
Dje u dha vendimi i Dhomave të Specializuara të Gjykatës së Kosovës në Hagë për ish-drejtuesit e UÇK-së dhe funksionarët e lartë të shtetit të ri të Kosovës, zotërinjtë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Ishin dënime të rënda për krime lufte, duke rrëzuar akuzat për krime kundër njerëzimit.
Nuk do të ndalem në gjykimin e gjykimit të gjyqtarëve, pasi këtë tagër e ka një gjykatë më e lartë, ajo e Apelit, por nuk dëshiroj të jap asnjë opinion të përgjithshëm, pasi nuk i kam lexuar materialet e Prokurorisë Speciale. Thjesht i referohem postulatit se, kur flet drejtësia, gjithkush tjetër duhet të heshtë.
Gjëja më interesante në të gjithë këtë histori ishte deklarimi “në emër të popullit të Kosovës” nga gjyqtarë të huaj, në një sallë gjyqi ku nuk kishte asnjë simbol të shtetit të Kosovës. Se ku ishte populli i Kosovës në atë sallë, unë, për veten time, nuk pashë askund.
Mirëpo, kjo nuk është çudia e vetme dhe as më e madhja, pasi ka të tjera akoma më të mëdha.
Gjykata e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë është iniciuar dhe ngritur në respekt të zbardhjes së akuzave të ndërkombëtarëve dhe institucioneve europiane për krime kundër njerëzimit nga lidershipi i Kosovës, për krime të tmerrshme, duke përfshirë edhe transplantimin e organeve. Mirëpo, kjo gjykatë e rrëzoi akuzën për krime kundër njerëzimit, pa thënë asnjë fjalë për rrëzimin e themelit të ngritjes së kësaj gjykate.
Thashë më sipër se nuk do të prononcohem për krimet e supozuara apo proporcionalitetin e dënimit, por, nga çfarë kam dëgjuar, gjyqtarët e huaj të Gjykatës së Kosovës, besoj, kanë krijuar një precedent në jurisprudencën botërore duke pranuar “prova” nga institucionet e zbatimit të ligjit në Serbi.
A ka një rast të dytë në historinë e jurisprudencës botërore që, për të fajësuar çlirimtarët e Kosovës, pranohen “prova” nga pushtuesit dhe kriminelët e popullit të Kosovës të djeshëm, armiqtë e popullit dhe të shtetit të Kosovës së sotëm, pasi akoma edhe sot Serbia nuk e ka njohur shtetin e Kosovës?
Këto janë dy precedente që duhen konsideruar nga shkallët e tjera të gjykimit të ish-lidershipit të Kosovës, pasi, me këto dy akte, gjyqtarët e huaj të Gjykatës së Kosovës në Hagë, pa simbole të shtetit të Kosovës dhe me “prova” të marra në Serbi, kanë treguar zyrtarisht se nuk kanë qenë të paanshëm as në hetim dhe as në gjykim.
E thashë “as në hetim dhe as në gjykim”, pasi ish-lidershipin e Kosovës e kanë mbajtur në paraburgim për 6 vjet, duke shkelur të gjitha afatet procedurale, pa u përgjigjur askund.
Këto janë, në vija të përgjithshme, disa shkelje fondamentale të trupës së Dhomave të Specializuara të Gjykatës së Kosovës në Hagë, që, thellësisht besoj, nuk kanë për të kaluar pa u vënë re në shkallët e tjera të gjykimit.
Mirëpo, siç e kam thënë në një intervistë për një TV të Kosovës: “Kur të vret vetja, nuk ta merr kush gjakun.”
Ajo çfarë besoj se biem dakord të gjithë është se synimi i armiqve të kombit shqiptar nuk ka qenë dhe nuk është thjesht goditja, me të drejtë apo pa të drejtë, e ish-lidershipit të UÇK-së dhe të shtetit të ri të Kosovës, por delegjitimimi i luftës heroike të popullit të Kosovës, të organizuar në formacionet e UÇK-së, së bashku me shtetin e ri të Kosovës.
E kam thënë dhe e them se ne, si shqiptarë, jemi një popull i vonuar, që reagojmë me vonesë ose nuk arrijmë t’i kuptojmë fare zhvillimet rreth nesh. Ndryshe nuk ka si shpjegohet pranimi nga institucionet sovrane të Kosovës që të themelohet një gjykatë speciale me gjyqtarë të huaj, me subjekt të paracaktuar, për të hetuar “krimet” e lidershipit të UÇK-së, kur e gjithë bota ka parë live masakrat e serbëve mbi popullin shqiptar të Kosovës, ku edhe sot janë me mijëra të zhdukur.
Nuk duhet harruar edhe presioni i Tiranës zyrtare ndaj lidershipit të Kosovës për të themeluar këtë gjykatë me subjekt monoetnik në një shtet multietnik, besoj unik në jurisprudencën e Perëndimit demokratik.
Duhet theksuar se, megjithëse akoma nuk ka mbaruar gjithçka, politika e Kosovës nuk duhet të guxojë që t’i përdorë këto handikape në luftën politike në Kosovë e as në Shqipëri, nëse duam që të mbijetojë Kombi Shqiptar nga ky agresion i gjithanshëm e mjaft i rrezikshëm.
Në mënyrë urgjente, Kosova duhet të themelojë qeverinë e shpëtimit kombëtar, që, për mendimin tim, duhet ta kryesojë ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Thellësisht mendoj se qeverinë e shpëtimit kombëtar të Kosovës duhet ta kryesojë Vjosa Osmani, për të rikthyer Kosovën drejtpërsëdrejti nën ombrellën amerikane.
Koha nuk pret për të promovuar apo për të bërë eksperimente, pasi armiqtë e kombit shqiptar me siguri i kanë menduar, skicuar e programuar edhe hapat që do të hedhin nesër.
Çdo hap nga ana e institucioneve të Kosovës duhet të sinkronizohet nga ana e qeverisë së shpëtimit kombëtar të Kosovës me Presidentin Trump dhe institucionet amerikane.
Politikanë të kombit shqiptar, ju që jeni, ju bëj thirrje në emër të kombit që të bashkoheni për të bërë të mundur shpëtimin e Atdheut.
Ajet Delaj
New York