
Kosova dhe Shqipëria përballë një përgjegjësie të re: koordinim strategjik, veprim diplomatik dhe mbrojtje e argumentuar e interesave shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Prof. Dr. Fejzulla BERISHA
16 shtatori 2026 nuk duhet të kalojë vetëm si një datë tjetër në kalendarin politik të Kosovës. Vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka hapur një fazë të re, e cila kërkon jo vetëm reagim politik e shoqëror, por mbi të gjitha përgjegjësi institucionale, qetësi dhe veprim diplomatik. Më 16 shtator, Trupi Gjykues i shpalli të katër të akuzuarit fajtorë për disa vepra penale të krimeve të luftës dhe caktoi dënimet përkatëse.
Tani nuk është koha për të mbetur vetëm te emocionet, te deklaratat e ditës apo te reagimet individuale.
Tani është koha për shtetin-Kosova dhe Shqipëria duhet të veprojnë si shtete.Të dyja shtete në çështjet ku kanë interesa të përbashkëta, duhet të veprojnë të koordinuara.
Kjo nuk do të thotë se Prishtina dhe Tirana duhet të kenë një politikë të jashtme identike. Të dyja janë shtete sovrane, me kushtetutat, institucionet dhe përgjegjësitë e tyre ndërkombëtare. Por sovraniteti i veçantë nuk e pengon koordinimin strategjik. Përkundrazi, në momente të rëndësishme, koordinimi ndërmjet dy shteteve shqiptare mund ta fuqizojë zërin e secilit prej tyre.
Në fakt, ky koordinim tashmë ka një bazë institucionale. Konsultimet diplomatike Kosovë–Shqipëri kanë trajtuar harmonizimin e veprimeve diplomatike për objektiva strategjikë, ndërsa në vitin 2026 të dyja palët kanë theksuar publikisht rëndësinë e koordinimit të ngushtë në çështjet me interes të përbashkët.
Prandaj, pas Hagës, ky koordinim duhet të ngrihet në një nivel më të qëndrueshëm dhe më funksional,jo si strukturë simbolike dhe forum ceremonial.
Por si instrument real i koordinimit të politikës së jashtme në çështjet ku interesat përputhen.Kosova nuk duhet të mbetet vetëm në rolin e reagimit
Për një shtet, diplomacia është një prej instrumenteve themelore të mbrojtjes dhe avancimit të interesave kombëtare dhe shtetërore. Kosova nuk mund të presë gjithmonë që zhvillimet ndërkombëtare të ndodhin dhe vetëm pastaj të reagojë.Një diplomaci e tillë mbetet kryesisht reaktive.
Kosovës i duhet diplomaci aktive.
Diplomacia aktive nënkupton të jesh në tavolinë para se të merret vendimi, të kesh argumentet para se të shtrohet pyetja dhe të kesh marrëdhëniet diplomatike të ndërtuara para se të lindë kriza.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për çështjet që lidhen me historinë e luftës së Kosovës dhe me mënyrën se si kjo histori paraqitet në arenën ndërkombëtare.
Nëse Kosova nuk e shpjegon vetë historinë e saj, hapësira e interpretimit mund të mbushet nga të tjerët.
Nëse Kosova nuk i paraqet vetë dokumentet dhe argumentet e saj, të tjerët do të paraqesin dokumentet dhe argumentet e tyre.
Nëse Kosova nuk e ndërton vetë komunikimin ndërkombëtar, hapësira publike ndërkombëtare do të ndikohet nga narrativat e palëve të ndryshme.
Prandaj, pas Hagës, duhet të ketë një kthesë në mënyrën e të menduarit diplomatik.
Tirana dhe Prishtina: nga koordinimi sporadik te strategjia e qëndrueshme
Shqipëria dhe Kosova kanë bashkëpunuar në shumë fusha. Por sfidat ndërkombëtare kërkojnë që ky bashkëpunim të ngrihet në një nivel më të qëndrueshëm dhe më të organizuar.
Duhet të funksionojë një mekanizëm i rregullt konsultimi diplomatik Prishtinë–Tiranë për çështjet e politikës së jashtme me interes strategjik.
Në të mund të përfshihen institucionet përkatëse, ekspertë të së drejtës ndërkombëtare, diplomatë me përvojë, studiues të historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, si dhe ekspertë të komunikimit strategjik.
Kjo strukturë duhet të prodhojë dokumente dhe analiza, jo vetëm deklarata.
Duhet të përgatiten analiza juridike.
Duhet të hartohen pozicione diplomatike.
Duhet të identifikohen partnerët ndërkombëtarë.
Duhet të përcaktohen objektivat.
Dhe duhet të koordinohen mesazhet.
Kjo do të ishte diplomaci e organizuar, e cila nuk varet vetëm nga reagimet e momentit.
SHBA-ja duhet të jetë në qendër të komunikimit strategjik
Në çdo strategji të re diplomatike të Kosovës, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara kanë rëndësi të veçantë.
Kosova duhet të ruajë dhe të thellojë komunikimin institucional me Uashingtonin.
Por ky komunikim duhet të jetë serioz, i vazhdueshëm dhe i argumentuar.
Nuk mjafton të thuhet se SHBA-ja është aleate. Aleancat kërkojnë mirëmbajtje të vazhdueshme institucionale, politike dhe diplomatike.
Duhet të ketë komunikim me institucionet amerikane.
Duhet të ketë diplomaci në Kongres.
Duhet të ketë diplomaci akademike.
Duhet të ketë diplomaci publike.
Duhet të ketë komunikim me qendrat e mendimit strategjik.
Dhe duhet të ekzistojë një prani e vazhdueshme diplomatike që e shpjegon Kosovën jo vetëm në momentet e krizave, por gjatë gjithë vitit.
Shqipëria, për shkak të anëtarësimit të saj në NATO dhe marrëdhënieve të saj me SHBA-në, mund të jetë një partner i rëndësishëm në këtë komunikim, pa e zëvendësuar në asnjë rrethanë diplomacinë e Kosovës.NATO-ja është pjesë e perspektivës së sigurisë së Kosovës
Nëse Kosova synon siguri të qëndrueshme dhe konsolidim euroatlantik, NATO-ja duhet të mbetet një prej prioriteteve të diplomacisë së saj.
Shqipëria është anëtare e NATO-s, ndërsa Kosova është e lidhur ngushtë me strukturat euroatlantike dhe KFOR-i mbetet pjesë qendrore e arkitekturës së sigurisë në Kosovë.Kjo krijon hapësirë të natyrshme për koordinim.
Edhe bashkëpunimi praktik në fushën e sigurisë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës është duke u zhvilluar. Në shkurt 2026, krerët e mbrojtjes të Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës diskutuan mekanizma konkretë koordinimi, ushtrime të përbashkëta dhe forcimin e kapaciteteve në përputhje me objektivat euroatlantike.
Tirana duhet ta mbështesë Kosovën në proceset euroatlantike në përputhje me politikën e saj të jashtme, ndërsa Prishtina duhet të ndërtojë vetë kapacitetet politike, diplomatike dhe të sigurisë që e forcojnë pozitën e saj.
Pas Hagës, mesazhi duhet të jetë i qartë:Kosova kërkon më shumë integrim euroatlantik, më shumë siguri dhe më shumë konsolidim institucional.
Kjo është diplomaci e orientuar nga e ardhmja.Bashkimi Evropian kërkon punë diplomatike të përditshmeEdhe në raport me Bashkimin Evropian, Kosova duhet të kalojë nga reagimi te iniciativa.Brukseli nuk duhet të kujtohet vetëm kur shfaqet një krizë.Diplomatët kosovarë duhet të jenë të pranishëm vazhdimisht në kryeqytetet evropiane ku zhvillohet politika që prek drejtpërdrejt interesat e Kosovës.
Duhet të flitet me qeveritë,me parlamentet,me institucionet evropiane,të flitet me mediat.Duhet të flitet me universitetet dhe qendrat kërkimore.
Dhe Shqipëria duhet të përdorë hapësirat e veta diplomatike evropiane për të mbështetur, aty ku qëndrimet përputhen, proceset që lidhen me Kosovën.
Kjo nuk do të thotë që Tirana të flasë në vend të Prishtinës. Përkundrazi, do të thotë që dy shtetet të përdorin kapacitetet e tyre përkatëse në funksion të objektivave ku kanë interes të përbashkët.
Kosova përballet me një realitet të veçantë në sistemin ndërkombëtar.Pikërisht për këtë arsye, diplomacia duhet të jetë edhe më aktive.
Në Kombet e Bashkuara, Shqipëria ka një rol institucional që Kosova nuk e ka në të njëjtën formë. Kjo hapësirë mund të përdoret për paraqitjen e qëndrimeve që lidhen me Kosovën, në përputhje me politikën e jashtme të Shqipërisë dhe me të drejtën ndërkombëtare.
Por një gjë duhet të jetë e qartë:asnjë shtet nuk mund ta bëjë punën e Kosovës në vend të Kosovës.Prishtina duhet të prodhojë argumentin,Tirana mund ta mbështesë.Partnerët mund ta përkrahin,por Kosova duhet të jetë bartësja kryesore e zërit të saj.
Këshilli i Evropës dhe diplomacia juridike
Në Këshillin e Evropës dhe në forumet e tjera evropiane, argumenti juridik ka rëndësi të veçantë.Prandaj, Kosovës i duhet një diplomaci që e njeh mirë të drejtën ndërkombëtare.
Nuk mund të ketë diplomaci serioze pa juristë ndërkombëtarë.
Nuk mund të ketë mbrojtje të interesave shtetërore pa dokumentacion.
Nuk mund të ketë komunikim të qëndrueshëm ndërkombëtar pa argument.
Për këtë arsye, Kosova dhe Shqipëria mund të krijojnë ekipe të përbashkëta ekspertësh për çështjet ku kanë interesa të përbashkëta.
Jo për të ndërhyrë në drejtësi e për të zëvendësuar gjykatat.
Por për të siguruar që dimensioni juridik i çështjeve të Kosovës të jetë i kuptuar dhe i argumentuar në mënyrë profesionale në arenën ndërkombëtare.
Duhet bërë dallimi ndërmjet drejtësisë dhe historisë,këtu kërkohet një qasje e matur.
Proceset gjyqësore duhet të trajtohen në kuadrin e tyre juridik,por historia e Kosovës është një çështje shumë më e gjerë.
Lufta, represioni, ndërhyrja ndërkombëtare, administrimi ndërkombëtar dhe procesi i shtetformimit janë pjesë të një konteksti historik që nuk mund të reduktohet në një proces penal.Ky dallim duhet të shpjegohet në mënyrë profesionale.
Kosova nuk duhet të kërkojë nga diplomacia ndërkombëtare të zëvendësojë drejtësinë.
Por Kosova ka të drejtë të tregojë historinë e saj, të paraqesë dokumentet dhe të mbrojë argumentet e saj në arenën ndërkombëtare.Kjo duhet të jet pjesë e diplomacisë shtetërore.
Diplomacia shqiptare duhet të jetë e koordinuar, jo e shpërndarë
Një prej sfidave kryesore është koordinimi.
-një deklaratë në Prishtinë.
-një tjetër në Tiranë.
-një tjetër në Bruksel.
-një tjetër në Uashington.
Në vend të kësaj, duhet të ekzistojë një strategji.Kjo nuk nënkupton që të gjithë të përdorin të njëjtat fjalë.Nënkupton që të gjithë të dinë se cili është objektivi.
Një strategji diplomatike duhet të ketë objektiva të qarta dhe të matshme: forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës;thellimin e marrëdhënieve me aleatët;mbështetjen për integrimin euroatlantik;forcimin e sigurisë;rritjen e pranisë diplomatike; dhe prezantimin profesional të argumenteve historike e juridike të Kosovës.
Nuk duhet të ketë boshllëk diplomatik
Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare tregon se hapësirat e pambuluara diplomatike priren të mbushen nga aktorë të tjerë.
Nëse një shtet nuk paraqet argumentet e veta, argumentet e të tjerëve mund të dominojnë hapësirën publike.
Nëse një shtet nuk dokumenton, dokumentacioni i palëve të tjera mund të bëhet burimi kryesor i debatit.
Nëse një shtet nuk ndërton marrëdhënie, hapësira diplomatike mund të shfrytëzohet nga aktorë me interesa të ndryshme.
Prandaj, Kosova nuk mund të lejojë që diplomacia e saj të funksionojë vetëm si reagim ndaj diplomacisë së Serbisë apo ndaj zhvillimeve të tjera rajonale.
Kosova duhet të ketë agjendën e vet diplomatike.
Duhet të ketë iniciativa,partneritete.,dëshmoj me dokumente,të ketë njerëz në terren,të ketë komunikim të vazhdueshëm.
Një front diplomatik, jo një front politik
Kur flasim për një “front diplomatik”, nuk duhet të nënkuptojmë një front partiak.
Diplomacia duhet të largohet nga logjika e përplasjeve të brendshme.
Çështjet strategjike të Kosovës nuk duhet të ndryshojnë sa herë ndryshon qeveria.
Marrëdhëniet me SHBA-në.
Marrëdhëniet me NATO-n.
Perspektiva evropiane.
Siguria e Kosovës.
Marrëdhëniet me Shqipërinë.
Subjektiviteti ndërkombëtar.
Këto duhet të jenë pjesë e një qasjeje sa më të qëndrueshme shtetërore.
Sepse shtetet nuk ndërtojnë strategji vetëm për një mandat.
Shtetet ndërtojnë strategji për dekada.
Pas vendimit të Hagës, Kosova ka nevojë për qetësi, maturi dhe vendosmëri.
Ka nevojë për veprim institucional,për diplomaci,për ekspertizë juridike,për komunikim ndërkombëtar dhe veçmas ka nevojë për koordinim me Shqipërinë.
Tirana dhe Prishtina duhet ta kuptojnë se ky është moment për një nivel të ri bashkëpunimi.
Por për koordinim strategjik të dy shteteve sovrane shqiptare në çështjet ku interesat përputhen.
Kosova duhet të jetë në Bruksel,Uashington,Ankara,Londër,Berlin,Paris,Romë.Në organizatat ndërkombëtare,në universitetet dhe qendrat e mendimit.Me një fjalë në çdo hapësirë ku formësohet politika ndërkombëtare.
Shqipëria duhet ta përdorë fuqinë e vet diplomatike për ta mbështetur këtë prani, aty ku kjo përputhet me interesat dhe politikën e saj të jashtme.
Kjo është rruga e diplomacisë aktive.
Nga reagimi te strategjia e veprimit
Kosova nuk mund ta ndryshojë të kaluarën.
Por mund ta përcaktojë mënyrën se si e paraqet atë në të ardhmen.
Nuk mund të kontrollojë çdo vendim të institucioneve ndërkombëtare.
Por mund të kontrollojë cilësinë e diplomacisë së saj.
Nuk mund t’i detyrojë të tjerët të mendojnë njësoj.
Por mund t’u paraqesë argumentet e veta me profesionalizëm.
Dhe nuk mund të kërkojë që Shqipëria të flasë në vend të saj.
Por mund të ndërtojë me Shqipërinë një koordinim diplomatik që i fuqizon të dyja.
Kjo është përgjegjësi shtetërore.
Pas Hagës nuk duhet të ketë vetëm një valë deklaratash.Duhet të ketë një strategji,strategji të argumentuar,strategji afatgjatë,strategji që e vendos Kosovën dhe interesat e saj në qendër të diplomacisë së saj.
Prishtina duhet të flasë si shtet,ndersa Tirana duhet ta mbështesë si shtet.Dhe, kur interesat përputhen, të dyja duhet të veprojnë të koordinuara.
Sepse në marrëdhëniet ndërkombëtare, një shtet duhet të jetë vazhdimisht i pranishëm për t’i mbrojtur dhe avancuar interesat e veta.
Dhe sot, më shumë se kurrë, mesazhi duhet të jetë i qartë:
Koha për diplomaci.