
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” dhe gazeta “Dielli” shprehin ngushëllimet më të dhimbshme për ndarjen nga jeta të gazetarit të shquar, korrespondentit të gazetës “Dielli” në Prishtinë, Behlul Jashari. Mbarë vatranët i gjenden pranë familjes e miqve në këto momente të vështira dhe luten që shpirti i Behlul Jasharit të gjejë paqen e amshuar.
Behlul Jashari ishte profesionist i lartë e patriot që sfidoi regjimin serb në mbrojtje të atdheut dhe interesit qytetar e kombëtar.
Veprimtaria publicistike mbi pesë dekada te gazeta “Rilindja”, “Bujku”, “ATSH” e “Dielli” e skalisin emrin dhe kontributin e tij me gërma të arta në historinë e Kosovës e medias shqiptare. Behlul Jashari raportoi me kurajë, profesionalizëm, guxim, trimëri e përkushtim ngjarje historike e mediatike që kanë shënuar momentet më të rëndësishme të historisë së Kosovës që nga lufta, pavarësia, rrugëtimi euro-atlantik e shtetformimi institucional.
“Vatra”, “Dielli” e kombi do të jenë përjetë mirënjohës.
Pranë familjes, miqve e kolegëve
Me nderim të veçantë
Kryetari i Vatrës
Dr. Elmi Berisha