
Sokol Paja/
Kostë Çekrezi në historinë e Federatës Vatra, gazetës Dielli e mbarë mërgatës shqiptaro-amerikane përbën një nga emrat më të respektuar e më të dalluar të shqiptarizmës e kombëtarizmës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Madhështia e patriotëve matet me trashëgiminë që u lënë brezave. Mirënjohja e shërbestarëve të atdheut në altarin e lirisë vlerësohet me dashurinë për kombin dhe mbrojtjen ndërkombëtare të historisë, interesit dhe identitetit kombëtar. Në historinë kombëtare, kontributi i mërgatës së Amerikës ka qenë vendimtar në ekspozimin e çështjes kombëtare në botën perëndimore dhe institucionet shtetërore amerikane.
Kostë Çekrezi ishte pa dyshim një nga figurat më të shquara e me kontribute të jashtëzakonshme në publicistikë, diplomaci, polemikë, përkthime e histori. Çekrezi në studimet e shkrimet e tij si editor i Diellit, dhe në gazetat e kohës kontribuoi fuqishëm në mbrojtjen e pavarësisë së Shqipërisë, konsolidimit të shtetit shqiptar, ekspozoi rrezikun kombëtar të shqiptarëve dhe mbrojti interesat kombëtare të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare duke qenë një zë referencial e atdhetar për kohën që jetoi e veproi. Në shekullin e kaluar, pena e mprehtë e Kostë Çekrezit, vizioni dhe mençuria e tij ishte ndër më brilantet duke e radhitur atë mes elitës intelektuale shqiptare që veproi e frymëzoi në patriotët në mërgim.
Vepra “Shqipëria, e kaluara dhe e tashmja” mbetet si një kontribut mjaft i çmuar i Kostë Çekrezit për historinë e Shqipërisë e shqiptarëve, botuar nga Universiteti i Kolumbias, New York 1919, me hyrje nga Charles D. Hazen profesor i Historisë Moderne, Universiteti i Kolumbias, vepra historike trajton në detaje sipas Çekrezit histori e vlera nga Shqipëria që shihej prej të huajve si “Vend nisterioz”, “Toka e mrekullive”, “Shqipëria e panjohur”, “Më e errët se Afrika e errët” e cilësime të tjera që i ishin atribuuar Shqipërisë, vendit i cili banohet nga njerëzit më të vjetër në Evropën Juglindore.
Në parathënie Çekrezi thekson se nëpër Europë në vitet 20 njerëzit po ushqenin fantazitë më të çmendura rreth kushteve të Shqipërisë ku paraqiteshin ide shumë të paqarta rreth ekzistencës dhe historisë së saj. Çekrezi në parathënie shprehet se rreth mesit të shekullit të kaluar, etnologët dhe historianët, të kalibrit dhe reputacionit të Hahn, Muller, Meyer dhe të tjerëve, i kushtuan shumë kohë kërkimeve në fushën interesante të origjinës së racës shqiptare teksa citon studiuesin Z. J. D. Bourchier në “Enciklopedinë Britanike” ku shprehet se “vendosmëria me të cilën kjo racë e shquar ka ruajtur fortesat e saj malore gjatë një serie të gjatë shekujsh deri më tani është vlerësuar pak nga bota e jashtme”.
Çekrezi hedh dritë dhe anatemon librat e rëndomtë që janë shkruar mbi historinë e Shqipërisë dhe ngre për diskutim çështje që kanë të bëjnë me gjendjen e Shqipërisë prej luftës Ballkanike e kohës së pavarësisë dhe trajtimi ndërkombëtar i çështjes komplekse shqiptare. Një vend të veçantë thekson Çekrezi i dedikohet mosmarrëveshjes së ashpër në lidhje me Shqipërinë Jugore ose “Epirin e Veriut” dhe pretendimet përkatëse shqiptare dhe greke, ku shkrimet e z. H. N. Brailsford, H. Charles Woods dhe M. Léon Lamouche janë autoritative mbi këtë debat historik.
Vepra historike e faktuese e Çekrezit “Shqipëria, e shkuara dhe e tashmja” përveç tjerash trajton edhe origjinën e shqiptarëve, gjuhën, kulturën dhe traditat, historinë e lashtë, aspekte të shtetformimit pas pavarësisë dhe problemet e pretendimet e fqinjëve. Çekrezi me veprën e tij i paraqiti botës perëndimore një burim të fuqishëm e të pakontestueshëm historik mbi historinë e pasur shqiptare duke anatemuar teza e vepra mediokre në dëm të historisë sonë kombëtare.