• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ibrahim Rugova nuk u vjen në ndihmë Ramës dhe Thaçit

October 6, 2018 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/

Sipas nevojave Edi Rama ka cituar dhe citon gjithkend, madje dhe kundërshtarët e tij politikë. Në opozitë kishte për zemër të thirrej në trashëgiminë politike të Fan Nolit, edhe pse në pushtet ndoqi një praktikë antinoliste! Në muajt e parë të pushtetit u përpoq të thirrej në emrin e Faik Konicës e shkoi deri te Çabej. Por pa mbërritur te Fishta, sepse Fishta nuk e ndihëmon kryeministrin tonë për asgjë. Jo thjesht se ai ishte gegë, por sepse trashëgimia e Fishtës nuk u përshtatet aleancave, intrigave dhe pështjellimeve akriobatike të Edi Ramës. Ndërsa javët e fundit Rama dhe Thaçi, të zënë ngushtë në aventurën antishqiptare të ndarjes së Kosovës në favor të Serbisë, po thirren në emrin e Ibrahim Rugovës. I pari ishte Hashimi ai që tha në Prishtinë se “Ibrahim Rugova ka qenë për ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë”! Më pas Edi u përpoq në mënyrën e vet imponuese ta përforcojë këtë në një dalje televizive të para dhjetë ditëve. “E çfarë është kjo? Vetë Rugova ishte për ndryshimin e kufijve”, thoshte kryeministri, duke u hakërryer ndaj gazetarëve. Besonte se emri I Rugovës i jepte atij edhe të drejtë dhe siguri. Ndërsa në Prishtinë nuk ka pranuar asnjëherë ta respektojë kolosin e pavarësisë së Kosovës. Hashim Thaçi e përdor Rugovën pak më me efektivitet. Përdori për këtë lidhje “kundërshtarin” e vet të dikurshëm, Bujar Bukoshin. Por në rastin e promovimit të ndarjes së Kosovës, presidenti i vendit thotë se “Rugova ishte shprehur për shkëmbim territoresh”, me qëllim zgjidhjen e konfliktit midis Prishtinës dhe Beogradit. Gazetarët mercenarë përsërisin ritualisht deklaratën e Thaçit dhe Edi Ramës për gjoja mbështetjen që ata gjetkan në idetë e tyre te një deklaratë ose shënim i Rugovës i vitit 1992. Mercenarizmi ndaj pushtetit është tipari kryesor i gazetarisë së sotme në Shqipëri dhe në Kosovë. Ndërkaq objektivi i Thaçit, Ramës dhe mercenarëve që u shërbejnë në media është I dyfishtë: – Nga njëra anë të legjitimojnë aksionin e tyre antishqiptar të tjetërsimit të territoreve, nga ana tjetër të njollosin figurën dhe personalitetin e themeluesit të shtetit të së drejtës në Kosovë. Së paku t’i bindin shqiptarët se “Rugova ishte si ne” dhe se “ne jemi si Rugova”! Por pse spekullohet aq shumë me Ibrahim Rugovën? Sepse kundërshtarët e ndryshimit të kufijvë ose shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë janë kryesisht ata që i besojnë doktrinës së filozofisë kombëtare dhe politike të ish presidentit historik. Sipas doktrinës së doktor Rugovës “Serbët shikojnë me këtë ndarje se cila tokë me pasuri natyrore t’i takojë asaj. Atëhetrë neve do të na mbetnin vetëm tokat pa vlerë. Ne nuk biem pre e këtyre politikave”( Ibrahim Rugova 1992). Si për ta vërtetuar qëndrimin dhe vizionin e Ibrahim Rugovës në mbrojtje të teritorit të Kosovës dhe pavarësisë së saj, Bernard Kushner shkruante: “Rugova ishte kokëfortë, ishte vështirë ta bindnim. Kishte bindjet e tij të prera dhe nuk pranonte asgjë më pak se pavarësinë e Kosovës”! I tillë Rugova mbeti deri në fund të jetës së tij. I pakompromis për arritjen e pavarësisë së vendit dhe mbrojtjen e territorit të Kosovës! Eshtë e pamundur që në një koment të përmbledhësh gjithë ato deklarata dhe qëndrime të Ibrahim Rugovës, me të cilat ai dëshmon se jo vetëm kundërshtoi çdo ndarje dhe tjetërsim të integritetit territorial të vendit, por njëkohësisht nuk lëshoi kurrë në çeshtjen themelore, krijimin e shtetit të pavarur, ose siç e shprehej vazhdimisht, “në të kundërt bashkimin me Shqipërinë”! Edi Rama dhe Hashim Thaçi thirren këto kohë në Ibrahim Rugovën për të fshehur faktin se ata janë e kundërta e tij. Ata të dy nuk kanë parime, nuk kanë ndjesi atdhetare të tilla si ato të Rugovës. Ndaj i drejtohen spekullimeve me emrin e tij dhe keqpërdorin nga ana tjetër simbolet kombëtare për të manipuluar dhe fshehur qëndrimet e tyre antikombëtare. Të dy liderët e sotëm shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë kanë të përbashkët konceptin titist të Vukmanoviç Tempos për “bashkëim-vëllazërim” me serbët, edhe kur në Beograd përgatiten për dhunimin e shqiptarëve dhe territorit të tyre. Kjo dramë e re që Rama, Vuçiq dhe Thaçi përpiqen ta ringjallin në rajonin tonë duhet të marrë fund. Këtyre përpjekjeve nuk ju vjen në ndihmë Ibrahim Rugova. Por këtyre dy liderëve antishqiptarë nuk pu u ndihëmojnë fatmirësisht as krerët e institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri. Nuk u vjen në ndihmë as opinioni publik, gjithashtu kiderët e vendeve të rajonit dhe ato euro-amerikane. Prandaj duket se projekti Vuçiq-Rama-Thaçi për ndarjen e Kosovës do të dështojë. Megjithatë nga këta të tre duhet patur kujdes pikërisht në momentin kur duket se ata kanë humbur shanset për realizimin e projekteve personale të tilla. Tiranë, më 06.10.2018

Filed Under: Politike Tagged With: Enver Bytyci, nuk i ndihmon, Rugova, Thaçin e Ramen

Protesta në Prishtinë – shansi i humbur i LDK-së…

September 27, 2018 by dgreca

….fitore e pastër e Vetëvendosjes!/29 Shtator proteste

Nga Enver Bytyçi/ Pasnersër, me fatën 29 shtator 2018 në orën 14.00, Lëvizja Vetëvendosja do të organizojë në kryeqytetin e Kosovës protestën e parë kundër presidentit të vendit Hashim Thaçi. Disa elementë të kësaj proteste, e ndryshme nga të gjitha protestat e derisotme të Vetëvendosjes së Albin Kurtit, mund të jenë: 1. Organizatorë të protestës – Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari i saj, Albin Kurti. 2. Pjesmarrës në protestë: Anëtarët, simpatizantët dhe gjithë shqiptarët që e kanë të shënjtë atdheun dhe territorin e tij. Pjesmarrës do të jenë edhe anëtarët e Lidhjes Demokratike, të partive në koalicionin qeverisës, përfaqësues të shoqërisë civile, por jo krerët e tjerë të opozitës ose të pushtetit. 3. Protesta adresohet kundër planeve të presidentëve të Serbisë dhe të Kosovës, përkatësisht Aleksandër Vuçiq dhe Hashim Thaçi, për ndarjen e territorit të vendit. 4. Qëllimi i protrestës është të ndalohet çdo mundësi për bisedime për të ashtuquajturin “korrigjim të kufijve”, gjë që përkthehet në ndryshim kufijsh. 5. Vendi i protestës është sheshi kryesor i kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës. Por në këtë protestë ka edhe disa risi: 1. Opozita e Kosovës e ka lënë Vetëvendosjen të vetme në organizimin e saj. Ndërsa Lidhja Demokratike i ka shpall luftë kryeministrit të vendit, Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur papajtueshmërinë e saj me presidentin e Republikës, Hashum Thaçin, për (mos) ndryshimin e kufijve dhe mbrojtjen e territorit të vendit. 2. Lidhja Demokratike nuk i është bashkuar protestës për mbrojtjen e territorit, sepse kërkon të shfrytëzojë situatën dhe konfliktin midis kryeministrit dhe presidentit me qëllim marrjen e pushtetit! Kjo do të thotë se LDK bëhet mbështetje e presidentit Thaçi për ndarjen e vendit! Pra për LDK-në ka rëndësi pushteti, për Vetëvendosjen e Albin Kurtit ka rëndësi tërësia territoriale e Kosovës! 3. Lidhja Demokratike e Kosovës me qëndrimin e saj kundër ose asnjanës ndaj protestës potencon se “Institucionet e shtetit janë të rëndësishme” dhe beson se Kosova mund të ketë institucione pa territor! Absurde! Ndërkohë Lëvizja Vetëvendosje për herë të parë del në mbrojtje të shtetit të Kosovës e njëkohësisht territorit të saj, ndërkohë që vitet e shkuara ka zhvilluar disa protesta me moton e mosnjohjes së institucioneve të vendit! Ky është një kapërcim i madh në vetëdijësimin e saj! 4. Këto zhvillime në opozitën e Kosovës dëshmojnë se LDK dhe Vetëvendosje po ndërrojnë rolet, po zhvendosen në pozicione të panatyrshme ose të kundërta me atë çfarë ato janë proklamuar në të kaluarën! 5. Nga protesta e të shtunës del e fituar Kosova, pas saj Lëvizja Vetëvendosje dhe do të humbasin presidenti i Kosovës dhe aleatët e tij në Lidhjen Demokratike! LDK-së do t’i duhet shumë kohë t’i bindë qytetarët se nuk lufton për pushtet, por lufton për shtet e mbrojtjen e atdheut. LDK nuk mundi të kapë trenin e për pasojë do të vonohet! Çdo vonesë e saj do ta rrënojë besimin që ka te zgjedhësit në Kosovë. 6. Kam qenë kritik i Albin Kurtit, por me protestën dhe qëndrimet e qarta e të drejta të tij në mbrojtje të territorit të Kosovës ai nuk meriton kritika, përveçse vlerësimit maksimal të qytetarëve! Nëse Albin Kurti vazhdon ta përmbushë detyrën e tij në këtë objektiv, ai do të tejkalojë çdo vështirësi që mund t’i vijë për të qenë së afërmi kryeministër i Kosovës! Atëherë Lidhja Demokratike e Kosovës do ta kuptojë se treni i humbur është edhe shans i humbur! Tirane, 27.09.2018

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, Protesta në Prishtinë, vetevendosja

Pse Hashim Thaçi dështoi në përballjen e tij me Sali Berishën?

September 19, 2018 by dgreca

1 Thaci-berishaNga Enver Bytyçi/

U bënë disa javë që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është vënë përballë opinionit publik shqiptar dhe i vetëm lufton me marrëzi për implementimin e prijektit serbo-rus të ndarjes së Kosovës dhe ndryshimit të kufijve midis të dy shteteve. Por ajo që e ka tronditur atë është përballja me kundërshtimin e prerë të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha. Përballja e parë e Berishës me idetë e ndryshimit të kufijve nga ana e zotit Thaçi dhe zotit Vuçiq me këmbim territoresh, apo korrigjim të kufirit ekzistues midis Kosovës dhe Serbisë ishte si ndeshje “gladiatorësh”! Që në fillim Dr. Berisha e etiketoi Thaçin si “argat të Beogradit”! Ndërsa presidenti i Kosovës nuk vonoi pak orë për t’iu kundërvënë liderit historik shqiptar me akuza dhe fabrikime të tilla për “bashkëpunimin e ish-Presidentit shqiptar e Sllobodan Milosheviçin”. Thaçi foli si triumfator, edhe pse në përgjigje të kritikës së ashpër të Berishës. Por asnjëri nuk përmendi emrin e njëri-tjetrit. Pavarësisht kësaj çdokush e pati të qartë se për kë është fjala! Ndërkaq zoti Berisha krahas kundërshtisë përsëriti se akuzat e zotit Thaçi ishin sajesa të qëllimshme të Beogradit dhe se këto sajesa po I përdor kundër tij presidenti i Kosovës! Por që në fillim u bë e qartë se me përfshirjen e Berishës në debatin për kufijtë Hashim Thaçi do të ishte i dështuar. Reagimi i vendosur dhe njëkohësisht i matur i Sali Berishës pati dy efekte: Në planin e brendshëm shërbeu për të homogjenizuar qëndrimet politike të Kosovës kundër idesë së çmendur të Hashim Thaçit për ndryshim kufijsh. Ndërsa në planin e jashtëm Perendimi, sidomos Gjermania dhe Britania e Madhe, por edhe shumë liderë amerikanë, kuptuan se ndryshimi i kufijve midis Kosovës dhe Serbisë nuk do të shkaktonte vetëm efektin zingjir në Ballkan, por edhe një konflikt brendashqiptar. Konflikti në politikën shqiptare në Kosovë, Shqipëri e gjetkë është kështu ashtu i ashpër. Po të lejohej dhe aplikimi i tezës beogradase të Thaçit për ndryshimin e kufijve, ky konflikt rrezikonte dhe rrezikon destabilizimin e Kosovës. Destabilizimi i Kosovës është automatikisht destabilizm i Ballkanit. Prandaj dhe në Berlin e Londër kundështitë e Berishës u lexuan si pashmangshmëri e konfliktit. Ndonëse këto dy kryeqytete ishin skeptike për idetë e Thaçit dhe Vuçiq, dalja në skenë e Sali Berishës i bëri përfundimmisht ato kundërshtare të vendosura të idesë së dy presidentëve të të dy vendeve në konflikt. Ndërkaq në tryezat politike të Europës u shtrua edhe një llogari tjetër: Kush ishin dy iniciatorët dhe protagonistët e ndarjes së Kosovës? Ishin dhe mbeten dy presidentët e të dy vendeve. Po këto dy vende janë demokraci parlamentare?! Atëherë doli abstraksioni: Nëse i lejojmë presidentët e demokracive parlamentare të imponohen deri te çeshtja e territoreve, përligjet kështu antidemokracia, shteti autokratik, ndërkohë që këto vende tentojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Europian?! Ndaj në Europën e qytetëruar nuk u gjend asnjë arësye të rërzohej kundërshtia e Berishës dhe e kritikëve të tjerë brenda dhe jashtë Kosovës për idetë e ndryshimit të kufijve të Kosovës në favor të Serbisë. Duke ndjerë këtë ngërç, zoti Thaçi hodhi idenë se marrëveshja do të miratohet në Kuvendin e Kosovës dhe nëse nuk miratohet, atëherë ajo bëhet e pavlefshme… Hileja ishte dhe mbetet në prag të derës! “Na lejoni të diskutojmë, të vendosim, të nënshkruajmë një marrëveshje e pastaj ju zihuni dhe vrituni në betejën për ta miratuar ose jo atë”! Pikërisht këtë mënyrë të imponimit të idesë, me konflikt të brendshëm në Kosovë e jashtë saj, mënjanon edhe qëndrimi i prerë dhe i vendosur i Sali Berishës. Por Hashim Thaçi e kuptoi se përballja me Berishën e rrëzon përtokë atë. Në fakt duket se në këtë aventurë të jetë shtyrë për të shkuar në fundin e karrierës së vet politike. Atëherë u frikësua dhe filloi të thotë se “unë nuk e kam përmendur Berishën”! Qëllimi ishte jo shmangja e reagimeve të ish-kryeministrit të Shqipërisë, por “një ujdi” me të. Ndaj angazhoi “forcat speciale” të ndërjetësimit me kallauz Baton Haxhiun, me qëllim aranzhimin e një takimi të tij me Hashim Thaçin. Doktori nuk pranoi, pavarësisht ofertave të shumta e në disa drejtime. Batoni dhe Hashimi dëshmuan në këtë rast se nuk e njohin Doktor Berishën. Ata bënë çmos, kërkuan ndjesë për reagimet antiBerishë dhe u përulën me një AMAN të madh, vetëm që TV-të ta jepnin presidentin e Kosovës në krah të Sali Berishës! Takimet e Albin Kurtit, Behgjet Pacollit, Kadri Veselit, Ramush Haradinajt me zotin Berisha do të fshiheshin nga kujtesa, nëse Hashim Thaçi do të arrinte të ulej në zyrën e Doktorit! Prandaj ky i fundit e refuzoi kategorikisht një takim të tillë. Ndërkaq pati dhe një arësye tjetër pse Berisha refuzoi takimin me Thaçin: Presidenti i Kosovës donte të shkonte në zyrën e Sali Berishës për ta legjitimuar idenë e tij absurde të ndarjes së Kosovës. Nuk po shkonte aty që t’i thoshte publikut shqiptar” “Më falni! Unë gabova! U bëra spiker i Aleksandër Vuçiq! Nuk para ndonjë qëllim të keq, por u mashtrova! Heq dorë nga udhëheqja e negociatave e kjo nënkupton se heq dorë dhe nga çdo përpjekje për korrigjim apo ndryshim të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë”! Jo, Hashim Thaçi donte të shkonte në katin X të Coin-it si misonar i Aleksandër Vuçiq e në këto kushte kompromisi ishte i pamundur. Po ashtu një shtrëngim duarsh midis tyre! Më së fundi duhet thënë se Sali Berisha ka meritën e padiskutueshme për atë që ai imponoi: E bëri të pamundur misionin antishqiptar të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq! Tirane, 19.09.2018

Filed Under: Opinion Tagged With: dështoi në përballjen, Enver Bytyci, me Sali Berishën?, Pse Hashim Thaçi

Kur presidenti fsheh të vërtetën pse Kosova është rast sui generis?!

September 15, 2018 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/ Në një postim në FB sot presidenti i Kosovës u përpoq rishtas të shërbejë ta pavërteta ose gjysmë të vërteta, me qëllim që të përligjë iniciativën serbë të ndryshimit të kufijve Kosovë-Serbi. Ajo që zoti Thaçi pohoi sot ishtë fjalë për fjalë kjo: “Lufta për liri, intervenimi humanitar i NATO-s, shpallja e pavarësisë së Kosovës në mënyrë të koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare, pavarësia e mbikëqyrur dhe shtetndërtimi, janë vetëm disa nga veçoritë që e kanë bërë Kosovën të trajtohet si një rast i veçantë. Në prag të shpalljes së deklaratës së pavarësisë, kishte shqetësime se Kosova mund të shërbente si rast precedent për vende apo rajone të tjera në botë. Por, këto shqetësime dolën të pasakta. Gjithashtu, një shqetësim tjetër i madh ishte frika nga eksodi masiv i komunitetit serb që jeton në Kosovë. Edhe ky shqetësim doli krejtësisht i pasaktë”. Në këto fraza gjenden dy aksioma të pavërteta, të rrejshme, jo shkencore, jo reale: Së pari, ta nisim nga argumentet pse Kosova konsiderohet një rast i veçantë? Për dijeninë e lëxuesve, unë kam shkruar një libër që në vitin 2007 me titullin “E drejta e Vetëvendosjes: Rasti i Kosovës”, libër që është përkthyer e botuar në gjërmanisht ne Saarlandme titullin “Das Selbstbestimmungsrecht: De Fall Kosovo”. Në atë libër kam dhënë qindra argumente pse Kosova është rast i veçantë. Kam cituar ekspertë të së drejtës ndërkombëtare, historianë, politologë, njohës të shkëllqyer të çeshtjes shqiptare e atyre ballkanike. Dhe në asnjë rast nuk thuhet se Kosova është rast specifik pse paska ndërhyrë NATO, pse shqiptarët kanë luftuar për liri, apo pse ajo paska shpallë pavarësinë. Vendet janë pavarësuar kudo përmes liftës për liri. Të gjitha vendet e pavaruara sa janë në botë e kanë shpallur pavarësinë e tyre përmes një akti juridik. Të gjitha ato kanë fituar indipendencën me përkrahjen ndërkombëtare. Ndërsa në Kosovë ndërhyrja e NATO-s ishte kulminacioni i mbështetjes ndërkombëtare. Për pasojë asnjëhar prej këtyre elementëve që përmend zoti Thaçi nuk e bën Kosovën një rast specifik. Kosova është rast i veçantë për atë që zoti Thaçi nuk guxon ta përmendë: Shteformimi i saj erdhi për shkak të dhunës, terrorit, zhdukjes fizike dhe shpërnguuljes masive të shqiptarëve nga ana e Serbisë së Milosheviçit. Nuk kishte ndodhur së paku në Europë, përveçse në kohën e Hitlerit, ajo që ndodhi me shqiptarët në Kosovë si rezultat i ushtrimit të politikave të shfarosjes së shqiptarëve nga ana e makinerisë ushtarake dhe policore të Milosheviçit. Kjo e bëri Kosovën rast unikal, duke ia njohur të drejtën ta refuzojë sovranitetin e Serbisë, ashtu siç mbetet unikal krijimi i shtetit të Izraelit. Holokausti hitlerian solli shtetin e Izraelit, genocidi serb solli shtetin e Kosovës në ato kufij të njohur tashmë nga 113 vende të botës! Po pse Hashim Thaçi nuk flet asnjëherë në bisedime e në këtë postim për thelbin e çeshtjes?! Ku i fle atij lepuri?! Sepse me deklaratat e tij ai ka marrë përsipër rolin e spikerit, zëdhënësit të Serbisë! Mesa duket edhe kjo që shkroi sot në FB ishte formuluar në Beograd ose zyrat e kryeministrit të Shqipërisë në Tiranë! Ai e di se masakrat serbe në Kosovë, përdhunimet, zhdukja e mijëra shqiptarëve sot ende të pagjetur, djegjet massive të pronave të shqiptarëve, dëbimi i mbi një milionë prej tyre janë shkaku i ndarjes së Kosovës nga Serbia! Ndërhyrja e NATO-s, lufta për liri dhe shpallja e pavarësisë janë pasoja. Pasoja nuk mund të shërbejë si rast sui generis, Veçantinë e japin shkaqet. Për ta çuar më tej këtë ide: Pse nuk ia kërkon zoti Thaçi mikut të tij, zotit Vuçiq, publikimin e projektit “Patkoi” të Milosheviçit, projekt i cili në janar 1999 ra në dorë të Joschka Fischer dhe publiku të shohë se cila është e veçanta e asaj që ndodhi në Kosovë?! Nuk ia kërkon, sepse zëdhënësi thjesht merr e lexon ato që shkruan padroni! Njëmijë herë më shumë ka folur këto vite Vlora Çitaku për krimet monstruoze të Milosheviçit në Kosovë, sesa vetë presidenti i Kosovës?! Frika e zotit Thaçi për të pohuar të vërtetën e krimeve të Milosheviçit e të Vuçiqit në Kosovë nuk e ndryshon dot të vërtetën! Ndërkohë Kosovën e bën rast specifik sjellja komike e presidentit të sotëm të saj. Eshtë unike që presidenti i një vendi bën shërbyesin e agresorit, i cili para pak vitesh donte ta zhdukte popullin e tij nga faqja e dheut! Eshtë unike në historinë e shteteve që presidenti i një vendi merr dhe e bën të vetën idenë e armikut të vendit të tij në emër të pajtimit! Kjo komedi tipike shqiptare e kosovare, po, është unike, sui generis! Ato që përmend zoti Thaçi nuk janë të tilla! Së dyti, zoti Thaçi i emërton “skeptikët” e kritikët e tij të sotëm me ata që ishin skeptikë për pavarësinë e Kosovës. Kot për ta pyetur: A ishte asokohe skeptik ambasadori Albert Rohan, i cili projektoi bashkë me Ahtisaarin dokumentin ndërkombëtar të pavarësisë?! Pse manipulon e nuk thotë dhe në këtë rast të vërtetën presidenti i Kosovës? Nga kush erdhi ideja e ndryshimit të kufijvë? Nga Beogradi dhe Moska. Këta ishin dhe janë kritikët më të mëdhenj të planetit sa i përket shpalljes së pavarësisë së Kosovës?! Serbia dhe Rusia përhapën dhe përhapin panikun se “pavarësia e Kosovës” do të destabilizojë rajonin dhe Europën! Ndërsa sot ato thonë se “ndarja e Kosovës nuk sjell destabilizim”! Ndërkohë zoti Thaçi është vënë në rolin e spikerit të lajmeve që vijnë nga Beogradi e Moska. Në mbështetje të tij janë shërbëtorët mediatikë që shpërndajnë hartat e shkëmbimit të territoreve! Tiranë, më 15.09.2018

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, presidenti i Kosoves, te pavertetat

Si mund të bëhet i besueshëm kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli?

September 13, 2018 by dgreca

Nga Enver Bytyçi /

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ishte sot për vizitë në Tiranë. Ai u takua me disa personalitete të Shqipërisë dhe përsëriti kudo tezën se “Kosova është shtet i pavarur e sovran, askush nuk mund ta dëmtojë atë, askush nuk mund ta ndajë Kosovën, askush nuk mund të ndërtojë Republika Srpska në të, nëse ne populli i Kosovës, përfaqësuesit politik, jemi bashkë, pozitë e opozitë”. Kjo ishte deklarata e tij më kuptimplote pas takimit me ish-kryeministrin e Shqipërisë Dr. Sali Berisha. Një deklaratë për t’u përshendëtur! E vërteta është së zoti Veseli gjithnjë gjatë debatit me presidentin e Kosovës ka mbajtur një qëndrim së paku ndryshe, herë-herë edhe me nuance të kundërta. E vërteta është gjithashtu se linja e qëndrimit të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës ka shkuar në një akord me kritikët e zotit Thaçi. Edhe deklarata e sotme duhet lexuar si e tillë. Po pse zoti Veseli nuk po krijon ende kohezionin e tij?! Pse nuk po mund t’i bashkojë të gjithë faktorët politikë në pozitë e në opozitë për t’iu kundërvënë hapur dhe fort përpjekjeve të zotit Hashim Thaçi për ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë?! Arësyetimet janë të shumta, hamendësimet akoma më shumë. Por një analizë e thjeshtë e ndodhive, deklarimeve, taktizimeve të bën të mendosh se kryetari i Kuvendit të Kosovës është në vështirësi. Nuk mund të besohet që ai nuk i kupton lëvizjet taktike të shefit të tij, Hashim Thaçi. Çdokush në Kosovë e di tashmë se zyra e presidentit prodhoi idenë brenda kosovare për rishikimin e kufijve dhe humbjen e territoreve. Më pas u ndoq taktika e shkëmbimit, rregullimit ose korrigjimit të këtyre kufijve. Aksionet e presidentit të Kosovës ishin kombëtare e ndërkombëtare në funksion të idesë së Aleksandër Vuçiq për ndryshimin e kufijve. Madje me lutje, thirrje e kërcënime për atë se “pse shqiptarët dhe të huajt nuk e kuptojnë idenë e zotit Thaçi dhe zotit Vuçiq”!!! Kur zoti Thaçi u hakërrehet më të mmëdhenjve të Europës, deri zonjës Merkel, për kundështitë e saj në zbatimin e idesë Thaçi-Vuçiq-Rama për ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, çfarë do të ndodhë nëse i kundërvihet hapur atij Kadri Veseli?! Tërmet! Në një rast të tillë presidenti do të aktivizonte gjithë municionin e tij politik korruptues te deputetët dhe politikanët e partisë që ai ka themeluar dhe të partive tjera opozitare ose jo, me qëllim që ta çonte Kadri Veselin në gijotinën politike. Prandaj Kadri Veseli është në vështirësi. Nëse ai po flet me sinqeritet dhe për këtë nuk kam ndonjë arësye madhore të dyshoj, unë mendoj se zoti Veseli i ka dhënë shumë gojës kundër idesë së zotit Thaçi për ndryshimin e kufijve. Por që kryetari i parlamentit të Kosovës, kryeministri gjithashtu, po ashtu kreu i Grupit Negociator, zoti Limaj, të besohen dhe të krijojnë kohezionin e kërkuar, pra unitetin e politikës së Kosovës, duhet të deklarohen qartë së fundmi për një çeshtje serioze, atë të Luginës së Preshevës. Aksioni politik i zotit Thaçi për ta përfshirë Luginën e Preshevës dhe politikanët e saj në projektin për ndryshimin e kufijve të Kosovës ka krijuar një ngërç të madh. Së pari ka përçarë faktorin politik, ashtu të përçarë, në Luginë. I ka dhënë mundësi autoriteteve të Beogradit që të shtojnë presionin për shpopullimin këtij territori nga shqiptarët. Ka vënë nën terror shqiptarët që jetojnë në fshatra dhe zona me popullsi të përzier me serbët. Ky aksion politik i personalizuar nga presidenti i Kosovës është në funksion të idesë “Marrim Preshevën, (nja pesë fshtra të saj) dhe japim veriun e Kosovës”! Sepse askush në këtë botë, as ufot në planetin Mars, nuk besojnë në formulën që përpiqet ta shesë zoti Thaçi se “Ne nuk lëshojmë territore, por Luginën do ta marrim”! Edhe mashtruesit hipnotizues e kanë një kufi, ndërsa Hashim Thaçi nuk ndalet në këtë ves! Zoti Veseli dhe të tjerët duhet të deklarohen, të mbajnë qëndrim ndaj çdo skenari dhe aventure që fabrikon presidenti i Republikës së Kosovës dhe jam i sigurt se do ta bashkojë faktorin shqiptar në këtë vend për dialogun me Serbinë me parametrat që ai i pohon vetë. Në fund të fundit deklarimi i zotit Thaçi është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, në të cilën thuhet se “Kosova nuk ka pretendime territoriale ndaj fqinjëve”. Ndryshe do të jetë vështirë për konsensus e unitet, do të jetë vështirë për Kosovën dhe territorin e saj, do të jetë vështirë dhe për vetë kryetarin e Kuvendit të Kosovës,, Kadri Veselin! Tirane, 12.09.2018

Filed Under: Analiza Tagged With: Besueshmeria, Enver Bytyci, Kadri Veseli, Kryetari i Kuvendit

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 29
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kosova pret “Defender Europe 23”
  • E KEQJA VJEN CDO DITE NGA PAK…
  • KALLUSHI, RUGOVA DHE XHEMA…
  • Rikthimi i grekoproblemit në Himarë për shkak të korrupsionit shqiptar
  • LEONARD NEWMARK OBITUARY
  • U mbajt Akademi përkujtimore dhe promovimi i librit FRROK GOJANI PEDAGOG DHE MISIONAR I DENJË I SHKOLLËS SHQIPE
  • V I K T O R G J I K A…
  • Figurat
  • SHKOLLA DHE SPITALE APO ARSIM DHE KUJDES SHËNDETËSOR?
  • Miqtë apo vartësit e Fatos Baxhakut?
  • PER KRISTAQ DHAMON…
  • TË ARRITURAT E AMBASADORËVE TË KULTURËS, GJUHËS DHE TRADITËS SHQIPTARE NË SKANDINAVI NUK KANË TË NDALURA
  • Në Prishtinë hapet Seminari i 40-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare
  • Një atentat për shqiptarët dhe një dhuratë për Serbinë !
  • Kryeministri Kurti e Presidentja Osmani pritën në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT