
Fadil Ferizi/
Ka aktgjykime që ndajnë drejtësi. Ka edhe aktgjykime që, duke u mbështetur në mandat të ngushtë juridik, prodhojnë pasoja të gjera historike.
Vendimi i sotëm i Dhomave të Specializuara në Hagë është i tillë.
Nga viti 2016 deri në vitin 2027, sipas përllogaritjeve të financimeve të miratuara për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, janë shpenzuar dhe paraparë mbi 530 milionë euro. Mbi gjysmë miliardi euro për një mekanizëm që, përtej gjuhës juridike, ka prodhuar një pamje të rëndë: drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bankën e të akuzuarve, Serbia jashtë sallës.
Sipas vendimit të shpallur sot nga Trupi Gjykues, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë shpallur fajtorë për krime lufte. Hashim Thaçi është dënuar me 25 vjet burgim për arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte. Kadri Veseli është dënuar me 18 vjet burgim për të njëjtat pika. Rexhep Selimi është dënuar me 13 vjet burgim. Jakup Krasniqi është dënuar me 25 vjet burgim.
Por Trupi Gjykues nuk i shpalli fajtorë për krime kundër njerëzimit. Akuzat për përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme dhe zhdukje me forcë si krime kundër njerëzimit nuk u provuan në standardin e kërkuar. Ky nuk është hollësi juridike. Është fakt me peshë politike dhe historike.
Këtu qëndron paradoksi i madh i këtij aktgjykimi: nuk u provuan krimet kundër njerëzimit, por u shqiptuan dënime tepër të rënda ndaj figurave kryesore të luftës çlirimtare. Juridikisht, dallimi ndërmjet krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit mund të shpjegohet. Por historia nuk ruhet vetëm me nene. Kujtesa publike nuk mban mend vetëm arsyetime gjyqësore. Ajo mban mend skenën.
Dhe skena është e padrejtë në përmasën e saj historike.
Në qendër të gjykimit janë ish-drejtuesit e UÇK-së. Jashtë kësaj skene mbetet Serbia, shteti që kishte ushtrinë, policinë, aparatin administrativ, burgjet, dëbimet, masakrat dhe mekanizmin e dhunës mbi shqiptarët e Kosovës. Kjo mungesë nuk është çështje teknike. Është boshllëk moral.
Askush nuk duhet të kërkojë imunitet penal në emër të luftës. Përgjegjësia penale është individuale dhe çdo viktimë meriton të vërtetën e vet. Por asnjë përgjegjësi individuale nuk mund ta përmbysë të vërtetën kolektive të një lufte çlirimtare. UÇK-ja nuk lindi nga dëshira për konflikt. Ajo lindi nga një histori shtypjeje, nga heqja e autonomisë, nga përjashtimi institucional, nga dhuna policore, nga dëbimet dhe nga një regjim që lirinë e shqiptarëve e shihte si rrezik.
Prandaj një proces me mandat të ngushtë mund të bëhet i rrezikshëm kur fillon të prodhojë kujtesë të gjerë. Ai mund ta ngushtojë historinë deri aty sa skena e gjyqit të zëvendësojë skenën e luftës. Mund të krijojë përshtypjen se tragjedia filloi me UÇK-në, jo me shtetin që e detyroi Kosovën të mbrohej.
Ky është dëmi më i madh.
Dhomat e Specializuara mund të thonë se nuk gjykojnë historinë e Kosovës, por vetëm individë. Megjithatë, institucionet nuk jetojnë vetëm në tekstin e ligjit. Ato jetojnë edhe në perceptim, në arkiv, në fotografi, në mënyrën se si brezat e ardhshëm do ta lexojnë të kaluarën. Dhe në këtë kuptim, ky mekanizëm, i mbështetur dhe i financuar kryesisht nga Bashkimi Evropian, sot humbi shumë nga autoriteti moral që pretendonte ta kishte.
Përgjegjësi kanë edhe institucionet e Kosovës. Kjo gjykatë nuk u ngrit vetëm nga jashtë. Kuvendi i Kosovës ndryshoi Kushtetutën dhe miratoi ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Kosova mori pjesë në krijimin juridik të një mekanizmi që sot prodhon pasoja të rënda për kujtesën e saj kombëtare.
Prandaj pyetja nuk është vetëm për Evropën. Është edhe për ne. A e kuptuan institucionet tona se drejtësia nuk prodhon vetëm aktgjykime, por edhe histori? A e panë se një mekanizëm i tillë, me mandat të ngushtë dhe me efekt të gjerë publik, mund të prodhonte një pamje të shtrembëruar të luftës së Kosovës?
Kosova nuk duhet të ketë frikë nga drejtësia. Por duhet të ketë kujdes nga drejtësia e pjesshme që, në kujtesë, mund të kthehet në padrejtësi të plotë.
Prandaj sot duhet të jemi të matur, por jo të heshtur. Të drejtë ndaj çdo viktime, por edhe të drejtë ndaj historisë sonë. Të gatshëm ta pranojmë çdo të vërtetë të provuar, por të vendosur të mos pranojmë që e vërteta e pjesshme të paraqitet si histori e plotë.
Drejtësia le të kërkojë përgjegjësi individuale. Por askush të mos kërkojë nga shqiptarët të harrojnë pse lindi lufta, kush e shkaktoi tragjedinë dhe cilës padrejtësi iu përgjigj Kosova me luftën e saj për liri.
UÇK-ja dhe Republika janë të përjetshme dhe të pandashme.