
Nga Rafael Floqi/
Deklarata e ministres serbe Snezhana Paunoviç nuk është një lapsus dhe as një shpërthim emocional që mund të kalohet me heshtje. Kur një anëtare e qeverisë së Serbisë deklaron publikisht se, po të kishte qenë në vendin e Sllobodan Millosheviçit, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998”, ajo nuk po shpreh thjesht një mendim personal. Ajo po rikthen në ligjërimin zyrtar ideologjinë që prodhoi dëbime masive, masakra dhe varre masive. Nëse kërkon drejtpërdrejt shkatërrimin, tërësisht ose pjesërisht, të një grupi kombëtar, etnik, racor ose fetar dhe bëhet me qëllimin që të tjerët ta realizojnë, atëherë mund të përbëjë “nxitje të drejtpërdrejtë dhe publike për gjenocid”. Kjo është një vepër penale më vete, edhe kur gjenocidi nuk është kryer. Kështu përcaktojnë neni III(c) i Konventës së OKB-së për Gjenocidin dhe neni 25(3)(e) i Statutit të Romës.
Përpjekja e Paunoviçit për ta zbutur më pas deklaratën vetëm sa e bëri atë edhe më të rëndë. Sipas saj, shqiptarët nuk duhej të vriteshin, por ata që nuk e konsideronin Serbinë shtetin e tyre duhej të largoheshin drejt “shtetit amë”. Por shqiptarët e Kosovës nuk janë emigrantë në tokën e tyre. Kosova nuk është një hapësirë ku Beogradi mund të përcaktojë se kush ka të drejtë të jetojë dhe kush duhet të dëbohet. Largimi i një popullsie nga vendlindja mbi bazën e përkatësisë etnike është pikërisht përkufizimi i spastrimit etnik, pavarësisht nëse realizohet me armë, polici, trena apo kamionë.
Nga Peja në kabinetin e Beogradit
Snezhana Paunoviç ka lindur në Pejë më 1975. Ajo është ekonomiste dhe anëtare e Partisë Socialiste të Serbisë që nga viti 1992, kur kjo forcë drejtohej nga Millosheviçi dhe shërbente si instrument politik i regjimit që ndezi luftërat në ish-Jugosllavi.
Karriera e saj është lidhur ngushtë me Kosovën dhe me strukturat paralele që Beogradi vazhdoi të mbante atje edhe pas luftës. Paunoviç ka qenë koordinatore e strukturave komunale serbe për Gjakovën dhe Deçanin, si dhe drejtuese e institucioneve paralele të lidhura me Pejën.
Për të, Kosova nuk është vetëm një çështje politike. Ajo është kapitali mbi të cilin ka ndërtuar karrierën. Paunoviç i përket brezit të politikanëve serbë që vazhdojnë të ushqehen politikisht nga miti i “Kosovës së humbur”, duke e paraqitur Serbinë vetëm si viktimë dhe duke fshirë krimet e regjimit të Millosheviçit ndaj shqiptarëve.
Paunoviç nuk është një zë i izoluar
Rëndësia e kësaj deklarate shtohet nga fakti se Paunoviç nuk është një aktiviste periferike e nacionalizmit serb. Ajo është ministre, ish-kryetare e grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe ish-nënkryetare e Kuvendit të Serbisë.
Partia e saj, e drejtuar nga Ivica Daçiç, është prej vitit 2012 një nga shtyllat kryesore të pushtetit të Aleksandar Vuçiçit. Socialistët sjellin votat e elektoratit nostalgjik për Serbinë e Millosheviçit dhe, në këmbim, marrin ministri, ndërmarrje publike dhe ndikim politik e ekonomik.
Edhe më shqetësues ishte reagimi i Daçiçit, njëherësh ministër i Brendshëm i Serbisë. Në vend që ta dënonte deklaratën, ai e mbrojti Paunoviçin dhe përsëriti të njëjtën logjikë: shqiptarët që nuk e konsiderojnë Serbinë shtetin e tyre mund të shkojnë në Shqipëri.
Kjo mbrojtje dëshmon se nuk kemi të bëjmë me një devijim personal. Kemi të bëjmë me një kulturë politike që vazhdon t’i konsiderojë shqiptarët e Kosovës si popullsi të huaj, të toleruar përkohësisht në vendin e vet.
Heshtja e Aleksandar Vuçiçit është po aq domethënëse. Presidenti serb, që kontrollon pothuajse çdo qelizë të pushtetit, nuk mund të fshihet pas justifikimit se bëhet fjalë për një deklaratë individuale. Një ministre e kabinetit të tij ka mbrojtur publikisht spastrimin etnik. Ai duhet ta shkarkojë ose të pranojë se kjo ide tolerohet brenda qeverisë së tij.
“Shembull tipik të gjuhës së urrejtjes.”
Ndërsa ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla iu përgjigj ministres serbe Paunoviç, lidhur me deklaratat tronditëse të kësaj të fundit se po të ishte në vend të Millosheviçit do të kishte kryer spatrim etnik në Kosovë duke e shpallur “non grata”.
Sveçla theksoi se Paunoviç dhe kushdo që është armik i Kosovës nuk do të shkelë më në territorin e vendit.
“Cilido që cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës nuk është i mirëseardhur në Kosovë, duke qenë se është armik i Kosovës, prandaj unë pa hezitim kam ndërmarrë këtë hap. Një hap të njëjtë do mbaj unë dhe qeveria sa herë ka nevojë për të mbrojtur interesat e Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.
Po ashtu Zveçla kërkoi nga faktori ndërkombëtar Izolim të Serbisë derisa Presidenti Vuçiç të marrë masa ndaj ministres Paunoviç. Po aq e rëndë është heshtja e qeverisë shqiptare. Në çdo shtet demokratik, një deklaratë e tillë do të shkaktonte reagim të menjëhershëm diplomatik, thirrjen e përfaqësuesit serb për sqarime dhe kërkesën për shkarkimin e ministres.
Në Tiranë, reagimet erdhën kryesisht nga figura politike jashtë qendrës së vendimmarrjes dhe nga opozita, e cila kërkoi shpalljen “non grata” të Paunoviçit. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ndërkohë, nuk dha përgjigjen institucionale që kërkon serioziteti i rastit. Edi Rama, për deklaratën e ministres serbe Snežana Paunoviç, u shpreh:
“Ne nuk reagojmë sa herë që ndonjë idiot apo idiote në Serbi hap gojën. Ministri ynë i Jashtëm ka reaguar. Kush pret që qeveria shqiptare të bëhet pjesë e një kori histerik, ka ngatërruar adresë.” Rama tha se Shqipëria kishte reaguar zyrtarisht përmes ministrit të Jashtëm, por e cilësoi Paunoviçin si një figurë që nuk meritonte t’i përgjigjej personalisht kryeministri.
“Nuk reagojmë sa herë hap gojën ndonjë idiote në Serbi”
Spastrimi etnik nuk është “opinion”. Kryeministri Edi Rama ndodhej në Paris, në të njëjtin aktivitet ku merrte pjesë edhe Aleksandar Vuçiç. Megjithatë, nuk u pa asnjë shqetësim publik për faktin se brenda qeverisë serbe po diskutohej hapur dëbimi etnik i shqiptarëve të Kosovës. Përkundrazi, Rama zgjodhi t’u fliste mediave serbe për “gjenialitetin e keqkuptuar” të Ballkanit të Hapur dhe për partneritetin e tij me Vuçiçin. Por marrëdhëniet rajonale nuk ndërtohen duke mbyllur sytë përpara kërcënimeve ndaj shqiptarëve. Paqja nuk është fotografi liderësh, samite dhe deklarata për miqësi. Paqja kërkon ndarje të qartë nga ideologjia që prodhoi luftën.
Shqipëria nuk duhet të heshtë. Kosova nuk duhet të trajtohet si çështje protokolli dhe shqiptarët e saj nuk mund të përdoren si çmim për ruajtjen e marrëdhënieve personale mes udhëheqësve.
Snezhana Paunoviç duhet të shkarkohet, ndërsa Aleksandar Vuçiç duhet të deklarojë qartë nëse qeveria e tij e dënon spastrimin etnik apo vazhdon ta konsiderojë atë një alternativë politike. Vetë gazetarët serbë janë deklaruar për dënimin e saj. Gazetarë serbë e quajnë “Shembull tipik të gjuhës së urrejtjes.”
Disa gazetarë dhe media të pavarura serbe kanë reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres Snežana Paunoviç për “spastrimin etnik” të Kosovës.
Kryeredaktorja e portalit serb të Kosovës KoSSev, Tatjana Lazareviç, e cilësoi deklaratën si: “Shembull tipik të gjuhës së urrejtjes.” Ajo tha se, po të ishte në vendin e Paunovićit, do t’u kërkonte falje si shqiptarëve, ashtu edhe serbëve:
“Duke ditur tmerret që kanë përjetuar fillimisht shqiptarët dhe më pas serbët në Kosovë, nga respekti për viktimat e të dy popujve, ajo nuk duhej ta thoshte kurrë një gjë të tillë.”
Lazareviç e përshkroi deklaratën edhe si një “Banjskë verbale”, sepse dëmton drejtpërdrejt sigurinë dhe pozitën e serbëve që jetojnë në Kosovë. Danas Gazetarja politike serbe Vera Didanoviç, në revistën Radar, shkroi se deklarata dëshmon rikthimin e Serbisë te retorika më e errët e viteve ’90: “Morëm konfirmimin se kemi të bëjmë me trashëgimtarët e vërtetë të koalicionit kuqezi, për shkak të të cilit vuajtëm aq shumë gjatë viteve nëntëdhjetë.” Ajo kritikoi edhe mbështetjen që Ivica Daçiç i dha ministres. Radar
Ndërsa gazetari serb Žheljko Veljkoviç ironizoi përpjekjen e Paunoviçit për ta korrigjuar deklaratën: “Ministrja po shpjegon se ndoshta nuk do ta spastronte etnikisht Kosovën nga shqiptarët. Vetëm do t’i deportonte.”
Këto reagime tregojnë se një pjesë e gazetarisë serbe nuk e konsideroi deklaratën “opinion politik”, por gjuhë urrejtjeje dhe thirrje për dëbimin e një populli.
Megjithatë, “spastrimi etnik” dhe “gjenocidi” nuk janë juridikisht sinonime. Dëbimi i dhunshëm synon largimin e popullsisë nga një territor; gjenocidi kërkon provën e qëllimit specifik për ta shkatërruar grupin si të tillë. Spastrimi etnik mund të realizohet përmes krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe, në rrethana të caktuara, akteve të gjenocidit. Prandaj, përgjigjja e saktë është: një deklaratë e tillë nuk është domosdoshmërisht vetë “krim gjenocidi”, por mund të jetë gjuhë kriminale e urrejtjes, nxitje për spastrim etnik ose, kur plotësohen kushtet e rrepta, nxitje e drejtpërdrejtë dhe publike për gjenocid. Një krim urrejtjeje “hate crime”. Siç paralajmëronte Elie Wiesel: “Neutraliteti ndihmon shtypësin, kurrë viktimën. Heshtja inkurajon torturuesin, kurrë të torturuarin.”
Sepse spastrimi etnik nuk është “opinion”. Është krim. Dhe heshtja përballë tij nuk është diplomaci, por tolerim.