• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FILATELIA SHQIPTARE NË VITIN 2026: ARRITJE TEMATIKE DHE SFIDA NË ZBATIMIN E PROGRAMIT TË EMETIMEVE

November 3, 2026 by s p

Besnik Fishta/

Viti 2026 mund të konsiderohet një vit me arritje të vlerësueshme për filatelinë shqiptare, veçanërisht për sa i përket përzgjedhjes dhe trajtimit të tematikave të emetimeve postare. Një vështrim mbi programin e realizuar evidenton përpjekjen për të pasqyruar vlera të rëndësishme të historisë kombëtare, trashëgimisë kulturore, natyrës dhe biodiversitetit shqiptar, krahas temave që lidhen me zhvillimet bashkëkohore dhe bashkëpunimin filatelik ndërkombëtar.

Një meritë e veçantë e këtyre emetimeve është përparësia që iu dha temave me karakter kombëtar, të cilat përmes pullave postare shërbejnë jo vetëm si objekte koleksionimi, por edhe si mjete komunikimi kulturor dhe dokumentimi historik. Në këtë këndvështrim, emetimi kushtuar xhubletës ishte ndër më përfaqësuesit e vitit. Përveç rëndësisë së temës, ai u dallua edhe për mënyrën e prezantimit, duke u shoqëruar me disa forma filatelike: seri pullash, zarfa të ditës së parë (FDC), karta maksimumi dhe buklet. Kjo shumëllojshmëri i dha emetimit një vlerë të shtuar koleksionimi dhe e bëri më të plotë paraqitjen e një prej elementeve më të veçanta të trashëgimisë sonë kulturore.

Një vend të rëndësishëm në program zunë edhe temat e faunës dhe florës shqiptare, të cilat tradicionalisht kanë interes të veçantë për koleksionistët. Në emetimet kushtuar faunës, përfaqësimi i shqiponjës, si simbol i identitetit kombëtar, i jep kësaj tematike një domethënie përtej aspektit natyror. Ndërsa emetimi për florën shqiptare solli në vëmendje bimë karakteristike të peizazhit tonë, si boronica e egër, fiku i detit, valanidhi dhe qepa e detit. Këto specie përfaqësojnë pasuri të rëndësishme të biodiversitetit, duke dëshmuar larminë e habitateve dhe përshtatjen e bimësisë me kushtet e ndryshme natyrore të vendit. Përmes këtyre pullave, filatelia merr edhe një funksion edukues, duke nxitur interesin për njohjen dhe mbrojtjen e natyrës.

Në të njëjtën linjë mund të vlerësohet emetimi kushtuar turizmit malor në Shqipëri. Pamjet e majave dhe luginave malore, nga Alpet shqiptare e më tej, paraqesin një pasuri të jashtëzakonshme peizazhore dhe krijojnë një imazh autentik të potencialeve turistike të vendit. Ky emetim nuk ka vetëm vlerë dokumentuese, por edhe promovuese, pasi pulla postare mbetet një ambasadore e vogël e vendit që udhëton përtej kufijve.

Një tjetër pikë e fortë e programit ishte emetimi “Ngjarje historike”, përmes të cilit u përkujtuan disa përvjetorë të rëndësishëm, që shënojnë një shekull nga themelimi apo krijimi i institucioneve me ndikim në jetën shqiptare. Ndër to përfshihen Instituti Femëror “Kyrias”, i themeluar nga Parashqevi Qiriazi, themelimi i Bankës së Shqipërisë, shpallja e Republikës së Shqipërisë dhe hapja e Shkollës Profesionale në Golem të Kavajës. Përzgjedhja e këtyre ngjarjeve ka rëndësi të veçantë, sepse përmes imazheve të ndërtesave historike rikthehen në kujtesë institucione që kanë ndikuar në zhvillimin arsimor, ekonomik dhe shtetëror të vendit.

Programi përfshiu gjithashtu figura të shquara të historisë dhe kulturës shqiptare, si Vaso Pasha, Qamil Buxheli, Albert Paparisto, Zija Shkodra dhe Papa Kristo Negovani,. Këto emetime dëshmojnë përpjekjen për të ruajtur kujtesën mbi personalitete që kanë dhënë kontribut në fusha të ndryshme të jetës kombëtare.

Vëmendje meriton edhe emetimi kushtuar digjitalizimit të sektorit postar, një temë që pasqyron transformimet teknologjike të shërbimeve dhe përshtatjen e tyre me kërkesat e kohës. Ndërkohë, emetimi për trashëgiminë kulturore, me temën e qëndisjeve, evidentoi një tjetër dimension të traditës sonë popullore, ku mjeshtëria artizanale, motivet dhe simbolika përbëjnë një pasuri të çmuar kulturore.

Interes paraqet edhe emetimi mbi zbulimet arkeologjike në varrezat mesjetare të Përmetit dhe në qytetin antik të Orikumit, ku janë zbuluar objekte të shumta zbukurimi. Përfshirja e këtyre zbulimeve në filateli është një mënyrë e mirë për të lidhur objektin postar me kërkimin shkencor dhe për të përcjellë te koleksionistët dëshmi konkrete të historisë sonë të hershme.

Në këtë panoramë nuk duhen lënë jashtë as emetimet EuroMed dhe ato të serisë Europa 2025, të cilat përfaqësojnë një dimension tjetër të filatelisë shqiptare, atë të pjesëmarrjes në tematika të përbashkëta dhe të komunikimit me hapësirën filatelike evropiane.

Nga pikëpamja sasiore, prodhimi filatelik i vitit 2026 përfshiu rreth 32 imazhe pullash, 12 zarfa të ditës së parë (FDC), pese blloqe filatelike dhe produkte të tjera shoqëruese. Në realizimin grafik u angazhuan piktorë me përvojë në fushën e filatelisë, si A. Baboci, Xh. Guga, G. Gjikopulli dhe S. Zani, si dhe shtëpia botuese Adel Co. Një element pozitiv ishte shoqërimi i çdo emetimi me qarkore informuese, ku pasqyrohen të dhëna të rëndësishme për çmimet, tirazhet, karakteristikat teknike të pullave dhe autorësinë artistike. Këto të dhëna janë veçanërisht të vlefshme për koleksionistët dhe studiuesit, pasi përbëjnë dokumentacionin bazë për identifikimin dhe vlerësimin e materialit filatelik.

Megjithatë, krahas vlerësimeve pozitive, analiza e vitit 2026 nxjerr në pah edhe disa problematika që nuk mund të anashkalohen. Më e rëndësishmja lidhet me faktin se dhjetë emetimet e realizuara gjatë këtij viti, sipas informacionit të disponueshëm, i përkisnin programit të vitit 2025. Pra, kemi të bëjmë me një program të zbatuar me vonesë, një problem që duket se është përsëritur edhe në vitet e mëparshme në veprimtarinë e Postës Shqiptare.

Nuk është një çështje thjesht administrative. Respektimi i kalendarit të emetimeve përbën një element të rëndësishëm të seriozitetit dhe besueshmërisë së një administrate postare. Vonesat ndikojnë drejtpërdrejt te koleksionistët vendas dhe të huaj, të cilët planifikojnë blerjet dhe plotësimin e koleksioneve në bazë të programeve të shpallura. Ato krijojnë gjithashtu paqartësi në dokumentimin dhe ndjekjen e zhvillimeve filatelike nga organizmat ndërkombëtarë, përfshirë edhe Bashkimin Postar Universal (UPU).

Është veçanërisht e papërshtatshme që një numër kaq i madh emetimesh të përqendrohet në muajt shtator dhe tetor të vitit 2026. Një praktikë e tillë e vështirëson ndjekjen e rregullt të programit dhe e privon çdo emetim nga një pjesë e vëmendjes që do të meritonte nëse do të prezantohej në kohën e parashikuar. Për më tepër, deri në këtë moment mbetet e paqartë se si do të veprohet me programin e emetimeve të vitit 2026 dhe në çfarë mase ai eshte i mundur te realizohet. Një tjetër mangësi vërehet në informimin që ofron faqja zyrtare e Postës Shqiptare në internet. Në disa raste, të dhënat e publikuara aty nuk janë të plota dhe nuk përputhen me informacionin më të hollësishëm të qarkoreve shoqëruese.

Një shembull konkret është mungesa e tirazheve të pullave, të dhëna me rëndësi të veçantë për dokumentimin dhe studimin filatelik. Në kohën kur informacioni digjital është mjeti kryesor i komunikimit, një administratë postare duhet të garantojë që të dhënat për emetimet të jenë të plota, të sakta dhe lehtësisht të aksesueshme. Në përfundim, viti 2026 dëshmoi se filatelia shqiptare ka potencial për të realizuar emetime me përmbajtje të pasur kombëtare, me vlera historike, kulturore, artistike dhe edukative. Përzgjedhja e temave ishte përgjithësisht e qëlluar dhe meriton vlerësim. Por cilësia e përmbajtjes nuk duhet të jetë e vetmja masë e suksesit. Ajo duhet të shoqërohet me korrektësi në zbatimin e kalendarit, transparencë në publikimin e të dhënave dhe vazhdimësi në informimin e koleksionistëve.

Për këtë arsye, është e domosdoshme që programi filatelik të shpallet që në fillim të çdo viti dhe të shoqërohet me një kalendar të qartë realizimi, të cilit Posta Shqiptare duhet t’i përmbahet. Vetëm kështu mund të ndërtohet një marrëdhënie besimi me koleksionistët dhe të rritet vlerësimi për filatelinë shqiptare në arenën ndërkombëtare. Suksesi në përzgjedhjen e tematikave duhet të ndiqet nga i njëjti seriozitet në realizimin e tyre. Filatelia shqiptare ka nevojë jo vetëm për emetime të bukura dhe me përmbajtje, por edhe për një administrim të rregullt, të parashikueshëm dhe profesional.

Filed Under: Kulture

Një shans ideal për Shqipërinë…

November 3, 2026 by s p

Prof. Afrim Krasniqi/

Historia politike e Shqipërisë ka treguar se sa herë kemi zhvilluar zgjedhje të reja dhe ka ndodhur një ndryshim i qeverisjes, kemi pasur edhe reforma. Gjatë mandatit të tyre të parë, si qeveritë e majta, ashtu edhe ato të djathta, kanë qenë më të orientuara drejt reformave. Sa herë që ata që kanë qenë gjatë në pushtet kanë zgjedhur thjesht të qëndrojnë në detyrë, pa ndërmarrë ndryshime thelbësore, pasojat kanë qenë shumë negative për vendin, për partinë politike përkatëse dhe për jetën politike në tërësi. Besoj se pikërisht kjo është situata që po përjetojmë aktualisht.

Nuk besoj se arritja e një marrëveshjeje politike do të jetë e lehtë. Për Ramën, largimi nga pushteti lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e karrierës së tij politike. Në rrethanat aktuale, largimi i Ramës mund të jetë i pakthyeshëm. Megjithatë, nuk e përjashtoj mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme dhe ndoshta ato përbëjnë të vetmen rrugëdalje nga kriza politike. Kjo do të kërkonte vullnet politik dhe një marrëveshje që të zbatohej përmes mekanizmave kushtetues. Por vetëm ndryshimi i qeverisë nuk do të ishte i mjaftueshëm. Nevojitet një pakt më i gjerë kombëtar për procesin e integrimit evropian, reformat kryesore dhe domosdoshmërinë e një fillimi të ri për demokracinë përfaqësuese në Shqipëri.

Protestat ofruan një shans ideal për Shqipërinë, për të reflektuar dhe për të parë të gjitha gabimet e dekadës së fundit. Është e habitshme nëse politika humbet një shans të tillë, në vend që t’i trajtojë, t’i respektojë, qoftë edhe thjesht t’i dëgjojë të rinjtë. Fatkeqësisht, ajo tregoi më shumë zell për denigrimin dhe akuzat ndaj tyre sesa për trajtimin e kërkesave të tyre. Pavarësisht kësaj dhe pavarësisht bilancit të protestave, kushdo që e njeh politikën e kupton se kemi arritur në një moment kur nuk mund të vazhdohet më kështu. Duhet reformë, duhet përmirësim, duhet reflektim, duhet një lloj rifillimi i sistemit politik, me më shumë hapësirë për rininë, më shumë demokraci dhe shtet të së drejtës. Tashmë janë identifikuar edhe individë dhe grupe që kanë potencialin për ta përfaqësuar këtë nevojë për ndryshim.

Mbi reformën e mundshme zgjedhore, sistemin elektoral më të mirë, gjendjen aktuale të sistemit politik, rolin e partive të reja dhe mundësinë për formacione të reja politike, si dhe mbi krizën aktuale dhe rrugëzgjidhjet, – disa opinione profesionale në https://www.balcanicaucaso.org/…/albania-elezioni…/

https://www.balcanicaucaso.org/…/albania-are-early…

Filed Under: Analiza

3 nëntor 1443 – Gjergj Kastrioti-Skënderbeu kthehet në atdhe për të rizgjuar Arbërinë dhe për ta rikthyer në historinë e Evropës

November 3, 2026 by s p

Kthimi i Gjergj Kastriotit në Arbëri, në nëntorin e vitit 1443, ishte një prej atyre çasteve kur historia e një populli ndryshoi drejtim. Një njeri që kishte njohur oborret, ushtritë dhe fuqinë e Perandorisë Osmane, vendosi të shkëputej prej saj dhe të kthehej në tokën e të parëve. Ai nuk u kthye thjesht për të rimarrë një zotërim familjar, por për të mbledhur rreth një ideali princat arbërorë, për të bashkuar forcat e shpërndara dhe për t’i dhënë qëndresës një prijës, një flamur dhe një horizont historik.

Më 3 nëntor 1443, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u shkëput nga ushtria osmane, në rrethanat e tronditjes që kishte shkaktuar disfata e saj në betejën e Nishit përballë forcave të udhëhequra nga Janosh Huniadi. Ky ishte çasti që ai kishte pritur për të realizuar një vendim të menduar gjatë: të braktiste shërbimin ndaj sulltanit dhe të kthehej në Arbëri, ku do të rimerrte trashëgiminë e të atit, Gjon Kastriotit, dhe do të ngrinte një qëndresë të organizuar kundër fuqisë osmane.

Kthimi i tij nuk ishte një aventurë e çastit, as një rebelim i nxitur vetëm nga rrethanat e një beteje. Ishte një akt i guximshëm politik dhe ushtarak, në të cilin ndërthureshin përvoja e fituar në ushtrinë osmane, njohja e strategjisë së kundërshtarit dhe vetëdija për mundësinë e bashkimit të forcave arbërore. Sipas traditës historike, ai u largua i shoqëruar nga rreth 300 kalorës shqiptarë, besnikë të tij, me të cilët mori udhën drejt Krujës.

Për të kuptuar përmasën e këtij vendimi, duhet kujtuar se Gjergj Kastrioti nuk ishte një prijës që vinte nga jashtë për t’i mësuar popullit të vet luftën. Ai e njihte nga brenda fuqinë ushtarake të Perandorisë Osmane, kishte shërbyer në strukturat e saj dhe kishte fituar përvojë në artin e komandimit. Pikërisht kjo njohje e bënte kthimin e tij edhe më domethënës: ai po vinte të përballej me një perandori, strategjitë, mekanizmat dhe dobësitë e së cilës i njihte më mirë se shumë prej kundërshtarëve të saj.

Më 28 nëntor 1443, pas një udhëtimi që shënoi një prej kthesave vendimtare të historisë sonë, Gjergj Kastrioti mori në zotërim kështjellën e Krujës. Sipas rrëfimit të Marin Barletit, ai shfrytëzoi një manovër të zgjuar, duke përdorur një urdhër të falsifikuar në emër të sulltanit për të siguruar dorëzimin e fortesës. Kështu, qyteti që kishte qenë qendra e trashëgimisë së Kastriotëve u bë përsëri selia e pushtetit të tij dhe pikënisja e një epoke të re të qëndresës arbërore.

Mbi bedenat e Krujës u ngrit flamuri i Kastriotëve, me shqiponjën e zezë dykrenare mbi fushën e kuqe. Ky simbol, që do të bëhej ndër shekuj një prej shenjave më të fuqishme të identitetit shqiptar, mori një domethënie të re politike dhe historike. Nuk ishte thjesht një flamur familjar që rikthehej në kështjellën e të parëve, por shenja e një pushteti arbëror që sfidonte sundimin osman dhe kërkonte të bashkonte principatat e vendit.

Në traditën historike, këtij çasti i lidhet edhe thënia e famshme që Marin Barleti ia atribuon Skënderbeut, drejtuar bashkëkombësve të tij: “Lirinë nuk jua solla unë, por e gjeta këtu në mesin tuaj.” Kjo fjali, pavarësisht se na vjen përmes një burimi të mëvonshëm, ka fituar vlerën e një simboli të vetëdijes së lirisë. Ajo shpreh një ide thelbësore: liria nuk është dhuratë e një njeriu për të tjerët, por një aspiratë që jeton në ndërgjegjen e një populli dhe pret çastin historik për t’u bërë veprim.

Por Skënderbeu e kuptoi se marrja e Krujës ishte vetëm fillimi. Arbëria ishte e ndarë në zotërime princërore, me interesa dhe rivalitete që shpesh e dobësonin aftësinë e saj për të vepruar si një trup i vetëm politik e ushtarak. Përballë një perandorie me burime të mëdha njerëzore dhe ushtarake, trimëria e veçuar nuk mjaftonte. Nevojitej bashkim, organizim, diplomaci dhe një strategji që do ta kthente gjeografinë e vështirë të vendit në avantazh mbrojtës.

Kjo përpjekje mori formën e saj më të rëndësishme më 2 mars 1444, në Kuvendin e Lezhës, ku u mblodhën princat dhe përfaqësuesit e familjeve të mëdha arbërore. Aty u krijua Lidhja e Lezhës, një aleancë politike dhe ushtarake kundër Perandorisë Osmane, me Gjergj Kastriotin në krye si komandant të përgjithshëm. Ishte një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme, sepse përtej dallimeve dhe interesave të veçanta, princat arbërorë pranuan nevojën e një veprimi të përbashkët për mbrojtjen e trojeve dhe të lirisë së tyre.

Kështu, kthimi i nëntorit 1443 mori përmasën e një projekti historik. Skënderbeu nuk u mjaftua me rikthimin e pushtetit të Kastriotëve, por u bë qendra e një bashkimi që kapërceu kufijtë e një principate. Ai e shndërroi qëndresën nga një përpjekje e shpërndarë në një organizim të qëndrueshëm ushtarak dhe diplomatik. Beteja e Torviollit, më 29 qershor 1444, ishte një prej dëshmive të para të fuqisë së kësaj ushtrie të organizuar dhe të aftësisë së tij për të përballuar forca numerikisht më të mëdha.

Për afro një çerek shekulli, deri në vdekjen e tij më 17 janar 1468, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu do të ishte figura qendrore e luftës shqiptaro-osmane. Fushatat ushtarake, mbrojtja e Krujës, manovrat në terrenin malor dhe aftësia për të shfrytëzuar lëvizjet e kundërshtarit e shndërruan Arbërinë në një prej vatrave më të rëndësishme të rezistencës ndaj zgjerimit osman në Evropën Juglindore.

Qëndresa e tij nuk mbeti një çështje vetëm shqiptare. Ajo tërhoqi vëmendjen e papatit, të mbretërive italiane, të Napolit, të Venedikut dhe të oborreve të tjera evropiane. Marrëdhëniet diplomatike, kërkesat për ndihmë dhe bashkëpunimi me fuqitë e kohës dëshmojnë se Skënderbeu e kuptonte luftën jo vetëm si përballje në fushëbetejë, por edhe si një përpjekje për ta vendosur çështjen arbërore në tryezat ku përcaktoheshin interesat e mëdha të kontinentit.

Në këtë përmasë qëndron edhe rëndësia e tij për historinë evropiane. Në një kohë kur Perandoria Osmane po zgjeronte fuqinë e saj dhe kishte tronditur ekuilibrat e kontinentit, qëndresa e arbërorëve nën udhëheqjen e Skënderbeut u bë një faktor i rëndësishëm në frontin e përballjes me këtë zgjerim. Ai u shndërrua në një figurë të njohur përtej kufijve të vendit, ndërsa emri i tij u përjetësua në kronika, histori, letërsi dhe kujtesën politike të Evropës.

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu nuk ishte vetëm një strateg i shquar ushtarak. Ai ishte edhe një burrë shteti, një organizator i bashkimit politik, një diplomat që dinte të ndërtonte aleanca dhe një udhëheqës që kuptoi se liria nuk mund të mbështetet vetëm te trimëria individuale. Ajo kërkon vetëdije kolektive, institucione, organizim dhe përgjegjësi historike.

Emri i tij mbetet një prej përfaqësimeve më të rëndësishme të shqiptarëve në historinë botërore. Jo vetëm për fitoret e arritura, por edhe për atë që simbolizon: aftësinë e një populli të vogël për të mbrojtur identitetin, dinjitetin dhe të drejtën e tij për të qenë zot i fatit të vet.

Më 3 nëntor 1443, Skënderbeu nuk solli lirinë si një dhuratë të gatshme. Ai u kthye për t’i dhënë asaj prijës, organizim dhe një horizont historik. Dhe kjo është trashëgimia e tij më e madhe: ta shndërronte qëndresën në vetëdije, vetëdijen në bashkim dhe bashkimin në një nga kapitujt më të ndritshëm të historisë arbërore.

Albert Vataj

Filed Under: Emigracion

Çështja e Adriatikut: Qendrimi i Presidentit Wilson kur fati i Shqipërisë u bë pjesë e pazarit

November 3, 2026 by s p

Nga Rafael Floqi/

Hyrje mbi artikullin e New-York Tribune, 28 shkurt 1920

Çështja e Adriatikut ishte një nga konfliktet më të ndërlikuara diplomatike që mbetën të pazgjidhura pas Luftës së Parë Botërore. Në pamje të parë, ajo dukej si një mosmarrëveshje ndërmjet Italisë dhe Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene për Fiumen (Rijekën), Dalmacinë dhe kontrollin e bregdetit lindor të Adriatikut. Por pas kësaj përplasjeje fshihej edhe fati i Shqipërisë, pavarësia dhe tërësia territoriale e së cilës rrezikonin të sakrifikoheshin për të pajtuar pretendimet e dy fqinjëve.

Rrënjët e konfliktit gjendeshin te Traktati i fshehtë i Londrës, i 26 prillit 1915, me të cilin Fuqitë e Antantës i kishin premtuar Italisë Vlorën, Sazanin dhe territore të tjera në Adriatik, ndërsa Shqipëria e mbetur parashikohej të copëtohej në zona ndikimi dhe kontrolli. Pas luftës, krijimi i shtetit jugosllav e ndërlikoi më tej situatën. Italia kërkonte përmbushjen e premtimeve territoriale, ndërsa jugosllavët kundërshtonin zgjerimin italian në Dalmaci, por njëkohësisht synonin përfitime strategjike në Shqipërinë veriore.

Kështu, Shqipëria, megjithëse nuk ishte shkaktare e konfliktit, rrezikonte të bëhej monedhë shkëmbimi për zgjidhjen e tij. Marrëveshjet e propozuara në Paris, sidomos kompromisi i janarit 1920, parashikonin përfitime italiane në Vlorë dhe cenimin e sovranitetit shqiptar. Një marrëveshje italo-jugosllave mund të arrihej në kurriz të një kombi të tretë. Pikërisht këtu ndërhyri Presidenti Woodrow Wilson. Megjithëse sëmundja e rëndë e kishte penguar të merrte pjesë drejtpërdrejt në negociatat përfundimtare, mungesa e tij fizike nuk nënkuptoi mungesë politike. Përkundrazi, nga Washingtoni, përmes notave diplomatike të shkurtit 1920, Wilsoni kundërshtoi zgjidhjet që shpërblenin pretendimet territoriale të fuqive të tjera në dëm të popullsive të treta.

Artikulli i New-York Tribune, i 28 shkurtit 1920, është një dëshmi e rëndësishme e kësaj përplasjeje. Gazeta njoftonte se kryeministrat britanik dhe francez kishin pranuar propozimin amerikan për negociata të drejtpërdrejta italo-jugosllave dhe shprehnin pajtim me pikëpamjet e Wilsonit mbi të ardhmen e shqiptarëve, ndonëse nuk hiqnin dorë përfundimisht nga Traktati i Londrës.

Shqipëria përfitoi jo nga mungesa e Wilsonit në tryezën e bisedimeve, por nga vendosmëria e tij për të mos lejuar që mungesa amerikane të interpretohej si miratim i copëtimit të saj. Kjo ndërhyrje diplomatike, e ndërthurur me qëndresën dhe veprimin politik të vetë shqiptarëve, ndihmoi në ndryshimin e rrjedhës së ngjarjeve të vitit 1920. “Aleatëve u kërkohej të mbronin Interesat Shqiptare”

“Marrëveshje për Shqipërinë

Nëse, megjithatë, kjo përpjekje do të dështonte, kryeministrat francez dhe britanik pajtohen që Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca ta shqyrtojnë edhe një herë së bashku çështjen, me synimin për të arritur propozime konkrete.

Kryeministrat shprehin pajtimin e tyre me pikëpamjet e Presidentit Wilson lidhur me të ardhmen e popullit shqiptar dhe deklarojnë se janë të gatshëm t’u kërkojnë qeverive të interesuara që t’i përafrojnë synimet e tyre me qëndrimin amerikan. Sa i përket Traktatit të Londrës, kryeministrat deklarojnë se karakteri i tij sekret ishte diktuar nga nevojat ushtarake, të cilat kishin penguar publikimin e tij gjatë luftës.

Kryeministrat pranojnë se, nëse nuk arrihet një zgjidhje vullnetare e çështjes së Adriatikut, Traktati i Londrës do të mbetej, sipas tyre, alternativa e vetme e vlefshme. Përgjigjia që pranonte propozimin për t’i lënë Italinë dhe Jugosllavinë të negociojnë, tërhiqet nga ofertat e mëparshme. Aleatët do të mbrojnë interesat e Shqipërisë. Mungesa e përfaqësuesit amerikan cilësohet si një pengesë serioze.

LONDËR, 27 shkurt. — Kryeministrat e fuqive të Antantës kanë pranuar propozimet e Presidentit Wilson që çështja e Adriatikut të zgjidhet nëpërmjet negociatave ndërmjet qeverive italiane dhe jugosllave. Ata i kanë kërkuar Presidentit Wilson që t’u bashkohet në paraqitjen e këtij propozimi italianëve dhe jugosllavëve.

Fakti që kryeministrat kishin pranuar pikëpamjen e Presidentit Wilson u bë i njohur sot, kur u zbulua përmbajtja e notës së tyre, të dërguar në Washington të enjten, u pa se përgjigjja përsërit sigurimin se kryeministrat «nuk kishin pasur kurrë ndër mend të arrinin një zgjidhje përfundimtare pa marrë më parë mendimin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara».

Nota mban datën 26 shkurt dhe thekson se mungesa e një përfaqësuesi amerikan ishte dëshmuar në praktikë si një pengesë pothuajse e pakapërcyeshme për suksesin e negociatave mbi çështjen e Adriatikut.

Ata i kërkojnë Wilsonit t’i bashkohet notës

Kryeministrat e vlerësojnë si një fakt të rëndësisë më të madhe gatishmërinë e shprehur nga Presidenti Wilson për të pranuar çdo zgjidhje «të pranueshme në mënyrë të ndërsjellë për Italinë dhe Jugosllavinë lidhur me kufirin e tyre të përbashkët në rajonin e Fiumes, me kusht që një marrëveshje e tillë të mos mbështetet në kompensime diku tjetër, në kurriz të popullsive të një fuqie të tretë».

Kryeministrat pajtohen se kjo do të ishte mënyra ideale për zgjidhjen e çështjes dhe shprehin gatishmërinë për të bërë gjithçka që është e mundur për të arritur një marrëveshje në këtë rrugë. Për ta lehtësuar këtë proces, ata janë të gatshëm të tërheqin propozimet e tyre të 9 dhjetorit dhe të 20 janarit, sepse besojnë se, nëse palët kryesore të interesuara mendojnë se Fuqitë Aleate dhe të Asociuara janë angazhuar tashmë në mbështetje të një zgjidhjeje të caktuar, do të jetë më e vështirë të arrihet një marrëveshje me vullnet. Prandaj, kryeministrat e ftojnë përzemërsisht Presidentin që t’u bashkohet në paraqitjen e një propozimi zyrtar qeverive italiane dhe jugosllave për të negociuar një marrëveshje, duke u nisur nga tërheqja e të gjitha propozimeve të mëparshme.

Pajtim lidhur me Shqipërinë

Megjithatë, nëse kjo përpjekje do të rezultonte e pasuksesshme, kryeministrat francez dhe britanik pajtohen që Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca ta shqyrtojnë edhe një herë së bashku çështjen, me synimin për të arritur në propozime konkrete.

Kryeministrat shprehin vlerësimin e tyre për pajtimin me pikëpamjet e Presidentit Wilson lidhur me të ardhmen e popullit shqiptar dhe deklarojnë se janë të gatshëm t’u kërkojnë qeverive të interesuara që t’i përshtatin synimet e tyre me qëndrimin amerikan.

Sa i përket Traktatit të Londrës, kryeministrat deklarojnë se «karakteri i tij sekret» kishte ardhur si pasojë e nevojave ushtarake, të cilat kishin penguar publikimin e tij gjatë luftës.

Kryeministrat pohojnë se nuk mund ta fshehin faktin që, nëse nuk arrihet një zgjidhje vullnetare e problemit të Adriatikut, Traktati i Londrës do të mbetej, për sa u përket atyre, e vetmja alternativë e vlefshme. Italia, thonë ata, ka bashkëpunuar me besnikëri në përpjekjet për të gjetur një zëvendësim për atë traktat dhe Aleatët shpresojnë se do të arrijnë ta gjejnë një zgjidhje të tillë.

Përgjigjja e kryeministrave do t’i dërgohet Presidentit

Përmbajtja pritet të bëhet publike deri të hënën, në lidhje me mosmarrëveshjen e Adriatikut. Nga korrespondenti i New-York Tribune në Washington

WASHINGTON, 27 shkurt. — Përgjigjja e kryeministrave britanik dhe francez ndaj notës së Presidentit Wilson mbi çështjen e Adriatikut mbërriti sot në Departamentin e Shtetit dhe iu përcoll menjëherë Presidentit, pa ndonjë koment lidhur me natyrën e komunikimit. Përgjigjja ishte hartuar brenda njëzet e katër orëve nga marrja e notës amerikane.

Departamenti i Shtetit njoftoi se nota e kryeministrave nuk do të bëhej publike në Shtetet e Bashkuara pa pëlqimin e ministrive të Jashtme britanike dhe franceze. Besohej se ky pëlqim do të sigurohej jo më vonë se të hënën, datë në të cilën të dy vendet synonin të publikonin të gjithë korrespondencën diplomatike mbi çështjen e Adriatikut, përfshirë disa nota të shkëmbyera ndërmjet britanikëve dhe qeverive jugosllave e italiane dhe të cilat nuk ndodhen në zotërim të Shteteve të Bashkuara.

Këto përfshijnë një memorandum të italianëve të datës 6 janar, një notë të italianëve të datës 10 janar dhe një notë të jugosllavëve të datës 28 janar. Një notë e qeverisë serbe, e datës 20 janar, një kopje e së cilës është marrë nga Departamenti i Shtetit, do të publikohet gjithashtu nga britanikët dhe më pas do të vihet në dispozicion për botim edhe këtu. Një tjetër element i korrespondencës, që do të bëhet i njohur me publikimin britanik të notave, është fakti se Britania e Madhe e kishte pranuar notën e 9 dhjetorit me kusht që ajo të mos konsiderohej si përfundim i negociatave dhe i korrespondencës mbi këtë çështje dhe që Italisë t’i lejohej të përgjigjej. Gjithashtu ishte përcaktuar që nota të mos konsiderohej ultimatum dhe të mos publikohej në atë kohë.

Pranimi i qëndrimit të Presidentit nga qeveritë aleate, siç u theksua, do ta linte të hapur rrugën për arritjen e një zgjidhjeje të çështjes së Adriatikut përmes negociatave ndërmjet jugosllavëve dhe Italisë.

Në Washington besohet se Presidenti nuk do të tërhiqet nga qëndrimi që ka mbajtur. Megjithatë, fakti që ai deklaroi në notën e tij të fundit drejtuar Britanisë së Madhe dhe Francës se përgjigjja e tij ishte përfundimtare, përveç rastit kur Italia dhe jugosllavët arrinin vetë një marrëveshje, linte të hapur mundësinë që i gjithë problemi të zgjidhej në këtë mënyrë.

Besohet se qeveria amerikane mund të ushtronte presion të mjaftueshëm mbi jugosllavët për të sjellë një marrëveshje ndërmjet dy vendeve. Nota e Wilsonit i hapte rrugën pranimit nga Shtetet e Bashkuara të çdo marrëveshjeje që mund të arrihej ndërmjet jugosllavëve dhe Italisë.

Senatorët ndahen për notat e Adriatikut

Hitchcock lavdëron qëndrimin e Wilsonit; Borah sheh një argument kundër Lidhjes së Kombeve

WASHINGTON, 27 shkurt. — Komentet e anëtarëve të Senatit sot lidhur me polemikën ndërmjet Presidentit Wilson dhe kryeministrave aleatë mbi zgjidhjen e çështjes së Adriatikut përputheshin përgjithësisht me qëndrimet e tyre ndaj traktatit të paqes. Kundërshtarët e traktatit e shihnin kërcënimin e Presidentit për t’u tërhequr nga çështjet evropiane për shkak të kësaj mosmarrëveshjeje si një shembull të problemeve evropiane në të cilat Shtetet e Bashkuara mund të përfshiheshin në të ardhmen dhe si një argument kundër hyrjes së Amerikës në Lidhjen e Kombeve.

Nga ana tjetër, mbështetësit demokratë të administratës përshëndetën qëndrimin e Presidentit dhe këmbëngulën se ai kishte rivendosur autoritetin e tij mbi politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.

Senatori Hitchcock deklaroi se disa kopje të notave të ndryshme mbi Adriatikun i ishin dërguar Senatit pasditen e një dite më parë për përdorim nga senatorët. Sot ai i përfshiu ato në procesverbalin parlamentar dhe kërkoi botimin e tyre si dokumente publike.

“Mendoj se Presidenti qëndron mbi një bazë shumë të fortë dhe në një pozitë tepër të fuqishme”, deklaroi senatori Hitchcock. “Është një pozitë absolutisht e pathyeshme, siç dëshmohet nga korrespondenca.”

“Besoj se qëndrimi i Presidentit do të ketë një ndikim të shëndetshëm. Ai ka treguar jashtë vendit se punët e jashtme të këtij vendi janë në duart e tij dhe jo në duart e shumicës së Senatit. Është bërë e qartë se kombet e përfshira nuk mund ta shpërfillin ose ta sfidojnë atë. Presidenti e bëri të qartë se veprimi i parashikuar nga Aleatët do të përdorej si argument kundër Lidhjes së Kombeve.”

Borah tregon përplasjen e ideve

Senatori Borah, republikan nga Idaho: “Lloyd George praktikisht tha: ‘Nëse nuk përjashtoni çështjen e lirisë së deteve, nuk do të ketë Lidhje të Kombeve.’ Clemenceau tha: ‘Nëse nuk më jepni skemën time të reparacioneve, nuk do të ketë Lidhje të Kombeve.’ Baroni Makino tha: ‘Nëse nuk më jepni Shantungun, nuk do të ketë Lidhje të Kombeve.’ Presidenti tani thotë: ‘Nëse nuk pranoni planin e Adriatikut që unë propozoj, nuk do të ketë Lidhje të Kombeve.’”

“Me fjalë të tjera, Lidhja e Kombeve nuk detyron askënd, përveç atyre që janë mjaftueshëm të fortë për ta mbështetur me forcë kërcënimin e tyre. Ashtu si të gjitha lidhjet e tjera, ajo është detyruese për kombet e vogla dhe krejtësisht pa fuqi e pa efekt ndaj kombeve të mëdha.”

“Kjo polemikë duhet të studiohet me kujdes nga populli amerikan, sepse dëshmon se Evropa nuk propozon, as tani dhe as në të ardhmen, të pranojë parimin e Katërmbëdhjetë Pikave ose parimet amerikane të paqes.” “Pavarësisht nëse Presidenti tërhiqet, nëse Lloyd George tërhiqet apo, siç ka më shumë gjasa, nëse ata miratojnë ndonjë plan që arrin të njëjtin rezultat, duke u dukur sikur të dyja palët mbeten të palëkundura, polemika zbulon se koncepti evropian i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe koncepti amerikan janë në kundërshtim të plotë dhe të përhershëm.”

Theksohet çështja e Nenit X

Senatori Lenroot, republikan nga Wisconsin: “Shqetësimi i Presidentit lidhur me situatën e Adriatikut duhet të largojë çdo dyshim të mundshëm për domosdoshmërinë e rezervës sonë ndaj Nenit X. Mund të lindin situata të tjera, mbi të cilat ne nuk kemi kontroll, dhe që do ta bënin detyrimin e imponuar nga Neni X po aq të papranueshëm sa ç’e konsideron Presidenti zgjidhjen e propozuar për çështjen e Adriatikut.”

Senatori Moses, republikan nga New Hampshire: “Nëse Presidenti është në gjendje të na fusë në një situatë të tillë përpara se të jemi angazhuar në Lidhjen e Kombeve, çfarë nuk do të ishte në gjendje të bënte nëse do të ishim anëtarë të saj?” Senatori New, republikan nga Indiana: “Është e paimagjinueshme që të krijohet një situatë në të cilën qeveria e Shteteve të Bashkuara të vendoset në pozitën e marrjes së autoritetit përfundimtar mbi ndarjen e territoreve evropiane për të cilat nuk kemi interes, apo të përpiqet të diktojë përcaktimin e kufijve të vendeve evropiane me të cilat nuk kemi dhe nuk duhet të kemi lidhje të tilla.”

“Ky duhet të jetë qëndrimi i tanishëm i qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Një qëndrim i kundërt do të na përfshinte në mënyrë të pashmangshme në grindje të përhershme, rezultati dhe përmasat e të cilave vetëm mund të përfytyrohen.” Senatori King, demokrat nga Utah: “Presidenti e ka shprehur qëndrimin e tij me një gjuhë bindëse. Natyrisht, jam dakord që nuk duhet të bëhet asnjë zgjidhje që në ndonjë mënyrë do të shkelte ose do të dobësonte [tekst i paqartë në origjinal]. Nëse zgjidhja që kundërshtohet do të miratohej, ajo mund të krijonte një precedent për ne në zgjidhjen e çështjeve të ngjashme në të ardhmen, mbi të njëjtën bazë.”

Senatori Thomas, demokrat nga Colorado: “Zhvillimet e Adriatikut përbëjnë një ilustrim të shkëlqyer të një vargu të madh çështjesh në të cilat do të përfshiheshim nëse do të hynim në Lidhjen e Kombeve, çështje të huaja për traditat dhe interesat tona.

Si e vetmja fuqi e madhe e painteresuar drejtpërdrejt dhe si kombi më i madh në botë, do të ishte e pashmangshme që të na kërkohej vazhdimisht të arbitronim këto mosmarrëveshje të Botës së Vjetër.”

“Sado drejtësi të tregonim në vendimet tona, pala humbëse do të ndihej e dëmtuar dhe ne do të duhej të mbanim barrën e pakënaqësisë së saj. Është mirë që po na kujtohet tani ky fakt, sepse parashikoj se në një të ardhme jo shumë të largët do ta kuptojmë se incidenti i Fiumes ishte një mjet i providencës për të na e bërë të qartë…” [Vazhdimi është i dëmtuar në OCR.]

Qëndrimi i Amerikës: vështirësia e madhe e Aleatëve

LONDËR, 27 shkurt. — Gazeta britanike Westminster Gazette, duke komentuar këtë pasdite situatën në Adriatik, shkruan:

“Ka pak arsye që nota të mos ishte publikuar ashtu siç ishte shkruar dhe marrë. Ndërmjet Aleatëve dhe Shteteve të Bashkuara është krijuar një situatë delikate, por ajo nuk mund të përkeqësohet nga një diskutim i hapur.” Gazeta deklaron se Presidenti Wilson ka të drejtë në mënyrën se si e sheh çështjen e Adriatikut. Ajo pohon se vështirësia ndërmjet Aleatëve dhe Shteteve të Bashkuara qëndron në faktin se:

“Zoti Wilson nuk pranon asnjë përgjegjësi për Traktatin e Londrës, i cili është bërë i vjetruar si pasojë e shpërbërjes së Austro-Hungarisë dhe në të cilin ai nuk ka qenë palë.”

“Traktati i Versajës dhe traktati i aleancës me Francën, nëse do të pranoheshin pa rezerva, do ta përfshinin Amerikën në një detyrim për të ruajtur zgjidhje kufitare, të cilat ai (Presidenti Wilson) i konsideron, në këtë rast, të padrejta.” “Kjo është vështirësia e tij. Vështirësia e Aleatëve qëndron në faktin se ata nuk e dinë nëse Amerika do të pranojë, në çfarëdo rrethane, ndonjë detyrim të kësaj natyre. Ngërçi i krijuar vjen po aq nga bllokimi i traktatit në Senat, sa edhe nga vështirësitë e brendshme të vetë çështjes së Adriatikut

QËNDRIMI I AMERIKËS VËSHTIRËSIA E MADHE E ALEATËVE

LONDËR, 27 shkurt. — Gazeta britanike Westminster Gazette, duke komentuar këtë pasdite gjendjen e krijuar rreth çështjes së Adriatikut, shkruan:

“Ka pak arsye përse nota të mos ishte publikuar ashtu siç ishte shkruar dhe marrë. Ndërmjet Aleatëve dhe Shteteve të Bashkuara është krijuar një situatë delikate, por ajo nuk mund të përkeqësohet nga një diskutim i hapur.”

Gazeta deklaron se Presidenti Wilson ka të drejtë në mënyrën se si e trajton çështjen e Adriatikut. Ajo pohon se vështirësia ndërmjet Aleatëve dhe Shteteve të Bashkuara qëndron në faktin se:

“Zoti Wilson nuk pranon asnjë përgjegjësi për Traktatin e Londrës, i cili është bërë i vjetruar për shkak të shpërbërjes së Austro-Hungarisë dhe në të cilin ai nuk ka qenë palë.”

“Traktati i Versajës dhe traktati i aleancës me Francën”, vazhdon gazeta, “do ta përfshinin Amerikën, nëse do të pranoheshin pa rezerva, në një detyrim për të ruajtur zgjidhje kufitare, të cilat ai (Presidenti Wilson) i konsideron, në këtë rast, të padrejta. Kjo është vështirësia e tij. Vështirësia e Aleatëve qëndron në faktin se ata nuk e dinë nëse Amerika do të pranojë, në çfarëdo rrethane, ndonjë detyrim të kësaj natyre.

Ngërçi i krijuar është po aq pasojë e bllokimit të traktatit në Senat, sa edhe e ndonjë vështirësie të brendshme të vetë çështjes së Adriatikut.” Ky koment i Westminster Gazette, i ribotuar nga gazeta amerikane, tregon se refuzimi i Wilsonit për të marrë përgjegjësi për Traktatin e Londrës shihej si një qëndrim i arsyeshëm edhe nga një pjesë e shtypit britanik. Për çështjen shqiptare, rëndësi ka fakti se ky traktat parashikonte cenimin e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Shqipërisë. Megjithatë, vetë artikulli nuk e përmend Shqipërinë shprehimisht në këtë pjesë.

Filed Under: Histori

U ZHVILLUA NË NEW YORK FESTIVALI XXXIV SHQIPTAR, DEDIKUAR GJUHËS SHQIPE

November 2, 2026 by s p

Sokol Paja

Foto: Ndrekë Tonaj + Diana Ivezaj/

New York, 1 nëntor 2026- Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës” organizoi në mënyrë mallështore Festivalin e XXXIV Shqiptar duke bashkuar patriotët, artistët, këngëtarët, valltarët, grupet muzikore, ansamblet folklorike, instrumentistë, kërcimtarët, skenografët e koreografët në një spektakël madhështor dedikuar gjuhës shqipe, elementit themelor të përkatësisë dhe identitetit kombëtar shqiptar. Një investim shpirtëror e kulturor i Kishës Katolike Zoja e Shkodrës si garanci e vazhdimësi patriotike për çdo fëmijë shqiptar të lindur e rritur në emigracion.

Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës” si institucion fetar, atdhetar, kulturor e komunitar, me organizimet serioze e dinjitoze i bën një nder e shlrbim të jashtëzakonshëm trashëgimisë kulturore kombëtare dhe mbarë mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Veprimtaria frymëzuese e Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në New York duke bashkuar mbarë shqiptarët nga çdo cep i Amerikës, është vlerë, identitet, trashëgimi dhe pasuri e jashtëzakonshme për diasporën shqiptare.

Famullitari i Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” Dom Pjetër Popaj, udhëheqësi shpirtëror i shqiptarëve të New York-ut, personalitet fetar, atdhetar e kombëtar, në fjalën kryesore të Festivalit theksoi ky vit ka një randësi të veçantë dhe të thellë për të gjithë ne. Na sonte e dedikojmë këtë festival gjuhës tonë të bukur shqipe. Gjuha jonë është rrahja e zemrës së identitetit tonë, fillim i artë që lidh të kaluemen tonë me të ardhmen dhe simboli më i naltë i qëndresës sonë si komb.

Festivale si ky janë të radha sepse na ndihmojnë të ruajmë kulturën tonë të pasur, traditat tona të gjalla dhe gjuhën amtare për brezat që do të vijnë. Përmes këtyre aktiviteteve, na sigurojmë që rranjet tona të qëndrojnë të forta, megjithëse jemi larg atdheut. Sonte, zemrat tona mbushen me plot krenari kur shohim djemtë e ri dhe vajzat e reja në skenë që do të përformojnë për ju sonte. Përmes valles, muzikës dhe kangës së tyre, ata mbajnë ndezur pishtarin e trashëgimisë sonë. Faleminderit të gjithë organizatorëve që punuen pa u lodhë ditë e natë me e ba të muejtun këtë festival. Faleminderit të gjithë juve të pranishëm që me përkrahjen tuej dëshmoni bukurinë e kulturës sonë, theksoi Dom Pjetër Popaj.

PROGRAMI I FESTIVALIT TË 34-TË SHQIPTAR

1.Film i shkurtër: “Gjuha jonë”

2.Hapja – Gegë e toskë

3.Dom Pjetri – Përshëndetja e festivalit

4.Rozafati: Valle e Ulqinit

5.Nora e Kelmendit: Valle (Prej Malësie në Tropojë)

6.Gjovani Gjonaj: Ulqini ynë

7.Flamur Biçaku: Potpuri e Shqipërisë së Mesme

8.Bashkimi Dance: Valle me motive çame

9.Haxhi Nezaj: Prej nji shpati

10.Nik Çarku: Cili asht ma bukur

11.AYC Greenwich: Valle me motive të Tropojës

12.Grupi Lab: Gjuha shqipe

13.Gjergj Kastrioti: a) Valle e shoqëruar me çifteli e fyell b) Valle me DJ e tupana c) Këngë d) Valle

14.Rozafati Dance: Valle me motive të Kosovës

15.Ermina Bushi: Ç’ka ka zogu

16.Barbana: Valle me motive të Shqipërisë së Mesme

17.Nora e Kelmendit: Rrofsh përjetë, Malësia e Madhe

18.Projektori me film për kombin shqiptar

19.Montclair University – Kolazh këngësh popullore

20Merita Halili: Na leu dielli n’at buzë mali

21.Rozafati Dance: Valle me motive të jugut

22.Haki Krasniqi: Moj Kosovë, t’u njeft e mira

23.Bashkimi Dance: Valle me motive Tropoje

24.Lorna Hysa: Do marr çiften, do dal për gjah

25.AACW Dance: Për ty, Nanë

26.Grupi Lab: Kënga labe

27.Besim Muriqi: Mora udhën kah Manastiri

28.Albanian Roots: 2 valle

29.Struga: a) Zana Sahiti – Shqipëri, o nana ime b) Instrumentale me çifteli c) Siara Kaba, Arlinda & Diana Dauti – Hidhet vallja d) Valle me motive të veriut

30.Gjystina Bojaj: Këndon bilbili fushave

31.Argjend Llogaj: O gjuhë e bukur

32.Dijana Vajushi: Malësinë time

33.Rozafati Dance: Valle me motive Tropoje.

KOMISIONI ORGANIZUES:

Famullitar: Dom Pjetër Popaj, Kryetar i Këshillit të Kishës: Ndrekë Tonaj, Kryetar i Qendrës Nënë Tereza: Mark Berishaj, Drejtor i Festivalit: Dr. Elizabet Peraj, Drejtor artistik: Agim Kola, Regjia: Agim Kola, Prezantues: Zef Vataj & Mikejla Nonaj, Koordinatore e reklamave: Dr. Elizabet Peraj, Drejtues i orkestrës: Alfred Popaj, Video: Festor Volaj, Photography: Diana Ivezaj

ANËTARËT E KOMISIONIT:

Agim Kola, Alfred Jaku, Alfred Popaj, Angjelina Nika, Diana Ivezaj, Dr. Elizabet Peraj, Gjergj Paloka, Ismer Mjeku, Kristina Popaj, Mark Berishaj, Mikejla Nonaj, Ndrekë Tonaj, Petrit Grishaj, Vjeko Cotaј dhe Zef Vataj.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 3290
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • MOTRA JENA, SHOQE S’JENA!
  • Drita është pas derës së mbyllur. Çelësi i derës jemi ne!
  • BALTA QË DUHET TA DUAM
  • Arbëria Digital Fest 2026: Tri ditë takimesh për të ndërtuar të ardhmen e Arbërisë përmes kulturës, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar
  • FINAL COUNTDOWN
  • FILATELIA SHQIPTARE NË VITIN 2026: ARRITJE TEMATIKE DHE SFIDA NË ZBATIMIN E PROGRAMIT TË EMETIMEVE
  • Një shans ideal për Shqipërinë…
  • 3 nëntor 1443 – Gjergj Kastrioti-Skënderbeu kthehet në atdhe për të rizgjuar Arbërinë dhe për ta rikthyer në historinë e Evropës
  • Çështja e Adriatikut: Qendrimi i Presidentit Wilson kur fati i Shqipërisë u bë pjesë e pazarit
  • U ZHVILLUA NË NEW YORK FESTIVALI XXXIV SHQIPTAR, DEDIKUAR GJUHËS SHQIPE
  • “Nën hijen e blinit”, u promovua në New York vepra poetike e studiuesit Hamid Alaj
  • I urge all Americans to go out there and exercise the most important democratic right: TO VOTE
  • VATRA, FAN NOLI, WOODROW WILSON DHE JOHN F. KENNEDY – MIQËSIA SHQIPTARO-AMERIKANE QË NDIKOI NË FATIN E SHQIPËRISË
  • Anglezi Sir John of Newport dhe Skënderbeu
  • Connecting Campuses, Communities and Generations – Dr. Albina Balidemaj on RIT Kosovo’s Future

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT