
Prof. Luçiano Boçi/
Brenda vetëm nëntë ditësh, Europa na dha dy pamje që do të mbeten gjatë në kujtesën e Ballkanit.
Në Beograd, Ratko Mladić, njeriu i dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, u përcoll si hero. Arkivoli i tij u mbajt me nderime ushtarake. Mijëra vetë u mblodhën për ta nderuar. Përfaqësues të shtetit serb, figura politike dhe diplomatike morën pjesë në ceremoninë që e shndërroi varrimin e një krimineli lufte në demonstrim krenarie kombëtare. Njeriu i Srebrenicës, i mbi tetë mijë burrave dhe djemve boshnjakë të masakruar, i rrethimit 43-mujor të Sarajevës dhe i mijëra viktimave, u fut në dhe nën uniforma, flamuj dhe lavde.
Nëntë ditë më vonë, në Hagë, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burg, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet.
Njëri u varros me nderimet e një shteti.
Të tjerët u dënuan me vitet e një jete.
Ky është kontrasti therës i një Europe që pretendon se ka mësuar nga historia, por që vazhdon ta lexojë atë me dy palë syze.
Nuk ka dhe nuk duhet të ketë pandëshkueshmëri për asnjë krim dhe për asnjë viktimë. Përgjegjësia penale është individuale dhe drejtësia duhet të jetë e njëjtë për të gjithë. Por drejtësia pushon së qeni bindëse kur humbet përmasën historike, baraspeshën dhe masën.
UÇK-ja nuk shkoi në Serbi për të pushtuar territore. Serbia hyri në Kosovë me ushtri, polici, tanke, aparatin e saj shtetëror dhe projektin e spastrimit etnik. UÇK-ja nuk ngriti kampe shfarosjeje dhe nuk hartoi politika shtetërore deportimi. Ajo lindi nga dhuna, përndjekja dhe mohimi sistematik i një populli.
Në Kosovë nuk u përplasën dy ushtri të barabarta dhe as dy projekte pushtuese. Nga njëra anë ishte makineria ushtarake e një shteti; nga ana tjetër, rezistenca e një populli që luftonte për të mos u zhdukur nga toka e vet.
Asnjë gjykim individual nuk duhet ta fshijë këtë dallim themelor.
Gjykata deklaron se nuk po gjykon UÇK-në dhe luftën çlirimtare. Por kur dënon thuajse të gjithë drejtuesit kryesorë politikë e ushtarakë të saj me dënime të tilla, pasoja nuk mbetet individuale. Ajo prodhon një mesazh historik dhe politik shumë më të gjerë se dosja e katër të akuzuarve.
Dhe pikërisht këtu lind pyetja që nuk mund të mbyllet me një vendim gjykate:
Si mundet që një aparat shtetëror që vrau, dogji, përdhunoi dhe dëboi qindra mijëra shqiptarë të mbetet në sfond, ndërsa udhëheqja e rezistencës shqiptare përfundon pothuajse e gjitha pas hekurave?
Si mundet që Serbia të nderojë publikisht autorin e një gjenocidi, ndërsa Kosova të detyrohet të shohë themeluesit e lirisë së saj të dënohen me dekada burg?
Drejtësia nuk mund ta trajtojë kontekstin historik si një rrethanë të parëndësishme. Nuk mund ta ndajë një episod nga shkaku që e prodhoi, luftën nga pushtimi dhe reagimin nga agresioni.
Në Beograd, varrimi i Mladiçit dëshmoi se Serbia nuk është ndarë ende nga kultura politike që prodhoi luftërat, varret masive dhe gjenocidin. Atje nuk u varros vetëm një gjeneral. U ringjall publikisht miti i tij. Një shtet kandidat për në Bashkimin Europian i tregoi botës se mund të nderojë një kriminel lufte dhe përsëri të pretendojë se ecën drejt Europës.
Ndërsa Kosova, viktima e fundit e projektit të tij, mori nga Haga një goditje që rrezikon të shndërrohet në rishkrim të historisë.
Vendimi është i shkallës së parë dhe do të apelohet. Prandaj beteja juridike nuk ka përfunduar. Por dëmi moral dhe politik është bërë. Historia mund të hetojë çdo njeri. Drejtësia mund të gjykojë çdo vepër. Por askush nuk ka të drejtë të barazojë çlirimtarin me pushtuesin, rezistencën me gjenocidin dhe viktimën me xhelatin.
Sepse, nëse Mladiçi përcillet me nderime dhe krerët e UÇK-së varrosen për së gjalli në burgje, atëherë nuk kemi vetëm një krizë të drejtësisë.
Kemi një atentat ndaj së vërtetës historike.