
Prof.as.dr. Haxhi Ademi/
Vepra “Plani ‘Patkoi’ – Vazhdimësi e doktrinës serbe për spastrimin etnik të Kosovës” i autorit Dr. Sylë Ukshini paraqet një studim tejet të rëndësishëm që trajton një nga temat më të ndjeshme të historisë bashkëkohore të Kosovës: vazhdimësinë e projekteve shtetërore serbe për ndryshimin e strukturës etnike të Kosovës dhe dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre.
Nga pikëpamja metodologjike, vepra është e ndërtuar në mënyrë të qartë dhe të organizuar, duke trajtuar temat në mënyrë sistematike dhe të argumentuar.
Argumentet mbështeten në dëshmi të shumta, duke bërë që kjo vepër të jetë një nga burimet më të besueshme për njohjen e ngjarjeve të trajtuara.
Përmes një qasjeje shumëdimensionale, autori analizon rrënjët ideologjike të politikave serbe që nga shekulli XIX deri në fund të shekullit XX, duke e vendosur Planin “Patkoi” në kontekstin e një vazhdimësie historike të politikave të spastrimit etnik.
Vepra është e ndërtuar mbi bazë të dokumenteve arkivore, memorandumeve politike, vendimeve gjyqësore ndërkombëtare, raporteve diplomatike dhe literaturës shkencore relevante.
Kjo e bën librin një kontribut me vlerë jo vetëm për historiografinë shqiptare, por edhe për studimet mbi gjenocidin dhe spastrimin etnik në Ballkan.
Në hyrje, autori paraqet argumentin kryesor të studimit, sipas të cilit politika e spastrimit etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës nuk ishte produkt i rrethanave të luftës së fundit, por rezultat i një projekti afatgjatë shtetëror serb.
Dr. Ukshini argumenton se nga Naçertania e Ilija Garashaninit deri te regjimi i Slobodan Millosheviqit ekziston një vijimësi ideologjike dhe politike që synonte krijimin e një shteti etnikisht homogjen serb.
Kapitulli i parë përqendrohet në analizën historike të doktrinave dhe projekteve serbe për zgjerim territorial dhe ndryshim demografik. Autori ndalet te Naçertania e vitit 1844, e cila konsiderohet si platforma themelore e nacionalizmit serb.
Më tej trajtohen dëbimet masive të shqiptarëve gjatë viteve 1877–1878, proceset e kolonizimit të Kosovës pas pushtimit serb të vitit 1912, Memorandumi i Vaso Çubriloviqit i vitit 1937, Konventa Jugosllavo-Turke e vitit 1938 dhe Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve i vitit 1986.
Duke i analizuar këto dokumente në mënyrë kronologjike, autori dëshmon se politika e spastrimit etnik ishte pjesë e një strategjie afatgjatë shtetërore.
Një nga vlerat më të mëdha të librit është mënyra se si autori arrin të lidhë projektet ideologjike dhe zbatimin praktik të tyre në terren.
Në këtë kuptim, Kapitulli i dytë paraqet thelbin e veprës, duke trajtuar Planin “Patkoi” si vazhdimësi të projekteve serbe.
Ukshini analizon objektivat, metodat dhe fazat e realizimit të këtij plani, duke argumentuar se operacionet ushtarake dhe policore serbe gjatë viteve 1998–1999 kishin për synim dëbimin masiv të shqiptarëve dhe krijimin e një realiteti të ri demografik në Kosovë.
Një rëndësi të veçantë merr analiza e debatit ndërkombëtar rreth besueshmërisë së Planit “Patkoi”.
Autori trajton në mënyrë kritike diskutimet politike dhe akademike që kanë shoqëruar këtë dokument, duke u mbështetur në burime gjermane, austriake dhe ndërkombëtare.
Në këtë aspekt, vepra paraqet një kontribut tejet të rëndësishëm për sqarimin e një çështjeje që për shumë vite ka qenë objekt debatesh në opinionin publik dhe në qarqet shkencore.
Një pjesë e rëndësishme e veprës i kushtohet ndërhyrjes së NATO-s dhe reagimit të bashkësisë ndërkombëtare ndaj krizës humanitare në Kosovë.
Autori argumenton se dëbimi i mbi 800 mijë shqiptarëve, masakrat ndaj civilëve dhe shkatërrimi sistematik i pronës shqiptare dëshmojnë ekzistencën e një strategjie të organizuar shtetërore.
Në këtë kontekst, ndërhyrja e NATO-s paraqitet si një faktor vendimtar për ndërprerjen e procesit të spastrimit etnik.
S