
Prof. Milazim Krasniqi/
Në maj të vitit 1991 po ktheheshim me profesor Fehmiun nga Skandinavia. Patëm mbajtur disa takime me bashkatdhetarë në Suedi e Danimarkë dhe po ktheheshim nga aeroporti i Kopenhagës. Mirëpo në Beograd duhej të zbrisnim domosdoshmërisht, për të marrë avionin për në Shkup. Sapo dolëm nga avioni dhe u nisëm drejt ambienteve të brendshme të aeroportit të Beogradit, në krye të korridorit unë e pashë që larg një person që mbante një tabelë ku shkruante “Agani”. U shqetësova nga kjo gjë, sepse deri sa ne ishim në Skandinavi, ishte mbajtur mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm, ku prof.Agani ishte zgjedhur nënkryetari i parë i LDK-së. Duke e njohur linjën e politikës së Millosheviqit, e cila shkonte në atë drejtim që të na e mbyllte tërësisht gojën dhe që të mos linte asnjë zë opozitar, mundësia e arrestimit të tij në aeroport, ishte e logjikshme. Unë e preka lehtaz në dorë dhe i thashë ngadalë se në krye të korridorit ishte një tabelë me mbiemrin e tij. Ai më shikoi butësisht, ngadalësoi hapin dhe pastaj me zë të ulët, ashtu si fliste gjithmonë, më tha se çfarëdo që të ishte kjo gjë, nuk duhej të shqetësohesha. Nuk pati asnjë prishje të qetësisë së tij lapidare. Maturia dhe qetësia kanë qenë virtytet të forta të tij.
U afruam te personi që ishte ngulur si hu me atë tabelë në dorë, në mes të atij korridori të ngushtë, që lidhte avionin me ambientet e aeroportit. Profesori i tregoi se kush ishte. Ai personi pastaj shpjegoi se buleta e tij në Kopenhagë ishte prerë gabimisht (ishte harruar atje pjesa për vazhdimin e udhëtimit për në Shkup) dhe na drejtoi në sportelin ku duhej të bëhej korrigjimi i gabimit. Kur u krye ai korrigjim i buletës dhe u ulëm, ai ma tregoi një barcoletë, që lidhej figurativisht me situatën tonë. Ashtu e kishte zakon shpesh: kur kishte momente të tensionuara, gjente ndonjë mahi a barcoletë që të shtensiononte gjendjen. (Veçmas kur shiheshim bashkë me Qemajl Junikun, bëhej batërdi e barcoletave ndërmjet tyre.) Pas disa orësh pritjeje monotone, udhëtuam drejt Shkupit.
Duke e parë atë mënyrë të qetë e të urtë të zotërimit nga ana e profesor Fehmiut të situatës së papritur e të paqartë, e kam të ngulitur në mendje bindjen se ashtu do të jetë sjellë profesori, me qetësi, maturi e guxim, edhe kur e kanë marrë nga treni dhe e kanë shpënë drejt vendit ku e kanë ekzekutuar. Kriminelët e kanë ekzekutuar një burrë të moshuar, por jo guximin, jo durimin dhe jo urtësinë e tij. Ato vlera brenda personalitetit të tij, ishin më të forta edhe se sa ai vetë.