
Akademia e Shkencave e Shqipërisë përkujton 101-vjetorin e lindjes së shkrimtarit, poetit, dhe studiuesit Martin Camaj, një prej figurave më të shquara të letërsisë shqiptare të shekullit XX.
Martin Camaj lindi më 21 korrik 1925 në Temal të Dukagjinit, ku kaloi vitet e para të fëmijërisë. Më pas u vendos në Shkodër, ku ndoqi rregullisht studimet në Kolegjin Saverian të Jezuitëve. Arsimin e vazhdoi deri në vitin 1946, kur u detyrua t’i ndërpriste për shkak të mbylljes së institucioneve arsimore fetare në Shkodër nga regjimi komunist.
Në vitet 1946–1948 shërbeu si mësues në shkollën e Prekalit. Në vitin 1948 u largua nga Shqipëria dhe u vendos fillimisht në Tuz, ku ushtroi profesionin e mësuesit. Në vitin 1950 nisi studimet e larta në Universitetin e Beogradit, të cilat i përfundoi në vitin 1955, duke u diplomuar në letërsi.
Pas një periudhe të shkurtër në Sarajevë, Martin Camaj filloi studimet doktorale në Romë, pranë Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, e cila drejtohej nga Ernest Koliqi. Ai mori gradën shkencore doktor me një studim mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut, nën udhëheqjen e Ernest Koliqit.
Në vitin 1960 u vendos në Mynih, ku punoi si lektor. Në vitin 1971, në Universitetin Ludwig-Maximilians të Mynihut u hap për herë të parë Katedra e Albanologjisë, e cila u drejtua për njëzet vjet nga Martin Camaj. Në vitin 1990 iu dha titulli Profesor i Merituar.
Veprimtaria e Martin Camajt shtrihet në fushat e letërsisë, gjuhësisë dhe albanologjisë. Krahas kontributit të tij shkencor, ai botoi një sërë veprash letrare, ndër të cilat “Nji fyell ndër male”, “Kanga e Vërrinit”, “Legjenda”, “Rrathë”, “Njeriu me vete e me të tjerë”, “Drandja” dhe “Palimpsest”. Gjithashtu, ai bashkëpunoi me revistën “Shejzat”, një nga periodikët më të rëndësishëm të diasporës shqiptare.
Shkrimtari Martin Camaj ndërroi jetë më 12 mars 1992 duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme në letërsinë shqiptare.