Nga Eugjen Merlika/
“Flijimi vullnetar me vetëdije të plotë dhe I lirë nga çfarëdo detyrimi, flijimi i vetëvetes për të mirën e të gjithëve, është simbas meje, treguesi I zhvillimit më të madh të personalitetit, të epërsisë, të zotërimit të plotë të vetëvetes, të më të madhit vullnet të lirë.” – FIODOR DOSTOJEVSKI
Nga Eugjen Merlika
(Vijon nga numuri i kaluar)
Më 13 tetor 1943 u bë një atentat në Tiranë kundër ish kryeministrit Mustafa Kruja, tashmë pa asnjë funksion e i larguar nga politika vepruese. Mbrëmjen e asaj dite, mbasi u muar vesh se ai kishte marrë një plagë në krah pa pasoja e ishte kthyer në shtëpi, afër mesnatës, trokiti dera e jashtëme e shtëpisë së tij, e pyetjes së nuses së shtëpisë se kush ishte, i u përgjigj një zë burri: “Hape nuse derën se jam Kapidan Gjoni”. Nusja hapi derën e oborri u mbush me rreth treqind mirditorë të armatosur, të prirë nga Kapidani e dy bijtë e tij, Marku dhe Aleksandri. Mbas përshëndetjes së zakonëshme dhe urimeve të miqve për shpëtimin e tij nga e shtëna e guerrilasve tiranas, ata së bashku me të zotin e shtëpisë u mbyllën në studion e këtij të fundit dhe mbetën deri në të gëdhirë, duke biseduar për gjëndjen e Shqipërisë me ndërrimin e pushtuesve e pritmëritë për t’ardhmen edhe në dritën e atentatit të asaj dite.
Miqtë e shquar i vunë në dispozicion Mustafës forcat e tyre për të zhvilluar një përndjekje të ashpër në komunistët e Tiranës, të cilët ishin autorët e shtënies me armë mbi të. Në orët e mesditës, mbas plagosjes, i mjekuar nga dentisti Xhevdet Asllani, para se të hipte në ambulancën që do t’a çonte në shtëpi, i ishte dashur t’i përgjigjej pyetjes së oficerit gjerman se çfarë duhej të bënin me shoferin të cilin e kishin zënë gjermanët. Ai ishte përgjigjur: “Lereni të lirë. Nuk bëhet hakmarrje me gjakun s shoferit!”. Kështu do të shkruante vite më vonë Genc Korça, që kishte përkthyer fjalët e mikut të babait të tij, Dr. Xhevat Korçës, drejtuar oficerit gjerman.
Ky qe thelbi i arsyetimit të tij edhe në bisedën e natës së 13 tetorit 1943, me miqtë e vyer të ardhur nga Shkodra, ish zv.ministrin e tij të besuar, babanë e tij, Kapidanin e Mirditës dhe djalin tjetër, Lleshin, i cili ishte më i prirur nga hakmarrja, për më tepër se i njihte të rinjtë e njësiteve guerrile. Por vendosmëria e ish kryeministrit ishte e plotë dhe pa asnjë mëdyshje: asnjë pikë gjak shqiptari nuk do të derdhej për hakmarrje të tij, atë e kishte goditur partia komuniste shqiptare, me të cilën ishte në luftë të hapur që kur mori vesh se ishte krijuar me ndërmjetësimin e drejtimin e dy jugosllavëve, aq sa theu betimin që kishte bërë për të mos marrë pjesë në asnjë qeveri të Vëndit të pushtuar e mori përgjegjësinë e formimit të qeverisë së 16-të të shtetit shqiptar të pavarur. Ai falënderonte nga zemra miqtë e vyer që i u gjëndën pranë në çastin më të vështirë, si miku mikut. Biseda vazhdoi për disa orë e miqtë pranuan arsyet e të zotit të shtëpisë, por për sigurinë e tij i kërkuan që t’a merrnin me vete në shtëpinë e tyre në Shkodër për disa kohë. Mustafai pranoi dhe të nesërmen u nis së bashku me ta për në kryeqendrën veriore, i strehuar në kullën e Gjomarkajve për rreth tre muaj.
E gjithë kjo histori nuk dëshmon vetëm për miqësinë e shëndoshë që ishte ndërmjet tyre, por tregon edhe si konceptohej ajo nga zbatuesit e Kanunit në malet shqiptare, sepse ishte e themeluar mbi respektin e ndërsjelltë që arrinte deri në detyrim në raste të veçanta rrethanash të jashtëzakonëshme, e vendimet merreshin nëpërmjet rrahjes së fuqishme të mendimeve, të shtyra nga arsyeja e mirëfilltë e dhomës së burrave, ku secili kishte të drejtën e shprehjes së pikëpamjeve, deri sa bihej në një ujdi që shprehte urtësinë shekullore shqiptare.
Tregon edhe një gjë tjetër: ndryshimi ndërmjet klasës politike të asaj kohe dhe pasardhësve të tyre në drejtimin e Shtetit shqiptar. Mbas tetë vitesh nga kjo ngjarje ndodhi “hedhja e bombës” n’oborrin e ambasadës sovjetike në Tiranë dhe qeveria e Enver Hoxhës, ndaj një dëmi krejt të paqënë, vendosi të pushkatojë pa gjyq, në kundërshtim me mendimin e ministrit të saj të Drejtësisë, 21 intelektualë shqiptarë, ndërmjet të cilëve edhe zonjën Sabiha Kasimati, një shkencëtare biologe tejet të çmuar për dijet e saj, për më tepër ish shoqe klase e kryeministrit shqiptar.
Ndërsa Mustafa Kruja, viktimë e një atentati kur nuk kishte më asnjë funksion shtetëror, dhe miqtë e tij kombëtaristë ndërmjet të cilëve edhe ish ministri Mark Gjomarkaj, vendosën të mos kishte asnjë lloj hakmarrjeje kundrejt atentatorëve komunistë, këta të fundit gjetën një shkak për të vrarë 21 shqiptarë të pafajshëm, vetëm për të treguar miqësinë me Bashkimin Sovjetik.
Por ajo klasë politike, në tërësinë e saj, nuk arriti të krijojë një platformë të përbashkët kundër-komuniste, në të cilën të ishte parësore mbrojtja, deri në fund të luftës, e kufinjve të 1941-shit dhe sigurimi i tyre në traktatin e paqës pasues. Për shumicën e saj mbetën të papajtueshme dasitë mbi ndikimet e huaja, kryesisht italiane, dasi që u zgjatën edhe në mërgim me ndërpretime e gjuhë komuniste, me termat “tradhëtarë” e “bashkëpuntorë” të fashizmit, edhe se dihej shumë mirë se bashkëpunimi me fashizmin kishte një qëllim të vetëm, interesin për çështjen kombëtare që, më së fundi, në një farë mënyre u sendërtua.
Lidhur me këtë këndvështrim të gjërave, besoj se libri “Vetvrasja e një Kombi” i Kol Bib Mirakajt, është një pasqyrë e plotë e pa asnjë dyshim e saktë e asaj periudhe dhe nyjeve më të rëndësishme të saj. Po sjell këtu një pjesë të arsyetimit të autorit të nderuar të kësaj vepre, që mbetet gjithmonë jo vetëm burim i mirëfilltë njohurish historike, por edhe nxitës i një përsiatjeje të thellë mbi atë epokë, të vlefshme për kohën kur është shkruar, po aq sa edhe për sot e po ashtu për t’ardhmen:
“Nuk ishin ushtritë partizane jugosllave ato që erdhën në ndihmë të komunizmit në Shqipni me marrë pushtetin e për të dëbue okupatorin, po ishin partizanët Shqiptarë (komunistët) që shkuen në Jugosllavi, me i ndihmue ata kundër gjermanëve, e kje Mehmet Shehu me divizjonet e tij, që pushtuen Kosovën tradhëtisht e ua dorzuen Jugosllavisë së Titos.
Nga sa asht thanë e që nuk mund të ketë kontestim përveç asaj të ndërhymjes s’ushtrive anglo-amerikane, asht e padyshim, se po të kishin kenë të bashkueme forcat kombtare antikomuniste, gja që na e kemi kërkue si në kohën qi kishim pushtetin në dorë, si ma vonë, (dhe siç po e kërkojmë edhe në mërgim), thomi e dëshmojmë për historinë, se kurrë e askurrë komunizmi nuk do të kishte mundë të marrë pushtetin në dorë në Shqipni, përveç me e pasë prue forcat ushtarake jugosllave ose sovjetike, në rasë se, nuk do të vijshin me pushtue vendin abglo-amerikanët, dhe do të lejoheshin fuqitë sllavo-bolshevike për një abuzim të tillë.
Sikur t’a përjashtojmë krejtësisht ndërhymjen anglo-amerikane, megjithse, kushdo që t’ishte në krye të qeverisë, tue dijtë rrezikun që mund t’i kërcnohej Atdheut nga fqinjët, do t’i ftonte aleatët. A nuk do të kishte kenë shumë ma e lavdishme për historinë, e ma e dobishme politikisht me e shejtnue me gjak të drejtën e bashkimit të shqiptarëve, në një shtet Shqiptar ndër kufinjt Etnikë, siç ishin realizue në Prill të 1941?
A nuk do të kishte kenë historikisht (në rasën ma të keqe) ma me vlerë që nacionalizmi Shqiptar, kombi Shqiptar, të mundej nga divizjonet e kolosit bolshevik, mbasi të kishte zbrue në gjak kufinjtë e Atdheut të zmadhuem, se sa të shpartallojë vetveten, tue i ra njani thumbit e tjetri patkoni, me grindje e ndasina që ishin fryt i bindjes verbsisht të urdhnave të disa agjentëve të huej?
A nuk ishte shumë ma nder e ma e dobishme-po themi-që qëndresa Shqiptare, të dërmohej nga divizjonet e hueja anmike se sa me ”varazhvara” ta linte veten (siç e la) të shpartallohej nga një grusht aventurierësh komunistë të pa plang e, të pa shtëpi, dhe t’urryem nga shumica e Popullit tonë?
Përgjegjen e këtyne pyetjeve, le t’ua japin lexuesi e historia, e maparë, t’ia napin ndërgjegjes së vet ata Shqiptarë, që kanë kenë shkaktarë të mosbashkimit, pra të disfatës së nacionalizmit.”
Mbas një paraqitje të thukët të ngjarjeve dhe nënshtrimit gjakftohtë të tyre, në hapësirë vitesh të shkuar, kur autori hedh në letër kujtimet e tij, para lexuesit shpaloset një gjëndje e pakuptueshme, si një ëndërr e keqe që ngjall trishtim e zgjon mosbesim për absurditetin e saj. Autori ngre aty disa pyetje, të cilat ai u a beson shqiptarëve të brezave pasardhës e, krahas tyre, historisë, që do të gjykojë të shkuarën, kohën e tij, vendimet apo mungesën e tyre, amullinë e ideve dhe pasojat e tyre.
Para lexuesit ashtu si para shumë mijra dëshmitarëve të asaj kohe, ngrihet si një sfinks i stërmadh kryepyetja: a ishte një fatalitet i pashmangshëm për Shqipërinë 29 nendori 1944, me të gjitha pasojat e tij tragjike e dramatike në një gjysmë qindvjeti? Qe zgjedhja e shqiptarëve apo vendim i ardhur nga fituesit e luftës e , si i tillë, i pamundur të ndryshohej? A bënë shqiptarët gjithshka mundën për të mbrojtur shqiptarizmin në kufinjtë e pranverës së vitit 1941? Apo u treguan të mefshët, të paqartë në idetë, të pavullnetshëm, robër të iluzioneve e dogmave të një bote që kishte vetëm dy ngjyra: bardh e zi?
Janë pyetje që ende mbas tetëdhjetë vitesh nuk gjejnë përgjigje, aq janë të ndërlikuara në përbërëset e tyre, edhe se koha ka fshirë, pothuajse krejtësisht shkaqet e pasojat e asaj epoke, duke depozituar në sitën e historisë bëmat dhe personazhet e atyre viteve.
Por le të vazhdojmë, gjithënjë simbas librit të Kol Bib Mirakajt, kronikën e ngjarjeve të zhvilluara në kampin kundër komunist, në vitin e fundit të luftës për Shqipërinë:
“Nuk jam në gjendje të përcaktoj datën, por dihet se në muejin janar e kah fillimi i shkurtit 1944, personalitete të grupit Indipendent, morën nisjativën rishtas, për të mujtë me arrijtë në marrëveshje bashkpunimi me dy partitë e tjera, për të përballue rrezikun bolshevik…..
Mbas pak ditësh mbledhja u ba përsër në shtëpi të Kapidanit, ku kanë marrë pjesë:
Për Grupin Indipendent: z. Sylço beg Bushati, Gjon Markagjoni, Hafiz Ali Kraja, Shuk Gurakuqi e Maliq beg Bushati.
Për Legalitetin: Ndoc Çoba e Shefqet Muka
Për Ballin Kombëtar: Mit-hat Frashëri, Lec Kurti, Jup Kazazi, , Vasil Andoni, etj.
U arrijt në rradhimin e nënshkrimin e një protokolli në tri kopje origjinale, për bashkëpunim dhe që asht quejtë:
“BESËLIDHJA E SHKODRËS”
U morën vendimet e rastit ndër të cilat ishin këto:
1.”Beslidhja e Shkodrës” do të mbledhë dhjetë deri në dymbëdhjetmijë vullnetarë të parrogë nga krahinat e Shkodrës: Mirditë, Malësi e Madhe e Rranxa, Pukë, Dukagjin, Malësi e Lezhës e Fusha.
2.Forcat do të mblidhen nga “Besëlidhja e Shkodrës” me karakter kombtar e jo partish, dhe do të vihen në shërbim të qeverisë për luftën kundër komunizmit. Qendra e këtyne forcave, mbas spastrimit të Shqipnisë së Jugut, do të jetë Tirana.
3.Të ftohen sa ma shpejt Krenët e Maleve për një mbledhje në Shkodër, së bashku me Parinë e qytetit. Për këte qëllim u dërguen përfaqësues të “Beslidhjes” për çdo Nënprefekturë, për të bisedue me Krenët qëllimin e mbledhjes.
4.Të dërgohen tre përfaqësues në Tiranë, për të lutë qeverinë të marrë mbi vete shpenzimet që parashiheshin për mbledhjen e rekrutimin (ushqim, banim etj.). Hafiz Ali Kraja, Ndoc Çoba e Jup Kazazi u dërguen në Tiranë për t’i parashtrue Këshillit të Naltë e Qeverisë sa u tha, ndërsa Mit-hat Frashëri dha premtimin me dhanë përkrahjen e Tij, pranë autoriteteve shtetnore për përmbushjen e këtyne nevojave.
Në bisedimet e para që u banë me Këshillin e naltë e Kryetarin e qeverisë, autoritetet në fjalë e pëlqyen nisiativën e Shkodrës dhe premtuen me vue në dispozicion të “Beslidhjes” mjetet e nevojshme financiare. Me këte premtim këthehej dërgata e Shkodrës nga Tirana.”
Dukej sikur marrëveshja që solli “Beslidhjen e Shkodrës” ishte vënë në rrugë të mbarë, mbasi pjesëmarrja ishte në nivel të lartë nga të gjitha forcat politike kombëtariste, madje edhe zotimet e marra ishin premtuese. Shuarja e miklimeve për një bashkëpunim me Frontin Nac. Çl., në pritmërinë e luftës së përbashkët kundër pushtuesit gjerman dhe qeverisjes së gjërë mbas mbarimit të luftës që dukej se anonte tashmë nga fitorja e Aleancës Angli-SHBA- BS., si pasojë e hedhjes në kosh të marrëveshjes së Mukjes, duhej t’i shtynte të gjithë atdhetarët shqiptarë që duhej të kishin si synim kryesor të çastit e të perspektivës ruajtjen e gjëndjes së krijuar në pranverën e vitit 1941, me bashkimin e trojeve shqiptare, që ajo marrëveshje të ishte themeli mbi të cilin do të ngrihej Shqipëria e mbas luftës.
Fatkeqësisht nuk ndodhi ashtu. Arsyet i tregon hollësisht Kol Bib Mirakaj në përimtimet e tij:
“Pse vepra e “Beslidhjes së Shkodrës” u sabotue, kjo gja u kuptue e asht marrë vesh në hollësina. Autoritetet e Nalta të Shtetit e Mit-hat Frashëri me ta, nuk deshtën të mblidheshin forcat e Malësivet të Shkodrës, pse dyshonin që kur t’arrinin gjithë këto forca në Tiranë, mbasi të kishin spastrue Shqipninë e Veriut, së bashku me forcat e Dibrës, Lumës, Matit e Elbasanit, që mund të shkapërcejshin numrin e tridhjetmijë luftarëve, do të kërkojshin ramjen e Këshillit të Naltë dhe të qeverisë, për të marrë pushtetin në dorë Sylço beg Bushati e Gjon Markagjoni me miqtë e vet. Kjo e asgja tjetër, kje arsyeja e sabotimit të programit të Beslidhjes së Shkodrës, e të nji tjetër nisjative po aq me randësi në mbarim të gushtit 1944….
Mit-hat beu i preu krejtësisht marrëdhaniet me “Beslidhjen”, mbas ardhjes së At Anton Harapit e Gjylbegut në Shkodër.
E sabotueme dhe e paralizueme si u pa atëherë, “Beslidhja” arrijti në Maj 1944, të mbledhë një pjesë të ndijshme të Krenëve të Maleve në Shkodër. Krentë pranuen të marrin pjesë në lëvizje e t’japin kushtrimin kurdo t’u jepej lajmi nga “Beslidhja”, tue vue njizani kushtin që u tha: Të merrshin pjesë edhe qyteti i Shkodrës me Sylço beun e Kapidan Gjon Markagjonin, e tjerë Parësi shkodrane në krye. Të gjithë, përveç Krenëve të Malësisë së Madhe, deklaruen se nuk kërkojnë asgja tjetër prej qeverisë, veçse pushkë, fishekë e bukë….”
Vijon