
Më 6 maj 1619 ndërroi jetë shkrimtari arbëresh Lekë Matrënga në Horën e Arbëreshëve në Sicili, një personalitet i shquar i Kishës dhe i kulturës së hershme arbëreshe, si dhe autor i një prej veprave më të hershme të shkruara në gjuhën shqipe.
Ai lindi më 18 janar 1567 (ose 1569 sipas disa burimeve) në Horën e Arbëreshëve, pranë Palermos. Pasi kreu studimet filozofike dhe teologjike në Kolegjin e Shën Atanasit në Romë, u kthye në Sicili, ku shërbeu si meshtar.
Në vitin 1592 përktheu nga italishtja dhe botoi në Romë katekizmin me titull “E mbësuame e krishterë” (Doktrina e Krishterë), vepër e teologut jezuit At Ledesma. Kjo vepër u botua pak vite pas “Mesharit” të Gjon Buzukut dhe konsiderohet ndër tekstet më të hershme të njohura në gjuhën shqipe.
Vepra e Matrëngës ka rëndësi të veçantë akademike për historinë e gjuhës shqipe, sidomos për dialektin e Horës së Arbëreshëve, duke përfaqësuar një dëshmi të çmuar të traditës letrare dhe shpirtërore arbëreshe.