• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TI ISHE PJESË E PËRDITSHMËRISË SONË, DO T’NA MUNGOSH ZEF BALAJ!

April 25, 2022 by s p

 Nga Dalip Greca

Shumë gjëra që kam brenda vetes nuk munda t’ia thosha Zef Balës. Ende vuaj.…

     Unë sërish i kërkoj ndjesë familjes Balaj, siç i kërkova dhe të përndershmit dom Pjetër Popaj, pas ceremonisë së varrimit, për shkak se nuk munda t’i artikuloja fjalët që dilnin nga shpirti, dhe s’arrita të përcjell gjithçka kisha në mendje e në zemër për fisnikun Zef Balaj, njeriun e mirë që ishte bërë pjesë e përditshmërisë sonë. 

      Aty në elter, me arkivolin dhe portretin e Zefit përballë, me sallën e kishës mbushur plot, me familjen e pikëlluar, ngashërimet dhe lotët ishin të pashmangshëm dhe ndodhi që herë-herë, në vend të fjalëve të nxirrja veç frymë, tinguj, rrokje.

         Fjalët qenë të pabindura.Nuk doja të ndodhte kështu, por dhimbja për Zefin ishte zotruse në qenien time.

       Zefin e njoha para 23 viteve, kur nisa punën në gazetën Illyria. E takova në Arthur Avenue 24 korrik 1999, ku ndodhej atë kohë dhe redaksia e gazetës.Më kujtohet prezantimi: Jam Zef Gjoni prej Mziu të Pukës, më thërrasin edhe kosovari i Pukës…Dhe që atë kohë nuk u ndamë.Nuk kishte veprimtari të komunitetit, ku të mos merrte pjesë Zefi. Unë, që nuk kisha makinë për të udhëtuar, ndjehesha mirë kur ai më telefononte: -A ke me se shkon tek Legalistët për përkujtimin e Abaz Kupit?

  • Me tren ,- i përgjigejsha.
  • Mos u ngut se do të vij dhe unë e shkojmë bashkë me Asllanin, në grup.
  • A do të shkosh tek “Dita e Lirisë” kushtuar Nik Mrnaçaj?…Do të vij të marr tek shtëpia. 
  • Do të shkojmë tek Mit’hat Frashëri…? 
  • Ka protestë para OKB, po vij të marr….Dhe kështu nuk linim aktivitet të komunitetit pa marrë pjesë:Në veprimtaritë e Ligës, në ato të shkollave shqipe, ku ishte pjesë e bordit, në ato të Vatrës, të Kishës, të Shkrimtarëve e artistëve etj.Kemi udhëtuar me Zefin edhe për në Boston, Uashington, Miçigan, Virxhinia etj.

         Zefi u bë ëngjëll në mënyrën e vet edhe për ringjalljen e gazetës Dielli, që nuk botohej prej 2 vjet e gjysëm dhe kështu e gjeti edhe 100 vjetori i numrit të parë. Zefi ishte një ndër ata që propozoi emrin tim për drejtimin e Diellit, pasi ish editori Anton Çefa e kishte lënë detyrën.Kryesia e aprovoi dhe e votoi në Këshill me unanimitet, siç shkroi i ndjeri kryetar i Vatrës, ing.Agim Karagjozi, në numrin e parë të Diellit të edituar prej meje, shtator 2009.

         Në Vatër e ndjeva përherë përkujdesjen e ngrohtë të Zefit.Mëngjeseve pasi shkonte në zyrën e biznesit, linte zonjën e tij atje, vinte tek Vatra dhe më ftonte për kafe:- Dil nga “kulla” dhe shkojmë në kafe!Ke nevojë për pushim! Kur nuk mund të vinte në mëngjes, telefononte në drekë:- Po vij të marr për drekë! Nuk linte hapsirë për kundërshtim.

       Kur më gjente me fshesë në dorë tek pastroja para Vatrës, më thoshte me humor:-Po t’i përse nuk shkon të punosh në pastrime se merr dhe para më shumë se të japim ne ?…

Kur kalonim në 187 street drejt Arthur Ave, shpesh ndalte makinën afër një ndërtese me kolor zebrash,dhe më tregonte se dikur aty mblidheshin shqiptarët dhe kalonin kohën e lirë… pronar i kafesë ishte Zef Sadria.-Ja këtu, tek pallati përbri, kam punuar, kur jetoja në Mosholu Park, duke punuar si super itendent.Nuk dija anglisht, por pronarja ishte italiane dhe komunikoja italisht.Kjo ishte punë e dytë, se për shumë kohë kam bërë 2 dhe 3 punë në 24 orë…dhe vazhdonte t’më tregonte se si kishte rrjedhë jeta e tij, nga punët e rëndomta deri tek pronar ndërtesash e real state.

        Zefi ishte pjesë e “protokollit” të pritjes së mysafirëve që vizitonin Vatrën për gjatë 12 viteve që unë drejtova Diellin.Nuk mungonte, dhe ishte përherë i sjellshëm dhe i dashur me mysafirët, pa harruar t’i ftonte për kafe,drekë a darkë, si të ishte koha.

       Kishte dhe raste kur mbetesha keq dhe nuk gjeja njeri me makinë për të marrë gazetën nga shtypshkronja,ose për ta çuar nga Vatra në zyrat e postës, ai nuk kursehej t’më ndihmonte.

         I miri Zef nuk i shmangej asnjëherë fushatave fondmbledhëse të Vatrës dhe kontributeve për gazetën Dielli, përkundrazi printe.Nuk ka fushatë që kam organizuar për Diellin, ku ai të mos printe, nuk ka numër festiv të 28 Nëntorit, ku ai të mos merrte faqen e tij me ngjyra për të përcjellë urimet për kombin për Ditën e shenjtë të Flamurit.

    Kur u organizua numri special i Diellit për 100 vjetorin e Vatrës dhe paralelisht do të publikohej për të parën herë edhe një zhurnal, ai nuk nguroi të sponsorizojë.

          Kur organizova konkursin me rastin e veprimtarisë “2016, Viti i Faik Konicës”, i thashë Zefit: – Më duhen pak para për fituesit e konkursit për veprën dhe studimet më të mirë për Konicën dhe Vatrën. Arka e Vatrës është bosh, si t’ia bëjmë, ku t’i gjejmë nja 3 mijë dollarë?

-Mos u merakos, unë do të ndihmoj.Dhe premtimin e mbajti.Janë shumë e shumë raste.

         Zefi nuk kursehej, ai ndihmonte shkrimtarët që i trokisnin tek dera e biznesit, kur ata kërkonin sponsorizim për botimet e tyre. I ndjeri Luigj Çekaj, e ka përjetësuar në librin e tij”Një Shkrelas në Manhattan”, ku Zefit i kushtohet një poezi mirënjohëse për bujarinë e tij. Ka dhe shumë autorë të tjerë,që e kanë prekur bujarinë e Zefit me katër shifra, deri edhe në 5 mijë dollarë. Ai ishte filantrop i komunitetit për individë e për organizata, për Kisha e Katedrale, për xhami e çdo faltore tjetër të Zotit.

Na iku shpejt i miri Zef. Për nëntë muaj u shkri. Ende e kam brenda vetes zërin e tij të lodhur në telefonatën e fundit:Do të bëhem  mirë dhe do të shihemi shpejt! Por nuk mundi. Shkoi të pushojë! Do t’na mungojë njeriu i mirë Zef Balaj…

Pusho në Paqe mik i dashur; pranë njerëzve të dashur që shkuan para Teje! 

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, Zef Balaj

SALIKIMI I FUNDIT…

April 21, 2022 by s p

Në vend të një lamtumire për Zef Balaj.

Sokol Paja

New York më 20 Prill 2022 – Shqiptarët e Amerikës, miq, familjarë, patriotë, vatranë, autoritete e bashkëpunëtorë i dhanë lamtumirën e fundit Zef Balajt i cili u shua shumë shpejt duke lënë pas shumë kujtime, vepra të mira, dhimbje e trishtim tek të gjithë ata që e njohën e bashkëpunuan me të. Një bekim i fundit kur trupi i viganit Zef Balaj u fut për herë të fundit në kishën Zoja e Shkodrës, mbi trupin e vdekshëm e shpirtin e pavdekshëm të tij, Dom Pjetër Popaj bekoi trupin e Zef Balës para rrugës pa kthim për jetën në amshim. Në libri liturgjik të “Dijes” u shkëput një lexim për pleqërinë dhe mençurinë, përsosmërinë, shpirtin e bardhë e të pastër, ashtu siç Zef Balaj jetoi jetën e tij tokësore. Në Psalmin fetar: Zoti është Bariu im asgjë nuk më mungon, Dom Pjetri famullitari i Kishës Zoja e Shkodrës, kujtoi se çdokush që beson në Zot është i shpëtuar dhe do ta gëzojë jetën e  përtejme teksa citoi edhe Ungjillin e Shenjtë të Gjonit: “Unë jam ringjallja dhe jeta, kush beson në mua nuk do të vdesë kurrë”. Zef Balaj vendosi të ikë prej nesh në javën e shenjtë të Pashkëve, iku në javën e ringjalljes së Krishtit si për ta treguar se pas vdekjes triumfon një tjetër jetë, dhe se vdekja është veçse një rrugëkalim qiellor. Ungjilli sipas Gjonit citoi Dom Pjetri “Unë Jam Udha e vërteta dhe jeta” i përngjasojnë jetës së shenjtë e të mirë që ka pasur Zef Balaj si familjar e besimtar i devotshëm. Në fjalën ngushëlluese Dom Pjetri u shpreh se familja e nderuar Balaj pati 3 vdekje të rënda në një vit dhe u lut qe Zoti ta forcoje kete familje. Zoti na ka krijuar me jetu jo me vdekë, jeta tokësore nuk është e përgjithmonshme, jeta tokësore një shteg për kalimin në jetën e pasosur. Zef Balaj beri vepra të mira dhe kishte veç mirësi njerëzore. Zefi ishte fisnik e nuk ankohej kurrë. Zefi ishte bujar e shpirtmirë, kontribuoi për Kishat në USA e Shqipëri e Kosovë. Zefi ishte i dashtun i qeshur e fjalë mirë. Zefi ishte i fortë dhe i sigurtë për jetën tjetër, përfundoi fjalën e tij Famullitari Dom Pjetër Popaj. Drane Balaj mbesa e Zefit falenderoi në emër të familjes të gjithë ata që i mbështetën në këtë moment të vështirë dhe përshkroi jetën e Zef Balajt dhe të familjes që nga arratisja nga diktatura komuniste dhe ndërtimi i jetës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo shprehu e tregoi mbështetjen që Zefi u kishte dhënë familjes nipërve e mbesave e mbi të gjitha mësimet e jetës e fjalët e shtrenjta. Presidenti i Nderit të Vatrës Agim Rexhaj në fjalën e lamtumirës tha se familja Balaj është ndër më të nderuarat në bashkësinë shqiptaro-amerikane, emri dhe veprimtaria e tij do jetë frymëzim dhe krenari për të gjithë si familjar, veprimtar, patriot, vatran e njeri i përkushtuar i çështjes kombëtare. Fotoreporteri Dritan Haxhia lexoi telegramin e ngushëllimit dërguar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta në të cilën shkruhet se Zef Balaj ishte veprimtarit të devotshëm, patriotit të përkushtuar, me kontribut të vazhdueshëm dhe të jashtëzakonshëm për demokratizimin e Shqipërisë, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve kudo që jetojnë në trojet e tyre. Miku i Zef Balës në Ligën Shqiptaro-Amerikane Joseph DioGuardi në fjalën e lamtumirës u shpreh së Zef Balaj ndërtoi identitetin e shqiptarëve në Amerikë dhe frymëzoi lirinë e shqiptarëve me arratisjen nga diktatura. Dalip Greca mes lotësh, në rrëfimin e jetës së tij të përditshme me Zef Balën u shpreh: “Zefi u bë pjesë e përditshme e jetës sonë. Do jetë në shpirtrat tanë përjetë. Zefi ishte një shenjt i padukshëm. Ringjalli gazetën Dielli dhe kontribuoi përherë për Vatrën” kujtoi z.Greca. Kryetari i Vatrës Elmi Berisha me dhimbje e pikëllim u shpreh në fjalën e lamtumirës: “Sot u shprehi mirënjohje familjes e të afërmve, dashuri e krenari për Zef Balën, për vëllanë tonë, për kontributin e tij, veprat e mira, shpirtin e zemrën e tij të bardhë”. Kryetari Berisha në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA e vlerësoi Zef Balën me titullin SENATOR I PËRJETSHËM I VATRËS me motivacion: “Shembull i atdhetarit të vërtetë, anëtarit të denjë të Federatës Vatra, kontribues dhe veprimtar i palodhur, bamirësit të madh dhe mbi të gjitha, njeriut të mirë”. Pas salikimeve të fundit të arkëmortit, trupi i shkatërrueshëm i jetës së pashkatërrueshme të Zef Balës u nis me respekt e dhimbje drejtë banesës së përjetshme. Pas fjalës përmbyllëse të procesit të lamtumirës Dom Pjetër Popaj kujtoi ngjalljen me shpresën e jetës së pasosur dhe lutjen e pranimit në mbretërinë e Zotit të Zef Balës. Në varrezat familjare “Gate of  Heaven” ku u përcoll në paqen e amshuar, miku i ngushtë e Zef Balës Dritan Mishto në emër të familjes Balaj i pikëlluar u shpreh: “Mirënjohje e falenderim mijëra shqiptarëve që janë bashkuar dhimbjes së familjes. Ikja jote o Zef Balaj na lë shkretëtirë në shpirtrat tanë. Flm Zef se ti na ke mësuar si duhet të jetë një bashkëshort, baba, mik, shok, ti na mësove si të jesh njeri. Ti ike me kokën lart e me faqen e bardhë në një kohë që nuk është e lehtë. Nuk do ketë lamtumirë por mirupafshim në botën e përtejme, me po kaq mall sa po ndahemi sot me ty o Zef” u shpreh Mishto. Mëhill Velaj lexoi me trishtim dy telegrame ngushëllimi për familjen e Zef Balës nga Imzot Dodë Gjergji dhe Imzot Rrok Gjonlleshaj. Djali  i Zef Balajt Davidi falenderoi të pranishmit e pjesëmarrësit në dhimbjen e familjes, mbi arkëmortin e atit të tij e mbylli me fjalët: “Do të dua përjetë Babë. Faleminderit për gjithçka që ke bërë për ne. S’do të harroj kurrë, pusho në paqe Bab”. Në drekën e shtruar në “Tesoro d’Italia” për shpirtin e Zef  Balaj, teksa një foto fisnike e Zefit në sallë që zbuste dhimbjen e të gjithë të pranishmëve, pas uratëve e qiririt të ndezur për shpirtin e pashuar, miku i ngushtë i Zefit Asllan Bushati recitoi një elegji përkujtimi “Lot për Zef Balën”, elegji që shënoi fundin e drekës dhe lamtumirën tokësore të Zef Balës me familjen e miqtë e tij. I përjetshëm kujtimi, veprat e mira, dhe gjithçka që Zef Balaj i dha Vatrës, Ligës e Komunitetit shqiptar në Amerikë.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja, Zef Balaj

LAMTUMIRE ZEF BALAJ

April 20, 2022 by s p

Nga Agim Rexhaj/

E nderuar Familja Balaj!

E nderuar zonja Lina Balaj, bashkëshorte e vëllait, mikut, bashkëatdhetarit dhe bashkëpunëtorit tonë, tanimë i ndjerë Zef Balaj!

E nderuar Zonja Mire!

Të dashur David, Gjeraldina, Daniel, dhe Joseph!

……………………

E di që sot është një ditë e vështirë për të gjithë juve, pasi po ndaheni nga njeriu juaj më i dashur i jetës. Po ndaheni me njeriun që ju dha jetë, dashuri, sakrifica, përpjekje mbinjerëzore, e si rezultat edhe LIRINË, Lirinë që i mungonte në vendin e tij ne Shqiperi. Iu dha mirëqenje, atë që nuk e gjente dot në vendin e tij, as ai dhe as prindërit tuaj, qoftë nga ana e Zefit qoftë nga ana e Linës; 

Ju dha prosperitet, shkollë, dinjitet njerëzor. Ju bëri të jeni të gjithë, djem e vajza, nipa dhe mbesa pjestarë të familjes së njohur e të nderuar tanimë botërisht në bashkësinë tonë Shqiptaro – Amerikane si:

FAMILJA BALAJ.

Ju po ndaheni nga Zefi me lot e me dhimbje, për atë që ishte ai Burri Ballëlartë, flokëbardhë, që reflektonte burrërinë malësore, vendosmërinë dhe përkushtimin për familjen dhe të afërmit. Ndarja me Zefin tuaj të dashur është e vështirë dhe e dhimbshme.

E megjithatë, kur e dini se çfarë trashëgimie po ju len ai në çdo aspekt të jetës tonë në këtë vend të lirisë dhe begatisë, dhimbja juaj kthehet në krenari dhe emri i tij ju bën dritë ju, nipave dhe mbesave dhe brezave që vijnë. Sakrificat e tij qysh në vogëli e deri në ditën që mbylli sytë kanë qenë dhe mbeten një burim frymëzimi dhe kranarie.

I ndritë Shpirti dhe Lavdi Vepres se Tij!

Të nderuar pjesmarrës, miq e shokë të hershëm e të vonë të zotit Zef Balaj!

Zef Balaj vërtetë ishte një familjar i mrekullueshëm dhe këtë e kemi parë në të gjallë të tij dhe po e shohim edhe sot. Por ai ishte edhe një ndër veprimtarët më të dalluar të Bashkësisë Shqiptaro – Amerikane.

Si një patriot i shquar, një njeri që e donte Shqipërinë dhe Kosovën, si dhe tërë çështjen shqiptare kudo që jemi, ai ishte një ndër njerëzit tanë më të shquar në bashkësinë tonë.

Një Vatran i dalluar që në kohët e hershme, mik i vatranëve tanë më të shenjuar për mirë siç ishte Ingj. Agim Karagjozi e shume Vatran te tjere, ai nuk reshti kurrë duke punuar për të mirën e çështjes shqiptare. Vitet  dhe dekadat që punuam bashkë janë të karakterizuara nga përpjekje të pareshtura sa për demokratizimin e Shqipërisë aq edhe për çlirmin e më vonë njohjen e Pavarësisë së Kosovës.

Kontributet e Zef Balajt janë të panumërta,  ashtu si vëllau ynë i shtrenjtë Zefi ka qenë i jashtëzakonshëm. Ai kontribuoi e ndihmoi fort Shqipërinë e Kosovën, e deshti me zemër Atdheun e tij e nuk iu dhimbs asgjë me qëllim që kombi ynë të përparojë e lulëzojë.


Zef Balaj ishte zëri i shqiptarëve të Amerikës, përçuesi i shqetësimeve të kombit tonë në demonstratat e fuqishme, protestat e lëvizjet me qëllim mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në trojet tona, për demokratizim e shqiperise, pavaresin e Kosoves, zhvillim e përfaqësim të drejtave te shqiptarëve  ne Maqedonin e Veriut, Mali i Zi, Presheve, Çamëri e  kudo ku ka shqiptarë.


Zef Balaj u priu protestave të fuqishme në Washington, New York, Detroit, Dejton, ,  për zhdukjen e komunizmit, demokratizim të Shqipërisë për liri e pavarësi të Kosovës.


Zef Balaj ishte njeri i Zotit dhe financoi gjithë jetën e tij Tempujt e Zotit.Katedrale dhe  Kisha Katolike, Kisha  Ortodokse shqiptare, Xhami shqiptare, Qendra Fetare,  klerikë fetarë të të gjitha feve njohën në çdo kohë zemrën e bardhë të Zef Balajt.

Zefi e ndihmoj Ushtrin Clirimtare te Kosoves, Ushtrin Clirimtare Kombetare ( ne Maqedonin e Veriut,  Ushtrin Clirimtare per Presheve, Medvegje dhe Bujanovc.


Me shpirtin e tij të madh, Zef Balaj mbështeti veprimtaritë kulturore:  Shkollen shqipe,  botime e promovime librash të autorëve nga Kosova, Shqipëria e diaspora në Amerikë e Europë.  Artistët, gazetarët, historianët, albanologët, veprimtarët e çështjes kombëtare i shprehin mirënjohje sot Zef Balajt për kontributin e tij të pa kursyer për kulturën kombëtare dhe jetën artistike të komunitetit tonë ne SHBA e dhe shteteve tona ne Shqiperi dhe Kosove.


Zef Balaj ndihmoi kombin e tij duke mbështetur fuqishëm Senatorë e Kongresistë, Ligjvënës e Këshilltarë që mbrojtën Shqipërinë , Kosovën dhe shqiptaret ne trojet e veta etnike:  në Senat, Kongres, Shtëpinë e Bardhë, Pentagon e në të gjitha institucionet Amerikane.

Zefi ishte mik i Presidentit Historik te Kosoves Dr. Ibrahim Rugova,  ish Presidentit dhe Kryeministrit te Shqiperis  Dr. Sali  Berisha, i heroit te demokracise Azem Hajdari, i  Mandeles shqiptar Pjeter Arbnori, i  Arber Xhaferit e shume e shume etj. Ai ishte mik i cdo shqiptari demokrat, perparimtar, i atyre qe mbi gjithca kane idealin kombetar.

Kjo pjesëmarrje masive në funeral tregon se Zef Balaj e deshti dhe respektoi deri ditën e fundit komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara e më gjërë. Në çdo rast, Zefi ishte aty, fisnik dhe njerëzor,  patriot e veprimtar,  zemërbardhë e kombëtar. 

 Janë të paktë ata të cilët kanë bërë më shumë në këtë vend për Federaten Pan Shqiptare te Amerikes VATRA.

Por VATRA nuk ishte e vetmja “Vatër” ku “ngrohej” Zef Balaj. Ai ishte një ndër aktivitët më të shquar të Ligës Qytetarë Shqiptaro Amerikane të drejtuar nga i nderuari, ish Kongresmeni Joseph Dioguardi bashkë me zonjën e tij Shirley Cloyse Dioguardi.  Kontributi i Zef Balaj, ndoshta si rrallë i ndonjë veprimtari tjetër të komunitetit tonë, shtrihet në të dy organizatat tona më të njohura në Amerike, VATRA dhe LIGA QYTETARE SHQIPTARO AMERIKANE.

E përveç këtij kontributi ai shquhej edhe për ndihmat humanitare të cilat u shtrinë në trojet tona  sa në Shqipëri edhe në Kosovë e më tej në trojet e banuara prej shqiptarëve.

Si një sipërmarrës, ai  mbetet shumë i njohur për aktivitetin e tij nëpërmjet të të cilit janë ka parë hajrin me qindra familje shqiptare,  emigrantë të rinj të sapoardhur, nëpërmjet të mundësisë që ai ju jepte sot kanë ndërtuar një jetë të mirë e të begatshme, këtu në Amerikë.

Është e vërtetë se fjalët e mira janë përherë ato që përcjellin një njeri që ndërron jetë.

Por sikundër në të gjallë të tij, ashtu edhe sot që po i japim lamtumirën e fundit, unë përsonalisht, edhe si individ edhe si bashkë – drejtues i Vatrës, kurrë nuk gjeta një gjest, një veprim apo një sjellje e cila të më bëntë të mos flisja gjithçka të mirë për këtë burrë.

Me këtë rast, i përcjell ngushellimet e  mia më të sinqerta, familjes, Juve Zonja Lina, që u rrite dhe plake me Zefin,  Ngushellime Zonja Mire ( motra e Zefit), ngushellime fëmijëve, : David, Gjeraldina, Daniel dhe Joseph, nipave dhe mbesave, miqëve dhe dashamirësve, Vatraneve dhe tërë patriotëve tanë shqiptaro – amerikanë këtu dhe të afërmve të tij në Shqipëri e Kosove.

Lamtumire Miku im I dashtun Zef Balaj!

Te qofte i lehte dheu’ i Tokes se lire! Lavdi Vepres tuaj!

Zoti te bekofte!  Shpirti yt u preftë në paqë!

Agim Rexhaj!  20 Prill 2022

Filed Under: Opinion Tagged With: agim Rexhaj, Zef Balaj

Presidenti Ilir Meta telegram ngushëllimi Vatrës e familjes Balaj për ndarjen nga jeta të Zef Balaj

April 15, 2022 by s p

Presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Ilir Meta i dërgoi një telegram ngushëllimi Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA dhe familjes Balaj për ndarjen nga jeta të vatranit e patriotit Zef Balaj. Në telegramin e ngushëllimit ndër të tjera Presidenti Meta shkruan: “Me hidhërim të thellë e mësova lajmin e dhembshëm të ndarjes nga jeta të Zef Balaj, veprimtarit të devotshëm, patriotit të përkushtuar, me kontribut të vazhdueshëm dhe të jashtëzakonshëm për demokratizimin e Shqipërisë, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve kudo që jetojnë në trojet e tyre. Zef Balaj ishte personalitet me kontribute të mëdha në bashkimin e shqiptarëve të Amerikës dhe krijimin e miqësive në mes të popullit shqiptar dhe atij amerikan, si dhe zhvillimin e tyre në të mirë të kombit tonë” thuhet në telegramin e ngushëllimit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë z.Ilir Meta.

Filed Under: Featured Tagged With: Ilir Meta, Zef Balaj

NJOFTIM NGA FAMILJA E ZEF BALAJ

April 15, 2022 by s p

SHËRBIMET FUNERALE, TË HËNËN DHE TË MARTËN, MESHA DHE CEREMONIA E VARRIMIT TË MËRKURËN ME 20 PRILL 2022.

Familja e Zef Balaj njofton se shërbimet funerale për të dashurin e tyre do të organizohen në dy ditë; të Hënën dhe të Martën në Shtëpinë Mortore- 945 E Main St, Shrub Oak, NY 10588Ditën e Hënë, 18 Prill 2022, homazhet do të zhvillohen nga ora 4 pm deri në 8 pm.Në ditën e dytë, e Martë 19 Prill 2022, nga ora 2 pm deri në 9 pm.Mesha e Dritës do të organizohet ditën e Mërkurë, 20 prill, duke filluar në orën 11 am në Kishën “Zoja e Shkodrës” në adresën: 361 W Hartsdale Ave, Hartsdale, NY 10530.Pas Meshës kortezhi do të zhvendoset në varrezat e familjes Balaj, që ndodhen në adresën: “Gate of Heaven”, 10 West Stevens Ave, Hawthorne, NY 10532.***. ZEFIThe funeral details are as follows- 1st day Monday 4/18 funeral wake from hours 4pm to 8 pm2nd day Tuesday 4/19 hours 2-9pm. Mass at Our Lady of Shkodra on Wednesday 4/20 at 11am.

Filed Under: Politike Tagged With: Zef Balaj

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Pritje spektakolare për Kryeministrin Albin Kurti në Vatër
  • ALBANOLOGU KROAT MILAN VON SUFFLAY SIPAS DOKUMENTEVE MË TË REJA NGA ARKIVI SHTETËROR HISTORIK I DUBROVNIKUT
  • UKRAINA 2022 : Fushë  beteje në  mes dy qytetnimesh : Demokraci liberale Europiane versus  Autokraci tradicionale Ruse
  • Heronjtë që na duhen, por që nuk i meritojmë
  • Shqipëria po qanë…
  • Lamtumirë Dr. Gjon Buçaj
  • LAMTUMIRË DR. GJON LEKË BUÇAJ
  • KANË FILLUAR PUNIMET PËR REHABILITIMIN E KISHËS SË KUVENDIT TË ARBËRIT AFËR LEZHËS 
  • BOSTONI, VIZITA E RRADHËS E KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS ALBIN KURTI
  • Kombi shqiptar dhe politikat e sigurisë në ditët e sotme
  • Dalip Greca – Emër i Pashuar
  • Dalip Greca, një emër në kujtesën e gazetarisë shqiptare
  • Dalip Greca, një profesionist dhe patriot i madh
  • Kur vdekja merr krijues dhe atdhetarë të mirëfilltë
  • Lamtumirë kolegu ynë Dalip Greca

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Tregim Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT