
New York, 16 shtator 2026 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” shpreh revoltën dhe kundërshtimin e saj të fuqishëm ndaj vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj çlirimtarëve dhe luftëtarëve të lirisë: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Për “Vatrën”, ky vendim është i turpshëm, i papranueshëm dhe i neveritshëm. Ky vendim është kundër dinjitetit, moralit, shpirtit dhe sakrificës së një populli që luftoi për liri, mbrojtje, çlirim e pavarësi.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës është pjesë e lavdishme e historisë së lirisë së Kosovës dhe e kujtesës kombëtare shqiptare. UÇK është krenari, identitet dhe dinjitet kombëtar.
Për “Vatrën”, lufta e UÇK-së ishte luftë e domosdoshme, e drejtë dhe çlirimtare kundër represionit, spastrimit etnik, gjenocidit dhe dhunës së regjimit të Millosheviçit, një luftë me bekimin e SHBA dhe NATO që i hapi rrugën çlirimit të Kosovës, lirisë së saj dhe ndali krimet e tmerrshme të Millosheviçit në Kosovë. “Vatra” beson se sakrifica e mijëra dëshmorëve dhe luftëtarëve të UÇK-së nuk mund të njolloset dhe nuk mund të vendoset në të njëjtën peshore me krimet e gjenocidin e regjimit serb ndaj popullsisë civile shqiptare.
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra i bën thirrje Shtëpisë së Bardhë, Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ta rishikojnë qëndrimin ndaj Gjykatës Speciale dhe të mbështesin një proces që garanton drejtësi të barabartë, të paanshme dhe të pandikuar politikisht.
Vatra e cilëson dënimin nga Gjykata Speciale, një turp në zemër të Europës, një dënim të padrejtë dhe diskriminues në raport me historinë dhe luftën çlirimtare të Kosovës kundër kriminelëve të Beogradit.
“Vatra” shpreh solidaritetin më të lartë shpirtëror me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, me familjet e tyre dhe çdo pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe garanton se do bëjë gjithçka që kjo padrejtësi të korrigjohet.
Me shqetësim
Kryetari i Vatrës
Dr. Elmi Berisha