

Rita Filipi/
Poezia e Trebeshinës i ka të gjitha: elementet urbane, moderne, elementet epike dhe elementet lirike; ka rimën dhe strofën tradicionale, po edhe atë të çrregulltën, ka ritmin e brendshëm, është poezi lirike, është sonet, është poemë e gjatë, ku gjen gjithçka: nervin, rebelizmin, por dhe ëmbëlsinë, qetësinë e romantiken, pjesën pesimiste për realitetin e hidhur, por dhe atë optimiste për përjetësinë e një shpirti të pastër që nuk e njollos dot as frika nga vdekja apo diktatura.
Poezia e Trebeshinës është një sistem i veçantë poetik, ku përmblidhet gjithë jeta njerëzore me vuajtjet, por dhe gëzimet, vuajtjet fizike, por dhe ato shpirtërore, gëzimet që vijnë prej natyrës dhe dashurisë, por dhe prej qëndresës. Duke e krahasuar poezinë dhe stilin e tij me poezitë që botoheshin asokohe, Trebeshina duket se ishte i vetëdijshëm për atë thelb që e bën atë të ndryshëm nga të tjerët.
Te poema “Përrallë vere” (1961), poeti e di mirë se arti i tij nuk do të pëlqehet, do të keqkuptohet apo keqinterpretohet, dhe kjo do ta bëjë atë të ndihet i huaj në mjedisin ku jeton, por dhe si poet, një i huaj në rrethet letrare. Ky poet kundër rrymës po sillte një rebelim të ndryshëm e të ri në poezinë shqipe.
“Dikush poemën s’ka për ta pëlqyer,
pa takt e tjer’ e tjera do ta quaj.
Dikush nga un’ pret vargun e rrëmbyer,
stomaku tjetrit as që mund t’ia bluaj.
S’ësht’ ver’ e fort’, as faqe bukur lyer,
ti si dhe un’ për shum’ jemi të huaj
ndaj do kaloj’ në heshtje, e paçmuar,
gjersa të tjer’ sërish ta ken’ zbuluar. “
Nëse ndalemi vetëm të poema “Lamtumirë trimëri”, që ai e shënon “Shkruar në burg, 1963”, na lind vetvetiu pyetja: Çfarë ishte trimëria në kohën e diktaturës? Kujt i hynte në punë ajo? As vetë atij që e zotëronte, por nuk e përdorte dot, se siç thotë poeti: “Edhe ëndrra notonte në gjak”. Dhe lind kështu një antihero më hero se vetë heroi.
“Bota le të vërtitet
Un do qëndroj në mjegullën e ëndrrës sime
Aty do të pushoj…”
Ky ishte brezi i sakatuar që mbi shpinë mbante dy luftëra – të ngrohtën, botëroren, dhe të ftohtën, që vazhdon dhe nuk mbaron… Brezi që shihte një lumë, por nuk kish aty asnjë urë që të lidhte fëmijërinë me të sotmen e të ardhmen.
Me dhimbje ai na thotë se burgosja, ekzekutimi e ndanë nga liria, por vdekja i dha lirinë – një paradoks ky i jetës së një poeti rebel përballë krimeve të diktaturës.
“Sërish atje do kthehet trup’ i lirë,
ku presin njerzit që më duan
dhe dhoma jon’ e ngrohtë!
Aty
ne dy,
me veten ton’ të përsëritur,
do ngremë prap një bot’ të vogël,
tonën,
të ndritur sa në jetë.
Do kthehet trupi im i lirë
te çerdhja jon’ e qetë,
ku ne për her’ të par’ u njohëm
dhe lidhë, miqësi
nga jeta dhe për jetën.
Ndërkaq un vetë,
njëher ekzekutuar,
pushoj te largësia
në hapësirë,
atje ku s’duhet trimëria,
atje ku mbretëron qetësia,
te kufizim’ i pakufi,
gjithnjë i lirë!….
Ndaj
LAMTUMIRË TRIMËRI!…
LAMTUMIRË!”
Por Kasëm Trebeshina edhe pas viteve ’90 thotë se nuk e gjen përsëri paqen.
Për fatin e keq si shqiptarë kemi përjetuar një tranzicion aq të gjatë (i cili vazhdon edhe sot), saqë dhe vdekja u tregua për poetin më e shpejtë.
NGA JETA MË PËRTEJ
Po heq nga aparati filmin djegur…
S’e gjete paqen tënde, Shqipëri!
Do iki larg te vendi që nuk dihet,
nga ku asnjë s’u kthye gjer tashti!..
Por është fjala që do të mbetet: shkrimi i saj dhe vepra e shkrimtarit:
E hoqa filmin! … mbetën vetëm fjalët!…
Te fjalët jemi ne!… Jam un’ dhe ti!
Nga zërat, kur të mbushen hapësirat,
do niset fjal’ e vetme përsëri!