se kjo është arma e tij më e madhe strategjike.
Origjina e emrit “Hormuz”
Kriza e fundit në Ngushticën e Hormuzit nuk është vetëm një konflikt rajonal mes Iranit, Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre. Ajo është një paralajmërim dramatik për të gjithë botën: epoka e deteve të sigurta po përfundon. Nëse dikur oqeanet konsideroheshin arterie të garantuara të tregtisë globale, sot ato po shndërrohen në fusha beteje ekonomike, teknologjike dhe ushtarake.
Emri “Hormuz” (ose “Ormuz”) rrjedh nga persishtja e lashtë “Hormoz” apo “Hormazd”, një formë e lidhur me hyjninë supreme të traditës zoroastriane persiane, Ahura Mazda. Në kulturën persiane të lashtë, Hormazd simbolizonte dritën, mençurinë dhe rendin hyjnor. Me kalimin e shekujve, ky emër iu dha qytetit dhe mbretërisë së famshme tregtare të Hormuzit, e cila kontrollonte hyrjen në Gjirin Persik dhe rrugët detare mes Lindjes dhe Perëndimit. Në burimet europiane të Mesjetës dhe të epokës portugeze, emri u përhap në formën “Ormuz”, duke u bërë sinonim i pasurisë dhe tregtisë detare.
Ngushtica e Hormuzit mori emrin nga ishulli dhe mbretëria historike e Hormuzit, një qendër e rëndësishme tregtare mes Persisë, Arabisë dhe Indisë. Në Mesjetë, Hormuzi konsiderohej si një nga portet më të pasura të botës, ku kalonin erëza, mëndafsh, perla dhe mallra luksi nga Azia drejt Europës. Një thënie e njohur e kohës e përshkruante kështu rëndësinë e tij: “Nëse bota do të ishte një unazë, Hormuzi do të ishte guri i çmuar i saj.” Sot, emri Hormuz nuk lidhet vetëm me historinë e lashtë, por edhe me rëndësinë strategjike globale të ngushticës, përmes së cilës kalon një pjesë e madhe e naftës botërore.
Hormuzi si nyje gordiane
Hormuzi është sinjali më i qartë se globalizimi modern ka një thembër Akili: ngushticat ujore. Një grusht korridoresh të ngushta detare mbajnë mbi shpinë ekonominë e planetit. Dhe pikërisht aty po përqendrohet tani rivaliteti i madh i fuqive botërore.
Në momentin kur Irani kërcënoi mbylljen e Hormuzit dhe përdori dronë, raketa kundër anijeve dhe mina detare për të frikësuar transportin ndërkombëtar, tregjet globale reaguan menjëherë. Çmimi i naftës u lëkund, siguracionet detare u rritën dhe kompanitë e transportit nisën të kalkulojnë devijime të kushtueshme. Kjo ndodhi edhe pa një bllokadë totale. Vetë frika mjaftoi për të tronditur ekonominë botërore.
Ky është ndryshimi më i madh i epokës moderne: nuk është më e nevojshme të pushtosh territore për të shkaktuar krizë globale. Mjafton të kontrollosh një pikë kalimi.
Teherani mund të mos ketë avionët stealth të Amerikës apo flotat gjigante të Pentagonit, por ka aftësinë të destabilizojë tregjet globale përmes dronëve, minave detare dhe raketave bregdetare. Mjafton një incident i madh në Hormuz që çmimet globale të energjisë të shpërthejnë.
Kjo është arsyeja pse administrata Trump po negocion. Jo sepse Amerika është e dobët, siç pretendojnë kritikët liberalë, por sepse edhe superfuqitë duhet të llogarisin koston ekonomike të luftës moderne.
Trump e kupton diçka që establishmenti i vjetër amerikan shpesh nuk e kupton: votuesi amerikan nuk mat fitoret me retorikë ideologjike, por me çmimin e benzinës në pompë.
Votuesi amerikan i mat fitoret me çmimin e benzinës
Një luftë e gjatë me Iranin do të sillte inflacion të ri, rritje të çmimeve të energjisë dhe pasiguri ekonomike globale. Për një president që premtoi rikthimin e stabilitetit ekonomik amerikan, kjo do të ishte politikisht katastrofike.
Por edhe këtu media liberale shpesh manipulon narrativën.
Kur Trump negocion, ata e paraqesin si “tërheqje”. Kur kërcënon Iranin, e paraqesin si “luftënxitës”. Në çdo rast, objektivi mbetet i njëjtë: Trump nuk duhet të duket fitues.
Kjo është arsyeja pse shumë prej këtyre mediave shmangin një pyetje thelbësore: çfarë alternative propozojnë ata?
Të lejohet Irani të vazhdojë pasurimin e uraniumit?
Të rikthehet marrëveshja e vjetër që vetëm i bleu kohë Teheranit?
Të financohet indirekt një regjim që vazhdon të mbështesë milici radikale në të gjithë rajonin?
Këto pyetje rrallë marrin përgjigje të qarta.
Në vend të kësaj, publiku bombardohet me narrativa emocionale kundër Trumpit.
Në fakt, një pjesë e establishmentit mediatik amerikan duket sikur është më e investuar në humbjen politike të Trumpit sesa në neutralizimin e rrezikut iranian. Kjo nuk do të thotë se këto media “mbështesin” Iranin drejtpërdrejt. Por indirekt, çdo dobësim i pozicionit negociues amerikan i shërben Teheranit.
Çdo dobësim i pozicionit amerikan i shërben Teheranit.
Irani e kupton shumë mirë polarizimin amerikan. Regjimi iranian e di se sa më shumë të përçahet politika amerikane, aq më e vështirë bëhet për SHBA-të të mbajnë një strategji të qëndrueshme afatgjatë. Pikërisht për këtë arsye Teherani ka luajtur gjithmonë me kohën. Ai pret ndryshimin e administratave amerikane. Pret lodhjen politike. Pret zgjedhjet. Pret përçarjet mediatike.
Dhe ndonjëherë duket sikur një pjesë e medias amerikane pa dashje luan në favor të kësaj strategjie. Ndërkohë, lufta me Iranin ka ekspozuar edhe dobësi reale të Amerikës moderne.
Pentagoni ka armët më të sofistikuara në botë, por luftërat moderne konsumojnë municione me ritme të jashtëzakonshme. Raketa precize, interceptorë anti-raketorë dhe armë bunker-shkatërruese nuk prodhohen brenda natës. Amerika nuk është më “arsenali industrial” i Luftës së Dytë Botërore.
Kjo është arsyeja pse Trump po përpiqet të shmangë një konflikt të pakontrollueshëm rajonal.
Por ka një ndryshim të madh mes shmangies së luftës dhe dorëzimit.
Trump po përpiqet të negociojë nga pozita force. Dhe ky është elementi që shumë kritikë nuk duan ta pranojnë.
Ai nuk po ofron heqje sanksionesh pa kushte. Nuk po pranon një Iran bërthamor. Nuk po pranon formulat diplomatike të mjegullta të së kaluarës. Përkundrazi, po kërkon dorëzimin ose shkatërrimin e uraniumit të pasuruar. Ky është një standard shumë më i ashpër sesa çdo administratë e mëparshme.
Sigurisht, askush nuk e di nëse kjo marrëveshje do të funksionojë.
Lindja e Mesme ka shkatërruar shumë plane amerikane. Një incident në Hormuz, një sulm nga Hezbollahu apo një raketë mbi Izraelin mund ta rrëzojë gjithë arkitekturën diplomatike brenda pak orësh.
Por ajo që po ndodh sot është më shumë sesa një krizë me Iranin. Është një provë për Amerikën.
A mundet SHBA-ja të imponohet pa hyrë në luftëra pafund?
A mundet një president amerikan të negociojë nga forca pa u sabotuar nga polarizimi i brendshëm politik?
A mundet Amerika të ruajë lidershipin global ndërkohë që establishmenti i saj mediatik është më i fokusuar te lufta kundër Trumpit sesa te kundërshtarët gjeopolitikë të vendit?
Këto janë pyetjet reale të krizës së sotme.
Në fund, Trump po përpiqet ta shndërrojë këtë krizë në një fitore historike personale dhe strategjike. Ai dëshiron të tregojë se Amerika mund të detyrojë Iranin të tërhiqet pa pushtime masive dhe pa miliona ushtarë në terren.
Për kritikët e tij, kjo do të ishte e papranueshme politikisht.
Sepse një sukses i Trumpit ndaj Iranit do të rrëzonte një pjesë të madhe të mitologjisë politike të ndërtuar gjatë dekadës së fundit.
Prandaj beteja nuk zhvillohet vetëm në Teheran apo në Hormuz.
Ajo zhvillohet edhe në ekranet televizive të Amerikës. Në newsroom-et e Manhattanit dhe Washingtonit. Në luftën për narrativën.
Dhe ndoshta kjo është ironia më e madhe e momentit aktual: ndërsa Trump përpiqet të bindë Iranin të dorëzojë uraniumin e pasuruar, ai po lufton njëkohësisht edhe kundër një pjese të establishmentit amerikan që nuk dëshiron ta shohë të fitojë.