

Irena Dragoti/
Librin “Pavarësia e Kosovës, Federata Panshqiptare ‘Vatra’ dhe gazeta ‘Dielli’ (1981–2008)” gjatë leximit nuk e pashë vetëm si studim historik por edhe si një rrëfim të ndërgjegjes kolektive shqiptare, ku historia nuk bëhet vetëm nga ngjarjet, por edhe nga fjala, reagimi dhe memoria e organizuar në diasporë. Në këtë vepër, historia e Kosovës nuk paraqitet veç si një kronikë lineare, por si një tekst multiplanësh, ku bashkëjetojnë dhimbja, rezistenca dhe diplomacia.
Qysh në parathënie, theksohet se kemi të bëjmë me një periudhë vendimtare për fatin kombëtar, ku diaspora shqiptare në SHBA, përmes “Vatrës” dhe “Diellit”, shndërrohet në aktor historik.
Veprën e Prof. dr. Roland Gjinit e lexova si arkeologji të ndërgjegjes kombëtare shqiptare, ku dokumenti, fjala dhe veprimi politik bashkëjetojnë si shtresa të së njëjtës të vërtetë historike. Në këtë sens, duket qartë që profesori e historiani Prof dr Gjini nuk ndalet te ngjarja, por kërkon aryet që e prodhojnë atë njëjtë si historianët e mëdhenj si Fernand Braudel apo Eric Hobsbawm.
Që në hyrje, të librit, Kosova nuk shfaqet thjesht si territor, por si kohë e zgjatur historike, hapësirë ku përplasen perandori, identitete dhe projekte politike ose siç thotë profesori “rrugë e gjatë, e ndërlikuar, e vështirë e e mundimshme”
Kjo fjali, në dukje përshkruese, është në fakt qasje se historia e Kosovës vjen njëherazi si shtypje po aq sa dhe kujtesë. Në analizën e viteve 1981, autori nuk e trajton protestën si një shpërthim spontan, por si rezultat i një akumulimi historik të padrejtësive ku identiteti kolektiv lindi si përgjigje ndaj krizës kur thotë: “iu mohuan liritë dhe të drejtat kombëtare… nën diktatin… serb”
Kjo është tipike koloniale pasi nga njëra anë mohon subjektivitetin e tjetrit dhe në anën tjetër është një popull që e rindërton atë përmes rezistencës. Demonstratat e vitit 1981 nuk janë vetëm kërkesë politike, por edhe akt i rikthimit të historisë në duart e shqipeve.
Në këtë pikë, roli i gazetës “Dielli” bëhet thelbësor. Ajo ka prodhuar realitetin historik, duke shndërruar një ngjarje lokale në çështje ndërkombëtare.
Një nga risitë më të rëndësishme të librit është vendosja e diasporës në qendër të analizës. Në frymën e Braudel-it, mund të themi se “Vatra” dhe “Dielli” përfaqësojnë një (longue durée), që veproi përtej ngjarjeve të përditshme.
Nga fillimshekulli XX deri në fundin e tij, diaspora shqiptare mbetet aktor konstant në mbrojtje të çështjes kombëtare. Në këtë kuptim, libri rrëzon keqkuptimin se historia bëhet vetëm brenda kufijve shtetërorë.
Përkundrazi, autori na bind se historia e Kosovës ndodh në një hapësirë të zgjeruar në SHBA, në media, në diplomaci duke krijuar atë që mund ta quajmë një atdhe diskursiv.
Përshkrimi i luftës së viteve 1998–1999 nuk është vetëm retorikë por panoramë e plotë e dhimbjes kolektive shndërruar në argument moral duke ndikuar në ndërhyrjen ndërkombëtare.
Ndërhyrja e NATO-s, në këtë këndvështrim, nuk paraqitet vetëm rezultat i interesave strategjike, por edhe i një presioni moral të ndërtuar nga media dhe diaspora.
Shpallja e pavarësisë në vitin 2008 paraqitet si kulm, por Profesor doktor Gjini e shmang triumfalizmin pasi ai e sheh lirinë si një proces të papërfunduar. Kjo duket në fjalinë” Kosovës i nevojiten institucione… ndërtimi i demokracisë është kyç” . Pavarësia thotë indirekt autori është kulm e fillim i ri.
Këtu shfaqet paradoksi themelor i historisë moderne, fitimi i lirisë nuk garanton menjëherë funksionimin e saj. Shteti duhet të ndërtohet, dhe ky proces është po aq i vështirë sa edhe çlirimi.
Në fund, e them me bindje se kjo vepër është tekst mbi tekstet pasi analizon gazetën “Dielli”, e cila vetë analizon historinë. Kjo krijon një shumëfishim perspektivash dhe e bën veprën një hapërsirë interpretimi. Historia këtu nuk është një e vërtetë e vetme, por një rrjet të vërtetash që ndërthuren. Kjo e afron librin me qasjet moderne të historiografisë, ku rëndësi ka jo vetëm “çfarë ndodhi”, por edhe “si u tregua ajo që ndodhi”.
Në përfundim, kjo vepër dëshmon se historia e Kosovës është jo vetëm një proces politik, por edhe ndërgjegje që formohet nëpërmjet kujtesës, vuajtjes dhe fjalës.
Libri i Prof . Dr Gjinit arrin të ndërtojë një urë mes historisë dhe interpretimit, mes faktit dhe kuptimit. Ai na mëson se pavarësia nuk është vetëm një akt juridik, por një proces i gjatë i krijimit të vetvetes si subjekt historik.
Dhe ndoshta idetë më të thella që dalin nga kjo analizë do të ishin
1-një komb nuk bëhet i lirë vetëm kur shpall pavarësinë, por kur arrin ta tregojë historinë e tij në mënyrë që bota ta dëgjojë.
2-Historia e Kosovës ishte dialog mes atdheut dhe diasporës
3-“Vatra” dhe “Dielli” nuk janë vetëm institucione, por edhe ndërgjegje kolektive që mbajtën gjallë një kauzë.
4-një komb nuk jeton vetëm në territorin e tij, por edhe në kujtesën dhe fjalën e bijve të tij kudo në botë.
Në këtë kuptim, libri dëshmon se aty ku historia dhe vetëdija përplasen fuqia e medias si instrument historik, kthejnë fjalën në armë e apel për botën e në fund vepër për kombin.