
Më 7 maj 1936 lindi Vath Koreshi, një nga personalitetet më të rëndësishëm të letërsisë dhe kinematografisë shqiptare bashkëkohore.
Ai lindi në qytetin e Lushnjës. Më pas kreu shkollën e mesme profesionale në Politeknikumin “7 Nentori” në Tiranë, dega mekanike, dhe punoi për 4-5 vjet në ekspeditat gjeologjike në Kukës. Mbas kësaj kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës në degën e gjuhës e të letërsisë dhe i përfundoi në vitin 1964.
Vath Koreshi u dallua si një nga zërat më përfaqësues të brezit të ri të prozatorëve shqiptarë të viteve ’60. Nw vitin 1964 ai botoi vëllimin me tregime “Kur zunë shirat e vjeshtës”, ku spikati menjëherë talenti në gjininë e prozës. Me veprat e tij ai krijoi një univers të veçantë artistik, ku ndërthuren drama njerëzore, kujtesa historike, filozofia e jetës dhe analiza e thellë psikologjike e personazheve.
Veprat më të njohura të Vath Koreshit, që kanë hyrë edhe në antologjinë e letërsisë shqipe janë romanet “Dy të shtunat e Suzanës”, “Mali mbi kënetë”; “Rekuiem për një grua”, “Konomea”, “Një grua me të verdha në pyllin e Budës”, si edhe romani “Ulku dhe Uilli”, një nga veprat më të vlerësuara të prozës shqipe moderne. Gjithashtu ai shquhet edhe për novelat, të cilat shquhen për narrativën lakonike dhe të pasur me figuracion, duke lënë gjurmë në letërsinë shqipe, siç janë “Haxhiu i Frakullës”, “Dasma e Sakos”.
Krahas letërsisë, Vath Koreshi dha një kontribut të jashtëzakonshëm në kinematografinë shqiptare si skenarist dhe drejtues artistik. Ai është autor i skenarëve të disa prej filmave më të njohur shqiptarë, ndër të cilët “Gjeneral Gramafoni”, “Rrugë të bardha”, “Liri a vdekje”, “Nata e parë e lirisë”, “Besa e kuqe”, “Agimet e stines se madhe” (me 5 seri, mbështetur në vepren e tij), “Balada e Kurbinit”, e shumë të tjerë, duke lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e filmit shqiptar.
Veprimtaria e Vath Koreshit u shtri edhe në gazetari e në jetën publike. Ai punoi për vite me radhë si gazetar në gazetat “Zëri i Rinisë” dhe “Drita”, drejtoi institucione të rëndësishme kulturore, shërbeu si ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në vitet e para të pluralizmit, si dhe ishte deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
Vath Koreshi u nda nga jeta më 3 shkurt 2006.
Me veprën dhe personalitetin e tij krijues, ai mbetet një nga figurat më të rëndësishme të kulturës shqiptare, një emër që bashkoi letërsinë, filmin, gazetarinë dhe jetën publike në shërbim të identitetit dhe kujtesës kombëtare.