
QSPA/
Revista “Flamuri i Arbërit” u themelua nga një prej personaliteteve më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të XIX dhe botës arbëreshe, Jeronim De Rada. Ai njihet si ‘babai’ i gazetarisë, pasi botoi gazetën e parë në gjuhën shqipe “Shqiptari i Italisë” (L’Albanese d’Italia) në Maq të Kozencës, në vitin 1887. De Rada, si letërshkrues, ngriti zërin për mbështetjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878) duke frymëzuar të tjerë atdhetarë për ruajtjen e trojeve të pacenuara shqiptare. Kjo e frymëzoi të botonte të përmuajshmen “Flamuri i Arbërit” ose “La Bandiera Albanese” e cila u botua në vendlindjen e tij, Kozenca. Revista luajti rol të rëndësishëm për njohjen e Shqipërisë në Evropë si vendi i një populli të lashtë e me tradita, demaskoi synimet e fuqive të huaja për copëtimin e Shqipërisë, dhe shërbeu si një thirrje e përbashkët patriotike për arbëreshët dhe shqiptarët, që t’i shërbente misionit të pavarësisë së Shqipërisë dhe bashkimit Kombëtar. De Rada mbajti letërkëmbim me Thimi Mitkon, Zef Jubanin, Sami Frashërin, Elena Gjikën dhe Dora d’Istrian si dhe me studiues e shkrimtarë të huaj, të interesuar për Shqipërinë, si albanologu francez Ogyst Dozon, me baroneshën Jozefin fon Knorr dhe gjuhëtarin austriak Gustav Majer, në shërbim të njohjes së Shqipërisë dhe çështjes kombëtare.