
Nga Rafael Floqi/
Në Shqipëri po ndodh një fenomen i jashtëzakonshëm. Mijëra njerëz dalin në rrugë, protestojnë, bërtasin, zemërohen, por sipas establishmentit politik ata nuk ekzistojnë. Ose më saktë, ekzistojnë vetëm si honxhobonxho siç i quan Rama, marioneta të dikujt tjetër. Sepse në republikën e teorive konspirative, qytetari nuk mund të ketë mendim të vetin. Ai nuk mund të revoltohet nga padrejtësia, varfëria, korrupsioni apo arroganca e pushtetit. Jo. Ai duhet patjetër të jetë i komanduar nga dikush. Nga grekët, nga rusët, nga islamikët, nga sorosistët, nga trumpistët, nga anti-trumpistët, nga marsianët ose, në mungesë të alternativave, nga ndonjë organizatë sekrete e Antarktidës.
Kryeministri Edi Rama vendosi të japë kontributin e tij personal në këtë festival të paranojës. Në vend që të pyesë pse njerëzit po protestojnë, ai na ftoi të kërkojmë armiq të fshehtë. U fol për interesa greke. U fol për qarqe islamike. U fol për armiqtë e Jared Kushner-it. Pak më shumë imagjinatë dhe ndoshta do të kishim zbuluar se gardhin e Zvërnecit e kishte ngritur personalisht Napoleon Bonaparti me ndihmën e Elvis Presley-t.
Dhe menjëherë filloi puna e rëndë e propagandës. Televizione, portale dhe komentatorë profesionistë të mistereve filluan të zbulonin autobusë fantazmë nga Greqia, agjentë rusë që nuk i kishte parë askush dhe skenarë ndërkombëtarë që nuk ekzistonin askund, përveç në imagjinatën e autorëve të tyre.
Por le të jemi të drejtë: marrëzia nuk është monopol i pushtetit.
Edhe një pjesë e opozitës, në vend që të kuptojë çfarë po ndodh, ka vendosur të konkurrojë me pushtetin në disiplinën olimpike të teorive konspirative. Disa thonë se protestën e organizon vetë Rama. Të tjerë se pas saj fshihen qarqe sorosiste. Të tretë shohin duar amerikane, evropiane, globale dhe ndoshta edhe galaktike. Në këtë konkurs kombëtar të fantazisë politike, askush nuk dëshiron të pranojë të vërtetën më të thjeshtë dhe më të rrezikshme:
Njerëzit janë lodhur.
Po, aq banale është.
“Rama në burg, Berisha në burg”, shkruhet në pankarta, dhe ky i fundit i jep këshilla Ramës si të zgjidhë situatën.
Brezi i ri shqiptar nuk ka nevojë për agjentë rusë që të revoltohet. Mjafton të hapë Instagramin. Nga njëra anë sheh resortet luksoze, vilat e oligarkëve, makinat milionëshe dhe politikanët që jetojnë si princër orientalë. Nga ana tjetër sheh veten: me një pagë që nuk mjafton as për qiranë, me një diplomë që nuk vlen pa mik dhe me një të ardhme që shpesh përfundon në aeroport.
Këta të rinj kanë parë prindërit e tyre të sorollaten në gjykata, të humbin prona, të përulen para zyrtarëve dhe të dëgjojnë çdo katër vjet të njëjtat premtime nga të njëjtat fytyra.
Ata e dinë se në Shqipërinë e sotme meritokracia është bërë një specie e mbrojtur që rrezikon zhdukjen. Se karriera kalon shpesh nga patronazhistët. Se konkursi fitohet para se të shpallet. Se servilizmi shpërblehet më shumë se aftësia.
Dhe kur gjithë kjo grumbullohet për vite me radhë, nuk duhet ndonjë CIA, KGB apo Mossad që të organizojë zemërimin. Zemërimi organizohet vetë.
Pastaj erdhi Zvërneci. Një gardh. Vetëm një gardh. Por jo për qytetarët.
Për ta ai nuk ishte një gardh. Ishte monumenti i arrogancës. Vetëm një grusht . Ishte kufiri që ndante Shqipërinë e zakonshme nga Shqipëria VIP. Ishte tabela gjigante ku shkruhej: “Kjo tokë është e juaja vetëm derisa ta duam ne.”
Dhe pikërisht aty ndodhi tragjedia e vërtetë për sistemin.
Sepse për herë të parë protestuesit panë se pothuajse të gjithë heshtnin njëkohësisht. Pushteti mbronte investimin. Opozita justifikonte investimin. Mediat shmangnin investimin. Madje një gazetë që ishte pro grekëve e Dendias dy ditë më përë, u bë anti greke dhe zbuloi autobusët e “Agimit të Artë “ Të huajt nuk flisnin për investimin. Dikush i druhej Trumpit”
Kur të gjithë heshtin, qytetari fillon të flasë. Prandaj pamja e mbrëmshme ishte kaq tronditëse.
Në njërën anë të bulevardit, Pallati i Kongreseve. Një lider që flet për orë të tëra dhe një audiencë që duartroket me përpikmëri administrative. Një ritual i njohur, i konsumuar, i lodhur.
Në anën tjetër, mijëra të rinj. Pa skenar. Pa regjisor. Pa fjalime dyorëshe. Pa koreografi të detyruar. Njëra anë dukej si një muze politik që përpiqej të dukej i gjallë. Tjetra si një organizëm i gjallë që ende nuk e di çfarë do të bëhet.
Natyrisht, pushteti ka përvojë të gjatë në neutralizimin e revoltave. Ka propagandën. Ka përçarjen. Ka lodhjen kolektive. Ka ekspertët televizivë që të shpjegojnë pse ajo që sheh me sytë e tu nuk ekziston.
Askush nuk e di nëse kjo lëvizje do të shuhet nesër apo do të rritet. Por ka aq revoltë dhe aq shpresë në ata fëmijë që ishin në protestë në krahë të nënave të tyre
Por një gjë është e sigurt.
Miti se shqiptarët janë bërë një popull plotësisht apat, i nënshtruar dhe indiferent ka marrë një goditje të fortë. Sepse historia shpesh nuk fillon me revolucione të mëdha.
Nganjëherë fillon me diçka shumë më të vogël.
Me një padrejtësi.
Me një arrogancë.
Ose, si në këtë rast, me një gardh që pushteti e ngriti për të ndarë tokën dhe që pa dashur përfundoi duke bashkuar zemërimin.
Se kjo do të jetë “Pranvera e flamengove”