
Arben Iliazi/
Me Idriz Balanin u takova në ekspozitën e Luan Ramës “Shqipëria dhe shqiptarët në tablotë e piktorëve francezë të Shkullit XIX”. Idrizi është një nga mjeshtrat e skulpturës monumentale, që ka gdhendur historinë në mermer, gur e bronz, si autor i dhjetra shtatoreve, busteve e monumenteve, të vendosura nga Konispoli e Saranda, deri në Mitrovicë, Prishtinë, Deçan, Prekaz e Reçak, nga Shkupi deri në Itali, Rumani, Francë, Gjermani, e deri në Nju Jork, Uashington e Florida. Ka hapur disa ekspozita personale në Tiranë e në trojet shqiptare.
Idriz Balani, i cili është diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve (sot Universiteti i Arteve) në vitin 1980, në degën e skulpturës monumentale e të kavaletit, nën drejtimin e Andrea Manos (“Skulptor i Merituar”) dhe Hektor Dule (“Skulptor i Popullit”), është një skulptor shumëdimensional. Një autoritet i respektuar dhe kontributor i madh në artet pamore shqiptare. Gjithmonë pranë mjeshtrave të mëdhenj të skulpturës monumentale, si Mumtas Dhrami, duke mësuar sekretet e kryeveprave.
Përqasja e skulpturës së tij me figura luftëtarësh dhe patriotësh është kthyer në ndjesi dhe frymëzim. Spikatin personalitet e skalitura të figurave, apo ngjarjeve historike të njohura, të Kosovës dhe Çamërisë. Për punën e tij shumë dimensionale Balani është vlerësuar dhe shpërblyer me çmime të panumërta, me dekorata, medalje, si dhe diploma e fletënderi. Bashkia e Durrësit, në vitin 2013, e ka nderuar me titullin “Mirënjohja e qytetit”.
Në atelienë e tij në qytetin e Durrësit befasohesh nga bukuria dhe shumëllojshmeria e figurave të krijuara me teknika nga më të ndryshmet që njeh arti i skulpturës. “Vallja e Osman Takës” është një nga kryeveprat e tij.
Në veprat e tij ndihet shumë frymë, ndjesi, emocionalitet, ngjyrë, kontrast, harmoni dhe dritë. Po ashtu në veprat e tij ka shumë elementë folklorikë dhe etnografikë.
Elementët e artit popullor, harmonizohen me mjeshtëri me koncepet estetike. Shumë punime, në pamje të parë kanë një mister metafizik, midis ngarkesës fizike dhe organizimit logjik të vlerave plastike, dhe bëhen gjithmonë evidente me lartësimin e personalitetit, ku ndërthuren dëshira për jetën, për natyrën, toleranca për kontradiktat e kësaj bote, si dhe adhurimi i vlerave jetësore dhe kombëtare. “Vallja e Osman Takës” e Balanit ishte midis punëve të 105 artistëve nga 80 vende të botës, që u prezantuan në Nju Jork, në nëntor 2024.