

Sot është 103-vjetori i lindjes së shkrimtarit Jakov Xoxa, i çmuar me të drejtë si njëri ndër shkrimtarët më të rëndësishëm shqiptarë. Një ditë si kjo duhet të na rikujtojë fuqishëm rëndësinë dhe vlerën e krijimtarisë së tij letrare e gjuhësore.
Prof. Dr.Shefkije ISLAMAJ
JAKOV XOXA – PASURUES I GJUHËS DHE I STILIT
Krijimtaria letrare-artistike e shkrimtarit Jakov Xoxa është shembull i shkëlqyeshëm i rikrijimit të jashtëzakonshëm poetik e gjuhësor të botës shqiptare me refleksione drejtuar kohës dhe paskohës së tij dhe të shqiptarëve kudo që janë. Me veprën e tij, ai i siguroi vetes vend të veçantë në letërsinë shqipe. Me ide të larta, me art të përsosur e me gjuhë shumë të pasur, shprehu lartësisht, përsosmërisht e thellësisht jetën shpirtërore e fizike të njeriut shqiptar dhe të tokës shqiptare në një qark të përcaktuar kohor e truallësor. Shumësia ndjenjore e mendimore e njeriut, e vendosur në ajrin e tokën shqiptare, në penën e tij të mprehtë e të përsosur mes tingujsh, fjalësh, shprehjesh, brenda sintaksës e ligjërimit të shqipes, marrin forcë tronditëse, madhështore: ai i bëri art botën e tij filozofike, përvojën e njohuritë e tij jetësore, por edhe dijet e përvojën e tij letrare. Në veprën e Xoxës etikja e estetikja janë të pandashme. Ai e ka ditur mirë siç e dëshmon qartë vepra e tij se “Vlera estetike nuk mund të ekzistojë ndaras vlerës etike, sepse këto dy përmasa në realitet krijojnë një te pandarë”. (Herman Broh)
Me prozën a tij artistike, me romanet, novelat, tregimet, sidomos me “Lumin e vdekur” dhe Lulet e kripës”, Jakov Xoxa, provoi se vepra letrare është gjuhëkrijuese, po aq sa është botëkrijuese, dëshmoi se gjuha si shprehje e përvojës njerëzore, e pasuruar ndër shekuj e breza, është, si do të thoshte Sapiri, e gatshme ose mund të gatitet shpejt për të përcaktuar individualitetin krijues”. Me individualitetin e tij krijues, ai la gjurmë në krijimin e përbashkët të pafundshëm gjuhësor të shumë brezave shqiptarë dhe kështu i siguroi shqipes një prestigj të veçantë duke na forcuar bindjen dhe mendimin e njohur se “gjuha nuk është instrument i dobët dhe fajtor pse nuk shfaqen maja në krijimtarinë letrare, por “fajtorë” janë faktorë të tjerë jashtë saj”.
Ata që e kanë lexuar veprën e letrare të Jakov Xoxës, pa dyshim se pajtohen me mendimin se ai ishte njëri ndër njohësit më të shquar të pasurisë gjuhësore të shqipes dhe njëri ndër lëvruesit më të zellshëm të fjalës së saj. Në këtë zell për përpunim e lëvrim të thellë të fjalës e të ligjërimit shqip, ai si duket se ka pasur parasysh thënien e njohur: “Bota përbëhet prej fjalëve dhe kush njeh fjalët mund ta ndryshojë botën”, prandaj Xoxa me fjalën e tij, me artin e gjuhën e tij, me etikën e estetikën e tij ka synuar ta ndryshojë botën shqiptare, në rend të parë jetën shoqërore të shqiptarëve, por edhe mendësinë e psikologjinë e tyre, sepse shqiptarët, thotë shkrimtari kanë çdo gjë të munguar: «edhe ujin, duke qenë në mes të ujërave; edhe peshkun duke qenë buzë gjolit e buzë detit; edhe vajin duke qenë bri pyjeve me ullishta; edhe kripën, duke qenë në mes të kripores; edhe verën, ndonëse rrethoheshin me vreshta; edhe bukën, megjithëse pranë fushës.» (L. k. I, f.
.
Me gjuhën, me fjalën, me artin i tij, ai ka mëtuar të ndryshojë njeriun shqiptar e atdheun e tij pa kufij shtetërorë. Këto mesazhe përçon vepra e tij.
Jakov Xoxa nuk ishte vetëm shkrimtar me dhunti të madhe krijuese, nuk shquhej vetëm me penën e tij të mprehtë e të latuar hollë, por ishte edhe zbulues e gjurmues i këmbëngultë i pasurisë e i mjeteve të pashterura gjuhësore të shqipes, të njohura e të panjohura, të reja e të vjetra, kumtuese e shprehëse, duke zgjeruar kështu kufijtë e gjuhës së sotme shqipe e të gjuhës standarde, me pasurim cilësor e sasior, me përsosmëri e estetikë të shprehjes gjuhësore. Si shkrimtar dhuntimadh ai e ka ditur se ashtu si toka që nuk i ka zbuluar të gjitha fshehtësitë e veta, edhe gjuha ka pasuri të shumta të pazbuluara, të fshehura, prandaj këtë pasuri të fshehur ai do ta gjurmojë, do ta zbulojë e do ta përpunojë vetëdijshëm e ndërgjegjshëm si asnjëri prej shkrimtarëve shqiptarë deri atëherë, pse jo edhe deri sot.
Jakov Xoxa, si njohës i thellë i shqipes, si përdorues e shfrytëzues i zoti i mjeteve e mundësive krijuese të shqipes dhe i mundësive të veta krijuese, përpunoi e ripërtëriu njësi e shprehje e gjuhësore nga “arkat e fshehta” të shqipes së moteve, shfrytëzoi burimet leksikore e frazeologjike në përmasa të gjera dialektore, pasuroi, zgjeroi e ripërtëriu edhe semantikën e shumë njësive leksikore të njohura e të panjohura; zgjeroi dhe pasuroi sinoniminë, variantet sinonimike, sidomos sinoniminë fjalëformuese; zgjeroi e zhvilloi antoniminë leksikore, stilistike e semantike; krijoi mjaft terma nga njësi të thesarit popullor: pasuroi leksikun me njësi njëfjalëshe, krijoi gjedhe të gatshme sintetizimi, pasuroi leksikun poetik: zgjeroi e pasuroi figurshmërinë e shqipes; zgjeroi e pasuroi figurshmërinë e disa klasave e grupeve tematike; figurativizoi edhe kategori morfologjike si folje, ndajfolje, mbiemra lëndorë: bëri rikuptimësimin e figurshëm dhe vlerësues të fjalëve dhe të togfjalëshave terminologjikë, si dhe të shumë njësive abstrakte.
Frazeologjia e Xoxës dëshmon karakterin sistemor e dinamik të gjuhës shqipe, larminë e mjeteve të saj dhe mundësitë e pakufishme të lidhjeve të ndryshme në këtë rrafsh gjuhësor. Mund të thuhet pa ngurrim se gjuha e Xoxës është ndër më të pasurat me frazeologji në letërsinë shqipe deri sot, me frazeologji gjuhësore, bashkime të lira fjalësh dhe frazeologji letrare. Ndeshim njësi frazeologjike të mbarë shqipes, aso të shtresuara së lashti në shqipen dhe njësi frazeologjike të krijuara nga vetë ai.
Ata që e kanë lexuar veprën letrare të Jakov Xoxës kanë pasur dhe kanë mundësinë të shohin se vepra e tij shpreh edhe pasuri të madhe etnokulturore e psikologjike, që na vjen përmes dokeve, zakoneve, riteve, miteve, legjendave, shprehjeve e kategorive të ndryshme gjuhësore si urti filozofike, fjalë të urta, aforizma, gnome, ndërtime të ngurosura, mallkime, urime, përshëndetje, pambarimisht shumë, dialektizma, nëndialektizma, toskizma e gegizma lokale, arkaizma dhe fjalë të huaja me ngjyresa stilistike, leksik me përcaktuesin fetar si dhe shumë neologjizma të vetë autorit. Një ndihmesë e çmueshme prandaj vërehet edhe në fushën e leksikut të veçantë (etnokulturor sidomos, etnografik, etnobotanik, etnozoologjik, etj.) Shembull:
«Natën e parë të acarit, kur kërret s’duruan, po lanë menjëherë lerat e dolën në sterë, ngakiet, jeshilsit, fishllemat, bisqet, çamlladarët e sqeplugat qëndruan në zemër të moçalit, duke llapashitur me këmbët e tyre, që të mos ngrinte ujët. Natën e dytë të fraqit, të lodhura e të këputura nga ky mund i kotë (se ujët ngrinte se ngrinte) hapën krahët e mblodhën këmbët dhe disa duke vërshëllitur si gur hobeje e të tjerat duke klithur ngak…ngak, lanë pllashtirën e dolën në breg.» (L. v. f. 215)
Por, arti i Xoxës shprehet edhe në stilin e tij letrar. Po përdor këtu një mendim të Umberto Ekos që më ndihmon ta përmbledh këtu mendimin për stilin e Xoxës. Ai thotë: “Në një kontekst letrar, mendoj se shpesh bëjmë gabim kur besojmë se stili lidhet vetëm me sintaksën dhe leksikun. Ekziston edhe stili narrativ që dikton mënyrën se si i bashkojmë pjesët dhe si rikrijojmë situatën”.
Dhe vërtet stili letrar i Xoxës, stili i rrëfimit të tij, mënyra si i bashkon pjesët e mëdha e pjesët e vogla tekstore, si rikrijon situata, si eseizon pamje natyre e pamje ngjarjesh të kaluara e ndodhi rastesh, si portretizon e si i aktualizon personazhet në këto situata e ndodhi, e bën prozën e tij plotësisht të veçantë.
Romani “Lulet e kripës” është roman i veçantë: roman që i ka çliruar dogmat e kufizimet e kohës, roman ku, ashtu si në “Lumin e vdekur”, kryqëzohen kohë, kultura, besime, filozofi, mite; është roman ku ndërthuren realja me fantastikën, ku ndeshen kontrastet e antitezat më të fuqishme, ku mbruhen simbolet më largvajtëse, ku marrin kuptime sipërore e sfidohen njeriu dhe të gjitha ato që përbëjnë jetën e tij: lindja e vdekja, liria e robëria, dashuria e urrejtja, shpresa e zhgënjimi, ëndrra e zhgjëndrra, kamja e skamja, urtësia e marrëzia, drejtësia e padrejtësia, lufta dhe paqja; është roman ku ndihet fort përcëllimi i diellit, ku shijohet thellë idhtësia e eshkës, njelmësia e fuqia jetësore e kripës, ku regjet e dergjet foshnja e plaku, ku të rrahë deti po aq sa jeta, ku mallkimit i njihet jehona përtej detit, ku liria dëshirohet e duhet më shumë se kripa.
Për këto arsye romanet “Lumi i vdekur” dhe “Lulet e kripës” të Jakov Xoxës janë romane tejet mbresëlënëse, janë romane që nuk lexohen vetëm njëherë dhe nuk lexohen vetëm njëherë, sidomos, për semantikën e estetikën e tyre gjuhësore. Kjo vlen edhe për “Jugën e bardhë” e novelat e tij.
Për të përjetuar estetikën e ligjërimit të shkrimtarit të madh Jakov Xoxa po sjell një fragment të shkurtër të legjendës së gjatë që nis romanin “Lulet e Kripës”:
“Dhe u mësuan ta hanin kripën me grusht, që t’ua bënte ujin të shijshëm, të ngopnin mullën dhe të gënjenin urinë. Në atë kohë doli ajo fjala që thotë se argatët nafariotë hanë bukë që të pinë ujë. Nuk shkoi shumë dhe banorët e Kripishtës erdhën e t’ u bënë si putarga të pjekura në diell e të thara në kripë. Gratë filluan të shterpëzohen në këtë truall të përvëluar nga pahu shëllirë i tokës e nga vesa e kripur e qiellit dhe e detit. Në atë kohë, thotë legjenda, lindi riti i netëve të vjeshtës, kur fillojnë reshjet e para dhe nuset nafariote lahen nën shi, duke ngritur fundin e tyre të gjatë e të rëndë, që ujët e ëmbël të qiellit t’ u shpëlajë kripën e hidhur të tokës e t’u kthejë pjellorinë. Dhe hëna ato net, ulet mbi tokë, kridhet në gjol e gjoli llamburin…”
Po kështu, estetikisht në mënyrë të përkorë e me dashuri të madhe Xoxa futi në “Lumin e vdekur” kosovarët e Kosovën. Ballë myzeqarëve, që i donte aq shumë, në veprën e tij janë përfshirë edhe kosovarët, të dëbuar e të përndjekur dhe të huaj në tokën shqiptare. Të parët toskë, të dytët gegë, merren vesh mirë, sepse flasin shqip. Ndahen e bashkohen sa herë, po prapë janë bashkë – kanë vuajtjen e përbashkët – janë shqiptarë në kohë të vështirë. Në fatkeqësinë e Pilos Shpiragut, ai, sheh fatkeqësinë e Shqipërisë, në fatkeqësinë e Sulejman Tafilit, fatkeqësinë e Kosovës. Jakov Xoxa, aq sa i dallon ata gjuhësisht, aq i bashkon sërish gjuhësisht: ata flasin shqip. Dallimet e vogla: leksiku i përbashkët, sintaksa e afërt, frazeologjia e njëjtë, mendësia e filozofia identike: mendojnë e jetojnë shqiptarçe. Nuk janë vetëm arsyet ideo-artistike e gjuhësore që kosovarët u jetësuan në “Lumin e vdekur”. Arsyet janë shumë të thella e shumë largvajtëse: “Lumi i vdekur” është vepër gjithëtruallsore shqipe, jo vetëm me subjektin, historinë, kohën, hapësirën, mendësinë psikologjinë, personazhet dhe sidomos me gjuhën.
Në vitin 1897 në numrin e parë të “Albanisë” së vet, Faik Konica për gjuhën shqipe pati shkruar: “E ashpër, e vrazhdë, si populli i fuqishëm që e flet, por edhe plot shije e hijeshi, si frutat dhe lulet e malit ku flitet, gjuha shqipe – ndonëse e varfëruar nga një palëvrim shumë herë shekullor – është e aftë të shprehë, me një ndjenjë të mrekullueshme, nuancat, konceptimet më të holla e të mprehta të mendimit njerëzor.”
Kjo fjali antologjike e Konicës duket sikur është shkruar për shqipen e Jakov Xoxës. Me veprën e tij letrare, ai i ndërtoi monument gjuhësor gjuhës shqipe.
Atij i takon jeta e pambarim si privilegj i njerëzve të mëdhenj të mendjes e të kulturës kombëtare dhe i takon në saje të artit të tij, në saje të gjuhës së tij, në saje të pamjeve larghedhëse të tij në kohë dhe hapësirë. Mund të thuhet kështu sepse ai na bashkoi si komb jo me retorikë po me njëmendësi: me artin e tij e me protagonistët e tij – me Adilat e Vitat.
(P.s. Kumtesë e paraqitur në Konferencën shkencore kushtuar 100-vjetorit të lindjes së Jakov Xoxës, mbajtur në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Tiranë, 7.6.2023.)