
Më 15 prill 1923, në qytetin e Shkodrës nisi botimin e saj të përjavshëm gazeta “Ora e maleve”. Ajo u kthye shpejt në një platformë të rëndësishme të mendimit politik, shoqëror dhe kulturor të kohës, duke pasqyruar gjendjen politike dhe ekonomike të vendit, veçanërisht në zonën e Shkodrës.
Gjatë 51 numrave të saj deri në fund të vitit 1924, përmes analizave e kritikave ajo, kontribuoi në mbrojtjen e integritetit territorial të Shqipërisë dhe u bë zëri i opozitës liberale të kohës.
Në faqet e saj shkruan figura të njohura si Luigj Gurakuqi dhe Hilë Mosi, të cilët shpalosën idetë e tyre për një Shqipëri demokratike.
Gazeta ndërthurte seriozitetin politik me elemente satire. Kjo ishte një strategji komunikimi sa inteligjente, aq edhe thumbuese. Nga njëra anë, gazeta trajtonte tema patriotike si integriteti territorial, nga ana tjetër, demaskonte prapambetjen dhe korrupsionin duke përdorur satirën si një “teh” të mprehtë.
Gazeta “Ora e Maleve” pasqyroi zhvillimet e bujshme të vitit 1924 dhe trajtoi edhe programin qeverisës të Fan Nolit.
Muzeu Historik Kombëtar