
Besnik Fishta/
Kur të tjerët na kujtojnë mbretërit tanë.
Më 20 maj 2026, Posta e Bosnjë-Hercegovinës emetoi një pullë postare kushtuar mbretëreshës ilire Teuta, një prej figurave më të njohura të historisë së lashtë të Ballkanit. Teuta sundoi Mbretërinë Ilire në shekullin III para erës sonë dhe mbetet simbol i një periudhe kur ilirët kishin organizim shtetëror, fuqi detare dhe një rol të rëndësishëm në zhvillimet politike të rajonit. Ky emetim është për t’u përshëndetur, por njëkohësisht ngjall një reflektim të natyrshëm: si është e mundur që pas më shumë se një shekulli filateli shqiptare, figura të tilla ne ende na mungojnë, ndersa te tjeret i pasqyrojne ne programet e tyre filatelike?
Në pamje të parë mund të duket se filatelia shqiptare ka trajtuar pothuajse çdo fushë të jetës kombëtare: historinë, kulturën, florën, faunën, sportin, shkencën, arsimin dhe personalitetet e shquara te fushave te ndryshme. Megjithatë, kur ndalemi te lashtësia, vërejmë një boshllëk të dukshëm. Në emisionet tona filatelike mungojnë figura themelore të shtetformimit ilir, si Bardhyli, Agroni, Teuta, Genti e te tjere sundimtarë që krijuan, zgjeruan dhe forcuan mbretëri ilire, duke lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e Ballkanit para pushtimit romak. Historia e mbretërive ilire përbën një nga kapitujt më të rëndësishëm të antikitetit në Europën Juglindore. Bardhyli arriti të bashkojë disa fise ilire në një formacion të fuqishëm politik; Agroni e çoi Mbretërinë Ilire në kulmin e fuqisë së saj; Teuta u bë një nga gratë më të njohura të botës antike; ndërsa Genti mbeti simbol i përpjekjes për të ruajtur pavarësinë përballë ekspansionit romak.
Këto nuk janë figura periferike të historisë, por personazhe që përfaqësojnë kulmin e organizimit politik të ilirëve. Mungesa e tyre në filatelinë shqiptare bëhet edhe më e habitshme kur kujtojmë se Posta Shqiptare i ka kushtuar disa emisione perandorëve romakë me origjinë ilire. Keshtu me 2003 (me imazhet e Dioklecianit,Justinianit i pare, Klaudi i dyte dhe Kontadini i madh); me 2007(me imazhet e Galerio Maksimiliani dhe Flavio Anastasi) dhe me 2008(Deci dhe Maksimiani i Trakes). Këta perandorë, pa dyshim, kanë rëndësinë e tyre në historinë europiane dhe dëshmojnë edhe për rolin që popullsitë ilire luajtën në Perandorinë Romake. Megjithatë, ata ishin para së gjithash drejtues të një perandorie të huaj, të lidhur me institucionet dhe interesat e saj.
Natyrisht, kjo nuk nënkupton se ata nuk duhej të përfaqësoheshin në filatelinë shqiptare. Por lind pyetja nëse përparësia duhej t’u ishte dhënë figurave që mishërojnë drejtpërdrejt historinë shtetformuese të trojeve tona? Nëse do të ndiqnim vetëm kriterin e origjinës, atëherë filatelia shqiptare do të duhej të përfshinte në mënyrë të gjerë edhe vezirët e mëdhenj shqiptarë të Perandorisë Osmane, gjeneralë apo personalitete të tjera që bënë karrierë në shërbim të shteteve të huaja. Kontributi i tyre mund të jetë i rëndësishëm, por ai i përket kryesisht historisë së atyre shteteve. Ndërsa mbretërit ilirë dhe princërit arbërorë përfaqësojnë drejtpërdrejt traditën politike dhe shtetformuese të këtyre trojeve, ndaj do të ishte e natyrshme që ata të zinin një vend më të dukshëm në filatelinë shqiptare.
Pra konstatohet qe mungesat nuk kufizohen vetëm te lashtësia ilire. Edhe periudha e Arbërisë mesjetare mbetet e papërfaqësuar. Historia shqiptare njeh princër, principata, familje fisnike, diplomatë dhe luftëtarë që luajtën rol vendimtar në ruajtjen e identitetit politik e kulturor ndër shekuj. Edhe pse heraldika princerore shqiptare është pasqyruar në disa emisione filatelike përmes stemave të familjeve fisnike, ende mungojnë trajtime më të plota kushtuar figurave dhe ngjarjeve të kësaj periudhe. Familje si Topiajt, Muzakajt, Balshajt, Dukagjinët, Kastriotët dhe Arianitët përbëjnë një trashëgimi historike që meriton më shumë vëmendje.
Emetimi pullës i Mbretereshes Teutë nga Bosnjë-Hercegovina shërben si një kujtesë e dobishme. Ai na tregon se vendet e tjera nuk hezitojnë të promovojnë edhe figurat më të hershme të historisë së tyre, madje shpesh figura me ndikim shumë më të kufizuar sesa ato që gjejmë në historinë ilire dhe arbërore. Ndërkohë, Shqipëria disponon një trashëgimi historike jashtëzakonisht të pasur, e cila ende nuk është pasqyruar në mënyrë të plotë në filateli.
Kjo çështje nuk lidhet vetëm me filatelinë, por me faktin qe pulla postare eshte dokument kulturor dhe historik unik. Ajo shpreh mënyrën se si një komb zgjedh të përfaqësojë veten dhe të transmetojë kujtesën e tij. Për këtë arsye, temat filatelike nuk duhet të pasqyrojnë vetëm figura te shekujve te fundit, por edhe rrenjet dhe vazhdimësinë historike të identitetit kombëtar.
Në fund të fundit, një komb nuk e ndërton kujtesën e tij vetëm mbi historinë e afërt. Ai forcon identitetin duke nderuar edhe kohen më të hershme të ekzistencës së vet. Për këtë arsye, pasqyrimi filatelik i mbretërive ilire dhe i Arbërisë mesjetare nuk duhet parë thjesht si plotësim i disa mungesave tematike, por si një detyrim kulturor ndaj historisë sonë. Vetëm kështu filatelia shqiptare mund të japë një pamje më të plotë të rrugëtimit historik të popullit shqiptar, nga lashtësia e deri në ditët tona, pa na u dashur që mbretërit tanë të na i kujtojnë të tjerët.