
Ramazan Çeka/
Sejmen Gjokoli dhe “Aulona Folk Festival” triumfojnë në “TEA AWARDS 2026”! ![]()
![]()
Për herë të parë, Agjencia Kombëtare e Turizmit organizoi “TEA Awards 2026”, një mbrëmje gala në Pallatin e Brigadave kushtuar vlerësimit të promotorëve më të spikatur të turizmit shqiptar. Ky çmim u akordua bazuar në matjet e aplikacionit TEA dhe në përvojat e vizitorëve vendas e të huaj mbi eventet më të ndjekura në vend.
Në një atmosferë emocionesh dhe mirënjohjeje, u vlerësua kalendari i pasur kulturor shqiptar, mikpritja jonë tradicionale dhe ngjarjet që e promovojnë Shqipërinë si një destinacion autentik, dinjitoz dhe gjithnjë e më të vlerësuar e kërkuar ndërkombëtarisht.
“Aulona Folk Festival” u nderua si një platformë e rëndësishme e turizmit kulturor dhe dimensionin turistik, si një promotor i vyer i aseteve turistike, jo vetëm të Vlorës, por edhe të gjithë Shqipërisë. Ai u vlerësua me Çmimin e Parë mes nominimit të dhjetëra festivaleve folklorike të zhvilluara në të gjithë vendin. Sipas organizatorëve, ai mbetet një nga ngjarjet më të ndjekura në platformën TEA, në target grupin e Festivaleve Folklorike. ![]()
![]()
Që prej krijimit të tij, ky festival i ka sjellë Vlorës 4,900 festivalistë dhe ka mirëpritur 125 ansamble nga 39 shtete të botës (ku vetëm 3 grupe kanë marrë pjesë dy herë, ndërsa të gjitha të tjerat kanë qenë pjesëmarrëse për herë të parë). Këta artistë nuk kanë qenë vetëm festivalistë, por edhe vizitorë e ambasadorë të qytetit, të cilët për disa ditë kanë përjetuar nga afër frymëmarrjen, mikpritjen dhe bukuritë e qytetit bregdetar.
Ky çmim nderon gjithashtu “Mjeshtrin e Madh”, z. Sejmen Gjokoli, Drejtor i Përgjithshëm i Festivalit, i cili prej vitesh ka udhëhequr me vizion, punë të palodhur dhe përkushtim të rrallë këtë ngjarje të rëndësishme kulturore, duke e kthyer Vlorën në një pikë referimi të folkut botëror. ![]()
![]()
Ky është më shumë se një çmim; është një medaljon nderi, një dëshmi dhe një pasaportë dinjitoze e një misioni fisnik: ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë sonë kulturore, kombëtare e botërore. Ky sukses i përket Vlorës, kulturës shqiptare dhe të gjithë atyre që besojnë se arti dhe tradita janë pasaporta jonë më e çmuar drejt botës! ![]()
![]()
MOZAIKU I GJALLË I EDICIONIT TË 18-TË ![]()
![]()
Si një trashëgimi shpirtërore e popujve të botës, ky festival shërben si një promovim i jashtëzakonshëm i aseteve turistike të Vlorës, duke nxjerrë në pah format e ndryshme të turizmit: bregdetin, rërën, detin, historinë, kulturën dhe identitetin unik të këtij qyteti të bekuar. Festivali nuk ishte vetëm një ngjarje artistike, por një urë e fortë miqësie dhe bashkëpunimi mes kombeve.
Në edicionin e tij të 18-të, festivali u shndërrua në një festë të vërtetë ndërkombëtare: rreth 350 artistë nga Shqipëria, Burundi, Greqia, Gjeorgjia, Italia, Kili, Kosova, Mali i Zi dhe Polonia sollën në Vlorë një mozaik të gjallë ritmesh, kostumesh dhe traditash.
Gjatë katër ditëve, qyteti u kthye në një qendër të kulturës botërore, ku Vlora nuk ishte vetëm destinacion, por një skenë e gjallë e dialogut mes popujve:
Në Sheshin e Flamurit dhe përgjatë bulevardit “Ismail Qemali”, parada e kostumeve dhe performancat e ansambleve sollën një atmosferë të jashtëzakonshme ngjyrash dhe emocionesh.
Skena kryesore pranë stadiumit “Flamurtari” u kthye në zemrën e një gare artistike të ndjekur me entuziazëm nga mijëra qytetarë dhe vizitorë.
Triumfi i madh i festivalit shkoi për Kilin, me ansamblin “Proarchi”, fitues të Kupës së Festivalit, ndërsa Burundi rrëmbeu duartrokitjet dhe vlerësimin e publikut me çmimin Special të Festivalit. ![]()
Ky sukses i jashtëzakonshëm u bë i mundur falë bashkëpunimit institucional dhe mbështetjes së Bashkisë së Vlorës, Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, si dhe Këshillit të Qarkut të Vlorës.
Vlora foli përmes ritmit, kulturës dhe zemrës së popujve të botës, duke vërtetuar se arti dhe tradita mbeten pasaporta më e fortë e Shqipërisë drejt botës!