
Visar Zhiti/
Kur një popull guxon të ndryshojë, (kupto: qeverinë më shumë…), di ta përjetojë epokën gjithmonë si të re dhe të dobishme, po mendoja…Pasi lexova për zgjedhjet në Hungari, që pas 16 vjetësh humb Viktor Orbán dhe fiton opozita me Péter Magyar, desha të thosha diçka për dy shkrimtarët nobelistë hungarezë, por po e nis me pyetjen politike:
PSE FITON DHE PSE HUMB?
Po pse fitoi katër herë rresht Viktor Orbán dhe pse i humbi? Ai vërtet është një nga figurat më dominuese në politikën evropiane të dekadave të fundit. Ai i premtoi Hungarisë stabilitet dhe rregull, sovranitet dhe identitet, subvencione për familjet, ulje taksash dhe mbështetje për klasën e mesme. Dhe i bëri, lexoj sërish. Orban mbajti një qëndrim shumë të ashpër kundër emigracionit. Rriti kontrollin ndaj institucioneve dhe ndikimin ndaj drejtësisë, etj, etj. U fut në konflikt me Bashkimin Europian, gjë që dha ndikim negativ në ekonomi. Po kështu dhe qendrimet e tij ndaj Rusisë dhe luftës në Ukrainë, etj, etj.
Dhe vjen lodhja nga pushteti i gjatë, konsumimi, thonë opinionistët dhe mbështetësit fillojnë të kërkojnë ndryshim. Opozita bashkohet…Fituesi Péter Magyar vjen nga brenda sistemit, konservator i Qendrës së Djathtë dhe prandaj dhe u bë dhe më i besueshëm. Ai nuk kërkoi thjesht ndërrim qeverie, por pothuaj “ndryshim regjimi”. Hetime për mënyrën si janë përdorur fondet publike, krijime strukturash për rikthimin e pasurive të abuzuara. Luftë serioze korrupsionit. Rikthim i demokracisë institucionale. Pavarësi më e madhe për gjyqësorin. Fund kontrollit politik mbi mediat. Ai premton një Hungari të lirë, europiane.
Çështje që i duhen shumë dhe Shqipërisë tonë.
16 vjetë në pushtet. Nuk duhej të ishte dhe aq e zakonshme për kohën tonë pas shembjes së Murit të Berlinit dhe rënies së perandorisë komuniste. Lidershipi duhet ndërruar, se dhe idetë dhe projektet e së mirës pasurohen… etj, etj, e mund të vazhdoja të flisja kështu si në një fushatë elektorale…Hungaria deshi ndryshimin sërish, Hungaria që i flet botës dhe me zërat guximtarë të shkrimtarëve të saj. Prandaj…
Dhe desha të flas dhe unë për dy nobelistë të letërsisë moderne hungareze. Ka të bëjë me çështjen, si jo?
DY SHKRIMTARËT NOBELISTË
Imre Kertész
dhe
László Krasznahorkai.
Njëri erdhi nga burgjet dhe kampet e holokaustit, nga përvoja e vuajtjes dhe dhimbjes ekstreme të shekullit,
ndërsa tjetri nga ankthi metafizik i botës bashkëkohore tani. Të dy kanë njeriun përballë sistemit të frikës dhe shkatërrimit të kuptimit. Dhe ndoshta ndryshimi rinis, kur një popull guxon të rishikojë vetveten pa iluzione sërish. Dhe letërsia rilind kur njeriu nuk pranon të heshtë, kështu po thosha me vete. Po ç’sollën këta dy shkrimtarë në Hungarinë e tyre? Folën për politikë a patriotizëm? Jo. A ishin pjesë e pushtetit? Përkundrazi. Dhe as nuk janë. Përzjehen me fushatat elektorale?…
Është më e madhe ajo që kanë bërë dhe bëjnë, më e vyer dhe më e rëndësishme përherë. Do desha të përmbledh diçka, sa mundem këtu:
1.
Imre Kertész
(1929 – 2016)
Nobel 2002
…tregoi Aushwitz dhe Buchenwald, jo me patos, por ftohtë, pothuajse si të ishte “normale” për të na thënë se absurdi dhe tmerri mund të bëhen pjesë e përditshmërisë dhe mund ta humbësh lirinë dhe identitetin në mënyrë të padukshme.
Në totalitarizëm (nazizëm dhe komunizëm), njeriu në kushte çnjerëzore, a mundet të mbetet njeri?
Kur unë shkruaja për letërsinë e burgjeve, në librin “Kartela të Realizmit të Dënuar dhe Panteoni i Nëndheshëm”, kam marrë në ndihmë dhe Imre Kertész. Sipas tij Holokausti është një përvojë universale… që nuk ndan, përkundrazi bashkon – dhe thekson se – “holokausti ka krijuar një kulturë” dhe letërsia e kësaj kulture ka nisur shumë më herët, ajo madje mundi të frymëzojë dhe Shkrimet e Shenjta, dhe tragjedinë greke – dy kolonat e kulturës evropiane – në mënyrë që realiteti i pafalshëm të mund të linde faljen ose katarsisin.
“Evropa nuk eshtë vetëm treg i perbashkët dhe bashkim doganor, por dhe frymë dhe spiritualitet i përbashkët. Cilido që kërkon të bëhet pjesë e këtij shpirti, duhet të tejkalojë, midis shumë provave, dhe atë të përballimit moral dhe ekzistencial me holokaustin” (Imre Kertész “Il secolo infelice”, – librin e kisha gjetur italisht. Shën. imi.)
2.
László Krasznahorkai
(1953)
Nobel 2025
…tregon se pushteti absolut ushqehet me heshtjen. Dhe heshtja, nëse vazhdon për një kohë të gjatë, duket si rend… Pushteti ka nevojë për heshtjen. Njeriu, jo.
Qytetari e kupton se bindja nuk e shpëton, vetëm se e zbraz. Dhe vjen një ditë kur frika lodhet më shumë se liria. Asnjë flamur nuk e pastron më gjakun, dhe asnjë fjalë nuk e mbulon të vërtetën. Atëherë errësira fillon të çahet, si nga drita që vjen nga lart, dhe nga zëri që ngrihet nga poshtë.
Çfarë zërash! I dua… – MbiOpozitë – madhore.
E kam takuar László Krasznahorkai në Slloveni në një festival poezie, e kam treguar empatinë e tij për ata që vuajtën dhe shkruajtën burgjeve…
Sipas tij asnjë pushtet nuk është më i fortë se e vërteta që përpiqet ta fshehë dhe asnjë luftë nuk mund ta zhdukë plotësisht atë. Në kohë terrori dhe rrënimi, arti mbetet i vetmi vend ku njeriu mund të shpëtojë nga gënjeshtra e pushtetit.
(Arti përballë – Terrorit apokaliptik).
Letërsia ekziston përtej çdo presioni dhe pritjeje dhe ruan shpresën… se bukuria dhe dinjiteti ende ekzistojnë. Si shpirti. Po dhe me guximin e përditshëm për përmirësim…
* * *
A thua është dashur një letërsi tjetër që të sjellë dhe ndryshimin tjetër apo ndryshimi tjetër sjell dhe një letërsi tjetër? – po pyesja veten.
Shqipëria e postdiktaturës nuk shfaqi empati të vërtetë ndaj të përndjekurve, vuajtjes njerëzore, po edhe ndaj letërsisë që erdhi nga burgjet dhe internimet, e dënoi prapë me harresë, sidomos pushteti çaktual, i zgjatur dhe i korruptuar i bijve të Bllokut të diktaturës. Kur duhej të dënonin të kaluarën e rëndë që na lanë etërit…
A thua ka faj letërsia, që është dhe ndërgjegje dhe kujtesë? Te ne kishte faj, as nuk diskutohet më. Realizmi Socislist, kërcëllijnë dhëmbët…
Po një popull që nuk lexon? Patjetër që ka faj. Se nis me veten, me çdo vetvete. Këtu po ndal. Ndryshimi është kulturë e përbashkët.