
Me respekt të veçantë, Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra, gazeta Dielli, mbarë vatranët e shqiptaro-amerikanët përkujtojnë me nderim dhe vlerësim patriotin e shquar, vatranin e përkushtuar, aktivistin e flaktë të çështjes kombëtare, atdhetarin fisnik Zef Balaj. Katër vite pas largimit, zemërbardhi e shpirtmadhi Zef Balaj i mungon shumë familjes së tij e kujtdo që e ka njohur, punuar e bashkëpunuar me të. I veçantë si njeri, si frymë, si shembull, Zef Balaj ishte fisnik, vizionar, besnik dhe atdhetar në të gjithë angazhimin e tij për 6 dekada.
Zef Balaj la pas një emër të mirë, të respektuar e të nderuar dhe një trashëgimi të shkëlqyer familjare, patriotike, komunitare e atdhetare.
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra është krenare që e ka vlerësuar Zef Balajn titull nderimi SENATOR I PËRJETSHËM I VATRËS me motivacion: “Shembull i atdhetarit të vërtetë, anëtarit të denjë të Federatës Vatra, kontribues dhe veprimtar i palodhur, bamirësit të madh dhe mbi të gjitha, njeriut të mirë”.
Presidenca e Republikës së Shqipërisë gjithashtu e ka nderuar patriotin Zef Balaj për veprimtari patriotike e merita të veçanta atdhetare me Titullin e Lartë: “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”.
Qoftë i përjetshëm nderimi dhe kujtimi për jetën dhe veprën e Zef Balaj.
Me mirënjohje dhe respekt të veçantë
Kryetari i Vatrës
Dr. Elmi Berisha