
Luan Rama/
Saimir Strati është gjithnjë befasues, gjithnjë në kërkim të një ideje të re, pasuar kjo me një imazh në mozaik, pasi bota e tij është mozaiku. Me beretën e tij të përhershme, siluetë e pandryshueshme që nuk mund ta përjashtosh nga portreti i tij, ky artist e ka bërë mozaikun pjesë të tij jetësore, frymë, ku me siguri figurat që i shfaq jeta e përditëshme ai i shikon përmes imazhit mozaik, një vështrim sa i lashtë aq dhe modern. Duke punuar me mozaikun në qytezat antike të Apolonisë, Bylis apo Amantias për vite me rradhë mendoj se dhe ëndrrat e tij sot janë mozaikale, dehja e tij artistike gjithashtu, thua se artizanët e hershëm të lashtësisë e dërguan këtë pinjoll drejt botës moderne që do të vinte. Dhe ky përjetim i përgjëruar ka sjellë tek ai frutet e veta siç na e tregojnë dhe 11 çmimet rekord në Guinnes.
E takova para dy ditësh në Ekspozitën Ndërkombëtare të artit pamor të hapur para dy ditësh në Carrousel du Louvre, ku piktorja Valerijana Krasniqi, kishte kuruar veprat e pesë artistëve mes të cilëve dhe Ramë Dardania, Jacqueline Bislimi apo Eve Monnier. Krijimet e Stratit bien menjëherë në sy dhe impakti viziv është i menjëhershëm pasi koncepti i tij është sa i thjeshtë e i qartë aq dhe i fuqishëm artistikisht. « Rrëfimi » është një gjetje e bukur për rrëfimin e mëkatit, të cilët të krishterët e bëjnë tek prifti në intimitetin e kishës, pas grilave të drunjta, ndërkohë që Strati na e prezanton përmes një figurë gruaje nudo, me barkun shtatzënë (ndoshta në një mozaik tjetër do na jetë një burrë) përtej një rrjete, e cila në fakt është një mozaik gozhdash të vogla vendosur në mënyrën e tij, ashtu siç përdor ai zakonisht objekte industriale apo tapa, kokra kafeje, etj.
Po aq interesante janë dhe tablotë e tjera krijuar me guacka. Mozaiku “Cadra” apo “Shiu” përmes një rrjedhjeje guackash të ngjitura, të krijon përshtypjen e shiut që bie. Janë copëza guackash të bardha apo të zeza e të hirta, ashtu siç shohim shiun përmes dritës që i bie. Nga ekspozita në ekspozitë Strati ka krijuar universin e tij mozaikal duke eksploruar hapësira e teknika të reja në vepra të thjeshta por që krijojnë estetikisht të bukurën që na rrëmben. Atë mund ta quajmë “Njeriu-Mozaik”!