
Dr. Shefqet Deliallisi/
Në vitin 1978, Susan Sontag në essenë e saj “Sëmundja si metaforë” ndër të tjera shkruante: “Kushdo që lind në këtë botë ka ‘shtetësi’ të dyfishtë : njërën për “mbretërinë e shëndetit” dhe një tjetër për “mbretërinë e sëmundjes.” Herët a vonë, të gjithë do jemi të detyruar ta shohin veten qytetarë të “mbretërisë të sëmundjes”.
Në kohën që jetojmë një prirje mjaft e përhapur vërehet, “Mbretëria” e shëndetit po rrudhet, me shpejtësi, po gllabërohet nga “mbretëria” e sëmundjes.
Mjekët po kalojnë një numër gjithnjë e më të madh njerëzish nga shëndeti tek sëmundja, madje më herët se kurrë, për një qëndrim gjithmonë e më të gjatë.
Mjeti për këtë qëllim është zgjerimi i përkufizimit të sëmundjeve, duke kthyer në sëmundje ato që në fakt janë faktorë risku për sëmundje. Kjo ligjërohet me të ashtuquajturën epidemi të sëmundjeve kronike.
Sipas Santag, motivi është “një kombinim toksik i qëllimeve të mira, dëshirave, në të vërtetë të
parealizueshme, me interesa të caktuara ekonomike.”
SHPKJA E SËMUNDJE TË REJA….
Ajo që po ndodh, çdo ditë në shifra të konsiderushme diagnostikohen njerëz me gjendje të reja ( nuk po i quaj sëmundje) si : pre-hypertensioni, pre-diabeti, pre-osteoporoza, pre…Terma të reja po lindin : presion “normal i lartë” i gjakut, tek njerëzit me pre-hypertonsion, nivel “normal i lartë” i sheqerit në gjak, te njerëzit me pre- diabet, nivel “normal i lartë” i yndurave në gjak…
Nëse do vazhdohet, shumica e adultëve mund të transformohen në pacientë, apo thënë ndryshe në popullsi me risk- shkruan Larm në revistën British Medical Journal. Dhe kur një popullsi është e gjitha me risk, e logjikshme është e gjitha të trajtohet !? Të trajtohet por si ?
Ndërsa ndryshimi i stilit të jetës, shkak kryesor i këtyre gjendjeve të reja, duhet të ishte trajtimi i duhur, gjthnjë e më shpesh po rekomandohet edhe përdorimi i medikamenteve.
Disa vite më parë më tërhoqi vëndejn publikimi i një mendim eksperimental i epidemiologëve britanikë, sipas të cilit parashikohej trajtimi i të gjithë adultëve mbi 55 vjeç me një kombinim që përmban tre medikamenteve anti-hypertensivë (për uljen e tensionin e gjakut), një statinë (medikament kundër yndyrnave), aspirinë (për hollim të gjakut). Sot rekomandohet edhe një antidiabetik, për të parandaluar një diabet të mundshëm !
Të gjitha këto medikamente rekomandohen në fakt për njerëz ende të pa sëmurë, madje shpesh pa pasur as simptoma !
E gjitha kjo duket jo logjike, për më tepër s’është pa pasoja. Duke kaluar gjithnjë e më shumë njerëz nga “mbretëria” e shëndetit në “mbretërin” e sëmundjes, resurset që do të përdoreshin për të sëmurët të devijohen tek të shëndetshimit.
Për pasojë mbi-diagnoza dhe mbi-trajtimi i njerëzve me shëndet të mirë, pashmangshmërisht do të shkaktojë nën-trajtimin e atyre që janë vërtetë të sëmurë.
S’duhet nënvlerësuar edhe një tjetër fakt, çdokush i imponuar të hyjë në “mbretërinë” e sëmundjes detyrohet të heqë dorë nga shumë kënaqësi të jetës, veç kostos individuale, sociale, dhe ekonomike të konsiderueshme.
PARAMETRAT NORMALË…
Për të përcaktuar kufirin mes shëndetit dhe sëmundjes ne vazhdojmë të bazohemi në disa prametra të përcaktuara kohë më parë si “normalë” për organizmin. Kështu kemi nivelin “normal” të sheqerit në gjak dhe kur ky kalohet themi që personi ka diabet. Kemi nivel “normal” të presionit të gjakut dhe kur kalohet kemi hipertension, e kështu me rradhë, kemi “norma” të yndyrnave në gjak, etj, etj…
Këto nivele të përcaktura si “normale” janë kthyer në tabu, madje të prera me thikë, Mjafton të përmend një fakt : nëse niveli i sheqerit në gjak esëll 100-125mg/dl konsidrohet normal, 126mg/dl, konsiderohet diabet !
Nga ana tjetër, këto nivele “normale”, nuk marrin në konsideratë individualitetin gjenetik të çdo individi dhe në një farë mënyrë janë përcaktuar për të “tjerë njerëz” që jetonin në një kohë të caktuar, në një mjedis të caktuar dhe që kishin të tjera përmasa fizike.
Ne jetojmë sot në një ambient të ndryshuarshuar në të gjitha drejtimet krahasuar 100 vjet, madje dhe 50 vjet më parë. Jetojmë një modernizimi që bën të mundur të kalojmë kontinente dhe oqeane në pak orë. Ushqimi sigurohet më me lehtësi është i bollshëm dhe më i lirë. Automobilat, paisjet shtëpiake, robotizmi në industri, automatizimi në bujqësi, kursejnë punën fizike.
Këto ndryshime, ndër të tjera, kanë bërë që rraca njerzore të ndryshojë dukshëm. Fëmijët të rriten më shpejt, të arrijmë pjekurinë seksuale 3–4 vjet më shpejt se gjyshërit e tyre. Njerëzit kanë përmasa më të mëdha. Mashkulli 70 kg, i cili vetëm disa gjenerata më parë e konsideronim si etalon, tashmë është zëvëndësuar me një mashkull 80 kg, madje me tendeca inflamatore….
Me të drejtë lind pyetja : në kushtet e ndryshimit të shpejtë të mjedisit, stilit të jetesës (ushqyerjes dhe aktivitetit fizik), ndryshimit që po pëson (tashmë ka pësuar) raca njerëzore, a duhen të vazhdohet me “norma” të vjetra, apo këto “normat” duhen rishikuar ? Mos ka ardhur koha që ajo çfarë ne prerceptojmë si sëmundje, nisur nga “normat” e vjetra që vazhdojmë të përdorim, të mos konsiderohet më si e tillë ? Në fund të fundit ne sot jetojmë shumë më gjatë se parardhësit tanë, madje dekada më shumë se para-ardhësit tanë të afërt në kohë.
Ka dhe një tjetër paradoks. Ndërsa e llogjikshme përsa thamë më sipër, do të ishte që pragu që ndan kufirin mes shëndetit dhe sëmundjes (normat që përcaktojnë këtë prag), të rritej, e kundërta po ndodh. Ai po ulet më tej duke bërë që të shtohet artificialisht numri i njerëzve që kanë nevojë për trajtim mjeksor. Madje këto norma po ulen deri në atë nivel sa shpesh po bëhen një objektiv i pa arritshëm, stresues dhe demotivues.
Pse nuk rishikohen normat, ose dhe kur medohet të rishikohen, mendohet të ulen më tej, kur në fakt e kundërta duhet të ndodhte ?
E gjitha kjo është e lidhur me faktin se kush vendos për një gjëndje nëse është normale apo sëmundje. Në shekuj ky vendim i është rezervuar profesionit të mjekut, ndihmuar 170 vite më parë nga shkeca moderne mjeksore që bëri që profesioni mjeksor të zhvillohet shumë pranë atyre që përfitojnë nga përdorimi i medikamenteve për sëmundje të reja.
Dhe tashmë s’janë më vetëm mjekët ata që marrin këtë vendimin të rëndësishëm.
FUNDI SHËNDETIT FILLIMI SËMUNDJES
Kufiri mes shëndetit dhe sëmundjes duhet parë edhe në tjetër aspekt : atë të moshës. Jam sëmurë apo shqetsimet që kam janë normale për moshën?
Ja si e përjeton këtë shqetësim një mjek :
“Mendoj se jam me shëndet të mirë, por jam vërtetë ?
Flokët më janë zbardhur, më kanë rënë krejtësisht në disa pjesë. Shikimi më është vështirësuar. Kur sapo ngrihem nga shtratinë në mëngjes, lëviz me vështirësi…
Jam i sëmurë, apo shqetsimet janë normale për moshën ? Para kësaj dileme ndodhen sot shumë njerëz në kushtet e rritjes së shpejtë të jetgjatësisë.
Le të analizojmë.
Ajo çfarë ne konceptojmë si gjendje “normale” të organizmit e merr origjinën nga gjendja që kemi pasur kur kemi qenë të rinj në moshë. Këtë gjendje ne pretendojmë ta kemi gjatë gjithë kohës, edhe kur mosha ka ecur. Por a kemi të drejtë? A duhet të pretendojë dikush në prag të 60-tave të ketë organizmin e një 20 vjeçari ?
Sigurisht ndryshimet dhe shqetsimet normale me rritjen e moshës s’janë sëmundje, pranaj dhe s’duhen trajtuar dhe si të tilla.
Mjeku që më lart përmenda, vazhdon më tej :
“Nuk pi duhan. Pi pak alkool. Lëviz shumë në këmbë, por ushtrime fizike nuk bëj pak. Kam kohë që s’e kam matur presionin e gjakut, as yndyrnat. Dyshoj se më është zmadhuar prostata. S’e kam egzaminuar. Duhet ta vë ujin në zjarr për të zbuluar ndonjë tension të lartë të gjakut, apo ndonjë kancer të heshtur diku brenda meje, apo të vazhdoj pa u shqetësuar…?
Mendimet janë të ndryshme.
Ja çfarë shkruan Koehlo te “Alkimisti“ :
“Pse duhet të interesohemi kaq shumë për të ditur të ardhmen ? Përgjigia : për të bërë disa gjëra që t’i paraprinë të keqes, për tu përgatitur për atë që do të ndodhë. Mirë nëse parashikimet do të ishin të mira, por nëse do të ishin të këqia, çfarë do të ndodhte ?
S’do bënim gjë tjetër veçse do fillonim të vuanim shumë kohë para se vuajtja të ndodhte. Dhe frika nga vuajtja është më e keqe se vetë vuajtja.”
Pra a ja vlen ta kërkojmë ta dimë të ardhmen e shëndetit tonë ndërkohë që pa-parashikueshmëria e së ardhmes përbën një ngushëllim të madh ? Askush me saktësi nuk di se çfarë do të ndodhë nesër. Ne dimë shumë rreth probabilitetit, por probabiliteti është larg të sigurtës. Nëse do të qëndrojmë gjithmonë në të sotmen do të jemi të lumtur….
Frika nga vdekja lind bashkë me njeriun, na bën të jemi më të kujdesshëm, na bën të përpiqemi ta shtyjmë vdekjen sa më larg, të kurohemi. Por pavarësisht perfeksionit, pavarësisht se sa larg shkenca mjekësore ka shkuar, dhe vazhdon të shkojë, ajo kurrë s’mund të zhdukë vuajtjen njerëzore, apo vetë vdekjen. Kurimi s’nënkupton pavdekësinë.
Është në interesin e shoqërisë që të frenohet kalimi i kufirit shëndet-sëmundje… njerëzit dihet ta kalojnë vetëm kur Kujdesi Mjekësor të jetë i dobishëm ose të paktën të prodhojë më shumë dobi se sa dëm.
“Qëllimi nuk duhet të jetë se si të zgjasim vitet e jetës – thotë Thomas Perls – por si të zgjasim vitet e jetës me shëndet të mirë.”