
Këto ditë padyshim që do të hyjnë si ditë të lavdishme në historinë e re të Shqipërisë, dhe kjo falë rinisë së Atdheut tim, e cila po bën krenar çdo shqiptar kudo që jeton e punon nëpër botë.
Padyshim që rinia e bukur e Atdheut tim janë bijtë dhe bijat e atyre që realizuan 90-ën, ëndrrat e mëdha të tradhtuara, por kurrë të harruara, pasi këto ditë po tregojnë se ato ditë të lavdishme të 90-ës po përkujtohen në mënyrën më të bukur të mundshme, duke i treguar botës një nivel qytetarie që me siguri e karakterizon kombet më të qytetëruara të botës dhe që po pasqyrohet nga mediat më prestigjioze ndërkombëtare.
Nuk besoj se ka shqiptar që e fajëson rininë e 90-ës se na e vodhën lëvizjen studentore dhe, bashkë me të, edhe të ardhmen e secilit prej nesh, si dhe të ardhmen e krejt shqiptarëve, duke e çuar vendin në prag të luftës civile të vitit 1997.
E bëra këtë hyrje jo sepse u bëmë xhelozë për rininë e mrekullueshme të Atdheut tonë, pasi prindërit vetëm dëshirojnë që bijtë e tyre të bëhen më të mirë se ata vetë. Por historia, fatkeqësisht apo fatmirësisht, po përsëritet.
Ekzaktësisht ata që po i bëjnë karshillëk rinisë së bukur shqiptare janë pikërisht ata që na vodhën ëndrrat dhe lirinë në vitin 1990. Ata sot janë sundimtarët dhe grabitësit e Atdheut tonë, dhe një pjesë të madhe prej nesh na degdisën rrugëve të botës me një çantë në shpinë.
Gjithashtu, ata janë sot në politikë, shtet e pushtet, dhe për 36 vjet kanë grumbulluar pasuri të mëdha nga djersa dhe prona e shqiptarëve, madje edhe e të gjithë atyre shqiptarëve që prej kohësh janë larguar nga Atdheu.
E bëra këtë histori të shkurtër të lëvizjes studentore në lidhje me protestat madhështore të ditëve të sotme për të treguar jo vetëm lidhjen e gjakut dhe të idealeve, por kryesisht për t’i thënë rinisë së mrekullueshme të Atdheut tim se nuk guxon të përsërisë gabimin e etërve tuaj, që ju besuam atyre monstrave dhe me naivitetin tonë ua lamë në kurriz brezit tuaj ende të papjekur mjaftueshëm, siç na dukej neve, por që po tregoni çdo ditë që kalon se jeni shumë më lart sesa ne ju kemi menduar para dy javësh.
Ju lutem, mësoni nga gabimet tona dhe mos u besoni, e mos pranoni në radhët tuaja këto mostra apo klonet e tyre, pavarësisht moshës që mund të kenë.
Baballarët e këtyre mostrave ishin përgatitur se 90-ta do të vinte dhe realizuan atë që e kemi parë përgjatë 36 viteve të fundit: nuk lanë gjë pa vjedhur e shitur vetëm për interesat e tyre sunduese. Ata realizuan atë që në vendin më të bukur dhe më të pasur të botës për njësi sipërfaqeje të mbillej varfëria më e madhe në Evropë, nëpërmjet sundimit të tyre, krimit dhe korrupsionit, duke shpopulluar Atdheun — atë që nuk e kanë bërë as pushtuesit shekullorë.
Rinia e bukur e protestave madhështore në rrugët e Tiranës, qëndroni të bashkuar pavarësisht diferencave tuaja të natyrshme deri në përmbysjen përfundimtare të politikës dhe pushtetit më të korruptuar të Evropës.
Jetën e keni përpara dhe do të keni kohë të shpalosni idetë dhe vizionin tuaj, padyshim të ndritshëm si rrezja e diellit, ashtu si vetë fytyrat tuaja.
Përmbysni këtë klasë politike kriminale dhe të korruptuar, pastaj suksesin e keni të garantuar, pasi Shqipëria është vendi më i bukur dhe më i pasur në botë për njësi sipërfaqeje, tamam si ajo historia e bajlozit që kishte zënë burimin.
Më lejoni, ju lutem, t’ju njoftoj se nga informacioni i drejtpërdrejtë nga White House, institucionet amerikane janë pranë jush dhe do të mbështesin e garantojnë institucionet tuaja demokratike në shërbim të Shqipërisë, shqiptarëve dhe aleancës strategjike me Shtetet e Bashkuara.
Zoti e bekoftë dhe e ndihmoftë rininë e mrekullueshme të Atdheut tim.
AJET DELAJ
New York