
Ambasador Flamur Gashi/
Ka emra që një komb nuk guxon t’i harrojë. Viktor Meier është njëri prej tyre. Gazetar zviceran, korrespondent i Neue Zürcher Zeitung dhe, nga viti 1975 deri më 1993, i Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), me bazë në Vjenë. Viktor Meier ishte një nga njohësit më të respektuar të Jugosllavisë dhe Evropës Juglindore.
Për vite me radhë udhëtoi nëpër Ballkan, duke e njohur rajonin jo vetëm nga burimet, por drejtpërdrejt nga terreni. Viktor Meieri nuk e zbuloi Kosovën kur ajo u bë lajm botëror në fund të viteve ’90. Ai kishte dekada që e njihte, e studionte dhe shkruante për të.
Më 1978 ishte në Kosovë, në kohën e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në 1981, ndërsa demonstratat e shqiptareve shtypeshin me forcë, raportonte për represionin, praninë policore-ushtarake, të plagosurit e të arrestuarit dhe kërkesën për Kosovën Republikë. Kur propaganda e Beogradit ngrinte akuza kundër shqiptarëve, Meieri kërkonte prova.
Në 1989, ndërsa Serbia po shkatërronte autonominë e Kosovës, ai e përshkroi sistemin e imponuar mbi të si një regjim pushtues serb “të ngjashëm me aparteidin”. Viktor Meier nuk ishte vetëm gazetar që raportonte ngjarjet. Ishte intelektual që përpiqej t’i kuptonte ato.
Këtë e dëshmojnë edhe veprat e tij, ndër to “Wie Jugoslawien verspielt wurde”, botuar në anglisht si “Yugoslavia: A History of Its Demise”, dhe “Jugoslawiens Erben” analiza të thella të shpërbërjes së Jugosllavisë, trashëgimisë së saj dhe politikës perëndimore ndaj rajonit.
Por Viktor Meieri nuk mbeti vetëm vëzhgues.
Pas largimit nga gazetaria aktive u angazhua edhe si këshilltar i Kryeministrit të Republikës së Kosovës dr.Bujar Bukoshi. Kur statusi i Kosovës ende ishte i pazgjidhur, argumentonte se pavarësia ishte e vetmja rrugë e arsyeshme. Ai nuk priti që Kosova të bëhej shtet për t’u bërë mik i saj.
I besoi lirisë kur ajo ende duhej fituar dhe pavarësisë kur ajo ende duhej argumentuar para botës. Për mua, Viktor Meier nuk është vetëm një emër nga librat dhe arkivat. Kam pasur fatin ta njoh që nga viti 1991, ta takoj mbi dhjetë herë dhe të kem me të raporte shumë të afërta. Unë e thërrisja gjithmonë “Profesor Meier”.
Shpesh më kërkonte materiale dhe informacione për çështjet që trajtonte dhe unë ia dërgoja me kënaqësi.
Por nga kjo marrëdhënie, unë isha ai që mësova shumë më tepër prej tij për Ballkanin, politikën, historinë dhe, mbi të gjitha, për rëndësinë e fakteve.
Sepse intelektuali i vërtetë nuk ndjek turmën. Ndjek të vërtetën.
Meieri nuk u bë mik i shqiptarëve nga interesi apo koniuktura politike.
U bë mik i shqiptarëve sepse kërkonte të vërtetën dhe sepse padrejtësinë dinte ta quante me emrin e saj.
Kosova e nderoi me Urdhrin për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm “Dr. Ibrahim Rugova”.
Por dekoratat nuk mjaftojnë nëse pas tyre vjen harresa.
Sa nga brezat e rinj shqiptarë e dinë sot kush ishte Viktor Meier?
Kur Kosova kishte nevojë të dëgjohej, ai i dha zë.
Kur e vërteta e saj vihej në dyshim, solli argumente.
Kur pavarësia dukej ende e largët, besoi në të.
Viktor Meier nuk ndoqi turmën.
Ndoqi faktet dhe të vërtetën.
Dhe kur e vërteta e çoi te Kosova, nuk u largua prej saj.
Prandaj nuk kemi vetëm arsye ta kujtojmë.
Kemi detyrimin të mos e harrojmë.
Miqtë e kombit tonë nuk harrohen!