• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ZEF BALAJ NDËRROI JETË, VATRA NGUSHËLLON FAMILJEN

April 14, 2022 by dgreca

-FAMILJA, MIQTË, VATRANËT, KOMUNITETI-DHIMBJE PËR IKJEN E ZEF BALËN, I CILI NDËRROI JETË TË MËRKURËN, 13 PRILL 2022, I RRETHUAR ME DASHURI NGA FAMILJA E TIJ-

NGA DALIP GRECA

 Dita e Mërkurë, 13 Prill 2022, na e mori Zef Balën.Në mesditën e djeshme, ish kryetari i Vatrës Dritan Mishto më telefonoi duke më paralajmëruar se Zefi po kalonte caste të vështira. Ai kishte marrë një telefonatë nga familja se gjendja shëndetsore e Zefit ishte rënduar.Kisha 10 ditë që nuk kisha mundë të flisja në telefon me Zefin dhe iu luta Dritanit nëse ishte në gjendje të komunikonte t’ma mundësonte bisedën. Por ishte vonë. Zefi nuk i kishte hapë sytë. I kishte dëgjuar zërin.Kur doli nga shtëpia e Baljave në Çapakua, rreth orës 4 e 30 Pm, Dritani më shkroi:”Ësthë e pamundur telefonata. Ai është pothuaj i tretur.Zoti qoftë më Të!

       Më pas komunikuam sërish me Dritanin.Më tha se po kalonte çaste e fundit. Një ndjenjë dhimbje ma pushtoi shpirtin. Ndërsa prisjan lajmin, Dritani më shkroi në orën 7 e 30 të mbrëmjes:Zefi ndërroi jetë!E ngushëllova për humbjen e mikut të tij dhe timin.

Më pasë nisëm komunikimet me vatranët dhe ngushëlluam njeri-tjetrin: Fillimisht më telefonoi Presidenti i nderit i Vatrës, z. Agim Rexhaj, i cili sapo kishte komunikuar me familjen.Pas tij kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha.Ngushëlluam njeri-tjetrin. Komunikimet vijuan me editorin e Diellit Sokol Paja,që ndodhej në Pensilvani, me Idriz Lamaj, Asllan Bushatin e të tjerë. Të gjithëve na ka tronditë ikja e Zef Balaj. Ai nuk mundi ta fitonte betejën me sëmundjen e rëndë, betejë që vazhdoi për nëntë muaj.

Duke i përcjellë ngushëllimet familjes, miqëve dhe të gjithë vatranëve, lutemi për shpirtin e Zefit-Pushoftë në Paqe!

  Në pritje të informacioneve nga familja, po përcjell historinë e arratisjes të familjes Balaj në kohën e diktaturës komuniste, 71 vite të shkuara, histori që ka përmasat e legjendës, histori që ma ka treguar vetë Zefi.

                          *** 

Në 28-29 Qershorin e largët të vitit 1951 familja Balaj përkujtonte në Mëzi të Pukës, në vendlindje, festën e Martirëve- Apostuj: Shën Pali e Shën Pjetri, që është e shenjtë për Fisin Kabashi.Pikerisht naten e shenuar nisi historria me permasat e legjendes. Ndoshta mrekullia ndodhi nga që apostujt e morën në mbrojtje këtë familje fisnike për ta shpëtuar nga rrethimi komunist dhe për të realizuar ëndrrën e  lirisë amerikane.Edhe pse për dy net shtëpia u mbajt e rrethuar nga Forcat e Ndjekjes,familja Balaj, e ndihmuar nga nacionalistët e arratisur në mal, ia arriti që ta çajë rrethimin pa viktima….Të gjashtë pjestarët e familjes dolën shëndosh e mirë edhe pse ranë në pushkë…

        Në kujtesën e Zef Balaj, aso kohe një fëmijë 9 vjeçar, ngjarja ka ndodhë kështu: Familja Balaj në Mëzi të Pukës po përgatitej për të festuar Festën e Shën Palit dhe Shën Pjetrit. Familja e madhe po mblidhej bashkë,kishin ardhur edhe vajzat e dhëndurët. Njëri djalë i familjes, Pjetri, ishte roje pyjesh aso kohe.Ndërsa kthehej për në Mëzi atij i çon fjalë dhëndri, Jak Mirakaj, që të merrte të shoqen, vajzën e Balajve në Iballë dhe do të takoheshin për festë në Mëzi. Pjetri dhe motra udhëtojnë për më shumë se dy orë prej Iballe. I ka zënë nata në Arest-Miliska. Ecin nëpër terr. Diku në qafë  Grie,afër shtëpisë Balaj, Pjetrin e ndalin  ushtarët e Mbrojtjes. Pasi e verifikojnë se kush është e urdhërojnë: Motra të shkojë në shtëpi, ndërsa ti na duhesh, do të qëndrosh sonte me ne për një detyrë të veçantë!

Për Pjetrin nuk kishte zgjidhje tjetër, urdhëroi motrën që të shkojë në shtëpi dhe vetë qëndroi me ta. Komandanti, duke e konsideruar Pjetrin të sigurtë, njeri të besuar,i tregon se atë natë në Mëzi pritej të vinin diversantët për tu furnizuar me ushqime.  

Madje ai ka treguar edhe planin që kanë hartuar:-Do të rrethojmë shtëpinë, bazën ku ata do të shkojnë dhe do t’i kapin në befasi ose do t’i vrasim. 

Pjetri tronditet por nuk e jep veten, ndërsa komandanti flet për shtëpinë, që do të rrethojnë. Fillimisht Pjetri nuk e di se bëhet fjalë për shtëpinë e tij.Kur e mësoi,heshti dhe nisi të mendojë se si do të dilte nga kjo situate e rëndë. I duhet të durojë, të duket i qetë dhe të presë momentin për ta ndihmuar familjen. Ushtarët e mbrojtjes i afrohen shtëpisë dhe qëndrojnë para saj, në distancë nga hyrja, përrreth gardhit.

-Ja kjo është shtëpia-, thotë komandanti.

Pjetri guxon dhe e pyet: A e keni verifikuar mirë se mos nuk është e saktë informata? A është kjo shtëpia ku do të vijnë diversantët?

-Po po, thotë komandanti, pse po dyshon?

Pjetri nuk e jep veten. Mirë që nuk ia shquanin fytyrën në errësirë se i ishte bërë meit. Një luftë e brendshme zhvillohej në shpirtin e tij duke menduar rrethimin, ardhjen e mysafirëve të malit…Situatën në të cilën do të ndodhej familja dhe ai vetë…

Po i thotë edhe një herë komandantit: -Ndoshta ata që ua kanë dhanë informatën, kanë dashtë me u çorientuar, se kjo që kemi rrethuar s’mund të jetë bazë për diversantët, ajo është shtëpia ime.

– Kemi urdhër të rrethojmë këtë shtëpi, thotë komandanti prerazi. 

Pjetri ka heshtë sërish… është ulë me komandantin nën hijen e manit dhe po mendohet. Dikur po i thotë:- Me sa shoh kemi për të qëndruar gjatë këtu. A po më lejon të hyj në shtëpi dhe të sjell ca mish ferliku që është gati për festë e ca raki se na griu urija?

–  Mirë i thotë komandanti,- shko, por kujdes, asnjë fjalë….

Pjetri sapo hyn i afrohet vëllait Gjelosh dhe i tregon me një frymë për rrethimin jashtë shtëpisë. Shtëpia ishte e mbushur plotë, ishin aty edhe tri vajzat e shtëpisë me burrat e tyre, dhëndurët e familjes Balaj.

– Po po, e mora vesh, po i thotë i qetë Gjeloshi, ma tregoi motra Lusha, dhe shton: dy kaçakë(diversantv siç i quante sigurimi) do të vijnë sonte për furnizim me ushqime. Kjo dihet, jemi njoftuar. Do të ikim me ata, por lusim Zotin që të mos bien në pushkë me ata që na kanë rrethuar.

– Po si do t’ia bëjmë?- e pyet Pjetri. Po sikur të vjnë ata të malit dhe të bien në rrethim?

Bëhej fjalë për Pashk Ademin, Nua Lush Mirakaj e të tjerë që priteshin nga çasti në çast.

-Shohim e bajmë,ata do të vijnë, është e sigurtë se kanë nevojë për ushqime, po ti shko që të mos tërheqësh vemendjen e komandantit. Shpejt e shpejt u lidh fjala: Kush të shpëtojë, takimi në Bjeshkë…

Pjetri merr mish e raki dhe kthehet tek forcat e mbrojtjes. 

Ndërsa jasht hahej mish e pihej raki, kanë ardhë fshehtazi për furnizime njerëzit e malit,duke lëvizur barkazi përmes arës me misër dhe kanë hyrë nga dera e pasme e shtëpisë. Ishin Pashk Ademi edhe Nush Lush Mirakaj.

   Gjeloshi, pasi i ka furnizuar me ushqime, u thotë që të ktheheshin sa më shpejt, që të mos tërhiqnin vëmendjen e ushtrisë që e mbante të rrethuar shtëpinë. Ata lanë vendin e takimit për të nesërmen në darkë,në bjeshkë dhe  largohen pa ra në sy.

Kur ka ra drita komandanti i ka thënë Pjetrit: Shko ti Pjetër fli e shlodhu se na duhesh natën tjetër prapë. Ata nuk erdhën deri tash, por jam i sigurtë se do të vijnë natën, thotë komandanti.

Shkoi Pjetri. Natyrisht që nuk mund të flinte. E diskutuan me Gjeloshin se si do të vepronin. Koha nuk priste.Patjetër duhej vepruar shpejt. I pyetën dhëndurët dhe motrat se kush ishte gati me dalë në mal e me u arratisë.Kush nuk kishte mundësi për shkak të lidhjeve familjare, gjendjes shëndetësore, e gjendjes së familjeve, duhej të largoheshin menjëherë, pa u kompromentuar, pa ra në sy të pushtetarëve komunistë. Nue Marashi prej Fierze, që ishte martuar me njërën nga vajzat e shtëpisë Balaj, thotë se nuk mund të arratisej. Edhe Palok Marku, dhëndri tjetër, tha se nuk kishte mundësi të arratisej.

-Ju, u thotë Gjeloshi dhe Pjetri, duhet të largoheni sa më shpejt, që të mos u zërë nata këtu se, ndryshe iu piu e zeza. Mos u bëni pjesë e arratisjes tonë.

Familja Balaj qëndroi atë ditë në shtëpi duke kryer secili punët e veta normalisht. Në mbrëmje sapo nisi terri, kanë lënë sofrën e festës shtruar, dhe kanë dalë e janë ngjitë në bjeshkë, pa ra në sy të askujt. Në Bjeshkën e Dardhës u takuan me kaçakët e Pukës dhe të Mirditës.

Nga ana tjetër forcat e mbrojtjes kanë mbërritë pak ma vonë, pa e lajmëruar Pjetër Balën dhe e kanë rrethuar shtëpinë njësoj si natën e mëparshme. Kanë ndarë detyrat mes ushtarëve dhe po presin të sigurtë se atë natë nuk do të dilnin bosh. Janë të sigurtë se “mysafirët” e malit do të vinin. Komandanti kishte thënë se ndoshta informatori kishte ngatërruar natën e ardhjes së tyre. Pritën ashtu në heshtje të thellë deri në mëngjes kur ra drita. Bagëtia nisi të blegërinte. Pulat po zbisnin nga kotecët.Qetësi… Asnjë lëvizje njerëzish…Asnjë frymë e gjallë njerëzore…Komandanti vetë në krye urdhëron ushtarët dhe nisen drejt shtëpisë të shohin se çfarë po ndodh brenda saj. Kur hapën dyerët e mësuan të vërtetën. Sofra ishte shtruar, plot me ushqime. E kuptuan se familja është larguar gjatë mbrëmjes, pak më përpara se ata të vendosnin rrethimin. Menjëherë u dha urdhëri për zënien e shtigjeve nga mund të kalonin. Caktuan një fshatar që t’i merrte bagëtitë për t’i dërguar në qendër të lokalitetit, në Iballë. Familja, nga maja e bjeshkës,ku po qëndron e fshehur, po i sheh bagëtitë që ecin varg të shoqëruar nga bashkëfshatari i tyre Mëzias. Nxehet Pjetri dhe bën gati pushkën: – Do ta vras,- thotë.

-Jo ia kthen Gjeloshi, nuk është ai fajtori. Atë e kanë detyrua, harroji bagëtitë, të shpëtojmë njerëzit…

  Në zonë ishte dhënë alarmi. Forcat e Mbrojtjes kërkonin gjithandej. Masa e parë që morën ishte bllokimi i Vaut të Dardhës, ku mendohej të kalonte Drinin familja e arratisur. Për rreth tre javë familjes i duhej të qëndronte në mal e fshehur. Ushqimet u mbaruan pas dy javësh. Nuk kishin rrugë tjetër veçse të ushqeheshin me lende dushku, kujton Zefi.

Ndërsa forcat e Mbrojtjes po i kërkonin, luftëtarët e Pashk Ademit, përgatisnin mbartjen e familjes dhe shpëtimin e saj duke menduar për ta nxjerrë përtej kufirit. Pal Bib Mirakaj, Gjon Gjinaj, Marka Zef Ndreca, rreth 20 luftëtarë janë bashkuar, kanë marrë edhe familjen Mhilli dhe të dyja familjet i kanë përgatitë për të kaluar Drinin në vaun e Dardhës, ndërkohë që luftëtarët e tjerë nacionalistë vazhduan rezistencën në bjeshkë me forcat e ndjekjes, duke siguruar murin mbrojtës.

Zefi, që aso kohe ishte një fëmijë 9 vjeçar, kujton se nacionalistët kanë marrë me vete edhe një viç(tek shtëpia Mhilli) dhe pasi e kaluan Drinin mbërritën në Qafë të Zogajt të Gjakovës dhe atje e prenë viçin dhe e gatuan për të shuar urinë.

-Aty, thotë Zefi, kam pa se si zihej viçi në plëncin e vet, pa pasë nevojë për enë kuzhine.

Në kujtesën e Zefit ka mbeti momenti i kalimit të kufirit. Ishte natë. Qetësi që trembte jo vetëm atë që ishte fëmijë, por dhe të rriturit. Pal Bibë Mirakaj u ka dhënë udhëzime se si duhej të kalohej kufiri dhe ka bërë përpjekje për t’u larguar frikën të vegjëlve. Ai porosit të vegjlit që të kapeshin përdore me të rriturit dhe të mos i lëshonin.Ai i parapriu të vegjëlve për ndonjë përplasje me forcat e kufirit, duke u thënë se ne bëjmë edhe lojra e qesim pushkë… Ju, nëse dëgjonin ndonjë të shtënë, të mos frikësoheshin por shtrihuni përtokë dhe prisni.…Pikërisht në një moment të atillë, kur kanë plasë krismat, Zefi nuk është shtrirë batrkas, por ka ecë përpara me Pjetër Smajlin. Ka humbë për një moment, kur të tjerët kanë qëndruar në vend. Nëna jep alarmin se nuk po e gjenë. Kthehet pas Pal Biba dhe i merr ata që kishin mbetë pas dhe i bashkon të gjithë bashkë, duke I gjetur edhe Zefin me Pjetrën.

… Kështu shpëtuan nga forcat e ndjekjes dhe u dorëzuan në postën më të afërt…. 

I çuan në Kosovë në Bobajt e Brokës, prej andej i lëvizën disa herë. Në Kosovë qëndruan 10 vjet. Familja u dërgua në kampin famkeq të Gerovës, nga ku u arratis së bashku me familjen Perpepaj. Nga Kosova në Itali(ku qëndruan dy vjet) e prej andej në Amerikë. Kur arritën në Amerikë familja Balaj përbëhej prej 11 vetash, sot janë rreth 70. Në Kosovë lanë një pjesë të dhimbjes, dy fëmijë të Pjetrit dhe një të Gjeloshit, të cilët vdiqën foshnje të parritura…Ja kjo ishte historia që familaj Balaj e kujton gjatë çdo feste të Shën Palit e Shën Pjetrit! Një histori për të mos u harruar, me të cilën ushqehen brezat! Një histori me përmasat e legjendës, që përcjell mesazhin se mrekullitë ekzistojnë…. 

     ***.

Zefi sapo erdhi në Amerikë punoi fort. Bënte dy, ndonjëherë edhe tri punë. U vendos në Bronx, ku dhe kostoja e jetës ishte me ulët dhe mundësitë për punë më të mëdha.Dalëngadalë e zuri veten, vuri pasuri me djersë. Bleu ndërtesën e parë, pastaj të dytën, të tretën, të katërtën me radhë.U vendos me shtëpi në një zone te shtrente, ne Chappaqua, ku jeton edhe sot familja. Pasurinë nuk e kurseu për çështjen kombëtare. Para pesë dekadash u anëtarësua në Vatër. Agim Rexhaj, president nderi i Vatrës, më tregoi se u takua me Zefin në vitin 1985 dhe ishte ai që e çoi drejt Vatrës. Dhe që nga ai moment nuk u nda më prej saj. Zefi, përherë bujar ishte ndër ata që dha shumë për Vatrën, siç dha edhe për  dekada edhe për Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane, e cila e kishte pjesë të bordit të saj, por edhe Vatra e kishte zgjedhë në bordin drejtues. Para se të sëmurej, Zefi ishte anëtar i kryesisë së Vatrës, njëri prej vatranëve më të respektuar. Ai u nderua nga Vatra me Mirënjohjen e Artë për 50 vitet e tij në Vatër. Zefi ishte një nga donatorët e mëdhenj të ndërtimit të Katedrales“Nënë Tereza” në Prishtinë siç ishte donatorë për shumë kisha dhe faltore të feve të tjera në vendlindje dhe në SHBA. Të shumtë janë shkrimtarëtdhe artistet që kanë prekur bujarinë e Zefit, i cili i ka sponsorizuar pa kursim.Zefi ishte nje patriot i perkushtuar qe e donte shume Atdheun dhe ndihmoi sa mundi.

Familja humbi njeriun e dashur dhe Vatra e Liga Qytetare -Shqiptaro-Amerikane, si dhe komuniteti shqiptar në SHBA, humbën aktivistin e shquar.Ngushëllime familjes dhe miqëve.

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, nderroi jete, Zef Balaj

“Ferri muzikor” i Florian Vlashit, një koncert pa duartrokitje në Durrës

August 10, 2021 by dgreca

–Bashkë me instrumentistët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, në këtë edicion krijuan emocion edhe artistë nga Italia dhe Franca./

Nga Gëzim KABASHI /

Koncerti i ditës së martë me violonçelistin e shumëvlerësuar Marc Coppey, i cili do të sjellë në teatrin “A. Moisiu” të Durrësit tre Suita nga J S Bach, do të përmbyllë edicionin nr 10 të Bienales “Netët e Muzikës klasike”.

Artdshësit durrsakë dhe jo vetëm, kanë shijuar gjatë veprimtarisë verore, njëherazi elemente nga dy arte.

Themeluesi dhe drejtuesi i Bienales, Florian Vlashi, edhe këtë herë bashkë me periudhat muzikore që i lanë vendin njera tjetrës prezantoi një fill të ri lidhjeje mes arteve, atë të Muzikës dhe Pikturës.

Duke ruajtur strukturën e Festivalit sipas epokave muzikore, Netët e Bienales u organizuan me tre pjesët e triptikut të El Boscos: Kopshti i Edenit, Kopshti i Kënaqësive dhe Ferri Muzikor. 

Mbrëmjen e kaluar gjashtë instrumentistë nga Durrësi e Tirana interpretuan në koncertin më të bukur të Bienales ’21.

Spektatorët e shumtë në sallën e teeatrit të Durrësit ndoqën në heshtje të plotë veprat e J. Strauss (junior), A. Ëebern dhe A. Schoenberg, për të duartokitur shumë gjatë në fund, jo vetëm lojën e artistëve, por edhe informacionin tepër interesant mbi jetën e autorëve, kompozitorë dhe piktorë të shquar.

Të pranishmit në sallë janë ndjerë si në “Shoqërinë Private tē Koncerteve”, ku Schoenberg kërkonte që autorët mos tē kishin asnjë ndërhyrje nga publiku, apo nga kompozitorë të tjerë, as edhe nga kritikët apo interpretët, me një fjalë: liri absolute ndaj shijeve të shoqërisë.

“Në këto koncerte – tha Florian Vlashi në fjalën prezantuese, nuk lejoheshin duartrokitjet, as fërshëllimat e as lavdërimet. 

Aty ishte shpirti i artistit lakuriq pa qenë nevoja e gjykimit nga të tjerët”.

“Ferri muzikor” i drejtuesit Florian Vlashi në natën e parafundit të Bienales ishte një sukses i merituar, meritë e instrumentistëve Vlashi, Laura e Arben Llozi, Mario Guralumi, Etrita Ibrahimi dhe Xheni Turku.

Koncerti që filloi me valset e Strausit përfundoi me “Brigadën e hekurt”, një tallje tragjike mbi luftën, mbuluar me pikturën e vetë Schoenbergut “Shikimi i kuq”.

Pikturat e Klimt dhe jo vetëm, që ilustruan veprat muzikore të mbrëmjes, ia lanë vendin në fund një kolazhi muzikor, që shoqëroi montazhin fotografik të afro 30 pikturave më të njohura të artistëve botërorë me temën “Puthja e artë”.

Siç tha artisti Florian Vlashi: “Nuk pretendojmë të gjykojmë, kritikojmë apo të duartrokasim askënd në këtë histori, aq më pak sot kur intimiteti ynë është më shumë se kurrë i rrezikuar. 

Vetëm duam të themi se në Muzikē ashtu si edhe në Dashuri, është shpirti ynë lakuriq përpara një pasqyre ku reflektohet ana më e fshehtë e më e fisme e jona, aty ku “zemra ka arsyet e veta qe arsyeja nuk i njeh…” 

Një natë më parë, dy studentë pianistë, fitues të Cmimit të Bienales “Solisti i Ri”, në edicionet 2015 dhe 2017, si dhe pedagogu Edmonnd Buharaja ishin protagonistët e mbrëmjes me temë “Idetiteti tingëllor Iliro-Arbëror-Shqiptar”.

Buharaja, autor i botimit akademik  “Niceta i Remessiana-s” i paraqiti të pranishmëve një informacion të bollshëm mbi autorët ilirë që nga shek 4-5, si dhe mbi kontributet e tyre veçanërisht në muzikën kishtare. 

Materialet audio dhe video, kuujdesi i artistëve durrsakë 30 vjet më parë për të risjellë muzikën e Jan Kukuzelit, si dhe interpretimet e korit të Filarmonisë së Kosovës, krijuan mjaft interes te dëgjuesit.

Pianisti i ri durrsak Erl Lila luajti katër pjesë të shkruara prej tij, duke marrë vlerësimet e të pranishmëve, njëlloj si pianistja Laura Sulaj, e cila pas disa koncerteve brenda dhe jashtë vendit, do të fillojë studimet në Akademinë e Krakovit (Poloni).

“Nata e Muzikës romantike” zuri një vend të veçantë në programin e Bienales së këtij viti. 

Ashtu si Arben dhe Laura Llozi, babë e bijë, që interpretuan në të njejtin formacion instrumental, në mbrëmjen e muzikës romantike, violonçelisti i ri  Martin Vlashi, luajti përkrah të jatit, Florianit dhe pianistes Etrita Ibrahimi, “Sonatën” nga J. Herrando.

Më pas dueti Vlashi – Ibrahimi dëshmuan përvojën e gjatë koncertale edhe në veprat e tjera të autorëve spanjollë M. de Adalid, E. Granados, J. Turina.

Mbrëmja e sonatës spanjolle u ilustrua me veprat e piktorëve Goya dhe Dali.

Bashkë me koncertet në teatrin “A Moisiu”, me temë “Në kopshtet sekrete të Muzikës e Pikturës” Florian Vlashi do të intepretojë sot në Shtëpinë e të Moshuarve në Kavajë, duke ruajtur traditën e takimeve muzikore në spitale apo në institutin e riedukimit të të rinjve.

Konkursi “Solisti I ri” brenda strukturës së Bienales, këtë vit për herë të parë ka shpallur dy fitues, të cilët do të udhëtojnë drejt Spanjës dhe Italisë për koncerte dhe masterclass.

Bashkë me instrumentistët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, në këtë edicion krijuan emocion edhe artistë nga Italia dhe Franca.

Filed Under: Featured Tagged With: Ferri Muzikor, Florian Vlashi, Gezim Kabashi

VATRA NGUSHËLLON SEKRETAREN NAZO VELIU PËR HUMBJEN E NËNËS

August 7, 2021 by dgreca

E nderuar zonja Nazo Veliu, Sekretare e VATRËS 

Në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, në emër të të gjithë vatranëve e të familjes sime ju përcjell ngushëllimet më të sinqerta e më të dhimbshme për humbjen e Nënës suaj të shtrenjtë. Jemi pranë jush në këto momente trishtimi e lamtumire.E ndjera Melika Veliu pushoftë në paqen e amshuar dhe ju qofshi jetëgjatë. Të rroni e ta kujtoni me nderim e respekt përherë nënën tuaj të dashur Melika. Lusim Zotin për shpirtin e saj.Pushoftë në Paqen e përjetshme shpirti i Melika Veliut. 
Pranë jush dhe me nderime

Kryetari i VATRËS

Elmi BERISHA 

Filed Under: Opinion Tagged With: Melika Veliu, Nazo veliu

Durrës- “Kuarteti i Kremonës” në “Kopshtin e kënaqësive tokësore” të Bienales 2021…

August 7, 2021 by dgreca

– Solistët e rinj durrsakë, veç Spanjës edhe çmimi “Simone Gramaglia”- fituesit do të nderohen publikisht në koncertin e se Dieles, 8 gusht….

Nga Gëzim Kabashi-Durrës/Dielli

Të pasionuarit e muzikës janë magjepsur mbrëmjen e kaluar nga tingujt e veprave ntë Beethoven dhe Brahms, të cilat kumbuan në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. 

“Kuarteti i Kremonës”, me seli në Gjenova, i cili prej 21 vitesh ka sjellë në auditoret më të njohur të botës kompozimet e autorëve të mëdhenj, këtë herë ishte mysafir i Bienales “Netët e Muzikës Klasike”, themeluar në vitin 2003 dhe që drejtohet nga violinisti durrsak Florian Vlashi.

Ndërkaq, paraditen e 5 gushtit kanë konkuruar 12 solistë të rinj, që të gjithë nxënës durrsakë, të cilët bashkë me çmimin kryesor, që u siguron një qëndrim të shkurtër si dhe një apo dy koncerte si solistë në Spanjë, do të kërkojnë të jenë edhe fitues të çmimit më të ri “Simone Gramaglia”, që siguron të njejtin kujdes edhe për fituesin alternativ të konkursit. 

Beethoven dhe Brahms në “Kopshtin e kënaqësive tokësore”

Vlashi, që prej vitit 1992 jeton dhe punon në Spanjë thotë se “Vepra e jashtëzakonshme dhe enigmatike “Kopshti I kënaqësive” e vitit nga Hieronymos Bosch – El Bosco është origjina e titullit të këtij edicioni të Bienales.

Sipas Florian Vlashit, “mbi bazën e numrit të përkryer 3 (Fillimi dhe Fundi), si dhe numrit të shenjtë 7 (Netët e Bienales) është ndërtuar kjo shëtitje “Në kopshtet sekrete të Muzikës dhe Pikturës”, dhe sekreteve u afrohesh vetëm kur botën e shikon dhe e dëgjon me ndihmën e dy arteve që njeriu krijoi para Fjalës: Muzika dhe Piktura”.

Në dy mbrëmjet me të cilat staroi ky edicion, i cili ka thyer për të dytën herë traditën e koncerteve falas, duke vendosur biletën si një kontratë artistike mes palëve, kanë interpretuar tashmë artistë të shquar nga vendi ynë, nga Kosova dhe nga Italia.

Që nga koncerti i parë, në sallën me ajër të kondicionuar të teatrit “A. Moisiu” ka nisur të shfaqet “harmonia mes muzikës dhe projeksioneve të pikturave, tingujt e Kukuzelit, Bach, Beethoven, Granados, Strauss, Scoenberg, etj që shkrihen me kryeveprat bptërore nga El Bosco, Onufri, Caravaggio, Goya, Dali’, Klimt, …”.

Pas interpretimit të këngëtarëve lirikë nga Prishtina, Kaltrina Miftari dhe Safet Berisha, në koncertin “Stabat Mater” kushtuar regjisorit, përkthyesit dhe shkrimtarit Gjergj Vlashi, In Memoriam, mbrëmja e se premtes  solli për publikun disa nga kuartetet e Bethovenit dhe Brahmsit.

“Quartetto di Cremona” shpërfaqi seriozitetin profesional të ansamblit instrumental si dhe përvojën e gjatë prej më shumë se dy dekadash së bashku në interpretimin e veprave në kuartet.

Artistët nga Gjenova krijuan një atmosferë të veçantë në sallën “Moisiu”, e cila deri tani ka njohur kryesisht interpretimet dramatike të trupave shqiptare.

Që nga viti 2004 Cristiano Gualco, Paolo Andreoli, Simone Gramaglia dhe Giovanni Scagliones janë mjaft të njohur në podiumet shqiptare të muzikës klasike, dhe për Bienalen e Durrësit kishin zgjedhur dy vepra impenjative nga L. Van Bethoven “Kuarteti nr 12” dhe “Gran Fuga”, që merituan duartrokitjet e gjata të publikut të pranishëm.

Për interpretimin e kuartetit me dy viola nga J. Brahms instrumeentistët nga Gjenova kishin ftuar edhe violistin e njohur nga Tirana, Arben Llozi, i cili prej disa vitesh është pjesë e Kuartetit për koncertet në skenat shqiptare.

Koncerti I Kuartetit të Kremonës në sallën e teatrit “Moisiu” konsiderohet si një nga interpretimet më të mira të muzikës klasike në Durrrës, duke sjellë mjaft kënaqësi tek artdashësit vendas dhe të huaj.

Solistët e rinj durrsakë, veç Spanjës edhe çmimi “Simone Gramaglia”

Artistët italianë ia lanë në dispozicion solistëve të rinj skenën e teatrit të Durrësit, ku sot u ngjitën 12 fëmijë dhe të rinj, kryesisht nxënës në shkollën e mesme artistike “Jan Kukuzeli” të qytetit.

Për më shumë se tre orë, juria e drejtuar nga Simone Gramaglia, një nga komponentët e Kuartetit të Kremonës, ndoqi me kujdes interpretimin e nxënësve durrsakë:  nëntë pianistë të rinj, një violinist dhe tre kitaristë të ardhshëm.

Megjithëse fituesit do të nderohen publikisht në koncertin e se Dieles, 8 gusht, Kristel Karagjozi, 16 vjeç dhe Erin Bajo, 14 vjeç janë njohur me verdiktinn e jurisë. 

Pianistja 16-vjeçare gëzon të drejtën të jetë mysafire e familjes Rediana dhe Florian Vlashi në Korunja (Spanjë), ku sipas traditës që  nga viti 2007 mikpritësit organizojnë edhe një apo dy koncerte të mysafirit fitues të konkursit të Yjeve të Rinj. Kristel Karagjozi, nxënëse e pedagoges Linda Zemblaku, do të jetë soliste edhe në një koncert të organizuar në Gjenova të ofruar nga “Gioventu’ Musicale d’Italia”.

Risia e këtij viti ka emrin e çmimit special “Simone Gramaglia”, instrumentist i Kuartetit të Kremonës, i cili në muajt e ardhshëm do të mbështesë qëndrimin e artistit të ri fitues Erin Bajo në Itali për një Materclass.

Gramaglia tha se artistët e rinj shqiptarë janë mjaft premtues dhe duhet të mbështeten fuqimisht. 

“Ata duhet të përballen me publikun si koncertistë që në moshë të re, dhe ky çmim ia jep mundësinë fituesit të shfaqë talentin e tij në një nga auditoret italianë të muzikës – tha artisti italian.

Sipas Simone Gramaglias, çmimi me emrin e tij do të jetë pjesë e Bienales së Durrësit edhe në edicionet e ardhshme.

Që nga edicioni i tretë i Bienales në vitin 2007  kur filloi të ndahej kky çmim, fituesit e konkursit “Nata e Yjeve të Rinj” në Durrës kanë qenë: Albana Karaj, Kamela Haxholli, Erli Lila, Rolando Deda, Laura Sulaj dhe Klaudia Gjini.

Tashmë një pjesë e tyre ka nisur karrierën artistike në Shqipëri dhe në vende të ndryshme të botës.

Koncerti i radhës në Edicionin nr 10 te Bienales ‘21 do të jetë mbrëmjen e së premtes me “Sonata Espanola” (nga Goya te Dali’) dhe me interpretët Florian Vlashi dhe Etrita Ibrahimi e Martin Vlashi.

Filed Under: Featured Tagged With: Bienale 2021, Gezim Kabashi, Kuarteti i Kremones

NAPOLI NDERON DONIKA KASTRIOTIN, BASHKSHORTEN E HEROIT KOMBËTAR-GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBEU

August 2, 2021 by dgreca

  Nga Frank Shkreli/

Një pllakë përkujtimore në Napoli për nder të Mbretëreshës Shqiptare Donika Kastrioti, bashkëshorten e Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit Skënderbe! Një rrugë në Napoli merr emrin e bashkshortes së Heroit Kombëtar të shqiptarëve.  Ky është lajmi i njoftuar javën që kaloi nga krye-bashkiaku i qytetit italian, Napoli, Z.  Luigi De Magistris, i cili, sipas disa burimeve ka pranuar dhe miratuar rekomandimin e Komisionit Toponomastik të qytetit për vendosjen e një pllake përkujtimore në Rrugën Shën Kiara, në kujtim të Donika (Arianiti) Kastriotit.  “Vendimi për të vendosur këtë pllakë tregon jo vetëm të kaluarën e rëndësishme historike të qytetit të Napolit, por dhe thirrjen për të qenë një vend i mikpritjes për kultura dhe tradita të ndryshme. Kjo vendos një lidhje të thellë kulturore, që ka rrënjë prej shekujsh mes këtij qyteti dhe popullit shqiptar”, citohet të jetë shprehur me këtë rast kryebashkiaku i ketij qyteti të njohur Italian, De Magistris. Thuhet se ky gjest fisnik e bujar për vendosjen e pllakës u ndërmor, natyrisht, për të nderuar Mbretëreshën e Shqiptarëve (Andronika Arianiti Komneni Kastrioti) për lidhjet e saja historike me atë qytet pas vdekjes së bashkshortit të saj, Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, largimit të saj nga Shqipëria si rrjedhim i kësaj humbjeje dhe në kujtim të kohës që ajo ka jetuar në Napoli. 

Por, kjo pllakë kujton gjithashtu të gjithë ata shqiptarë të cilët janë larguar nga Atdheu i tyre shekuj më parë për në Itali, pasi hordhitë turke pushtuan trojet Arbërore, pas vdekjes së Kryeheroit shqiptar, i cili me dinjitet mbrojti trojet shqiptare nga sulmet otomane dhe shpëtoi Evropën nga depërtimet e tyre në kontinentin e vjetër.   Mbretëria e Napolit u kishte ofruar, në atë kohë, mbështetje dhe strehim shumë shqiptarëve që qenë detyruar të largoheshin nga Atdheu, si rrjedhim i pushtimit turk të tokave shqiptare. Ata u detyruan të largoheshin dhe të vendoseshin në Italinë jugore sepse nuk donin të jetonin nën thundrën e skllavërisë otomane, nuk donin të ndërronin fe e gjuhë, nuk dëshironin të braktisnin zakone e tradita, të cilat i ruajtën me dashuri prekëse ndër shekuj e deri më sot, ndërsa sot ata – të quajtur Arbëreshë të Italisë — vijojnë të flasin me atë gjuhë që flisnin gjyshërit e tyre në kohën e lavdishme të Skënderbeut.   

Ajo pllakë sot simbolizon gjithashtu – siç u shpreh edhe kryebashkiaku Italian de Magistris — miqësinë dhe lidhjet aktuale të banorëve të këtij qyteti italian me shqiptarët që jetojnë në trojet e veta, matanë Adriatikut, por edhe u kujton historinë e lashtë të kombit të vet, qindëra mijëra shqiptarëve që janë vendosur në Itali tri dekadat e fundit pas shembjes së komunizmit, shumë prej të cilëve jetojnë e punojnë në Napoli me rrethe.

Pllaka në kujtim të Mbretëreshës shqiptare do vendoset pra në rrugën që tani mban emërin Santa Kiara të Napolit, pasi thuhet se ishte pikërisht në atë rrugë ku ka jetuar për një kohë Donika Kastrioti — në shtëpinë e familjes fisnike Alessandro, por nën mbrojtjen e Mbretërisë së atëhershme të Napolit, aleate e Skenderbeut, në luftërat kundër turqëve otomanë.  Sipas disa të dhënave, ajo ka jetuar në atë rrugë që nga viti 1469 derisa është detyruar – për arsye të luftërave që kishin përfshir mbarë Italinë midis viteve 1494-1498 – të vendosej më në fund në Valencia të Spanjës, ku thuhet se ajo ka vdekur më 1506 dhe ku sipas një zbulimi të kohëve të fundit, në një kishë të këtij qyteti të vjetër gjëndet edhe varri i Donika Kastriotit, bashkshortes së Heroit Kombëtar të shqiptarëve.

Donika është martuar me Gjergj Kastriotin – Skënderbeun më 23 prill 1451. Sipas gojëdhënave, dasma është bërë në Kaninë e sipas traditës ka zgjatur tri ditë, 21-23 prill, siç ishte zakon edhe në vendet tona dikur. Për këtë dasëm tregohen shumë gojëdhëna, ruhen këngë popullore, që arrijnë deri në kohët tona, si dhe të dhëna historike. Sipas tyre, Skënderbeu shkoi t’a merrte nusen i shoqëruar nga 500 kalorës, aq sa të dukej se po nisej për një betejë të re dhe jo për darsëmen e tij.  Sipas gojëdhënave, thuhet se kënga dhe vallja buçitën dhe kalaja e Kaninës llamburiti nga pishat dhe fenerët e shumtë.  Aty u bë shkëmbimi i unazave. Kurora u bekua në Kishën e Bardhë afër Kaninës. Ndërsa apër bukurinë e pashinë dhe bukurinë e çiftit Donika Arianiti-Gjergj Kastrioti-Skenderbe, mjafton të kujtojmë vargjet e Naim Frashërit, shkëputur nga “Historia e Skenderbeut:“…Dhëndëri si dielli ndriste,/Edhe nuseja që prunë,/Porsi hëna vetëtinte,/Dritë në ditën e shtunë…”

Mirënjohje Bashkisë së Napolit dhe kryebashkiakun të saj Luigi de Magistris që me vendosjen e një pllake në rrugën e atij qyteti ku jetoi shekuj më parë bashkshortja e Skenderbeut, Donika, na e kujton familjen e Heroit Kombëtar të Gjergj Kastriotit -Skenderbe: kontributet e saj për por edhe vuajtjet e asaj familjeje në mërgim, përfshir Donika Kastriotin.  Ajo pllakë do t’u kujtojë shqiptarëve por edhe të huajve që kalojnë pranë saj, fisnikërinë, trimërinë dhe burrërinë e Kryetrimit të Kombit shqiptar, Gjergj Kastriotit -Skenderbe dhe familjes së tij të ngushtë.  Sepse ishin ata të cilët mbrojtën nderin e Kombit dhe identitetin e shqiptarit, kudo dhe kurdoherë, nën rrethana shumë të vështira.   Madje edhe sot pas më shumë se pesë shekujsh –nderi dhe dinjiteti  Kombit shqiptar – po sulmohen e nepërkëmben, jo nga të huajt si dikur otomanët, pot nga vet shqiptarët.  Këto vlera kombëtare shekullore shqiptare sot kanë renë pre e një klase politike të shqiptarëve të shekullit 21, viktima të influencave të huaja politike, ekonomike dhe kulturore, për qëllime personale e partiake, që fatkeqsisht, po ndihmon në zverdhjen e identitetit dhe dinjitetit kombëtar të shqiptarëve.  Vlera këto që Skenderbeu dhe familja e tij, mbrojtën me aq trimëri, atdhedashuri dhe devotshmëri.  I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre në trojet shqiptare, në Evropë dhe në mbarë botën, ku ata kujtohen, vlerësohen dhe nderohen për kontributin e tyre ndaj shtetformimit të Kombit shqiptar dhe në mbrojtjen e qytetërimit perëndimor. 

Frank Shkreli

      Kjo pikturë, autori i të cilës nuk dihet, paraqet martesën e Gjergj Kastriotit –

      Skenderbeut me Donika Arianiti, thuhet se ruhet në familjen arbëreshe, Skiroi. 

Andronica (Donica) Arianiti Commeno, figlia di Giorgio Arianiti, nel 1450 sposò Giorgio Castriota Scanderbeg, principe d'Albania.
Foto

                         Kryetari i Bashkisë së qytetit Napoli, Luigi de Magistris  

Filed Under: Histori Tagged With: Donika Kastriotin, Frank shkreli, Napoli, nderon

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT