
Intervistoi: Sokol Paja/
1. Av.Hatixhe Berani Grbeshi, nga lufta e Kosovës në Kaliforni, cilat ishin sfidat e një rruge të jashtëzakonshme?
Rrugëtimi im nga Kosova deri te ndërtimi i një karriere si një nga avokatet e para kosovare-shqiptare të mërgatës në Kaliforni ka qenë i mbushur me sfida të jashtëzakonshme. Kam lindur në Mitrovicë dhe jam rritur në Pejë, një qytet që e dua thellë. Megjithatë, si familje e ardhur nga një qytet tjetër dhe me një nënë që mbante shami, shpesh ndihesha e ndryshme. Jo për shkak të njerëzve , të cilët ishin të mirë e mikpritës, por për shkak të rrethanave të kohës dhe ndjeshmërisë sime si fëmijë. Kjo më mësoi herët se si ndihet dikush që kërkon të gjejë vendin e vet, dhe pikërisht kjo ndjeshmëri ishte nje nder shkaqet qe më shtyen drejt drejtësisë.
Studimet juridike në Prishtinë u ndërprenë nga helmimet, protestat dhe mbyllja e universitetit, por ne vazhduam ligjëratat fshehurazi, në kushte të vështira dhe me frikën e paramilitarëve dhe perfundova fakultetin Juridik megjithate. Lufta më gjeti nënë të dy fëmijëve të vegjël; djali im lindi para kohe nën krisma armësh. U detyruam të iknim, të fshiheshim në bodrume dhe të përballeshim me rrezik të vazhdueshëm. Bllaca mbetet kapitulli më i errët i jetës sime, ku u dëbuam me trena nga vendi ynë.
Falë vëllait tim, Dino, arritëm në SHBA si refugjatë. Aty filloi rindërtimi: me dy fëmijë të vegjël, pa para, pa gjuhë dhe mbeshtetje minimale nga shteti, per 4 muaj. Punova ditën, ndoqa shkollën e drejtësisë natën, regjistroja ligjëratat në kaseta dhe i përktheja. Pas shumë vitesh sakrifice, përfundova Juris Doctor dhe kalova provimin e Avokatisë së Kalifornisë — një nga më të vështirët në botë.
2. Si ndikoi përvoja e refugjates në zgjedhjen e profesionit të avokatisë?
Përvoja ime si refugjate më ka dhënë një ndjeshmëri të thellë për njerëzit që luftojnë me varfërinë, sëmundjet, paaftësinë dhe mungesën e mundësive. E di se si ndihet të fillosh nga zero, të mos kesh zë dhe të mos kuptohesh. Prandaj zgjodha ligjin e Sigurimeve Shoqërore, SSI dhe SSDI — sepse për shumë njerëz këto programe janë e vetmja mënyrë për të mbijetuar me dinjitet.
3. Sfidat si grua shqiptare dhe avokate në SHBA?
Përveç sfidave profesionale, mbaja mbi supe edhe pritshmëritë kulturore që ne, si gra shqiptare, i njohim mirë: të jesh nënë, bashkëshorte, bijë dhe motër e përkushtuar. Këto përgjegjësi nuk u ndalën as kur punoja me orar të plotë, as kur ndiqja shkollën e drejtësisë natën. Por ato më dhanë forcë, disiplinë dhe qëllim. Sot kam krijuar zyrën time ligjore me staf të larmishëm dhe shumëgjuhësh, sepse dua të shërbej komunitete të ndryshme dhe të siguroj që çdo klient të ndihet i respektuar dhe i kuptuar.
4. Emërimi si kryetare e SAC, cilat janë përgjegjësitë dhe veprimtaria?
Emërimi si Kryetare e Këshillit Këshillimor Shtetëror për Ndihmën dhe Shërbimet për Refugjatët në Kaliforni është një nder i madh dhe një përgjegjësi e thellë. Si ish-refugjate, ky rol ka domethënie të veçantë — është mënyra ime për t’i kthyer komunitetit atë që dikur më mungoi mua. Si Kryetare, udhëheq mbledhjet, përcaktoj agjendat dhe siguroj që rekomandimet tona të pasqyrojnë realisht nevojat e refugjatëve në Kaliforni. Për mua, kjo nuk është vetëm detyrë — është mision.
5. Cilat janë sfidat kryesore të komunitetit shqiptar në SHBA?
Komunitetet tona përballen me sfida të shumta, përfshirë:
-vështirësitë gjuhësore
-punësimin nën nivelin e kualifikimeve
-koston e lartë të jetesës
-proceset e ndërlikuara të emigracionit
-ruajtjen e identitetit kulturor
-stigmat e shëndetit mendor
-mungesën e informacionit për SSI, SSDI, Medi-Cal dhe Medicare
-mungesën e marrëveshjeve të totalizimit mes SHBA’ve dhe vendeve tjera Shqiptare për pensionet dhe SSDI.
Këto sfida kërkojnë përfaqësim, edukim dhe mbështetje të vazhdueshme.
6. Cili është roli i grave shqiptare në profesionet ligjore dhe jetën publike?
Gratë shqiptare po bëhen gjithnjë e më të dukshme në avokati, administratë publike, akademi dhe organizata komunitare. Ato sjellin profesionalizëm, integritet dhe një perspektivë të pasur kulturore. Suksesi i tyre është inspirues dhe dëshmi e forcës së mërgatës sonë në gjithë Amerikën.
7. Mesazhi për të rinjtë shqiptarë?
Besoni në veten tuaj dhe mos lejoni që askush t’ju thotë se ëndrrat tuaja janë shumë të mëdha. Rruga drejt drejtësisë kërkon punë të vështirë, jo rezultate të menjëhershme. Nderoni sakrificat e brezit të prindërve dhe brezave para jush — ata ndërtuan themelet që ju sot ecni më lehtë. Zgjidhni këtë profesion për shërbim, jo për ego. Kur punoni me integritet, suksesi juaj bëhet sukses i gjithë komunitetit shqiptar. Jam jashtëzakonisht krenare për brezin e ri shqiptar në diasporë dhe u uroj të gjithëve suksese të pafundme në rrugët e tyre. Faleminderit për mundësinë që të ndaj historinë time me ju.
— Hatixhe Berani Grbeshi, Esq.
Avokate e licencuar në Kaliforni.
Themeluese, Law Offices of Hatixhe B. Grbeshi, APC.
San Jose, California.